(Prizren, 12. 12. 2012) – Po të mos ishim aktualisht në vitin 2012 dhe po të mos bëhej fjalë për një kalendar të civilizimit të lashtë pagan MAJA, në të cilin senzacionalisht 21 dhjetori i këtij viti parashihet si viti i një kataklizmi të mundshme planetare (fundit të botës), për shumicën, interesimi për këtë civilizim të shuar do të ishte kufizuar në shkallën e nivelit të kërshërisë së zakonshme intelektuale.
Nga ana tjetër, kur rreth këtij kurioziteti, me imagjinatën e vetë të bujshme krijuese kyçet edhe korporata më e madhe filmike botërore – “Hollywood”, atëherë, pa dyshim se, nga një e dhënë e zakonshme në formë të një dëshmie hipotetike aspak shkencore, në opinionin gjithë/botëror do të arrihet një efekt i fuqishëm mbresëlënës psikologjik kolektiv. Konkretisht, fjala është për filmin e regjisorit të famshëm holivudian, Rolanda Emmericha, titulluar, “2012”, premiera e së cilës, u shfaq në nëntor të vitit 2009. E realizuar përmes një teknike shumë të përsosur bashkëkohore me përplot efekte virtuale, ky film artistik i stilit komercial holivudian, jo vetëm që arriti një shikueshmëri rekorde në botë, por përmes temës specifike tejet sugjestibile që trajtonte, provokoi emocione masive të frikës dhe ankthit kolektiv tek njerëzit.
Sa më shumë afrohej dita kalendarike e parashikimit të kësaj kataklizme botërore, aq më tepër njerëzimi mbahej nga makthi i pritjes. Dhe…ne jemi shumë afër kësaj date.
Weltuntergang laut Maya-Kalender am 21.12.2012
Lajmë më i fundit i botuar nëpër disa medie edhe në gjuhën shqipe (posaçërisht portale në internet ) se “me datë 21 dhjetor 2012, toka do të futet në një unazë të palëvizshme satelitore të quajtur rripi fotonik dhe në orën 1:00 pas mesnate me orën Kolumbiane do të ketë errësirë totale e cila do të zgjasë 3 ditë resht” , po i “hellin më shumë benzinë në zjarrit”, siç thotë populli. Gjegjësisht, në vend që të kontribuojnë në drejtim të qetësimit të popullatës, përmes këtyre lajmeve senzacionaliste, këto medie edhe më shumë po e rrisin këtë paranoje të pabazuar kolektiv tek ta.
Ajo që e bënë edhe më skandaloze këtë lajm sharlatantesk mediatik ishte konstatimi i burimit. Thuhet se atë informatë, kinse, më 5 dhjetor të këtij viti na e paska komunikuar NASA, gjë që aspak nuk është e vërtetë. Së paku në faqen e saj zyrtare në internet, ky lajm askund nuk figuron si oficiale.
Duhet ta kemi parasysh se NASA është një organizatë (agjenci) shumë serioze shtetërore amerikane e cila si e vetme në botë merret zyrtarisht me kërkimet shkencore për planetin, kozmosin dhe universin në tërësi dhe që studion, analizon dhe kontrollon çdo lëvizje të Planetit Tokë dhe përreth tij.
Rreth përmbajtjes së këtyre shqetësimeve tashmë të miliona e miliona njerëzve kudo në botë, si argumente më meritore, tejet konkrete dhe të kapshme edhe për mentalitetin e masave tona të gjera popullore, në formë të pyetje-përgjigjeve të përzgjedhura, në vazhdim do t’ju parashtroj disa mendime të ekspertëve të po kësaj agjencie.
Pyetja 1- A ka ndonjë kërcënim për Tokën në 2012? Shumë adresa në internet shkruajnë se fundi i Tokës do vijë në vitin 2012?
Përgjigja- Asgjë e keqe nuk do të ndodhë në Tokë në vitin 2012. Planeti ynë ekziston prej miliarda vjetësh dhe shkencëtarët në mbarë botën nuk shikojnë ndonjë rrezik lidhur me 2012.
Pyetja 2- Cila është origjina e parashikimit se fundi i botës do të vijë më 2012?
Përgjigja– Historia nisi me pretendimet se Nibiru një planet i zbuluar nga sumerianasit, është drejtuar drejt Tokës. Kjo katastrofë ishte parashikuar të ndodhte fillimisht në maj të vitit 2003, por asgjë nuk ndodhi dhe kjo datë u zhvendos për në dhjetor të 2012. Këto dy data u lidhën me parashikimet e kalendarit të fisit të lashtë Maja, në solsticin dimëror në vitin 2012, pra data e parashikuar si fundi i botës ishte 21 dhjetor 2012.
Pyetja 3- A përfundon kalendari Maja në Dhjetor 2012?
Përgjigja- Ashtu si kalendari që mbahet në murin e kuzhinës së shtëpisë tuaj, nuk pushon së ekzistuari edhe pas 31 dhjetorit, edhe kalendari Maja nuk pushon së ekzistuari në 21 dhjetor 2012. Kjo datë është fundi i periudhës së numërimit të fisit Maja, por ashtu siç kalendari fillon përsëri më 1 janar, një tjetër periudhë numërimi fillon për kalendarin Maja.
………………………………………
Filmi 2012 (I plotë)
Pyetja 4- A mund të ndodhin fenomene nga ndikimi i planetëve në Tokë?
Përgjigja- Nuk parashikohen ndikime fatale në dy dekadat e ardhshme. Toka nuk do ta kalojë planin galaktik në vitin 2012, dhe efektet e tyre në Tokë janë të papërfillshme. Çdo dhjetor Toka dhe dielli lidhen me qendrën e përafërt e Milky Way Galaxy, por që është një ngjarje vjetore pa asnjë pasojë.
Pyetja 5- A ka një planet me ngjyrë kafe i quajtur Nibiru, Planeti X apo Eris që po i afrohet Tokës dhe kërcënon planetin tonë me shkatërrim?
Përgjigja – Nibiru dhe histori të tjera rreth planetëve të pabindur janë një shaka e prodhuar nga interneti. Nuk ka asnjë bazë faktike për këto pretendime. Nëse Nibiru apo Planeti X do të ishin realë dhe do të afroheshin me Tokën në vitin 2012, astronomët do ta kishin ndjekur të paktën gjatë dekadës së fundit dhe tani do të dukej me sy të lirë. Natyrisht një planet i tillë nuk ekziston. Ndërsa planeti Eris është i vërtetë, por ky është një planet i vogël i ngjashëm me Plutonin që do të mbetet në sistemin e jashtëm diellor, dhe afërsia me tokën është mbi 4 miliardë milje.
Pyetja 6- Çfarë është teoria polare e ndryshimit? A është e vërtetë se korja e tokës do bëjë një rrotullim 180 gradë që është çështje ditësh apo orësh?
Përgjigja – Një ndryshim në rrotullimin e Tokës është i pamundur. Ka lëvizje të ngadalta të kontinenteve (për shembull Antarktida ishte pranë Ekuatorit qindra miliona vjet më parë), por që pretendimet për ndryshimin e poleve është i parëndësishëm. Megjithatë, shumë nga faqet keq/informuese në internetit përhapin panik për të tërhequr dhe mashtruar njerëzit. Edhe nëse ndodh një ndryshim magnetik, ai mund të ndodhë në mijëvjeçarët e ardhshëm.
Pyetja 7- A rrezikon Toka të goditet nga një meteor në vitin 2012?
Përgjigja – Toka ka qenë gjithmonë subjekt i ndikimeve nga kometat dhe asteroidet por goditjet e mëdha janë shumë të rralla. Ndikimi i fundit i madh ishte 65 milionë vjet më parë, dhe që çoi në zhdukjen e dinozaurëve. Sot astronomët e NASA-s po kryejnë një studim të quajtur “Spaceguard Survey” për të gjetur të dhëna për ndonjë asteroid që mund të godasë Tokën. Por kemi konstatuar se nuk ka asteroide aq të rrezikshëm sa ai që vrau dinozaurët. E gjithë kjo punë është postuar çdo ditë në faqen zyrtare të internetit të NASA, kështu që deklarojmë se nuk është i vërtetë parashikimi për fundin e botës në 2012.
Pyetja 8- Si ndihen shkencëtarët e NASA lidhur me pretendimet për pritshmëritë e fundit të botës?
Përgjigje- Për çdo fatkeqësi të mundshme apo ndryshime dramatike në 2012 ku është shkenca? Ku janë provat? Nuk ka asnjë provë, asnjë fakt, çdo gjë është e imagjinuar, edhe pse për ato mund të jenë bërë libra, filma, dokumentarë, dhe postuar në internet, asnjë fakt nuk mund të pohohet se është i konfirmuar. Nuk ka asnjë dëshmi të besueshme për asnjë nga pohimet e bëra në mbështetje të ngjarjeve të jashtëzakonshme që mund të ndodhin në dhjetor 2012.
Pyetje 9: A ka ndonjë rrezik nga stuhitë diellore gjigante të parashikuara për vitin 2012?
Përgjigja – Aktiviteti diellor ka një cikël të rregullt, përafërsisht çdo 11 vjet. Pranë këtyre aktiviteteve mund të shkaktohen disa ndërprerje të komunikimit satelitor, megjithëse inxhinierët kanë ndërtuar pajisje elektronike që janë të mbrojtura nga stuhitë diellore të mëdha. Por nuk ka asnjë rrezik të veçantë lidhur me vitin 2012. Stuhia tjetër diellore mund të ndodhë në periudhën 2012-2014, por nuk parashikohet ndonjë ndryshim nga ciklet e mëparshme.
Në vazhdim, është e paevitueshme që në mesin e shumë argumenteve mohuese rreth kësaj date të mundshme apokaliptike më datën 21. dhjetor 2012, të cekim edhe një deklaratë të z. Filipe Gomez, president i shoqatës së pjesëtarëve të popullit maja në Guatemalë, i cili në emër të kësaj shoqate, në mënyrë të prerë konstatoi: “Ata nuk e thonë të vërtetën në lidhje me ciklet kohore të interpretuara gabimisht nga kalendari ynë”. Për “çdo rast”. Ministria e Kulturës së Guatemalës për këtë ditë ka organizuar një takim masiv ku pritet të jenë të pranishëm mbi 90 mijë njerëz. Përfaqësuesit e maiave kanë ftuar punëtorët turistikë që t’i përgjigjen ftesës që fyen kulturën maiane.
A do të ndodh vërtet shkatërrimi i botës në vitin 2012?!! Jo! Aspak! Së paku jo në këtë vit kalendarik dhe as në vitet tjera gjatë këtij shekulli në vijim. Kjo duhet të jetë përgjigja ime më e përgjithësuar dhe më decidive rreth kësaj profecie apokaliptike. Për një konstatim të tillë të prerë kamë shumë argumente:
Kalendari Maja nuk kryhet më 21.12.2012 ! Kjo është vetëm koha e përfundimit të një cikli (epoke) dhe data e kalimit në një epokë të re 26.000 vjeçare nëpër të cilën sistemi ynë planetar, së bashku me Diellin në qendër, prej fillimit duhet ta shtegtoj rrugën e rrotullimit të vetë rreth yllit më të mall të quajtur ALSIONA. Pra, pas kësaj date, ne do të kemi një tjetër “Llogaritje të gjatë” por tashti të pashkruar si kalendar. Së paku jo deri më sot nga dikush.
Por, gjithsesi vitet që janë para nesh, do të jenë vendimtare jo vetëm për historinë gjeopolitike të planetit tonë, por gjatë kësaj kohe do të ndodhin një sërë fenomenesh natyrore të cilat patjetër do të ndikojnë në ndryshimin e bindjeve tona për botën nga ato sikurse i kemi pasur deri më sot.
Shikuar realisht, vërtetë deri më 21 dhjetor 2012 diçka do të ndodh në botë. Diçka si shkatërrim, transformim dhe zhdukje, por jo në aspektin fizik- material sikurse komentohet, por kjo rilindje do të jetë pikërisht në shpirtin kolektiv të njerëzimit.
Civilizimi i lashtë MAJA ka qenë një etnitet i lashtë me mentalitet tërësisht intuitiv dhe jo/materialist. Ata, të gjitha ngjarjet që ngjanin në realitetin tonë objektiv, i kanë konsideruar si trysni të proceseve të ndodhura në planin tjetër paradoksal jo/material të esencës tonë objektive (shpirtit), andaj, sado që të jetë e saktë kjo profeci e tyre, NE detyrimisht asaj duhet t’i qasemi nga një këndvështrim metafizik (jo/material). Gjegjësisht, edhe nëse aty ka diçka të vërtetë, kalendarin në fjalë duhet ta interpretojmë si zhdukje dhe shkatërrim, PO, por të njëmendësisë tonë të gjertanishme të gabuar kolektive mbi botën dhe realitetin e saj; si ringjallje, ardhje e kohës së duhur për veprim të përbashkët kundër, padrejtësive, moralit të degraduar kolektiv, sundimit të pakicës tejet të pasur, nga njëra anë, dhe shumicës e cila dita më ditë varfërohet në botë…