HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (25)

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (25)

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 22 Korrik 2021

HALILI E TEUTA ISHIN ATDHETARË TË MËDHENJ

Halilin dhe Teutën i kam njohur shumë mirë. Ata kanë qenë atdhetarë të mëdhenj dhe na kanë ndihmuar në çdo pikëpamje. Prandaj Halili ishte dhe ka mbetur një figurë e ndritshme në historinë e kombit shqiptar. Halilin të gjithë e donin dhe e respektonin i madh e i vogël në Firajë. Atij pushteti nuk mund t’i bënte asgjë, sepse kishte mbështetje dhe përkrahje një popull të tërë. Atë mund vetëm ta largonin nga Firaja dhe nga procesi mësimor. Kështu njëfarë Aliu i Dhomës së Bashkuar insistonte në largimin e Halilit dhe kështu Halili u largua nga Firaja.

Bilall Ilaz Hajdari, i lindur më 1940 në Firajë.

HALILI ISHTE EDUKATOR I SHKËLQYESHËM

Halili ishte mësues i parë në fshatin Firajë. Ishte mësues i mirë, edukator i shkëlqyeshëm. Ai i donte shumë nxënësit e vet dhe sillej ndaj tyre sikur të ishte prind i tyre. Ishte njeri i afërt, i çelur dhe komunikativ edhe me fshatarët. Ndër të gjitha ishte trim, atdhetar e guximtar sa ta lypsh. Atij nuk i trembej syri prej askujt. Ai na jepte zemër edhe neve. Tucin e trimëronte, kurse trimin e bënte shok. Ishte sportist i dalluar, luante me zemër, me mendje e me trup që ta kënaqte shpirtin. Ky shpeshherë na udhëzonte në procesin edukativo-arsimor. Të punosh me të ishte një kënaqësi e veçantë, e sidomos ne kemi pasur rastin të punojmë bashkë me të edhe në natyrë. Halili mori aksionin për elektrifikimin e fshatit të Firajës dhe bashkë me forcat tona ia doli me sukses. Kjo dëshmon dhe shihet  qartë se bashkëpunimi i tij me fshatarët ishte një bashkëpunim i ngushtë dhe një mirëkuptim vëllazëror e njerëzor. Puna e tij dëshmon se Halili si mësues ishte shpirti i popullit, ai punonte për të dhe bashkë me të për qëllime të caktuara, për t’ia lehtësuar jetën dhe për të krijuar kushte të reja dhe më të mira e më të lehta jo vetëm për nxënës, por edhe për fshatarë e për popull, ndaj populli e donte shumë dhe e nderonte si mësues e prijës të tij. E gjithë kjo punë e ky elan i tij në punë buronte nga atdhedashuria e tij. Ai mbi të gjitha ishte një strateg dhe ideolog i kombit shqiptar. Kontributi i tij si mësues, edukator, arsimues dhe atdhetar nuk harrohet kurrë. Sa herë që e kujtojmë na duket sikur e kemi pranë, sikur e kemi në shpirt, në mendje e në zemër. Ai ka mbetur i pashlyeshëm në kujtesën tonë.

Daut Elez Islami, mësues në pension nga Firaja.

TË QËNDROSH NË BURG ME HALIL ALIDEMËN ISHTE KRENARI KOMBËTARE

Jam i lindur në fshatin Firajë të Serenikës, në një familje të varfër fshatare, por që kishte kultivuar ndjenja dhe tradita patriotike, ndaj si e këtillë familja ime gjithmonë kishte rënë në konflikt me pushtetet sunduese, duke e paguar shtrenjtë e me viktima. Kështu që, rrita dhe zhvillimi i personalitetit tim ishte i brumosur me ndjenja patriotike, duke ndjekur traditën familjare, por kjo ndjenjë e imja u pasurua edhe më tepër me ardhjen në fshatin Firajë si mësimdhënës figura më markante e patriotizmit shqiptar – Halil Alidemës. Ardhja e Halilit në fshatin tim ndikoi në ngritjen e vetëdijësimit të fshatarëve për shkollim dhe emancipim, i cili ndihmë të madhe në këtë drejtim pati edhe nga përkrahja e bashkëshortes së tij Teuta Kryeziu – Alidema, që unë pata fat të isha nxënës i tyre dhe të jem bashkë me ta deri në momentin e ndarjes nga kjo botë. Njohja ime me Halilin dhe Teutën nis me vitet e gjashtëdhjeta, atëbotë kur mbretëronte acari dhe terrori rankoviçian, stuhi kjo së cilës Halili diti t’i përballojë me forcën dhe përkushtimin që ai ushqente për çështjen shqiptare. Njohja jonë gjithnjë e më tepër u thellua, sepse edhe pas mbarimit të shkollës tetëvjeçare, ne u bëmë shokë të ngushtë të jetës. Kështu edhe gjatë studimeve kisha kontakte të vazhdueshme me Halilin dhe gjithnjë merrja insturksione të caktuara për veprimin dhe përgatitjen e demonstratave të vitit 1981, duke masovizuar thirrjen tek nxënësit, studentët dhe mbarë popullata shqiptare, duke shtruar kërkesa të qarta politike.

Për arrestimin e Halilit mësova nga bashkëshortja e tij – Teuta, e cila më siguroi se nesër mund të ikja nga vendi, por asnjëherë nuk më shkoi mendja të ikja nga vendi, kurse Halili të dergjej në burg. Kështu që pas një muaji më arrestuan edhe mua në burgun e Prishtinës. Pas hetimeve e torturave na dënuan. Mirëpo, të dënohesh në grupin e Halil Alidemës patriot i shquar, të Ukshin Hotit, politikolog i përmasave ndërkombëtare, me autorin e “Epokës para Gjyqit”, Ekrem Kryeziun, regjisor i njohur dhe patriot të tjerë ishte satisfaksion dhe krenari kombëtare. Prandaj prof. Sabit Alidemës iu përgjigja me kënaqësi të madhe dhe me plot emocione ngase Halilin dhe Teutën  i njoha që të dy si mësimdhënës në vendlindjen time, në Firajë, ndërsa autorin e veprës në fjalë, prof, Sabit Alidemën nga Shkolla Normale në Ferizaj, që dallohej për ndjenja patriotike.

Për Halil Alidemën ruaj kujtimet më të mira si edukator, si njeri dhe si patriot.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!

Lavdi i qoftë për të gjitha veprat që ka bërë në interes të popullit e të atdheut!

Nezir Haliti, Firajë e Ferizajt, bashkëvuajtës në burg me Halil Alidemën

TEUTËS IA KISHIM LAKMI PËR BUKURI DHE SJELLJE NJERËZORE

Që të dy i njoh mirë, sepse kanë ardhur shpesh te na sa ishin mësues në Firajë. Edhe Teuta  ishte grua punëtore, grua e fjalës dhe besës e donte dhe e respektonte shumë Halilin, ndaj edhe u martua me të. Ne ia kishim lakmi Teutës, si vajzë e re, e bukur, e shkolluar dhe mësuese. Ajo sillej mirë me nxënës dhe me gratë e fshatit, ndaj ne kishim shumë dëshirë të rrinim sa më shpesh me të. Ajo me sjelljen e vet, me fjalët e veta na freskonte dhe na jepte vullnet për punë dhe për jetë, gjithnjë na porsiste që t’i dërgonim vajzat tona në shkollë, sepse ajo thoshte se gruaja pa shkollë nuk mund t’i edukojë si duhet fëmijët e saj. Teuta na ka lënë kujtime të mira dhe të pashlyeshme. Unë kurrë nuk mund ta harroj Teutën. Teuta ka banuar me gruan e Arifit, këtu në familjen tonë, ndaj ne atë e kemi konsideruar si anëtar të familjes, e kemi pasur si motër, ndaj kur jemi ndarë prej saj, kur u largua nga Firaja, jemi mërzitur shumë për të. Ndonëse, nuk e kemi parë më kurrë prejse u largua, parafytyrimet e kujtimet për të i kemi të freskëta dhe na duket sikur është e gjallë në mesin tonë.

Lavdi i qoftë për jetë e mot!

Emri i saj dhe i Halilit kurrë mos u harrofshin!

Rukie Hasani nga Firaja

HALILIN E TEUTËN I DONTE POPULLI

Shpalon kujtimet e veta për Halil Alidemën e Teutën

Lutfi mulla Brahim Hasan Firaja. – i lindur më 1943 në fshatin Firajë. Shkollën tetëvjeçare e kreu në vendlindje, është i martuar dhe ka shtatë fëmijë. Prej tyre dy i ka të inkuadruar në polici të Kosovës, kurse të tjerët i ka të inkuadruar në Zvicër.

Kur erdhi si mësues Halili në Firajë, unë sa e pata kryer shkollën tetëvjeçare, më nuk e pata vazhduar shkollën, mirëpo Halili u jepte mësim vëllezërve të mi. Ai me Teutën vinte shpesh për muhabet te ne, ndërsa konakun e përhershëm e ka pasur te Halil Duka. Ashtu siç ishte patriot Halili ashtu ishte edhe shoqja e tij – Teuta. Halilin e donim shumë, jo vetëm nxënësit, por edhe ne fshatarët, kurse Teutën e donin gratë e motrat tona. Bile më thoshte gruaja, thirri më shpesh Halilin e Teutën, sepse po kam dëshirë të rri e të bisedoj me Teutën.

Halili ishte trim i madh. Ai nuk frikësohej prej askujt.Të gjithëve na kujtohet edhe sot dhe të gjithë e mbajnë mend, kur Halili na thoshte: – Bashkimi kombëtar nuk bëhet vetvetiu, por atë duhet ta bëjmë vetë ne, pra bashkimi ynë varet prej nesh, mirëpo rrushi ende nuk është pjekur…

Për Halilin kemi vetëm fjalë të mira dhe kujtime të mira si mësues, si njeri e si patriot, i cili punoi shumë për këtë popull e për këtë vend, prandaj lavdi i qoftë për jetë e mot për të gjitha veprat që ka bërë në shërbim të popullit e të atdheut të vet!

Kujtimi për të qoftë i përjetshëm!

Lutfi Hasani, Firajë

HALILI MËSUES I POPULLIT

Shpalon kujtimet e veta: DAUT ELEZ ISLAMI, mësues i parë në fshatin FIRAJË të Shtërpcës, gjatë vitit shkollor 1 shtator 1954, në fshatin Rufc të Lypjanit, pastaj punën e mësuesit e vazhdoi gjatë viteve shkollore 1955/56 në fshatin Llugaxhi, gjithashtu të Lypjanit, më vonë më transferuan në vendlindjen time, njëherë në Kashtanjevë e pastaj në Firajë, ku gjendet në mur fotografia e Halilit dhe Teutës.

Me Halilin kam pasur takime gjatë periudhës shkollore prej vitit 1959 e deri në vitin 1962. Do të thotë kujtimet me Halilin i kam nga shërbimi im me të në Firajë. I vetmi mësues i parë i kualifikuar në këtë trevë me shkollë të kreyr normale ishte Halili me Teuta Kryeziun, ndërsa të tjerët ishin të pakualifikuar. Disa ishin me kurse pedagogjike, kurse disa me drejtime të shkollave të tjera, e jo të Normales. Prandaj Halil Alidema si mësues i kualifikuar na udhëzonte dhe këshillonte në procesin edukativo-arsimor. Atë e kishim ndihmëtar të dorës së parë. Kujtimet më të mira që më janë rrënjosur në kujtesën time janë ato, puna në shkollë, ku ne zhvillonim mësimin në ndërtesën private te shtëpia e DUKAJVE, ndaj ishte kënaqësi e veçantë kur dilnim në oborrin e vogël me nxënës e me të për të zhvilluar lojëra sportive. Halili ishte adhurues i madh i sportit. Ndërkaq, trupi arsimor dhe të gjithë nxënësit i përcillnim me ëndje dhe kënaqësi të veçantë lojërat që zhvillonte Halili me shokë dhe me nxënës të shkollës.

Kujtimet e mira për Halil Alidemën nuk vdesin kurrë. Ato kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesën time. Më kujtohet si sot, kur një të diele erdhi te Kroi i Lepencit (Te Livadhi im) Halili e Teuta dhe bashkë me ta edhe babai i Teutës – Remzi Kryeziu, ku unë kisha përgatitur një drekë duke e shijuar në bukuritë natyrore. Ishte një kënaqësi e veçantë të kalosh disa çaste krenare me këta njerëz atdhetarë.

Halil Alidema, si mësues i popullit dhe atdhetar e karakterizonte edhe ndërmarrja e aksioneve të ndryshme në shërbim të popullatës vendëse, ai ka lënë kujtime dhe gjurmë të pashlyeshme.

Në këtë drejtim më kujtohet aksioni për të mirën e popullit për elektrifikimin e fshatit Firajë. Halili u angazhua vetë dhe organizoi edhe nxënësit për të hapur gropat për shtyllat elektrike, duke filluar nga Drajkovci deri në Firajë. Atij i ndihmonte edhe trupi arsimor i shkollës së Firajës. Mirëpo, ndër të gjithë këtu dallohej Halili. Ishte mahnitëse vepra dhe fuqia e Halilit. Ai kishte fuqi prej çeliku. Pa ndihmën e askujt, vetëm kapte shtyllat elektrike dhe i vendoste në gropat e hapura dhe i drejtonte vertikalisht e i përforconte, duke i ngulur në gropë sikur të ishte një luan, ndaj me forcën e tij mahniteshim dhe çuditeshim të gjithë aty që ishim të pranishëm.

Halil Alidema atdhetar i madh. Halili shquhej edhe si strateg kombëtar, sepse ai dinte ç‘donte dhe dinte se ç‘rrugë duhet ndjekur jo vetëm ai por çdo intelektual shqiptarë për çështjen kombëtare. Në këtë drejtim ai ishte ideolog i kombit shqiptar, ndaj kudo që shkonte,ai vijimisht punonte në këtë drejtim, duke i udhëzuar dhe këshilluar edhe atdhetarët të tjerë, përpiqej që të mbillte tek ata dashurinë për popull e atdhe dhe punën e madhe që duhet bërë për çlirimin nga robëria shekullore, nga okupatori serb. Pikërisht për këtë arsye kontributi i tij për atdhetarizëm nuk mund të harrohet kurrë…

Bashkëpunimi me prind dhe me fshatarë të fshatit FIRAJË – Halili si mësues dhe ekukator nuk kufizohej vetëm brenda katër mureve të shkollës. Ai nuk ishte vetëm mësues dhe edukator i nxënësve, por edhe i prindërve dhe i fshatarëve të fshatit Firajë. Prandaj, në këtë drejtim, ai zbatonte dy parime: parimi didaktik dhe edukativ, por edhe parimi i ngjalljes së dashurisë ndaj atdheut si patriot dhe si shqiptar. Për këtë arsye ai tek fshatarët shihte një forcë të madhe dhe një përkrahje morale dhe konkrete në realizimin e synimeve dhe qëllimeve të veta drejt çlirimit dhe pavarësisë. Shi për këtë arsye ai kishte një sjellje shumë të afërt, i dashur e modest, i përvetësonte fshatarët. Përpiqej që ta emanciponte dhe arsimonte edhe femrën shqiptare. Në realizimin e qëllimeve të veta në këtë drejtim i ndihmonte shumë edhe Teuta.  

Daut Elez Islami

TEUTA ISHTE KRAH I DJATHTË I HALILIT

Kur flasim për Halil Alidemën është vështirë të gjejmë fjalë aq të mira që ai i meritonte. Ai ishte njeri i përkryer, shok i sinqertë, dashamirë pa hile, punëtor i zellshëm, mik besnik dhe patriot i madh, që s’e kishte shoqin.

Ndërkaq, Teuta ishte shoqe e mirë, e edukuar dhe e respektuar, ishte bujare dhe fisnike me ide patriotike, ndaj ajo ishte krah i djathtë i Halilit. Ajo bashkë me Halilin kanë punuar në shkollën e Malishevës, ndaj që të dy i kam njohur mirë Ju lutemi, ju si farefis i tyre, pranoni ngushëllimet tona për të dytë, Halilin dhe Teutën. Duhet të krenoheni me ta! Lavdi u qoftë për jetë e mot!

Istref Limaj, 1938 i lindur në fshatin Banjë të Malishevës

HALILI NUK DURONTE PADREJTËSINË

Halilin e quanim babë. Ai ishte i rreptë, ndaj ai nuk duronte padrejtësinë. Përpiqej të merrte pjesë dhe të korrte suksese në të gjitha aktivitetet, por veçanërisht  dallohej me sukses të veçantë në lëmin e sportit. Ishte trim i madh, organizator i mirë, njeri bujar e fisnik, i afërt dhe i dashur nga shokët e klasës. Ishte njeri human dhe solidar, i donte dhe i afronte njerëzit afër veti. Sa i përket çështjes së padrejtësisë, ai nuk duronte askë, madje as arsimtarët, sidomos diferencimet…

Ishte nacionalist i përbetuar, ishte kundërshtar i vendosur i shtetit okupues. Pikërisht për këtë qëllim u përjashtua nga shkolla, por edhe për arsye të orientimit familjar që kishte marrë edukatë prej saj. Kur u bënë demonstratat në Tetovë, Halili ishte në Ferizaj. Klasa jonë e ka respektuar shumë Halilin. Ai ishte hendbolliste më i mirë në Kosovë. Na ndihmonte në sport, ndërsa pas mësimit na ndante në grupe.

Në momentin e fundit ka qenë me Teutën, me Ramiz Balën kur Teuta ka hipur në katin e tretë të Shkollës Normale dhe ka kërcyer dhe ka rënë në tela. Kur kemi dalë në provim: Teuta Kryeziu, unë dhe Fitim Domi. Unë e pata mësuar mirë matematikën, por Ahmet Mumxhiu nuk më pyeti se ku ke mësuar, e unë kisha mësuar me Fitimin dhe Teutën, atëherë profesori na tha. Kur shkuam në provim, shkuam unë dhe Teuta. Ahmet Mumxhiu ka qenë arsimtar i mirë. Kur më pyeti me kë ke mësuar unë i thashë me Teutën dhe Fitim Domin, e ai na tha shkoni në shtëpi se keni kaluar. Profesor Ahmet Mumxhiu, ndonëse veten e mbante si turk, ai ka qenë shumë i mirë për nxënës. Më 1968 kur shpërthyen demonstratat, Halili ka dalë nga shtëpia e Ismajl Dumoshit. Ai shpeshherë ka tentuar të ikte jashtë shtetit, në Shqipëri, ku ka marrë materiale të ndryshme. Edhe unë kam tentuar që më 1959 ta kaloja kufirin për Shqipëri, por më kanë zënë. Nuk kemi dashur të lexonim në çirilicë. Ajo ishte motra e Mara Çurçiqit, më i madhi në Kosovë.

Shefki Beqa, (1941) i lindur në Shtime.

HALILI ISHTE ANËTAR I ORGANIZATËS ILEGALE

Halil Alidemën e njoh fort mirë si nxënës të disiplinuar, të edukuar dhe të respektuar, e njoh si shok dhe si sportist të shkëlqyeshëm, si shqiptar patriot.

Halili, si shok ishte i shkëqyeshëm ka qenë shumë i vendosur në idealet e veta, ka qenë shumë i nderuar dhe i repsektuar edhe nga shokët edhe nga personeli arsimor. Ishte i dashur dhe kreativ. Ideali i tij ka qenë sporti-hendbolli. Mirëpo, për shkak të angazhimeve në aktivitete sportive dhe muzikore ka ndikuar pak negatividht në suksesin në mësim, jo për faj të tij, por e kërkonte koha dhe vendi njëkohësisht. Ishte i lidhur edhe me organizatën ilegale që ekzistonte në shkollë, ndaj ai shoqërohej me Adem Demaçin, Vezir Ukajn dhe shumë të tjerë, të cilët nuk janë zbuluar haptas, ndaj ne nuk e kemi ditur sekretin e tyre. Kemi qenë shokë të mirë dhe të lidhur njëri me tjetrin: një për të gjithë , të gjith për një dhe kemi pasur besim të plotë ndërmjetveti. Bisedat patriotike dhe interne të shumtën e rasteve i zhvillonin në dhomën e fjetjes me derë të mbyllur me çelës në konvikt, ku banonim 40 nxënës në një dhomë. Në mesin e dhomës qëndronte Halil Alidema, i cili vijimisht na rrëfente detaje për patriotët dhe luftëtarët e patrembur: Shaban Polluzhën, Ahmet Delinë, Azem Bejtën, Shotë Galicën, Rifat Berishën e shumë të tjerë.

Kemi qenë një shoqëri e lidhur ngusht për idealet patriotike, ndaj kur i mbanim mbledhjet e grupit patriotik, i mbanim pas orës 24 të natës për të mos rënë në sy, sepse kishte njerëz që na përcillnin si grup aktiv. Në këtë grup merrnin pjesë nxënës nga Mali i Zi, e veçanërisht nga Ulqini e Drenica, ku bënte pjesë edhe Rifat Kuka. Si sportist Halili ka qenë ndër më të mirët. Jepte gola me dorë të majtë me dorë prapa shpine, kurse spektatorët nga gëzimi bërtitnin: Lili, Lili! Merrnim pjesë edhe në shoqërinë e radioamatorëve, por fotografitë na u dogjën.

Mehmet Obrazhda nga Tërrnji i Suharekës, i lindur në qershor të 1943, edhe tani e ushtron profeionin e mësimdhënësit. Është shok i klasës së Halil Alidemës, nr. 24 në ditar.

MBRESAT E MIA NGA TAKIMET ME HALIL ALIDEMËN

Në kohën kur frynin erërat demokratike në Jugosllavi (vitet e nëntëdhjeta), erdhën disa të njohur e miq të mi nga Shkupi dhe më lutën të formojmë një subjekt të ri në Maqedoni, Partinë për Unitet Kombëtar të Shqipëtarve, e njohur me emrin UNIKOMB. Kjo parti funksiononte në Prishtinë, kishte kryesinë e saj, ku më të shpeshtë ishin anëtarë të saj disa të burgosur politikë me historianin Halil Alidemën në krye.

Pas formimit të Partisë për Unitet Kombëtar të Shqiptarëve në Jugosllavi (në tekstin e mëtejmë UNIKOMB) për Maqedoni, në këtë republikë jugosllave u zgjua interesimi i shqiptarëve të anëtarësoheshin në të. U formua edhe kryesia partiake për Maqedoni me seli në Shkup, (kryetare ishte Kadishe Hamiti) dhe u bë shtrirja partiake në Tetovë, Gostivar e qytete të tjera në Maqedoni. Një pjesë e opinionit politik aktual shqiptar në Maqedoni sikur u tmerrua nga fomrimi i kësaj partie, se e konsideronin radikale. Bile, në një tekst të gazetës së përditshme qeveritare “Nova Makedonia” shkruhej se sipas burimeve të PPD-së (lexo Partisë për Prosperitet Demokratik në Maqedoni) për UNIKOMB-in kishin thënë se na qenka formuar një parti e re, që zgjidhjen e çështjes shqiptare e kërkuaka vetëm nëpërmjet shënjestrës së pushkës. Më vonë u vërejt se UNIKOMB-i kishte qenë i përcjellë nga sigurimi maqedonas, sepse shumica e anëtarëve të kryesisë së saj u morën në “biseda informative”.

Pas pranimit tim në kryesinë qendrore të UNIKOMB-it në Prishtinë, më emëruan edhe përgjegjës për Maqedoni. Kishim një platformë të qartë politike. Përkufizimin UNITET e kuptonim si gërshetim dhe dinamizim të shpirtërores, materiales dhe të së përgjithshmes shqiptare drejt një civilizimi global, pavarësisht se dikujt nuk i pëlqente. E merrnim me mend se uniteti dhe bashkimi shpirtëror e material mund t’i trondiste armiqtë e natyrshëm të shqiptarëve, se mund të inskenojë gjakderdhje të reja ballkanike, por e dinim se një ditë do të shpërthejë edhe lufta, ndaj edhe nëse u imponohej kjo shqiptarëve nga kushdoqoftë, ishim të gatshëm edhe të luftonim. Opcionet politike të UNIKOMB-it, pra edhe të Halil Alidemës, më vonë u manifestuan, kur gandizmi kosovar u shterr.

Me Halil Alidemën kam pasur disa takime në Shkup. Ishte njeri që më së shumti ia kënda të dëgjonte dhe të mësonte nga bashkëbieseduesi, qoftë edhe nëse ishte më i ri, edhe kur nuk kishte të drejtë, ose kur e kundërshtonte mendimin e tij. Sipas këshillave të tij patëm edhe suksese në sensibilizimin partiak në Maqedoni, sidomos pas botimit të broshurës dhe disa librave, shpërndarjen e tyre. Reagonim ndaj padrejtësive shqiptare në ish-Jugosllavi, ndonëse nuk na botonin as redaksitë shqipe në Maqedoni, sepse Ministria e Drejtësisë e Jogosllavisë kishte refuzuar ta regjistronte si parti politike për shkak të programit të saj antijugosllav rreth unitetit dhe bashkimit kombëtar. Përkundër mospajtimeve që kishte me gandizmin kosovar, ai e ruante gjakftohtësinë karshi unitetit kombëtar dhe shpeshherë thoshte: në luftë kundër armikut nuk do të qëllojë pse ky ushtar është anëtar i LDK-së ose i UNIKOMB-it, por ai do të shtie me pushkë pse është shqiptar.

Me Halil Alidemën dhe Kadishe Hamitin isha në Belgjikë dhe në Gjermani plot dy muaj e gjysmë. Halili kishte autoritet të madh atje, e çmonin kontributin e tij për çështjen kombëtare, torturat në burgjet jugosllave dhe krijimtarinë intelektuale. Në saje të shpjegimeve të tija të çështjeve shqiptare në histori dhe aktualitet, marrëdhëniet e shqiptarëve me fqinjtë, padrejtësitë e Evropës që i janë bërë këtij populli, sidomos perspektivën e shqiptarëve, Halil Alidema shpejt i bënte për vete njerëzit dhe anëtarësoheshin në UNIKOMB. Në një takim me komunitetin shqiptar në klubin “Idriz Seferi” në Bruksel të Belgjikës, kur u nxehën bisedat ndërmjet tij dhe një të LPK-së, me sugjerimin tim të mos ndeshet me Lëvizjen, Halil Alidema disi gjeti kompromis dhe më bindi se i kuptonte këshillat e bashkëpunëtorëve të vet. Ishte njeri që nuk kërkonte luks, edhe kur nuk i hahej, nuk e refuzonte, edhe kur nuk i pëlqente shtrati, e rregullonte vetë pasi të shtrihej.

Kur nxora në dritë revistën “E vërteta” në Tetovë, e botova në vazhdime edhe një dorëshkrim të Halil Alidemës, intervistë që e kishte përgatitur për një gazetë të jashtme. Ndër të tjera pyetje ishte edhe elaborimi i tij rreth unitetit dhe bashkimit të shqiptarëve. Ky tekst më nxori shumë telashe nga sigurimi i Maqedonisë. Më 27 korrik të vitit 1998 në të kthyer në Bllacë dhe më izoloi në organet e policisë 31 orë. Ndër pyetjet që më bënë ishin edhe ato për UNIKOMB-in dhe konkretisht për intervistën e Halil Alidemës në revistën “E vërteta”. Më akuzonin se përmes një komenti në intervistën me Halilin paskam bërë apel për luftë drejt bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Më kot i sqaroja se as në fjalët e Halilit dhe as në komentin në intervistën nuk qëndron dyshimi i tyre. Por, vërejta se Halil Alidema ishte halë në sy edhe për sigurimin e Maqedonisë, sa edhe UNIKOMBI. Bile, në mesin e materialeve që kisha nga numrat e kaluar dhe që përgatisja numrat e ardhshëm të revistës “E vërteta”, policia më mori edhe një fotografi të Halil Alidemës. Rezultat i këtij izolimi tim në policinë maqedonase ishte vulëndalesa kufitare që unë të mos hyja dy vjet në Maqednoi si person non grata për këtë shtet dhe që u zgjat gjashtë vjet. Larg familjes time të ngushtë, u detyrova të jetoja në Kosovë me vështirësi, por vazhdimisht ngushëllim gjeja kur kujtoja jetën e vështirë nëpër burgje të intelektualëve shqiptarë, ndër ta edhe Halil Alidema.

Fadil Curri nga Han i Elezit

  • VIJON – 

_______________________

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (24)

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 21 Korrik 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura