HAMENDËSI KOHE …

HAMENDËSI KOHE …

Nga Elife Podvorica Jashari

“Kur je i sigurtë që ke të drejtë, nuk ke arsye të debatosh me atë që e ka gabim” (Georges Wolinski).

Eu…po moti nuk e kam shkruajtur as edhe një shkronjë. Jo se nuk ka pas ngjarje dhe përplotë emocione, por sepse nuk më jipej të shkruaja gjë. Nganjëherë të kap ajo ndjesia se pse të shkruash, kujt t’i drejtohesh me ato të thënat e tua?

Jo se ashtu, jo se kështu…. dhe ditët ecin në vargun e tyre pa u hamendur, pavarësisht çka ato në vete bartin.

Dje në mëngjes i thashë bashkëshortit tim se domethënë ardhja e jonë si gjeneratë në këtë jetë, qe e identifikuar me disa ngjarje që ishin nisur në shekullin e kaluar, e nuk po përfundonin ende. Tërë fëmijëria, rinia jonë dhe tash kur jemi kah ulemi në stolin e moshës së tretë “Sërbia ashtu, Sërbia kështu. Jo po hyjnë sot, jo nesër”, për të na luftuar e masakruar, ashtu siç kanë bërë shpeshherë në trojet shqiptare.

Dhe po mendoja. Si është e mundur të jemi normal, kur nga krejt kjo tempo e përditshmërisë sonë, nga aktivitetet tona profesionale me artin dhe kulturën tonë, por edhe të popujve të ndryshëm botëror, me ato preokupimet tona se, a mbrrijtëm gjë, a ishim të zotët në këtë jetë për këtë profesion që zgjodhëm, a ishim prindër të mirë për fëmijët që lindëm dhe u munduam që t’i edukonim larg storieve me tyta tankesh, a ishim të kujdesshëm mjaftueshëm ndaj prindërve tanë, të cilët ka vite që janë në përqafim të jetës së përtejme.

Cilat vitamina e minerale të përdorim në mënyrë që të mbrohemi edhe naj ditë nga agresioni i plakjes famkeqe, sa minuta të ecim nëpër këto rrugët e tymosura dhe parqet me drunjë pak, sa të hamë e sa mos të hamë, etj., etj…

E krejt me këto halle e derte, kur e hap televizorin dhe dëgjon çfarë bëhet fjalë aty, të duket sikur je në një ëndërr të llahtarshme që mezi pret t’ia shkëptutësh fijen duke u zgjuar vrullshëm…

Në Tv e kupton çdoherë që Sërbia ende është kah ushqehet me atë ninullën e saj kobqare që i ka marrë në qafë rininë dhe qytëtarët e saj duke i indoktrinuar me përrallat e ushqyera me helmin e xhelozisë dhe lakmisë e smirës ndaj trojeve ku jetojnë shqiptarët. S’ka kush që ia heq xhelozinë. As miqtë e saj europian, të cilët herë pas here në shtigjet e historisë, asaj mundoheshin t’ia ngopnin apetitin diabetik me ndonjë copëz toke shqiptare, duke ua marrë bukën e gojës vendësve që jetonin e ushqeheshin nga ato toka përhershëm që nga vet ekzistenca e sapiensve..

Edhe këtyre ditëve është kah ndodhë e njëjta gjë. Heeeejjjj …shekulli XXI…

Jo shkoi Apollo në hënë në vitin 1961, jo ishte mashtrim, jo kjo sondë jo ajo sondë, jo krimbat atmosferik, jo alienët e jo reptilianët. Jo roboti me emrin Sophia që del e na përshendet ne humanëve, jo ashtu e jo kështu. Çka nuk ke tash në mobilin tonë që na është bërë pjesë e trupit dhe jetës sonë.

E sërbianët me europianët janë mbërthyer si duket në një merimangë prehistorike me të cilën ua ka verbuar Zoti sytë si dënim ndaj gjërave të kqia që ua kanë shkaktuar njerëzve të tyre, fqinjëve ,etj.

“Pamja jote do të qartësohet, vetëm atëherë kur të mundesh të shohësh brenda në zemrën tënde – Kush sheh jashtë ëndërron, kush sheh brenda zgjohet”. (Karl Jung).

Ah…. çfarë ka lënë pa bërë njerëzimi, kur u ka rënë në erë pasurive nëntokësore, pastaj bregdetit brigjegjatë…

Uroj që sa më shpejtë Sërbia të plasë nga inati, të cilën e ka kapluar harbueshëm.

Uroj që Kryeministrit dhe Presidentes sonë, t’i jap Zoti shëndetin dhe të presin ditë të bukura në jetën e tyre. Përzemërsisht lutem që kjo ditë të vijë sa më shpejtë në jetën e tyre, sepse ju ka hije, e meritojnë. Janë intelektualë, dinë shumë, kanë lexuar e kanë mësuar, nuk frikohen, janë trima, kanë intuitë të fortë kur është fjala për drejtësinë e qytetarëve të vendit që e udhëheqin. Dhe nuk kanë faj pse duan të mbrojnë kombin nga disfata e radhës historike…“Në historinë e gjatë të botës, vetëm pak breznive iu është dhënë roli për të mbrojtur lirinë në orën e saj të rrezikut më të madhë. Unë nuk shmangem nga kjo përgjegjësi, e mirëpres ate“. (John F.Kennedy).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura