SECILI GËNJEN ME AMERIKANIN E VET
Nga Andi Bushati, Tiranë 9 Nëntor 2021
Ish shefi i inteligjencës amerikane në administratën Trump, Richard Grenell, është shfaqur sërish në viset tona, këtë herë jo për të lundruar me skaf në rivierën shqiptare, por për tu përzier në lojën e brendëshme politike.
Nuk dihet nëse pas braktisjes së funksioneve shtetërore ai i është kthyer sërisht profesionit si lobist autokratësh, ashtu sikurse e etiketonte e përditshmja Washinton Post, por një gjë është e sigurtë: ai po pritet me shumë entuziazëm nga të gjithë faktorët që janë kundër politikës që SHBA-ja po ndjek aktualisht në Shqipëri.
Presidenti Meta e priti atë me nxitim në zyrën e tij, duke e etiketuar si një njeri që ka kontribuar në forcimin e marëdhënieve të shqiptarëve me Amerikën.
Edhe më të ekzaltuar duken përkrahësit e foltores së Berishës. Atyre i shkon për shtat mbrojtja që i bën Grenell tezës se “lideri historik” është viktimë e lobizmit sorosian.
Duke qenë se, si shef i shërbimeve sekrete të Trumpit, ai thotë se s’ka parë kurrë asnjë dokument kundër Berishës, kjo hedh poshtë të gjitha pretendimet e diplomatëve amerikanë që flasin për një dosje të përgatitur me kohë, profesionale dhe të mbushur me fakte të qenësishme.
Pra në debatin e brendëshëm, në Shqipëri, me peshën e funksionit që ka mbajtur, Grenell përforcon tezën e një linje të fortë lobizmi në SHBA, e cila për interesa të saj, është vënë në shërbim të zgjatjes së pushtetit të Edi Ramës, pavarësisht nga përdhunimi që ai i bën demokracisë, sistemit kleptokratik që ka ngritur dhe lidhjeve kriminale që e mbajnë në këmbë.
Ai duket sikur përforcon argumentat e të gjithë atyre që besojnë se diplomatët amerikanë i kanë legalizuar Ramës kanabisin, i kanë bërë dhuratë drejtësinë e kapur politike, i kanë njohur zgjedhjet e blera dhe në fund i kanë përçarë edhe opozitën, për ti’a bërë sundimin më të lehtë.
Por, kjo përkrahje nga Grenell, sado të forta të jenë fjalët që ai thotë, përbën një problem të madh moral dhe dëshmon për një hipokrizi të pa fre të atyre që i përdorin ato si mburojë.
Edhe berishistët edhe Ilir Meta nuk mund të bëjnë sikur harrojnë se qoftë si biznesmen, amerikani i tyre i shërbente autokratit të korruptuar të Moldavisë, Vladimir Plauhotniuc dhe qoftë si diplomat, ai nuk tregoi asnjë respekt për vendin pritës, kur Trump e caktoi ambasador në Berlin. Mbrojtësi i sotëm i tezave të tyre është kaubojsi tipik që simbolizon pjesën më arrogante, më brutale dhe më mospërfillse ndaj vlerave të demokracisë që shpesh Amerika i ka ofruar botës.
Këtë fytyrë të tij ai e shpërfaqi hapur, kur për interesat elektorale të shefit të tij, u angazhua në një grusht shteti në Prishtinë. Me këmbënguljen e drejtpërdrejtë të Grenell, me shntazhet dhe kërcënimet e tij të paskrupullta, u rrëzua qeveria Kurti 1.
Kjo çmenduri që u denoncua nga shumë vende europiane madje edhe nga intelektualë të njohur të së majtës botërore, u bazua vetëm në një gogol: në slloganin idiot: “nuk i thuhet jo Amerikës”.
Sot, problemi i madh që ka Ilir Meta, të cilit ia kanë ndaluar që të bëjë mitingje me flamur amerikan, apo Sali Berisha, të cilin e kanë shpallur non grata, është pikërisht ky: përballja me atë profil diplomati të përtej Altantikut që nuk do ti’a dijë për gafat që bën, për efektet kolaterale që shkakton dhe për përdhunimin e funksionimit të shtetit në një republikë të largët bananesh.
Por, të kesh këtë telash dhe të mundohesh të kapesh pas një modeli si ai i Grenëll, në rastin më të mirë, do të thotë të jesh hipokrit dhe jo parimor. Do të thotë të mendosh vetëm për fatin tënd pesonal dhe për hallin që të ka ngecur nëpër këmbë.
Sepse problemi i vërtetë, ai që kanë vende si yni, qoftë Shqipëria apo qoftë Kosova, është se duhet të emancipohemi për ti thënë jo, çmendurive, ekseseve dhe arrogancës të diplomatëve që thyejnë çdo rregull, duke mos mbajtur më pas asnjë përgjegjësi për dëmet që shkaktojnë.
Në këtë pikë, si Palmer, si Ricker, si Lu, si Kim janë fatalisht të ngjashëm me Grenell. Ata mund të përdoren nga palët këtu tek ne për të gënjyer publikun, secili me “amerikanin e vet”, por ata nuk përbëjnë kurrë një kriter të vërtete për të kuptuar më mirë veten tonë, politikën, shoqërinë.
Secili politikan mund të dojë të shplajë trutë e pasuesve të vet duke shfrytëzuar thëniet e njërit diplomat kundër tjetrit, por, pavarësisht atyre, shoqëria shqiptare duhet të fillojë të dekompeksohet nga kjo lojë me sherifë, duke kuptuar se nuk e detyron dot askush të jetë me të parim apo me të dytin, por se është aq e lirë për mos i dhënë ndonjëherë të drejtë, as Rik-ut, as Yurit. / ©Lapsi.al