KADRI H.KADRIU: ‘ATY KU BUKËS I THONË BUKË E UJIT UJË, ËSHTË SHQIPËRI’

Pashtriku.org, 13. 03. 2013 – (Në kujtim të dëshmorit Kadri Kadriu, në 14 vjetorin e rënies) – Në njëvjetorin e vrasjes mizore të atdhetarit, piktorit e intelektualit Kadri Kadriu, një grup intelektualësh nga Mitrovica nxorën librin “Gulçim zemre” me krijime poetike, riprodhim pikturash të dëshmorit, kujtime shokësh për të etj. M’u kërkua edhe mua, si një mikut të tij të ngushtë, një shkrim evokues. Shkrimin e pata titulluar “Shok i fëminisë, mik i shtrenjtë përjetë”. Po e sjell të pandryshuar.
Shtatori i vitit 1961 solli ndryshime të mëdha në jetën e brezit tim. Gjenerata ime atëbotë mbushte shtatë vjet. Nga jeta e shkujdesur e pa brenga po hynim në një botë të re. Po shkonim në shkollë. Si prej qingjash lozonjarë, zbardhte oborri i shkollës nga fëmijë – gati të gjithë të veshur në të linjta dhe të qethur keq. Të gjithë mabnim varë kraheqafë çantat e bezëta, që i quanim “janxhika”, në të cilat, pëveç Abetares, kishim shumë, shumë dy tri fletore, një laps, një gomë dhe, udhëtarët, nga një copë bukë të misrit apo ‘mrume’.
Mbaroi gjysmëvjetori i parë dhe mësuesi do të na e shpallte suksesin. Ishin çaste ankthi e padurimi derisa mësuesi, pas një hyrjeje standarde, përmbajtjen e së cilës nuk e mbaj mend, filloi: Abdullah Nebihu – shkëlqyeshëm, … Kadri Hajrizi – shembullor, me të gjitha pesëshe… Ky, pra, ishte Kadri Hajriz Kadriu, i cili, si gjithë të tjerët, për mbiemër mbante emrin e babait. Ishte nxënësi më i mirë ndër katër a pesë më të mirët gjatë gjithë kohës sa ishte nxënës në shkollën fillore “Emin Duraku” në Qirez.

Kadri Hajriz Kadriu

Ishim shokë të pandashëm për shtatë vjet rresht, prandaj mbaj mend fare mirë tiparet e tij si fëmijë.
Përveç se ishte nxënësi më i mirë, madje në të gjitha lëndët, kurrë nuk mund ta shihje të papastër. Vishej bukur, jo pse kishte gjendje më të mirë ekonomike se të tjerët, por sepse prindërit e tij dhe ai vetë i kushtonin rëndësi kësaj gjëje.
Që herët, tiparet e tij të karakterit dallonin prej të tjerëve. Ndonëse fëmijë, i pëlqente të sillej si i rritur. Kishte një qëndrim prej aristokrati. Lëvizjet i kishte disi teatrale, por të natyrshme. Ia kishim zili. Ai për ne ishte një autoritet!
Në klasën e gjashtë patëm fatin t’i kishim disa mësues të mirë, madje kryesorët: atë të gjuhës shqipe, të historisë dhe të artit figurativ.
Prirjet për artin, ndonëse i kishim të lindura (Kadriu dhe unë kishim prindërit mjeshtra), duhej t’i nxirrte në pah një mësues i mirë. Hysen Gashi, arsimtari i artit, ishte ai i cili dalloi dhe e kultivoi edhe më tej në dashurinë për artin figurativ. Mbaj mend sa me padurim e prisnim orën kur do të kishim art unë, Kadriu e ndonjë tjetër. Sidomos Kadriu u dashurua fort pas kësaj lënde. Fantazonim se si do të bëheshim nxënës të artit në Pejë… si do të bëheshim artistë. Të dy shkruanim edhe vjersha, të cilat ia lexonim njëri-tjetrit.
Pas klasës së shtatë Kadriu, me familje, shkoi për të jetuar në Mitrovicë. Këtu u ndanë edhe rrugët tona të jetës për një kohë të gjatë.
Kisha dëgjuar se ai vërtet e kishte dhënë provimin pranues dhe ishte regjistruar në shkollën e mesme të Artit në Pejë; se më vonë, për mungesë kushtesh materiale, kishte kaluar në Gjimnazin e Mitrovicës dhe se me krijimtari artistike po mirrej intensivisht.
Kaluan trembëdhjetë vjet dhe nuk ishim takuar. Nga zonat e nënvetëdijes më erdhi një sinjal, një si alarm: e ke një shok të fëminisë me të cilin të lidhin shumë kujtime dhe prirje të përbashkëta, prandaj duhet ta takosh!
Ishte viti 1981. Tashmë ishim bërë burra. E kërkova dhe e gjeta. Po jetonte në një shtëpi me qira, të cilën ma tregoi një shok yni i përbashkët, me të cilin kishim bërë bashkë vetëm klasën e parë fillore, por nuk ishim harruar. Ishte ky Ramadan Miftari, i cili punonte berber në rrojtoren “Rinia”. Trokitëm në derë dhe doli Kadriu. Po ai i viteve të fëminisë, veçse tani burrë. Çuditërisht i kishte ruajtur të gjitha tiparet. Po ata sy të kaltër, po ajo frizurë, po ajo veshje elegante! Si gjithmonë, serioz. Ndonëse në shtëpi, ishte me kravatë.
Pas një çasti tepër të shkurtër trazimi të këndshëm që shkakton një takim i papritur, u përqafuam ngrohtësisht. Na priu dhe hymë brenda. Gjëja e parë që më ra në sy, natyrisht pas gruas dhe fëmijëve (ai tanimë kishte vite që ishte martuar dhe kishte disa fëmijë), ishin disa tablo pikturash të vendosura aty-këtu nëpër dhomën e ngushtë dhe një bibliotekë shumë e pasur. Zatën, njëri nga motivet që më kishte shtyrë ta kërkoja Kadriun, ishte edhe kureshtja për t’i parë pikturat. Ishin disa peizazhe me motive nga Drenica dhe Dukagjini. U mahnita!

Biseduam për tablotë dhe për pikturën në përgjithësi. Van Gogun e çmonte mbi të gjithë. Pastaj kaluam në tema të tjera. Mahnitja ime e vërtetë ndodhi vetëm tani. Kisha të bëja me një njeri shumë të ngritur intelektualisht (edhe pse nuk kishte mbaruar ndonjë fakultet). Njohuritë e tij ishin të gjithanshme. Mbeta me gojë hapur kur zuri të fliste për çështje të historisë së vjetër e të re, për letërsinë, për kulturën, për politikën. Dhe fliste një gjuhë aq të kulluar! Shumicën nga ato mijëra libra që kishte në shtëpi, i kishte lexuar…
E përshkrova si gjatë këtë takim sepse e kam të shënuar si njërin nga takimet më të rëndësishme të jetës. Nga ajo ditë, vajtje-ardhjet tona u bënë të rregullta e të pandërprera. Sikur donim ta mbushnim atë boshllëk disavjeçarë të pakuptimtë…
Ishte viti kur kishin ndodhur demonstratat dhe ishte kërkuar me revoltë popullore që Kosova të bëhej republikë. Ecja, sidomos e intelektualëve, ishte si nëpër teh të shpatës. Gjithkund vëzhgime e përgjime prej besnikëve vigjilentë të pushtetit. Kadriu mbronte me ngulm këtë të drejtë të ligjshme të shqiptarëve me argumente të së drejtës ndërkombëtare, me argumente historike dhe morale.Madje, një gjë të tillë e quante një minimum të domosdoshëm që do të ndodhte patjetër. Moto e tij ishte: ”Aty ku bukës i thonë bukë e ujit ujë, është Shqipëri”. Por, ndonëse mbronte me zjarr të drejtën e popullit të vet, nuk shprehte kurrë urrejtje ndaj popujve të tjerë. “Nuk i urrej të tjerët ngase e dua shumë popullin tim!”- thoshte ai. Nuk i pëlqente t’i trajtonte njësoj popujt me regjimet dhe pushtetet e tyre. Kishte lexuar klasikët e marksizmit, por kjo nuk kishte bërë fare efekte negative në formimin e tij kombëtar. Përkundrazi, ai mbronte tezën se arti, kultura, shkenca e ekonomia, pra, gjithçka duhet të mbështetet në tabanin kombëtar. Nacionales i jepte përparësi absolute ndaj internacionales.
Kishte lexuar shumë. Fliste me kompetencë për filozofinë antike dhe atë moderne. Komentonte “Iliaden” dhe “Odisenë”, personazhet e të cilave vepra të letërsisë antike i shpjegonte në mënyrë origjinale, çfarë nuk e kishim mësuar në shkollë… Gjithçka të kësaj periudhe të largët, argumentueshëm e lidhte me historinë pellazge e ilire.
Tërë kjo s’kish si të mos u binte në sy shërbëtorëve të pushtetit e sidomos shovinistëve serbë. Puna e pakursyer dhe shumë profesionale në organizimin e jetës kulturore në Mitrovicë, ishte bërë halë në sytë e kriminelëve serbë, që atëbotë kishin marrë në dorë çdo gjë. Sjellja e vazhdueshme prej tij e teatrove (artin skenik e donte që nga fillorja, kur si fëmijë kishim luajtur në pjesë teatrale), koncerteve, ekspozitave e aktiviteteve të ndryshme kulturore në Mitrovicë, s’kishte si të durohej më. Shovinizmi serb u vu në veprim konkret. Presionet në Qendrën e Kulturës ku punonte, ishin të vazhdueshme. Kur panë se ishte i pathyeshëm, një ditë e arrestuan. Pas vuajtjes së dënimit me burg, e larguan edhe nga puna, të cilën aq shumë e donte. Nga ky çast fillon një fazë tjetër, që mund të quhet tragjike, në jetën e tij.
Mbaj mend vizitën që ia bëra sapo doli nga burgu. Përjetova një tmerr. Nuk ishte më ai Kadriu që e njihja prej vitesh! Nuk fliste pothuajse fare. Përgjigjej shkurt me një ‘po’ a ‘jo’, ndërsa nuk pyeste gati për asgjë. Më torturonte e panjohura se ç’i kishte ndodhur, vallë. Zembereku që i vinte në lëvizje optimizmin e vrullshëm, gjuhën e tij të shkathët, i ishte goditur rëndë. Ai ishte mbyllur në vete dhe nuk i pëlqente të fliste me askënd. Asnjëherë nuk i mora vesh saktësisht rrethanat në të cilat e kishin arrestuar dhe si e kishin trajtuar…
Në një vizitë tjetër të mënjëhershme (atë kohë e vizitoja shpesh), për të ngjallur atmosferën e cila po ngjante disi e zymtë, mora bllokun e vizatimeve për t’i parë disa skica që i kishte bërë ato ditë. I bëmë njëri-tjetrit nga një portret, me laps. Në portretin që i bëra unë, të cilin e pata nënshkruar “dobët – 1”, veç gjendjes fizike (flokët e shkurtër nga qethja në burg…), jepet pak a shumë edhe gjendja e tij shpirtërore. Këto skica kanë shpëtuar.
Nuk ishte fatkeqësia personale ajo që e kishte dëshpëruar aq shumë. Jo! Ai madje e quante egoizëm të tepruar preokupimin me fatin individual. Fatkeqësia e popullit të tij, i cili çdo ditë po futej thellë e më thellë në robëri, ishte ajo që po e shqetësonte tej mase. Këtë fatkeqësi ai po e ndiente si të vetën. Kur ishte e rëndë për një popull të tërë, si mund ta duronte një njeri i vetëm, me një shpirt aq të ndieshëm, siç ishte Kadriu?!
Gjendja ekonomike po i rëndohej përditë. Fëmijët po u rriteshin, ndërkohë që të tjerë lindnin. Iu bënë gjashtë: tre djem e tri vajza. I donte shumë. Kishte kaq dëshirë t’ua plotësonte nevojat, ndërsa mundësitë po i pakësoheshin. Kjo e mundonte. Një ditë më tha: “Babai im ka punuar me çekiq dhe më ka mbajtur tamam si një princ, ndërsa unë, e sheh, fëmijët e mi…” Por nuk demoralizohej. Kurdoherë shihte rrugëdalje nga situata të ndërlikuara. Asnjëherë nuk bjerrte krenarinë, por kurrë nuk mburrej. Është e çuditshme se si i kishte të gërshetuara në mënyrë aq harmonike e të natyrshme krenarinë me thjeshtësinë, dukjen serioze me afrinë me njerëzit.

Zor të gjesh njeri të dijë si ai të nderojë të tjerët aq sinqerisht, aq natyrshëm, aq pa shtirje! Të kalonte pranë argatit në kanal, bujkut në arë, fëmijës në rrugë e të mos i përshëndeste në atë mënyrën e tij origjinale e të ngrohtë, ishte e pamundur. Ngrihej në këmbë nga kushdo, madje edhe nga një fëmijë dhe e nderonte me tërë respektin. Mbante mend emrin e kujtdo me të cilin kishte pasur rastin të takohet qoftë edhe një herë të vetme. Në mënyrën më shembullore shprehte respektin për Njeriun.
Njëherë, derisa po jetonte një krizë shpirtërore, më erdhi mik. Ma dha çantën të cilën e mbante kurdoherë me vete që t’ia lija diku. Pata përshtypjen se ishte fare boshe. Më mposhti kureshtja që ta shoh dhe e hapa. Pashë se brenda kishte vetëm një rizë dhe – një plis, të vjetëruar e të palosur. Vallë të jetë ky plisi i të jatit, i cili kishte vite që i kishte vdekur dhe që e kishte dashur aq shumë! – mendova. Nuk guxova ta pyesja. Kishte aq shumë arsye ta mbante plisin e tij që e quante shenjë identiteti, qëndrese, pastërtie e drejtësie. (Çfarë do t’i thoja po të më pyeste për plisin e tim eti, sadoqë isha i sigurt se këtë nuk do ta bënte?!)
Në shtëpitë e tipit kullë që i ndërtoi përtej Ibrit, te Kroi i Vitakut, kishte projektuar dhe vendosur disa plisa të mëdhenj, që atij i pëlqente t’i quante qeleshe. Në një hapësirë të madhe kishte projektuar t’i vendoste bashkë, në veri të kthinës kullën e malësisë me oxhak e frengji, ndërsa përballë saj dhomën e miqve të stilit të Shqipërisë Jugore. Aq shumë e gjakonte bashkimin!
Në vitet nëntëdhjetë, kur po ndodhnin transformime të ndieshme, ai mori pjesë në themelimin e nëndegës së LDK-së në fshatin e tij të lindjes. Në kundërshtim me programin dhe statutin e saj, që atëbotë nuk guxonin ta thoshin hapur, ai publikisht dhe me guxim tha: “Unë angazhohem për Republikën e Kosovës dhe për bashkimin e trojeve shqiptare!” Nuk u inkuadrua në asnjë parti. Ishte stoik në pikëpamjet e tij, por kurrë nuk kritikonte vetëm sa për të kritikuar. Dëgjonte me durim dhe respektonte mendimin e tjetrit; mospajtimin e shfaqte në mënyrë shumë të kulturuar.
Shpërthimin e luftës e priti me dhimbje, por edhe me krenari e shpresa të mëdha.
Vazhdimisht thoshte: “Frikacaku beson në fat, trimi në shpatë”. Ishte i bindur në fitore dhe këtë bindje e shfaqte kudo, duke mbjellë optimizëm.
Më 6 mars 1999, në njëvjetorin e rëniës legjendare të Jasharëve, në Prekaz, mori pjesë me një ekspozitë. Në ambient të hapur, të përshkuar nga një erë e fortë marsi, ai ekspozoi punime të ciklit të fundit, në të cilin e kishte avancuar shumë mjeshtërinë e të pikturuarit. (Të gjitha ato piktura janë zhdukur…). Nga ky manifestim, në të cilin parakaluan çeta e brigada të UÇK-së, u kthye si me krahë. Ishte më i bindur se asnjëherë më parë se liria është në prag.

……………………………………..

PREKAZ, 6 MARS 1999 – “AI ËSHTË GJALLË”

Vërtet liria erdhi, por jo edhe për të. Pesë ditë pas asaj dite të madhe, në natën e 11 marsit, derisa po kthehej në shtëpi nga një mik dhe, sigurisht, derisa po meditonte e po e përfytyronte Kosovën të lirë e jashtë thundrës serbe, e kapën hijenat gjakatare që i kishin zënë pritë në errësirë, përtej Ibrit. Të nesërmën u mor vesh se nata që shkoi kishte pjellë një ndër krimet më monstruoze: Kishin vrarë e e kishin hedhurë ndanë rrugës njeriun me zemër të bardhë, i cili kishte dashur aq shumë jetën dhe e kishte urrejtur tmerrësisht krimin. Ai ishte Kadri Hajriz Kadriu.
Shokët me penguan me çdo kusht që ta shihja kufomën e tij. “Përfytyroje gjithmonë të tillë çfarë ka qenë: të qeshur, të hareshëm, krenar e dinjitoz!”- më thanë dhe u binda.
Në ekspozitën me fotografitë që pasqyronin një pjesë të krimeve serbe, e cila u hap pas lufte në Skenderaj, shkova me ndrojtje të madhe. Vallë të jetë edhe Kadriu aty?- mendova. Dhe, aty ishte. I heshtur, i qetë, me sy e gojë të mbyllur. Dinjitoz, si gjithmonë! Ishte e para herë që po takoheshim e nuk po më fliste. Dy anët e kraharorit i kishte të bashkuara me një qepje të ashpër, të vrazhdë. E ke dashur shumë bashkimin, prandaj ja ku e ke! – sikur i kishin thënë.
Një gjë më zgjoi tmerr dhe dilemë: Vallë ta kenë ditur gjakatarët se e adhuronte Van Gogun dhe Autoportretin e tij pa vesh që e kishin përgjasuar me të, apo vetëm kishin kryer ritualin e tyre makabër?!

E kujton: Emin Halimi,
Skënderaj – 11 mars 2013

================================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura