Nga Albert HABAZAJ
Drejtor i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë
Ndër jo shumë imazhe të regjistruar në kujtesën e humanizmit dituror, kujtoj një foto dhe një takim me prof. Fatmir Terziu në Bibliotekën Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, më 13 shtator 2015. Antropologjikisht, fytyra tregon karakterin dhe personalitetin e njeriut. Fytyra bardhësisht e qeshur e shkrimtarit, studiuesit, regjisorit, kritikut të artit dhe letërsisë, e gazetarit dhe mësuesit F. Terziu nga Elbasani i Arsimit Kombëtar shfaq 100 % personalitetin e lartë dhe karakterin e fortë të misionarit shqiptar me dritë mirësie për të ndërkombëtarizuar frymën identitare dhe qytetare të Atdheut tonë nëpër botë nga Londra nëpërmjet shumë të dashurës sonë të shpirtit dhe të mendimit “Fjalës së lirë”. Profesor Terziu kreu një akt bujarie në Vlorë me dhurimin e kolanës së botimeve të tij letrare, kulturore dhe shkencore bibliotekës, sepse libri i mirë është diell. Biblioteka e Universitetit të Vlorës i do rrezet e librit për studentët, pedagogët dhe studiuesit, për qytetarët dritëdashës. Kanë kaluar 8 vjet nga ajo Ditë e Mirë e mua më duken se kanë shkuar vetëm 8 minuta. Krijimtaria letrare – studimore e Dr Fatmir Terziut, qysh nga ai çast e në vijim, edhe kur ne mos të jemi fizikisht, u bë, është e do të jetë pronë e Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, në funksion të studentëve dhe të pedagogëve tanë.
Po publikoj një foto, një takim me prof. Famir Terziun, që ka vlerë sa 1000 mesazhe me dritë. Kur miqësia nuk ka interesa të vockla, por ideale të larta, fiton staturën e fisnikërisë humane.