JASHAR ALIA – NJË FIGURË E SHQUAR E VENDIT TONË

Jashar Alia, një figurë e shquar e vendit tonë

Ne të rinjtë, kemi detyrimin të mbrojmë vlerat e kombit dhe të punojmë më shumë për vendin

Nga Vigan Berisha

Nder i veçantë që sot në Jona pranë Rapperswil-it, Zvicër, të jem pjesë e promovimit të librit të autorit Agim Sylejmani, “Nëpër shtigjet e luftës”, që i kushtohet një figure të shquar të vendit tonë, siç është Jashar Alia.

Libri për bacën Jashar, është një rrëfim i veçantë i sakrificave dhe përkushtimit ndaj lirisë së kombit tonë, një udhëtar i paharruar në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

Jashar Alia lindi në kohën kur populli ynë përballej me një sërë sfidash dhe repersalesh nga pushtuesi.

Nga rinia e tij e hershme, ai ndjeu thirrjen në përkushtimin ndaj Atdheut dhe u angazhua intensivisht në luftën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi.

Dëshira për të parë kombin e tij të lirë dhe të pavarur u bë motivi kryesor i jetës së tij. Grupi Revolucionar, ku ai ishte një pjesë aktive, luajti rol qenësor për të ndryshuar realitetin në favor të së drejtës së shqiptarëve në Kosovë për liri dhe pavarësi.

Jashar ALIA dhe bashkëveprimtarët e tij punuan me përkushtim në hartimin e dokumenteve politike dhe programore që në atë kohë dhe më vonë, do t’i shërbenin në rrugën e drejtë të shqiptarëve për të qenë të lirë nga pushtuesi.

Përkundër sfidave të mëdha dhe rrezikut për jetën, Jashar Alia dhe Grupi Revolucionar arritën të shpërndanin mesazhin e tyre kudo në Kosovë dhe më gjerë. Ata ngritën zërin e tyre kundër shtypjes dhe përfaqësuan një kundërvënie të palëkundur ndaj okupatorit. Shpërndarja e afisheve, shkrimi i parullave, dhe organizimi i demonstratave treguan vendosmërinë e tyre për të ndryshuar fatin e popullit shqiptar në Kosovë dhe më gjërë.

  • Jashar Alia

    Arrestimi dhe torturat që Jashar Alia përjetoi nga okupatori, asnjëherë nuk i frenuan dëshirën e tij për liri dhe pavarësi.

    Për të, burgu ishte një shkollë e re për shpirtin dhe një sfidë më shumë për t’u ndjekur në rrugën drejt lirisë. Pas çdo arrestimi, baca Jashar ngrihej më i vendosur dhe me një vizion ende më të qartë për të ardhmen e shqiptarëve të Kosovës.

    Dëshira dhe përkushtimi i bacës Jashar, janë fryma e një brezi që ndoqi shembullin e tij dhe që do të vazhdojë të punojë për një të ardhme më të mirë të vendit tonë.

    Sot, ne të rinjtë, kemi detyrimin të vazhdojmë rrugën që Jashar Alia dhe shumë e shumë të tjerë kanë shtruar përpara nesh. Të mbrojmë vlerat e kombit dhe të punojmë më shumë për vendin në të cilin çdo shqiptar do të jetë krenar për të.

    Edhe një herë në fund e përgëzojë autorin e kësaj vepre dhe sigurisht e falënderoj për librin e tij, i cili do të jetë pjesë e pa ndashme dhe frymëzim për punën time në Zürich, por edhe kudo që të jem, gjithmonë në shërbim të vendit dhe kombit tim!

    Vigan Berisha, Konsull i Republikës së Kosovës në Zürich

    14 janar 2023, Jona/SG

    ______________

    VËSHTRIM KRITIK PËR LIBRIN «NËPËR SHTIGJET E LUFTËS»

    Total
    0
    Shares
    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

    Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

    Postime të Lidhura