BEHXHET SH.SHALA: ÇITELIA, DEFI, FYELLI DHE KAVALLI!

(Prishtinë, 28 mars 2012) – Lexuesit e nderuar janë mësuar që shkrimet që i shkruaj të kenë tituj bombastikë të cilët tërheqin vëmendjen dhe lënë përshtypje. Në fakt, titujt e mëparshëm kanë qenë zemra e shkrimit që i kanë dhënë jetë përmbajtjes së shkrimit! Titujt kanë qenë gjithashtu 100% politik apo porosia ka qenë politike. Gjithmonë kam bërë përpjekje që zhvillimet e trajtuara në shkrime t’i adresojë te personat përgjegjës duke ua përmendur emrat e në raste të veçanta i kam vizatuar e që i bie se më mirë ka qenë me ua përmendur emrat.
     Shumë herë vizatimet më kanë dalë karikatura e që në të vërtetë kanë qenë origjinali i personaliteteve për të cilët kam shkruar. Mund të llogaritet mbase edhe paradoks i llojit të vet por në raste të caktuara karikatura ka dalë më mirë se vet origjinali! E kam fjalën për pamje të jashtme sepse përmbajtja ka mbetur karikaturë! Përmbajtjen nuk kam mundur t’ua ndryshojë! Shumica e atyre që ua kam përmedur emrat vetëm sa kanë përparuar në karrierë duke e fituar ate që e kanë dashur. Ate që e meritojnë do ta fitojnë më vonë dhe për këtë nuk kam fare dyshim! Karriera e tyre është sikur punë e të bërit seks; përjetojnë kënaqësi gjatë aktit ndërkaq kur vjen koha për të lindur meqë shumica e tyre mbesin me barrë (korrupcioni, tenderë, krim i organizuar, zhvatje, dhunim politik dhe jopolitik dhe veprime të tjera të paligjshme) ndjejnë shumë dhimbje dhe assesi nuk pajtohen me statusin e një ”lehone“ e cila nuk mund t’i përshtatet rrethanave të reja. Sepse, dallojnë shumë Emeraldi me Dubravën apo Bujtina me 25 yje e Gjet Macollit me burgun e Lipjanit! Kurrsesi nuk ambientohen në këto rrethana dhe ligështohen shumë duke u shndërruar në zvarranikë që i hulumtojnë të gjitha vrimat e mundshme për t’u larguar nga aty! Ndonëse pëlcasin nga shëndeti, në rrethanat e reja “sëmuren” rëndë prandaj kërkojnë ”shërim”. I ringjallin vdekjet e familjarëve të tyre që kanë vdekur në kohën e Skënderbeut etj.etj. Maçoizmi i tyre i jashtëm transformohet në veprimet e një eunuhi (të tredhuri) që kujdeset për gratë e haremit të sulltanëve!

“Mbreti dhe mbretresha” e Republikës së Kosovës me fusnotë!

<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<

     Nëse i referoheni titullit atëherë fitohet përshtypja që kam shkruar për ndonjë odë, kanaxheq, dasmë, syneti, traditë folklorike, ambient ku bariu ruan delet apo ku u këndohet nizamëve të dikurshëm dhe trimoshave të sotëm. Ose, së paku për ndonjë shkollë muzike të ciklit të ulët! Mirëpo, u garantoj se edhe ky titull është 100% politik si dhe përmbajtja e shkrimit. 
     1. Çitelia: Është një instrument me tela me prejardhje orientale. Me këtë instrument e kemi mësuar historinë, traditën, burrërinë, trimërinë dhe veprime të tjera të vërteta dhe të pavërteta. Në bisht të çitelisë ke dalë për trimëri, budallaki, tradhëti, mençuri etj. Në anën tjetër për disa që janë kokëfortë apo që e kanë kokën me vakum thuhet se janë çiteli e vërtetë! Të tillë kemi sot thuaja në të gjitha institucionet e Kosovës, nga niveli lokal deri te ai qendror! Ndërkaq që përqëndrimi më i madh i çitelive në shtetin tonë është në Kuvendin e Kosovës! Disa janë me tela disa pa tela! Po, definitivisht Kuvendi i Kosovës është i pakonkurrencë sa i përket ekspozimit të çitelive dhe më i ç’akorduari sepse telat ua rregullojnë të tjerët që nuk kanë as shije e as vesh për folklorin shqiptar! Prandaj edhe kemi një kak-ofoni të paraqitjeve muzikale e shoqëruar me tekste underground (të nëntokës). Në rastin më të mirë, të rrugëve!
     2. Defi: Është një instrument gjithashtu me prejardhje orientale. Shërben kryesisht për krijimin e disponimit dhe rritjes së nivelit të adrenalinës. Sidomos kur shoqërohet me valltare ekzotike që duke e përdredhur shtatin thyejnë shumë zemra dhe shumë karriera! Ndryshe në jetën e përditshme kur i thuhet dikujt se është bërë def nënkupton se, ose është shurdhuar tërësisht ose veshët i bëjnë por nuk dëgjon gjë! Nuk dëshiron të dëgjojë. Në raste të caktuara të shpëton nga situata sepse me dinjitet e mbron shtetin që e përfaqëson. Kujtojeni vizitën e delegacionit të Kosovës e udhëhequr nga Gjet Macolli në Xhamahirinë e Libisë e sunduar atëherë nga miku i ngushtë i Gjetit, Moamer el Gadafi. Po të mos ishte muzika e defave (daireve) do të bëheshim përrallë! Kush atëherë do të udhëhiqte vallen e përbërë nga politikanë serioz, studentë të painformuar, biznesmenë real dhe patriotë virtual, prostituta politike dhe mediatike? Defat e ngritën adrenalinën deri në kokë të disa çitelive kosovare prandaj edhe kjo vizitë llogaritej si njëra ndër vizitat më të suksesshme kosovare ! Rezultatet ishin të menjëhershme. Edhe sot në politikë kemi shumë defa! Çoftë si instrumente që u bien të tjerët , çoftë si të shurdhër politikisht!
     3 Fyelli: Është një instrument frymor me të cilët janë joshur bareshat duke ruajtur bagëti nga donzhuanët e atëhershëm. Gjithashtu barinj! Në Kosovë sot fyelli është instrument me të cilën matet inteligjenca. E atyre që janë vdektarë të zakonshëm e sidomos për personat publikë ajka e të cilëve janë politikanët. Kur thuhet se ky qenka fyell i vërtetë kjo shprehimisht nënkupton që personit në fjalë nuk duhet bërë teste plotësuese për përcaktimin e inteligjencës. Të qenit fyell është diagnozë përfundimtare! Pa shpresë për shërim! Në anën tjetër mund të përdoret edhe si instrument joshës për përfitime materiale apo politike. Apo të dyjave bashkë! Po e ilustroj konkretisht. Sahit Fyelli, doajen i boemisë prishtinase, me instrumentin e tij të vetëm, fyellin, i joshte kalimtarët e rastit apo ngarësit e automjeteve kryesisht te semaforët duke u bërë muzikë me ç’rast përfitonte ndonjë metelik! Ai nuk ka pasur motiv për përfitim politik! Aktiviteti i tij është ndërlidhur me përfitime materiale dhe me qëllim që t’i argëtojë kalimtarët apo shoferët. Ai nuk ka qenë i shkolluar. Stefan Fy (el)li është shumë i shkolluar. Është komisioner për Zgjerim i BE. Personalitetin e tij ku përfshihet edhe mbiemri e përdor për joshje. Për joshjen që e bënë paguhet shumë mirë. Përfiton shumë edhe politikisht. Duke na joshur me premtime. Neve, fyellave! Gjithmonë i bjen muzikës së njejtë; për nisjen e studimit të fizibilitetit, nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim, Asociim, procesin e Liberalizimit të Vizave, perspektivën evropiane të Kosovës etj.et.etj. Dhe veshi i ne, fyellave është mësuar me muzikën e Stefan Fy(el)it! Po na pëlqen! Prandaj, vazhdojmë të mbesim fyella!
     4. Kavalli: Është instrument frymor. Zakonisht përdoret për këngë të dhimbshme që ta çajnë zemrën dhe shpirtin. Si dikur për nizamët! Është shumë i përshtatshëm edhe për situatën sot në Kosovë! Ka më shumë bira se fyelli. Është më i gjatë se fyelli! Bira e fundit e kavallit është e parëndësishme. Si shumë politikanë kosovarë. Që nuk pyeten për asgjë! Vetëm bëjnë zhurmë! Prandaj edhe u thonë; kush po ju pyet, je bira e fundit e kavallit! Kavalli në Kosovë është gjithashtu instrument për matjen e nivelit të inteligjencës. Duhet të bëhesh tri herë fyell, si për kah gjatësia ashtu edhe për kah inteligjenca për t’u bërë kavall .
     Tri brengat që më shqetësojnë shumë:
     1. Mikun tim Gjet Macollin, disa medie “armiqësore“ po e akuzojnë se po e bënë pastrimin e parave të pista në shtetin më ri të Evropës. Për herë të parë e ka përkrahjen time të plotë! Pse t’i mbajë paratë e pista? Që të infektohet, të sëmuret! Kurrsesi! Prandaj, Gjet vetëm vazhdo me pastrimin e gjërave të pista. Sidomos të parave! Mos i pastro me duar kur e ke Kosovën. Lavatriçen më të përsosur dhe më efikase për pastrimin e parave të pista në Evropë.! Shfrytëzoje rastin dhe përgjegjësinë që të siguron posti! Një herë të vjen vera kah dera! Aktualisht, ty Gjet, të gjitha stinët të janë bërë verë!
     2. Me hidhërim të thellë mora lajmin se Ksavier Bo de Marnak, ndryshe boss i EULESH’it i njohur si luftëtari i madh dhe i dëshmuar kundër korrupcionit, krimit të organizuar, krimeve të luftës, heqësit të barrikadave në Veri të Kosovës, luftimit të strukturave kriminale në Veri po e përfundon mandatin me 15 qershor të këtij viti! E pabesueshme por edhe e papranueshme! Si do të jetojnë kriminelët pa te? Si do të mbijetojnë strukturat kriminale në veri pa te? Si do të zhvillohet krimi i organizuar pa te? Nuk kam përgjigje dhe nuk kam koment! Jam shumë i shqetësuar me ndjenjën që me ikjen e gjeneralit Marnjak Kosova do të mbetet prapa Koza Nostras. Ndryshe, u krijuan të gjitha rrethanat që ta tejkalojmë këtë organizatë “humanitare “ nga Italia.
     3. Edhe një miku im po e lëshon Kosovën. Ambasadori Kris Dell. Humanisti dhe demokrati i madh. Miku më i madh i medieve dhe shoqërisë civile. Largimi i ti nuk është fatal për mua sepse që moti e ka paralajmëruar largimin prandaj psikikisht jam i pregatitur ta tejkaloj këtë situatë! Por, përfundimisht kjo është humbje e pariparueshme për llaskucët, zvarranikët, jargët e politikës dhe medieve. Të shkruara dhe elektronike. Efekti i z. Dell në demokratizimin e jetës në Kosovë ka qenë i barazvlefshëm me rastin kur një të sëmuri me frymmarrje të rëndë, për ta rikthyer në jetë, në vend të oksigjenit i jepni dioksid të karbonit!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura