BEQIR ELSHANI: KOSOVA LUFTOI PËR LIRI DHE RIBASHKIM ME SHTETIN AMË – SHQIPËRINË

Suedi, 23. 09. 2013 – Me të drejtë të vjetrit thonë, edhe pse në të kaluarën kushtet e banimit kanë qenë më të dobëta, megjithatë harmonia e bashkëjetesës familjare ka qenë më e mirë, kundrejt kohës së sotme. Prandaj edhe pse në ish-Jugosllavi shqiptarët kanë qenë të shtypur dhe luftonin për të drejta të barabarta kombëtare, megjithatë fabrikat punonin, që sado kudo i zbutnin pasojat e krizës ekonomike. Sot po ndodh e kundërta, në vend se ato pak fabrika të rriteshin e të zgjeroheshin si me prodhimin industrial ashtu edhe me shtimin e numrit të punëtorëve, ka ndodhur edhe më keq, janë zhdukur nga faqja e dheut. Jo vetëm kaq, sepse fabrikat janë shndërruar në gërmadha, sa që zënë një sipërfaqe bukur të madhe të bukës dhe vendbanimit. Një gjë dihet se shqiptarët në ish-Jugosllavi nuk kanë luftuar për ndërrimin e sistemit politik të shtetit, apo për përmirësimin e kushteve ekonomike, por vetëm për çlirimin e tokave shqiptare dhe ribashkimin me shtetin amë – Shqipërinë. Gjithashtu, Kosova nuk ka luftuar atëbotë, as sot nuk lufton për liri fetare, por vetëm për liri kombëtare, meqë besimtarët myslimanë mund të shkonin në Stamboll e në Mekë, edhe pse këto vende ishin shumë larg vendlindjes sonë, mirëpo nuk mund të shkonin në Tiranën tonë të bukur e të dashur, që ishin shumë më afër se qytetet turke dhe arabe, në kohën kur Kosova kishte më shumë nevojë për mjekë se për haxhilerë. Prandaj Serbia me dhjetëra sisteme shtetërore mund t’i ndërronte, mirëpo për shqiptarët vazhdonte të mbetej armike gjakatare, që ende nuk heq dorë nga ripushtimi i tokave shqiptare dhe nuk kërkon falje për masakrimin e përhershëm të popullit shqiptar një shekull me radhë, ndërkohë që në diplomacinë evropiane dhe ndërkombëtare pengon njohjen e pavarësisë së Kosovës në OKB.
Në vazhdim, një ish-minator, i cili për dyzet vite ka punuar në minierën “Trepça”, dhe që e brengoste papunësia e madhe e rinisë në Kosovë, ndër të tjera në lajmin “Duke pritur pavarësinë” në faqen elektronike ankohej: “Ne kemi vuajtur shumë nga sistemi komunist dhe nga sistemi i Beogradit që ka qeverisur këtu.” Siç duket, sipas deklaratës së ish-minatorit Kosova paska luftuar për ndryshimin e sistemit shoqëror në ish-Jugosllavi, konkretisht kundër sistemit komunist, jo kundër shtypjes, dhunës dhe padrejtësive që i janë bërë popullit shqiptar me heqjen e Kushtetutës së Kosovës, ku ishte njësi konstituive në Jugosllavinë Federative. Ndryshe me deklaratën e ish-minatorit, shumica e popullit shqiptar, kryesisht revolucionarët e burgosur shqiptarë, nuk kanë luftuar kundër sistemit socialist të Jugosllavisë, kinse për ta rrëzuar komunizmin dhe për të sjellë kapitalizmin, përkundrazi kanë luftuar kundër pushtuesit jugosllav për çlirimin e Kosovës nga kolonizimi serbosllav dhe ribashkimin e saj me Shqipërinë Nënë. Konkretisht Kosova nuk ka luftuar për ta rrëzuar kryetarin e shtetit, Josip Broz Titon, apo cilindo udhëheqës komunist dhe në vend të tij të vendoset ndonjë kryetar kapitalist, bie fjala më demokratik se i pari. Vërtet klasa punëtore shqiptare ka qenë e shtypur në Jugosllavinë socialiste, gjithashtu me prodhimet e Kosovës janë ndërtuar qytetet në republikat tjera jugosllave, prandaj mos do të thotë se po të ishte Jugosllavia kapitaliste gjendja ekonomike e Kosovës do të ishte më e favorshme?!
Të gjitha shtetet e Europës lindore kanë luftuar për ndryshimin e sistemit politik, përveç Kosovës, Kroacisë dhe Bosnjë Hercegovinës që luftuan për çlirimin e vendit të tyre nga sundimi i gjatë serbosllav. Gjithashtu pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1949 Gjermania natyrale u nda në dy shtete nga aleanca antifashiste, ndaj gjermano-lindorët nuk luftonin për ndërrimin e sistemit socialist në sistemin kapitalist, por për bashkimin e Gjermanisë, e cila u realizua në vitin 1990. Po ta analizojmë mirë, në ish-Jugosllavi kurrë nuk ka pasur komunizëm, por një sistem të kalbur vetëqeverisës, të tipit revizionisto-kapitalist, që asnjë sistem demokratik në shtetet me përvojë kapitaliste nuk do ta zbatonte, sepse vetëqeverisja titiste ishte një sistem burokratik me anën e së cilës shkeleshin të drejtat e klasës punëtore. Megjithatë, thënë sinqerisht, sistemi socialist në ish-Jugosllavi, por edhe në Bashkimin Sovjetik, ka qenë shumë më i mirë se ky kapitalizëm i sotëm në këto vende, meqë mbi të gjitha mungon demokracia. Duhet pasur parasysh se kjo Rusi kapitaliste do të bëhet shumë më e keqe se ish-Jugosllavia Socialiste dhe Rusia Socialiste.

Shembull i qartë është Greqia kapitaliste, e cila kurrë në themelimin e saj nuk ka qenë shtet socialist, as demokratik, megjithatë mos do të thotë se është më ideale apo më demokratike se ish-Jugosllavia Socialiste. Prej dy fatkeqësive duhet zgjedhur njërën, ose socializmin jugosllav, ose kapitalizmin grek, për të cilën mendoj se megjithatë popullin shqiptar e shpëtoi socializmi i keq jugosllav, kundrejt sistemit kapitalist të Greqisë kurrë jo demokratike, e cila ende mban gjendjen e luftës me shtetin fqinj – Shqipërinë edhe pse historikisht janë dy popuj më të vjetër në Ballkan e në Europë, pa përmendur shkombëtarizimin sistematik të pakicës shqiptare në Çamëri. Pikërisht sot po shihet armiqësia tradicionale greke kundër popullit mbarëshqiptar, e cila me anën e propagandës fetare ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë zyrtare, kurse në anën tjetër, me mosnjohjen e Pavarësisë së Kosovës vazhdon të jetë mike e Serbisë vrastare të popullit shqiptar.
Kosova e ka gjendjen më të vështirë se Siria
Kohët e fundit në faqet e shtypit elektronik shkruan sesi nga Kosova e Shqipëria paraqiten disa vullnetarë me motive fetare për ndihmë ushtarake në Siri për mbrojtjen e popullit sirian nga regjimi i shtetit. Është për të ardhur keq që vendet arabe përgjatë detit Mesdhe i ka përfshirë kryengritja për mbrojtjen e popullit sirian, megjithatë Kosova ende po i ndie pasojat e luftës së përgjakshme nga pushtuesi serb; ende nuk janë shëruar plagët e popullit nga vrasjet dhe dhuna çnjerëzore; në muret e parlamentit të Kosovës ende qëndrojnë emrat e të pagjeturve shqiptarë që nga lufta në vitin 1999; pastaj nëntoka jonë ende është e mbuluar me mina dhe me mjete të ndryshme shpërthyese, pa përmendur mbylljen dhe zhdukjen e fabrikave, që janë mbyllur me qëllim të vuajtjes së popullit shqiptar. Parashtrohet pyetja, si mund të shkojë shqiptari të luftojë në vende të largëta për interesa të huaja fetare e politike, kur ne ende nuk jemi shëruar nga plaga e luftës së përgjakshme nga pushtuesi më i keq në botë. Dallimi në mes luftës në Kosovë dhe luftës në Siri është se derisa në Kosovë Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftonte për çlirimin e vendit nga shovinistët fqinj; të cilën serbomalazezët në vitin 1913 e aneksuan me ndihmën e fuqive të mëdha në Konferencës e Ambasadorëve në Londër. Përkundrazi shtetin e Sirisë asnjë shtet i huaj nuk e kërcënon për ndonjë pushtim, atje luftohet vetëm për ndryshimin e sistemit politik të vendit, në mes të regjimit zyrtar dhe kryengritësve sirianë. Në anën tjetër, nëse ndonjë vullnetar italian ka marrë pjesë në luftën e Kosovës, ai nuk ka marrë pjesë për ndryshimin e sistemit politik të Jugosllavisë së mbetur, por për çlirimin e Kosovës nga kolonizimi serb, ngjashëm siç ka marrë pjesë Armata e Kuqe Ruse për çlirimin e Serbisë nga fashizmi gjerman në vitin 1945.
Fotomodelet dhe bujqësia e Kosovës
Gjendja në Kosovë do të ishte më e mirë po të shkonin investimet kombëtare në drejtim të zhvillimit dhe përparimit të vendit, në drejtim të zhvillimit të bujqësisë për të siguruar bukën e vendit, në drejtim të shëndetësisë, arsimimit dhe emancipimit të popullit dhe kurrë jo në pasurimin burokratik të pushtetarëve në dëm të popullit. Më keq se kjo gjendje e rëndë ekonomike është kur investimet shkojnë jo vetëm në rrugë të gabuar brenda shtetit, por edhe më keq, shkojnë në arkat e shteteve fqinje, që tradicionalisht janë armiq të kombit shqiptar. Siç dihet, në Kosovë shiten prodhimet serbe për dobësimin e bujqësisë tradicionale shqiptare, me synime kundër zhvillimit të ekonomisë së Kosovës dhe kundër shëndetit të popullit shqiptar. Kështu ndodh edhe në Shqipëri, në shitoret e vendit shiten disa artikuj ushqimor serb, rumun e turk. Mbarë populli shqiptar duhet t’i përmbahet projektit shqiptar “Blej shqip”, që është në dobi të ekonomisë kombëtare. Arsyetohet nëse në shitoret shqiptare shitet ndonjë makinë apo aparat i huaj, mirëpo nuk duhet të ndodhë me artikuj ushqimor, sidomos të shkopinjve të njelmët, biskotave e të ngjashme, të cilat mund të prodhohen edhe në Shqipëri, prandaj edhe shitoret shqiptare duhet të shesin shqip. Pikërisht, një rast tronditës është kur në Greqi shkojnë femrat shqiptare, sidomos fotomodelet, për zmadhimin e gjoksit me silikon, kjo do të thotë se në dy vende tradicionalisht armiqësore pa arsye derdhen para të shumta shqiptare, ani euro të gatshme pa kurskëmbim, me anën e së cilës bëhet një dështim i dyfishtë, sepse në kohën kur nënave shqiptare u mungon qumështi për ushqimin e fëmijëve, dhe kafshata e bukës në tryezë, kur në spitale mungojnë barnat për shërim, fotomodelet shqiptare lodrojnë dhe merren me zbukurimin kirurgjik të trupit.
Dikur moti kam shikuar një film artistik, ku flitej për partizanin e plagosur, të cilit pas fitores mbi fashizmin gjerman në Luftën e Dytë Botërore, një infermier gjerman afrohet t’i jap injeksion. Mirëpo partizani i plagosur kundërshton duke thënë se në fushëbetejë ishte plagosur nga plumbat e fashizmit gjerman, ndaj ku dinte se ç’kishte në shiringën e infermierit gjerman. Prandaj edhe shqiptarët ende nuk po kuptojnë se çka fshihet në prodhimet e Serbisë armike, çka fshihet në shiringën serbe e greke që asnjëherë nuk i lënë shqiptarët të përparojnë ekonomikisht dhe të jetojnë të lirë sidomos në Republikën e Kosovës, pa përmendur krahinat tjera shqiptare në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Greqi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura