(Pashtriku.org, 27. 01. 2013) – Në përvjetorin e vdekjes së tij kisha bërë gati një shkrim timin për difuzim. E braktisa atë ide. Thjesht, neveritesha, prandaj edhe nuk e lashë veten që të bëhesha pjesë e korit të rrenacakëve e të hipokritëve të tipit Isa Mustafa, atij bukoshisti pakurrizor e servil. Njësoj siç nuk desha t’u bashkohem as disa tipave të bezdisshëm që Ibrahim Rugovën e kanë “dashur” vetëm sa për t’u strukur vetë e për t’i fshehur në kallaballëkun e partisë së tij, LDK, poshtërsitë e krimet personale të kryera në sistemin e kaluar.
LDK-ja është një projekt demokratik e atdhetar që ka kryer punë shumë të rëndësishme dhe që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në hisorinë e Kosovës. Ibrahim Rugova ka qenë LDK-ja. Kryesia e partisë së tij qysh në zanafillë ka qenë e përbërë nga titistoserbë të kamufluar. Kryetari i partisë kurrë nuk ka njohur, bile i ka injoruar sistematikisht organet e partisë së tij. Jo për arsye tjetër pos për faktin se ai i njihte në lojën e tyre të dyfishtë dhe në gatishmërinë për të tradhtuar në rastin e parë.
Ideja e një partie të re kosovare dhe shqiptare, krejt e kundërt me LKJ-në, ka lindë në Lubjanë. Po këtu ka nisë dhe me shumë sukses është zhvilluar mediatizimi e promocioni intensiv dhe shumë i suksesshëm kombëtar i Ibrahim Rugovës. Lubjana e shqiptarëve të Sllovenisë ka qenë pikënisja nga ku lideri i ri i shqiptarëve ka dalë në Europë e Amerikë. Po këtu, me këmbënguljen tonë kemi pas arritur ta faktorizojmë si përfaqësues të vetëm të Kosovës dhe të shqiptarëve në Jugosllavinë në fillim shkërmoçjeje, por ende ekzistuese dhe ende funksionale dhe e rrezikshme me struktura kriminale si KOS-i, UDB-ja, APJ-ja.
Ibrahim Rugova ka qëndruar shpeshherë në Lubjanë nga 1989 e tutje. Ai ka ndenjur në banesat tona të ngushta, atij së pari i kemi organizuar takime me intelektualë opozitarë sllovenë, pastaj edhe me struktura republikane sllovene që po i bënin hyzmetin shkëputjes sa më parë nga Jugosllavia që kish nisë të marrë tipare Serbosllavie.
Këtë foto ma kishin bërë në Gjenevë. Ia tregoja Ibrës
çastin e “betimit” tim dhe qeshnim.
……………………………………………..
Në fillim dilnim dhe e merrnim dhe me autobus e sillnim Ibrën nga Berniku në Lubjanë. Pasi aktivizuam dhe pasi i bëmë shqiptarë disa biznismenë shqiptarë të Sllovenisë, Ibrën e merrnim me veturë të ndonjërit nga ata që ende edhe kur jepnin ndonjë dinarë kontribut nuk dëshironin t’u përmendej emri i tyre…
Më 1991 Sllovenia ka bërë gjestin e saj të vogël, por të parë e simbolik: në aeroport Ibrahim Rugovën e pat pritë ndihmësministri i jashtëm Zoran Thaler. Ne të Lubjanës deshëm ta shihnim dhe këtë edhe e pamë si një hap të mirë që do të pasohet edhe nga kroatë, gjemanë, zvicëranë… Pastaj kanë ardhur takimet edhe me Kuçanin dhe me udhëheqës të tjerë të Sllovenisë…
Kam folur e shkruar shpeshherë për lidhjet e ndjesitë e mia me kryetarin e parë të Kosovës jokomuniste. Kam për të dhjetëra shkrime mbështetëse e afirmative, siç ka poaq, ndoshta edhe më shumë shkrime tejet kritike që mbajnë në fillim apo përfundi firmën time. I kam rivizituar një ditë ato shkrime. As sot nuk do t’u hiqja asgjë.
Ibrahim Rugova ka kaluar jetën e tij politike nën rrethim hileçarësh të stërholluar si dhe armiqsh të egër të tij e të shqiptarëve. Në kushte të tilla rrethimi një njeri vetmitar e i pakrahë, një njeri i librave, i poezisë e letërsisë siç ishte ai, ka qenë shumë vështirë dhe gati e pamundshme të dilte i pacënuar dhe i padamkosur.
(Ky nuk është shkrimi për të cilin ju fola në krye. Ai tjetri fliste edhe për ata që Ibra jau pa sherrin më së shumti: druvarëve të Bjeshkëve të Nemuna, tuxharëve nga Llapi, injorantëve nga të gjitha viset e Kosovës, njerëzëve veshur në të zeza nga Stublla… Pastaj vjen për të bërë shërbim të keq ndonjë zoran i ndyrë me sharki që Ibrës sonë i ka përdhosur dhe i përdhos edhe më tutje edhe jetën edhe veprën. Sot armiq të Rugovës janë shumica e atyre që si uzurpatorë qëndrojnë në krye të LDK-së dhe që shfrytëzojnë për promovim personal varrin dhe përvjetorët e vdekjes së tij…
Idealistë të LDK-së dhe besnik deri në fund të Ibrahim Rugovës si Hafiz Gagica e jo shumë të tjerë janë në pakicë absolute…
Njëri te gazeta BS, ai që tërë kohën i ka qëndruar pranë Bujar Bukoshit, para e gjatë luftës, si në bizneset e pista si në veprimet kriminale nëpër Shqipëri, Ibrahim Rugovës i kishte bërë një shkrim të paimagjinatë, diletant e delirant… Diçka si shumçka e dobët që u hodh nëpër rrjetet sociale e në mediat në përvjetorin e një vdekjeje të një njeriu të shquar. Diçka që provokon vjellje…).
Viti 1990. Zyrat e SHKSH MIGJENI dhe të revistës ALTERNATIVA. Pos aktiviteteve të tjera merreshim edhe me ndërtimin e imazhit për liderin e ri të Kosovës postkolonialiste e postkomuniste.
============================