IMZOT RROK MIRËDITA …

Imzot Rrok Mirëdita, protagonist dhe dëshmitar i një periudhe të veçantë për kombin dhe Kishën Shqiptare

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin 19 maj 2023

Veprimtaria baritore e  Argjipeshkvit të parë të Tiranës, në Arkidioqezën e Durrësit dhe kryeqytetit të Republikës së Shqipërisë, Imzot Rrok Mirëditës  është  aq e pasur dhe me vlerë për Kishën Shqiptare dhe për kombin saqë është e pamundur që në një shkrim  të shkurtër përkujtimor të  përfshihen të gjitha. Prandaj, vetëm po e kujtoj  me pak fjalë  këtë figurë të madhe të popullit e të Zotit, kishës, atdheut dhe mbarë shoqërisë shqiptare.  Ky meshtar dhe atdhetar u lind  në Kllezën  – Anë të Malit, Ulqin  më 28 shtator 1939. 

U shugurua meshtar më 4 korrik 1965 nga Argjipeshkvi i Tivarit, Aleksandër Tokiq. Deri në  vitin 1973 ka zhvilluar veprimtarinë e vet baritore ndër famullitë shqiptare të dioqezës së Tivarit (Mali i Zi). Në këtë vit dërgohet nga Argjipeshkvi  i tij në Nju Jork për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë në nevojat baritore pranë Qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronx. Më 25 prill të vitit 1993, Papa Gjon Pali i II e emëron Arqipeshkëv i Durrës – Tiranë. Pas këtij emërimi largohet për t’u vendosur në Shqipëri. Misionin e tij në krye të Kishës Dioqezane të Tiranë-Durrësit e kreu me devotshmëri deri në ditën kur vdiq në moshën 76 vjeçare, më 7 dhjetor 2015 në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, pas një hemoragjie cerebrale.

Imzot Rrok Mirëdita për shumë vite kryesoi konferencën ipeshkvnore të Shqipërisë dhe drejtoi rimëkëmbjen e besimit fetar kristian pas gjysmë shekulli diktaturë komuniste. Ai organizoi besimtarët dhe duke ngritur Katedralen e Shën Palit në Tiranë, kisha të reja dhe duke rindërtuar kishat historike të mbyllura dhe të dëmtuara nga regjimi komunist.

Papa Françesku në letrën e urimit drejtuar imzot Rrok Mirditës, titulluar “Një jetë e shpenzuar në shërbim të Ungjillit, të kishës e të popullit” me rastin e jubileut të hareshëm të 50-të vjetorit të meshtarisë, që u kremtua më 4 korrik 2015 në Kishën Katedrale të Shën Palit Apostull në Tiranë përshkoi etapat e jetës së prelatit shqiptar qysh nga periudha e misionit të tij si prift në kryedioqezën e Nju Jorkut e deri në Jubileun e 50-të vjetorit të meshtarisë, më 4 korrik 2015.

Papa Bergoglio kujtoi shërbimet, misionet dhe detyrat e rëndësishme që Imzot Rrok Mirdita bëri dhe pati gjatë 50-të vjetëve të meshtarisë së tij, duke shërbyer me entuziazëm, përkushtim të pakursyer e duke dëftuar cilësitë e gjenisë së shpirtit e të urtisë, në situata të ndryshme, jo pa vështirësi, por përherë plot besim në Provaninë e Hyjit.

Ati i Shenjtë Bergoglio përmendi edhe shumë nisma e vepra, siç është ndërtimi i Katedrales së Shën Palit në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, që është qendra e gjithë jetës shpirtërore të kryedioqezës.

“Imzot Rrok Mirdita ishte e mbetet një protagonist dhe dëshmitar i një periudhe të veçantë për kombin e Kishën Shqiptare, atë menjëherë pas rënies së regjimit të diktaturës komuniste, fillimit të rindërtimit të indit shoqëror, njerëzor, shpirtëror, kishtar e kombëtar nga viti 1993 deri më 2015.

Imzot Rrok Mirdita ishte atdhedashës, lajmëtar i fesë së krishterë, për çka jetoi e veproi me një vetëmohim, përherë në shërbim të Zotit e popullit, për Fe e Atdhe, për të mirën dhe përparimin e besimtarëve, të Kishës, të shoqërisë e të mbarë popullit shqiptar”, ka thënë ndër të tjera Ati i Shenjtë.

Imzot Mirdita kujtohet si kryeipeshkëv i vendosur, i qëndrueshëm, i durueshëm, largpamës, i urtë, i përzemërt, i afërt dhe i matur. Ai vuri themelet e rilindjes së Kishës Dioqezane të Tiranë-Durrësit e jo vetëm, në një periudhë jashtëzakonisht të veçantë e të vështirë për shumë arsye e rrethana, duke orientuar popullin udhës së Zotit, shoqërinë e re demokratike shqiptare drejt atyre vlerave që janë të domosdoshme për një demokraci të mirëfilltë. Dinte çka thoshte, kujt ia thoshte, pse ia thoshte e ku donte të dilte me fjalën, mesazhin, udhëzimin e orientimin që jepte kujtdo. 

Imzot Rrok Mirdita kudo punoi në vreshtin e Zotit, në mesin e popullit të tij dashur shqiptar, me entuziazëm e përkushtim në një shërbim të pareshtur, si bari i mirë shpirtëror që ishte, për popull dhe me popull. Njohësit e mirë të jetës së tij baritore kanë theksuar edhe vizionin e pasionin që kishte Imzot Rroku gjatë shërbimit të tij meshtarak për Kishën dhe popullin shqiptar. Ai, sipas tyre, e njihte mirë jo vetëm historinë, por edhe shpirtin e popullit shqiptar, ia dinte ëndrrat, dhimbjet, vuajtjet, synimet, dredhitë, të mirat e të këqijat, prandaj si bari e prijës shpirtëror, bëri gjithçka mundi për t’i prijë popullit në udhën e Zotit e të atyre vlerave që janë shpirtërore, kulturore, kombëtare e shoqërore, duke theksuar sfidat e propozuara udhën për t’i bërë ballë atyre, gjithmonë duke pas si qëllim e synim, të mirën e popullit dhe të kishës.

Për më se 13 vite argjipeshkëv është angazhuar që Kisha Katolike në Shqipëri në këtë dioqezë të rëndësishme t’u vijë në ndihmë të gjitha shtresave të popullsisë.

Në vitin 2006, Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Alfred Moisiu i ka akorduar  “Urdhrin   Nënë Tereza”.

Në vitin 2010, Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bamir  Topi i akordon  “Urdhrin   Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.

Më 13 maj 2013,  Akademia Ndërkombëtare Bonificia 8 i akordon titullin Akademik Nderi.

Është autor i librit në tri vëllime “Për një Shqipëri me Zotin… 10 vjet argjipeshkëv  në Tiranë”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura