ISUF KURTAJ: PËR ‘ZËRIN’ GAFANJOS

Prizren, 12. 07. 2013 – Kur fjala kulturë na shfaqet, pikë së pari na vete mendja tek tërësia e arritjeve të një personi në art, në letërsi… Ai që është i etshëm për kulturën, që punon e ndihmon për zhvillimin dhe përhapjen e kulturës ka moral, vetëdije, përgjegjësi, besnikëri… e një pafundësi vyrtytesh të përbledhura, të renditura dhe kombinuara hijshëm. Parashutizmi i disa njerëzve në kulturë dhe i disa të tjerëve që prodhojnë gjoja kulturë, e që rendin pastaj të flasin në emër të saj të gërdisin dhe sëkëlldisin deri në neveri. Haberi që morra para disa javësh e që e kam zor ta heq nga mendja është ai i Ministrisë së Kulturës kur për të vetmin festival të muzikës së vërtet, akordon një shumë më pak se simbolike. Dhe nga ana tjetër, për aktivitete gjasme trendy, kur këndojnë disa shokë të tyre mallista, jepin trefishin. Për këto aktivitete që jepen lumë parash dhe që në to pihet alkool, hashash dhe kush e di se ç’dreqin tjetër, nuk e merr kush mundimin për të hedhur qoftë dhë një status në facebook, dhe le pastaj ndonjë kritikë në gazeta apo pordhtalet që vjedhin lajmet e njërit-tjetrit dhe shkarravitin ndonjë shkrim me gabime të mëdha konceptuale dhe ortografike.
Rendi i gafave fillon nga Ministria. Nga ata që ne i quajmë ndër veti, por dhe ndër sy hajdutë. Ata janë gafanositë më të mëdhenj. Janë keq menaxhues fondesh, pa përjashtim ngjyrash. Pastaj janë tinzarët. Këta që si minjtë vrapojnë pas copës së djathit. Bëjnë grindavecin kundër të gjithëve për t’i mbrojtur eprorët, dhe sa hap e mbyll sytë të nesërmen kur shohim që djathi po mbaron futen në piruce, vrima dhe harrohen sikur të mos kishin ekzistuar. Dhe këtyre unë i them çuna me perioda. Zëri i tyre gafanjos tretet shpejt. Hiç më shumë se periodat e femrave. Kemi grupin tjetër që ne në zhargonin popullor i quajmë njerëz grifshë. Këta mund të kenë dhe talent. Këtyre dhe i falet kur bëjnë ndonjë deklaratë pa bazë. Por, a duhet falur edhe kur shpifin. Kur nuk i kanë të vërteta tezat që hedhin në qarkullim. Këta në përjashtim të të mirave që kanë, i karakterizon një e keqe që duhet ia futur surratit. Janë të ligj. Të ligjit duhet evidentuar, nxjerrur sheshit. Duhet t’i thuhet se kanë trilluar se përndryshe trillimi bëhet ves. Dhe kur personazhi është një personalitet në moshë karriere mbi supe i duhet treguar rruga. Se të riut dhe të vjetrit duhet lëshuar rruga ndonjëherë, por jo kur lajthisin. Jo kur shpifin. Jo kur ia fusin kot. Dhe kur për më tepër i vjetri është dhe artist me ngarkesë të madhe mbi shpatulla. Kështu veproi inatori i nderuar Reshat Randobrava në natën e “Zambakut të Prizrenit”.

Kompozitori – Reshat Randobrava.

E kishim ftuar për të dhënë çmimin e këngës fituese dhe nga fundi i festivalit kishte ikur. Sikur të mos mjaftonte kjo, ai të nesërmen ishte prononcuar për gazetën “Zëri” duke shpifur se gjoja këngëtarët kanë kënduar “playback”. Atij nuk i falet si muzikant që është, që të mos vërej se çfarë është live dhe çfarë nuk është. Ai po ashtu citon: Në asnjë festival në ballkan nuk ka korografi vallëzimi në mes të festivalit. Duket që ai nuk ka parë ndonjëherë festival përveç “Zambakut” të organizuar për faqe të zezë vitet e fundit. Shqetësimi i vetëm që edhe mund të jetë i vërtet i z.Randobravës, është ai i mungesës së orkestrës. Por, dhe për këtë, ai e di mirë se sa lekë duhet për të mbledhur orkestrën. Po ia theksoj z. Randobravës shumën që lyp orkestra. Edhe pse ai e di më mirë se unë. Mbi 12 mijë euro na ka lyp orkestra. Përveç shumës orkestra ka dështuar sa herë që ka qenë pjesë e performancës së “Zambakut”. Më fatalja është se z.Randobrava e di mirë së sa është buxheti i ndarë nga Ministria e Kulturës për festivalin. Është 4 mijë euro nëse e ka harruar. Madje dhe këto akoma nuk janë lëshuar. Pse nuk shqetësohesh për këtë vaki z. Randobrava, por ke shtuar në rendin e argumenteve të tua preokupuese edhe mos futjen e këngës fituese të edicionit të parë, kushtuar “Zambakut të Prizrenit”, e cila quhet dhe “himni” i festivalit. 
Më duhet të them se edhe ky argument të ka shkuar dëm, sepse edhe “himni” për të cilin ju shqetësoheni është lëshuar në nisje të Festivalit. Vetëm ju z. Reshat Randobrava nuk është dashur të nxjerrni vrerë ndaj “Zambakut të Prizrenit” për të cilin unë kam bërë gafë që kam marrë përsipër t’i bashkangjitem organtizatorit “pa lekë”. Si kundër dua ta theksoj se edhe pse “pa lekë” “Zambaku” këtë vit është bërë shumë më mirë se në 14 vitet e pas luftës. Asnjërin prej tyre nuk e keni kritikuar. Mos ndoshta jeni bërë xheloz për këtë ngritje të “Zambakut”. Por, zgjedh të mos e besoj, pasi nuk keni pse të jeni xheloz z. Randobrava, pasi ju jeni një nga themeluesit e “Zambakut” dhe duhet të ishit krenar. Ne ju kemi ftuar që të bashkëpunoni me ne, dhe jo se na jeni dashur për ndonjë gjë, por vetëm për t’iu respektuar. Ndërsa ju keni zgjedhur vetëm të rrini në breg dhe të shfryni nga bregu. Pse nuk dilni në media dhe të thoni që Ministria e Kulturës të rrisi buxhetin e “Zambakut të Prizrenit” dhe në vitet e ardhshme të bëjmë një gjë për të mbajtur në mend. Apo nuk keni mendere të kruheni me ta. I lëpiheni dhe ju atyre siç bëjnë dhe shumë kolegë tuaj. Ne jo. Edhe pse na kanë besuar të organizojmë festivalin, nuk e kemi ulur kokën, por kemi kërkuar në media nga Ministria që të na rris buxhetin.
Ju z.Randobrava nuk e keni pasur hallin te “Zambaku”, pasi vitet e kaluar ka qenë për hibret dhe nuk keni reaguar. S’keni reaguar sepse ju kanë lyer kokën me akull. Ju kanë përshëndetur. Ju kanë ulur në radhë të parë, tek ajo skena që vinte era m….. ju më mirë ta kishit thënë troç, që ju ka mbetur hatri me ne organizatorët që nuk ju kemi sajdisur siç duhet. Ne do ju kishim sajdisur edhe juve nëse do vinit në kohë siç i kemi pritur në hotele dhe i kemi dhënë dreka, darka të gjithë artistëve, sepse artistët meritojnë të sajdisen. Vitet e tjera artistët janë sorollatur rrugëve derisa sa ka ardhur ora për të kënduar. Ju ashtu si edhe u shprehët në telefon me z.Bashkim Rakajn, dukej se krejt këtë e keni bërë se ju ka ngelur qejfi. Mesa e shoh që vuani për një përshëndetje, vuani për të qenë në qendër të vëmendjes. Po të kishit ardhur më herët do e kishit njohur respektin. Por, ju jeni futur në sallë 10 minuta para sa të fillojë festivali. Nuk ka qenë faj i ynë. Ndërsa, kur jemi te kritika, ne e dëshirojmë kritikën. Kritika e rritë mundësinë për ngritjen e cilësisë. Por jo kritikë të mbështetur në trillime dhe sajesa pa vend. Nuk është dashur të bëheni admirues i shpifjeve, pasionant i intrigave, ankues i sebepeve të sajuara, llafazanë kafenesh. Dhe të fundit janë kopukët, ata që shkruajnë nëpër redaksi gazetash. Kemi plotë gazetarë me “zë” gafanjos të cilët dremisin në gazeta sikur të ishin duke shkruajtur në statuset personale në facebook. Kështu ndodh kur kultura bie në dorë të reperave, mallistave dhe djemve që s’dinë se ç’bëjnë. Të djemve që nuk dinë të shpjegojnë koncepte si estetika, morali, vlera, vetëdija, përgjegjësia, shoqëria.
Dhe që profesionalizmi i gazetave në Kosovë ka marrë fund kjo tashmë është një lajm i vjetër, por që të shkruash në lajm me disa burime dhe secilit burim i kërkohet përgjigje në kontekse të ndryshme kjo nuk më ka rastisur të shoh. Kështu ka bërë gazetari i kulturës së “Zërit”. Ai dhe shefja e tij, dhe jo vetëm, janë gafanjoset e ”Zërit” që shkruajnë për kulturën dhe nuk e dinë se fjala kulturë shkruhet me “ë” apo pa “ë”. Kosova sot ka prioritet imediat debatin, por jo asesi për beteja bajate “të ushtrive” që rroken pa vend për të gozhduar pa kulturë për kulturën.

…………………………………………..

“ZAMBAKU I PRIZRENIT – 2013”

Prezantuesit e Festivalit “Zambaku i Prizrenit 2013”:

– Bledian Koka, Ertemiona Meidani dhe Emanuela Ndrecaj –

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura