SYLEJMAN MATO: NJË NJERI ME DY EMRA(II)

Tiranë, 02. 10. 2013 – (Tregim) * * * Atë mbrëmje bisedat tona bëheshin me ndërprerje, herë pas here duhet të merrnim pjesë në bisedat e të ftuarve. I erdhi radha të ngrihej dollia e dhëndrit. Në atë çast dollibashi u ngrit në këmbë me gotë në dorë dhe i bëri një vlerësim të lartë. Edhe pse i ri në moshë, detyra e hetuesit i kishte dhënë një hije të ngrirë. Shezaiu ishte i vetmi që nuk e hoqi kollaren as kur u ngrit të vallëzojë me Artën e ne na binin djersët çurg në atë dhomë të vogël apartamenti . “Në muajin tetor na erdhi një informacion i cili m’u caktua për ndjekje të mëtejshme.- vijoi ai pas pak. -Në Shqipëri ka hyrë një kosovar i cili dyshohet për një vrasje. E quanin Azem Bytiçi. Një nga më të kërkuarit nga prokuroria jugosllave. Meqë ai ishte nga Peja, mendova se Jetoni duhet ta njihte. Në informacion thuhej shprehimisht: “dyshojmë se gjendet në Shqipëri”. Informacione të tilla na vinin shpesh. Ne ishim mësuar me blofe të tilla, për më tepër, shumica e të kërkuarve ishin të rinj kosovarë, të cilët i kishim mirëpritur dhe i kishim sistemuar në punë. U nisa qysh atë ditë për në Vlorë. Do t’u bëja një vizitë të shkurtër prindërve, më pas Jetonit e, me këtë rast, takoja dhe tim vëlla. I gjeta të dy tek tërhiqnin një trung pishe për te vendi i sharrimit. U gëzuan shumë kur më panë. Me Jetonin u përqafuam si dy miq të vjetër. Shkuam te restoranti nën pisha, zumë një tavolinë në qoshe, me pamje nga pylli, porositëm birra dhe pritëm sa të vinte dhe Rushani. Pas pak erdhi im vëlla. – Na e ke bërë shumë qejfin, – tha.- Këtu vetëm me ujqërit mund të bisedojë njeriu… Kur e pyeta Jetonin për Azem Bytiçi ai u rrudh në fytyrë. Kjo më bëri të besoj që ai e njihte. Fillimisht bëri sikur nuk kuptoi, më pas pranoi që e njihte. Gjashtë muaj më ka sjell vërdallë ai njeri.. Hajde sot, hajde nesër…Për më tepër, isha unë që kisha biseduar me shefat për ta hequr nga sharrat e për ta sjellë me punë në Tiranë. Një javë më vonë u nxeha keq me të… – Kam filluar të dyshoj tek ti, – i thashë. – Azemi Bytiçi punon te NISH Tulla 3, – më tha. Shkova te NISH Tulla 3 dhe takova drejtorin. “Nuk kemi asnjë punëtor me këtë emër”, tha ai. Të nesërmen më mori vetë në telefon: “Në orën gjashtë e gjysmë Azemin e ke te kafja ”. Në atë takim unë shkova me vonesë: – Priti, priti dhe iku, – tha. -Nesër e sjell sërish. – Ku punon?- e pyeta. – Në Guroren e Dajtit. Në gurore kishte një Azem, por me mbiemër tjetër. Kisha nisur të dyshoj seriozisht tek ai…Duhet të vendosja ç’qëndrim duhet të mbaja me të në ditët e më pasme. Ishin ato ditë që Radio Tirana buçiste orë pas ore për tradhtinë e Titos dhe prerjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë titiste. Atë mbrëmje takimin e kishim lënë tek ajo kafja e vogël , pas ish- komitetit ekzekutiv. E pashë që sa hyra. I vetëm. Iu ula përballë, hoqa çantën nga krahu dhe e lëshova mbi karrigen bosh. Më pyeti çdo të pish. – Një çaj, – i thashë, pa i ngritur sytë. Do t’i thosha vetëm një fjalë të cilën ende nuk e kisha formuluar qartë dhe do të ikja. Erdhi kamerierja dhe solli la porosinë. -Ku e ke Azemin?- i thashë prerë. -Azemin? – tha ai, pa më parë në sy. – Azemi jam unë. Tërhoqa karrigen pas duke e parë me habi…
* * *
Kur mendon të shkruash një histori, ndër mend ke të tjera gjëra, kur gjendesh para letrës së bardhë mendimet bëhen rrokopujë. Në çastin e krijimit është dikush që dikton e që mund të t’i bëjë lesh e li faktet dhe ngjarjet. Jua them këtë pasi dua të jem i ndershëm me ju, me ju dhe me veten time, dhe me ngjarjet që i kam njohur ose përjetuar. Pas prishjes me Jugosllavinë, në rangjet e larta të partisë dhe të shtetit u duk sikur ndodhi një tërmet. U shkarkuan shumë kuadro të lartë të cilët punonin në punë të rëndësishme, pati të tjerë, më pak të rëndësishëm , që mbulonin marrëdhëniet midis dy shteteve tona të cilët u hoqën përgjithmonë nga Tirana, me gjithë familje. Ministri i Brendshëm i asaj kohe u dënua me pushkatim. Kjo valë e kishte kapur dhe Haki Pejën, i cili merrej me problemet e Kosovës. Ai vetë u dënua me 10 vjet burg, ndërsa familjen ia internuan në Belsh të Elbasanit. Në situata të tilla ndryshimesh ndodhin ngjitje dhe zbritje. Për fat të mirë ose të keq të Jetonit , në këtë kohë ndryshimesh u krijua një sektor i ri pranë Komitetit Qendror, detyrat e të cilit mbaheshin tepër sekret. Në listat e reja që do të punonin në organet e sigurimit ishte propozuar dhe emri i Jetonit. Ndoshta ka qenë një rastësi, kanë parë kartelën e tij dhe faktin që dinte serbisht, dhe, ai më i madhi, i cili vendoste për këto punë, ka thënë, thirreni dhe merrini një mendim. Propozimin e tyre Jetoni e konsideroi si një nder që i bëhej nga partia dhe shteti. Pra ai nuk ishte një njeri i panjohur, madje, ishte piketuar për të punuar në një sektor sekret, në marrëdhëniet e reja që duhet të bëheshin tashmë, vetëm me Kosovën. Do të shkonte në Kosovë me identitet të rremë. Azem Bytiçi kishte vdekur njëherë e përgjithmonë. Në lëkurën e Azem Bytiçi jetonte një farë Jeton Shatri.”Partia ka besim te ti”, i kishin thënë kur e kishin thirrur për t’i marrë mendim për detyrën e re. Kjo ishte një formulë e njohur për të gjithë ata që i thërrisnin për të punuar në detyra sekrete. -Të mendohem, – kishte thënë Jetoni. Dhe kjo, ishte një formulë që përdorej në raste të tilla. Nuk duhet të thoshe jo, por edhe nuk duhet të tregoheshe as shumë entuziast, entuziazmi i tepërt krijonte dyshim. Sa zbriti shkallët e Komitetit Qendror fluturoi drejt zyrës së Shezos. – Eshtë një nder që të bëhet, – i tha ai.- Partia ka nevojë për njerëz si ti. UDB-ja ka qenë ulur këmbëkryq në Shqipëri, tani na ka dalë një punë e madhe… – Nëse do të më kërkohet të luaj spiunin,- kanë gabuar.- tha Jetoni.- Nuk jam unë i këtyre punëve. -Është hapur një sektor i ri për Kosovën, me seli pranë Komitetit Qendror, i cili do të merret me çështjen shqiptare, -i tha ai. -Çështja shqiptare i pëlqen çdo kosovari, – tha Jetoni. Pra, ai po thirrej në një detyrë të re, për t’i shërbyer çështjes së madhe. Mos vallë flitej për ëndrrën e kahershme të të atit për bashkimin e trojeve shqiptare?
* * *
Para se të nisej për në Kosovë, ai bëri një muaj përgatitje teorike, praktike dhe fizike, së bashku me disa të rinj të tjerë me biografi të mirë, të zgjedhur për këtë punë. Aty mori vesh se përzgjedhja e tij ishte bërë për shkak të njohjes së gjuhës serbe. Ndër çështjet më kryesore ishte ruajtja e sekretit. Hyrje- daljet në Kosovë do të bëheshin në fshehtësi të plotë. Edhe pse do të hynte e do të dilte nga Kosova, edhe në qoftë se do të gjendej shumë afër shtëpisë së tij, ai duhet t’u shmangej të njohurve, familjarëve, miqve dhe shokëve. Do t’u kalonte pranë si një hije, nuk do takonte askënd, as nënën, as vëllezërit, as motrën e tij të vogël, as motrën tjetër që ishte e martuar dhe jetonte në Prishtinë…Kësaj i thoshin: shko gjer te burimi dhe mos pi ujë. E keqja tjetër e kësaj pune ishte ajo që çdo lëvizje duhej të bëhej në prani të kolegut, ata të dy nuk duhet të ndaheshin as në gjumë. Pyeti për kolegun e tij, i thanë që është një ish-partizan nga Librazhdi, i martuar, me fëmijë. E quanin Stilian Koçibellit, shkurt e thërrisnin Lili. U njohën me njëri-tjetrin kur i thirri ministri në zyrën e tij. Ministri e njihte Lilin qysh nga koha e luftës. -Ti Lili e ke armën dhe veshjet, -i tha ai, -Për ju, kam dhënë urdhër t’ju pajisin me armë,-iu drejtua Jetonit miqësisht. Jetonit nuk i pëlqeu kolegu i tij. Iu duk një tip i vrazhdë dhe i mbyllur. Me tipa të tillë nuk di njeriu ç’të flasë, po ç’rëndësi kishte kjo, ata ishin thirrur për një çështje kombëtare. Kur dolën nga zyra e ministrit dhe u ulën në një kafe, mori vesh që këtë detyrë Lili nuk e kishte për herë të parë. Në kafe ndërroi mendim për të, iu duk njeri i drejtë dhe i vendosur, por, sakaq, i kapi syri një shikim të dyshimtë… Qenka nga ata njerëz që të studiojnë tinëzisht. Po ç’rëndësi kishte dhe kjo, para çështjes kombëtare? Atje ata të dy do të takonin dikë… Do të linin diçka dhe do të merrnin diçka. E gjitha kjo punë për dy-tri ditë. Nga Tirana u nisën një të shtunë, në mëngjes herët. Qëndruan në Tropojë gjersa ra mbrëmja, gjatë gjithë asaj dite Jetonit i hidhej zemra peshë: Po kthehem në Kosovë! Po kthehem në Kosovë! Gjatë asaj dite Jeton Shatri krijoi një mendim më të zbutur për kolegun e tij, edhe pse fjala “parti” ishte ulur galiç në trurin e tij. Kur ra mbrëmja u futën në një xhips ushtrie i cili i përcolli gjer në afërsi të pikës kufitare të Çeremit. Nga ana tjetër e kufirit, në një bregore, dukej karakolli i Koshares. Komandanti i postës sonë, një djalë i ri nga Labëria, ishte në dijeni të këtij kalimi. Ai i priti vet me një ushtar tjetër, poshtë postës dhe i shoqëroi me sy gjersa kaluan brezin e ftohtë. Sa preku me këmbë tokën mëmë Jetoni ndjeu një drithërimë. O Zot i madh! – tha me vete.-Ç’lidhje paska njeriu me tokën e vet? Ishte një ndjesi të cilën mund ta përjetoje vetëm në ëndrra. E përshkoi një erë malli përzier me flladin e ngrohtë të një nate hënore, kundërmim i pishave përzier me aromën e mollëve të kodrave të Strellës. Ishte fryma e shpirtrave të stërgjyshërve të tij a çfarë tjetër , ky fllad nate, me ndriçimin e ngrohtë të hënës dhe yjeve të vendlindjes, i cili trupin ia bënte më të lehtë, këmbët më të shpejta,, drejtpeshimin më të bukur e brengën më të hënëzuar? Këtë gjendje nuk e kishte përjetuar as në ato çaste kur kishte qëndruar mbi urën e Bunës dhe kishte biseduar me frymën e të atit të gjorë. Para tij ecte Lili. Për shkak të ndriçimit të plotë të hënës, zbritën në një përrua me ujë kristal dhe ecën përgjatë përroit me lisa të zhveshur. Pati një çast që Lili i kërkoi Jetonit t’i printe para. Toni i zërit iu duk në formë urdhri. Mos jam nën kontroll?-mendoi. Jeta e kishte mësuar të ishte dyshues te çdokush e në çdo gjë, gjer në atë masë ku s’ndërhynte fantazia e tij e zhvilluar Ai kishte lindur si një dyshues i fshehtë, i heshtur dhe i vëmendshëm ndaj çdo gjesti, fjale ose tonaliteti. Si një i verbër që ka të zhvilluar ndjesinë e lëvizjes së erës, edhe ai, me ndjesinë e erës, mendoi se mund të kontrollonte lëvizjet e shoqëruesit . Atë natë e kaluan në kullën e vetmuar të Zenunajve, ndërtuar me gur të lëmuar, me dritare-frëngji, në një bregore mbi rrugë, poshtë Koshares së Egër. Plaku i shtëpisë ishte lajmëruar qysh atë mëngjes se do t’i vinin mysafirë nga Shqipnia. Një fishkëllimë e lehtë sipër rrugës dhe ata shkuan pas saj. Duhet të kishte kaluar mesnata, por plaku i Zenunajve kishte disa orë që priste zemërngrirë, te dritarja-frëngji e katit të sipërm. Tokën duart burrërisht. Plaku e pyeti Lilin nëse gjatë udhës kishin pasur ndonjë shqetësim, më pas i ftoi të uleshin mbi ca shilte. Gratë u sollën për të ngrënë. Djali i tij i cili me kaq mendonte se e kishte kryer detyrën, i kërkoi të atit leje për t’u larguar. Në atë çast, plaku i Zenunajve ngriti sytë nga Jetoni dhe i hodhi kutinë e duhanit para këmbëve. Nuk e pyeti nga ishte, as si quhej. Kulla e Zenunajve kishte qenë në çdo kohë derë e hapur për mysafirët e ardhur nga Shqipnia. Nga kjo familje ishte derdhur shumë gjak për çështjen kombëtare. Në një çast plaku i Zenunajve pyeti: – Qysh e kam Enver Hoxhën? – Mirë,-i tha Lili, – sikur të jetonin së bashku, nën një çati. Plaku ishte gëzuar shumë që shteti shqiptar më së fundi e kishte kuptuar kush ishte serbi. Ai kishte humbur një djalë gjatë luftës, edhe pse e kishte qortuar Shefqet Peçin kur e kishte takuar: – Ç’djall ju lidhi me serbin!? Djalin e dytë ia dha me vete, për të pësuar atë që pësoi: u vra dy orë më vonë në betejën e asaj dite. Për bisedat e tjera të asaj mesnate nuk besoj të jeni të interesuar…Plaku i Zenunajve i dinte punën e veta.. Dhe dita tjetër, nga mëngjesi gjer në mesnatë, kaloi në kullën e Zenunajve. Frëngjitë e saj si dy sy të vegjël shikonin Erenikun. Jeton Shatri ishte nisur nga Tirana, i vetëdijshëm se gjendej para një prove, por s’do t’i shkonte mendja kurrë se prova e tij e vërtetë ishte ajo që përjetonte në ato çaste. “Të gjendem kaq pranë nënës dhe të mos mundem ta takoj? Vetëm për një shenjë që ajo të kuptojë që unë jetoj”. Po përsëritej legjenda e Kostandinit. I vdekuri ishte ngritur nga varri dhe kishte mbërritur te dera… Po përsëritje legjenda me pak ndryshime në kohë, i vdekuri nuk e kishte emrin Kostandin, por Jeton dhe kthimi nuk ndodhte në një natë me hënë, por në një mesditë me diell. Sa do të dëshironte që atë çast të ishte te porta e tij e drunjtë, bravëshqyer, e brejtur nga mizat, vetëm për të parë nënën nga krisa e portës. Ja ajo tek zbret shkallët e gurta, për t’u hedhur pulave thërrime. Ishte pikërisht ai çast, i ndryrë në atë kullë, kur i shkrepi kjo ide të cilën s’do të guxonte ta besonte as në ëndërr. Po sikur…? Sikur t’u hidhte një copë letër në oborr? Do ta gjenin, sigurisht, dhe do ta hapnin. Ai ose ajo që do ta hapte atë copë letër , kur të shikonte shkrimin e tij do të lëshonte një ulërimë: Azemi është gjallë! Azemi është gjallë! Kjo ide s’ishte gjë tjetër veçse pjellë e fantazisë së tij të zhvilluar, pasi Azem Bytiçi kishte vdekur qysh në atë çast kur ajri i mbrëmjes përcolli në qytetin e Pejës pesë të shtënat e tij mbi trupin e Milla Svetkoviçit.
* * *
Misioni i tyre u quajt i përmbushur vetëm me çfarë thanë dhe çfarë lanë në kullën e Zenunajve. Në mesnatë u kthyen sërish nga kishin ardhur. Kufirin e kaluan pa problem. Ato pak orë që u kishin mbetur gjer në zbardhjen e ditës së re fjetën në postën kufitare të Poçemit. Në mëngjes formuluan shpejt e shpejt relacionin, i cili do të dorëzohej po atë ditë në zyrën sekrete të Komitetit Qendror. Lili e dinte mirë se çfarë kërkonin shefat: A kishte pakënaqësi në popull për prerjen e marrëdhënieve? Ç’mendonin bashkëpunëtorët? A duhej zëvendësuar ndonjëri, si i dyshimtë? Kur ndodhin ndryshime dhe përmbysje të mëdha midis dy shteteve fqinje, si ajo që ndodhi midis dy shteteve tona me një Kosovë të zënë rob nga ana e kundërshtarit, detyra e informatorëve ishte sqarimi në popull. Duhet të dihej nga të gjithë që prishja kishte ardhur prej palës jugosllave dhe se ishte Stalini që e kishte denoncuar këtë tradhti, Stalini, miku i madh i shqiptarëve dhe shpresa e vetme për të ardhmen. Në muajt që pasuan, ata e shkelën edhe dy herë të tjera kufirin Jugosllav. Jeton Shatri, me intuitën e vet, kishte vënë re se në këtë lloj pune, e cila kishte lidhje me çështjen kombëtare, kishte diçka që nuk shkonte, sikur i mungonte ideali, pasioni dhe entuziazmi. Dhe kur ata të dy ishin gjendur te zyra e Komitetit Qendror dhe tek ajo e ministrit të Brendshëm, kishte vënë re diçka protokollare, ftohtësi gjer në dyshim. Dukej sikur dhe shefat e tyre e kryenin këtë detyrë pa dëshirë, si të shtyrë nga një dorë e huaj, të alarmuar…Në udhëtimin e tretë, ndodhi diçka e pazakontë, pasi dolën nga zyra e ministrit të dy njëherësh, ministri e ndali Jetonin te dera për pak çaste, kinse do ta pyeste për punën e strehimit të tij, në fakt e kishte pyeturi nëse kishte pasur ndonjë shqetësim nga kolegu i vet. Sa doli nga zyra e tij, por edhe më vonë, ai e vrau mendjen gjatë, ku donte të dilte ministri me ato fjalë? Pasndarja me Jugosllavinë i ngjante një kanceri i cili zhvillohej heshtazi dhe dalëngadalë, brenda trupit të shtetit dhe të njeriut, pa dhembje. Në të tilla raste dyshimi i ngjan ajrit, ai hyn kudo, në çdo skutë. S’i mund t’i shmangeshe dot dyshimit? Si mund t’i shmangesh dot ajrit? Dyshimi rriste dyshimin. Dyshimi nxiste dyshimin me dyshim. Nëse ti bëje një punë me ndershmëri dhe pasion, nëse ti arrije një sukses, do të shpërbleheshe me smirë, me ndonjë intrigë dhe me thashethemet e kolegëve. Jeton Shatri ishte ndeshur disa herë me shikimet e kolegut të tij, po ç’të bënte? Një ditë i kishte thënë shefit të tij për ta transferuar në një detyrë tjetër. -Këtu do të vdesim, unë dhe ti! – I ishte përgjigjur shefi me arrogancë. – Te kjo punë do të vdesim të gjithë. A e dini pse-në!? “Defans de savoir” – iu përgjigj ai në frëngjisht. Një muaj më vonë Jetonit i ndodhi diçka e pazakontë. E caktuan të shoqëronte për disa ditë një grup studentësh kosovarë. Në ato pak ditë, një prej studentëve, duke e ditur detyrën që kishte, i kishte kërkuar diçka të çuditshme: donte të takohej urgjentisht me Enver Hoxhën. I kishte treguar se ishte pjesëtar i një organizate revolucionare shqiptare dhe se donte të takohej me Enver Hoxhën për një çështje me rëndësi. Jetoni atij nuk i dha asnjë përgjigje, ndërkohë që sinjalizoi shefin e sigurimit të turizmit. – Kush të ka autorizuar ty të bësh biseda të tilla?- i ishte përgjigjur ai. Kur studentët kosovarë ishin larguar, ai bëri një relacion të shkurtër dhe, për dreq, në atë relacion futi diçka të pamenduar mirë e cila më vonë do ta linte disa net pa gjumë. Kërkesa e studentit kosovar edhe atij vetë i kishte mbetur enigmë “Çfarë ishte ai informacion i rëndësishëm që ai kërkonte vetë Enver Hoxhën?” Ishte pikërisht ky relacion i cili do t’i krijonte ngatërresa të mëdha dhe shefin e sigurimit të turizmit do ta pushonin nga detyra.
* * *
Në fillim të shtatorit, kur po kthehej në banesë, në oborrin e shtëpisë private ku rrinte me qira, u ndesh me dy persona të panjohur. Nuk pati kohë as për t’u çuditur e as për t’i pyetur kush ishin. – Kemi kohë që ju presim, – i tha njëri prej tyre duke iu afruar me mirësjellje. -Kemi urdhër të vini me ne, – shtoi tjetri, duke e kapur për krahu. Në kryqëzim, në vend që të merrnin për nga rruga “Qemal Stafa” te Pazari i Ri, u kthyen nga Drejtoria e Sigurimit, gjoja për t’i rënë më shkurt. Polici rojë, sa i pa, nxitoi të hapte portën. Ishte hera e parë që Jeton Shatri, duke ndier rrezikun, mendoi se mund të bënte diçka, ndërkohë që shoqëruesit e tij, të stërvitur për raste të tilla, e kapën për rrobash. E shoqëruan në një dhomë të errët, në mes të së cilës kishte vetëm një tavolinë dhe një karrige hekuri. Në të ishte ulur një oficer i ri, kapelën e kishte lënë përmbi tavolinë ku kishte një telefonon dhe ca letra të shkruara, të shpërndara gjithandej. -E keni kontrolluar ? – pyeti oficeri qetë. -Jo, shoku kapiten, – i tha shoqëruesi me qëndrim gatitu. -E kontrollojmë tani! – i tha tjetri. Kapiteni miratoi me kokë. Nisën t’i më bëjnë një kontroll të imët, nëpër xhepa, ndërmjet këmbëve, sendet që gjenin, i vendosnin pa kujdes mbi tavolinë. -Hiqi këpucët! Ulu ! -urdhëroi oficeri. -Dhe tani, a ka mundësi të më thoni, përse ndodhem këtu? – Doni të dini përse jeni këtu? -Ngrihu në këmbë dhe merr këpucët, -foli ashpër njëri nga shoqëruesit. E nxorën nga zyra dhe e shoqëruan përgjatë një korridori të errët. Atë natë ai fjeti në një birucë të errët e me një dritare frëngji fare pranë asaj zyrës ku i kishin bërë kontrollin fillestar. Nuk dëshiroj të zgjatem rreth gjendjes së tij shpirtërore të atij çasti dhe të asaj nate të parë që nuk mbylli sy. Histori të tilla, të trishtueshme, janë bërë të zakonshme në letërsinë tonë. Gjashtë muaj në birucë. U ndërruan katër hetues. Javën e parë e vizitoi Shezaiu, një vizitë pa buzëqeshje. E pyeti nëse kishte ndonjë ankesë nga trajtimi i atyre ditëve? Me përkujdesjen e tij sikur donte t’i thoshte, s’kam ç’bëj më shumë. Në sytë e tij kishte qortim dhe mirësi, dyshim dhe porosi: “Hapja zemrën Partisë, në do të kesh lehtësira”. Ishte pikërisht njeriu i cili dikur e kishte ndihmuar. Gjashtë muajt në hetuesi nuk kam ndër mend t’i përshkruaj, veçse dua t’ju tregoj se si dosja e tij, e cila kishte nisur vetëm me dy fletë të shkruara nga një dorë analfabeti, do të bëhej 394 faqe. Dëshmia që do t’i rëndonte më shumë ishte ajo e Lili Koçibellit, ku i kishte sajuar ato dy fletë të shkruara në një dialekt verior, pa “ ë-të”në fund të fjalëve, e me germa të mëdha në mes të fjalëve? Në këtë dëshmi hidheshin dyshime të rënda; Jeton Shatri i panjohur në fshatin e vet të lindjes, ishte një agjent i U D B-së.
* * *
Nata e parë iu duk e gjatë gjer në pambarim. Netët e tjera u kthyen në përmasat e veta reale. Gjatë atyre orëve pati kohë të sillte ndër mend disa biseda komprometuese me miq e shokë. Nuk kishte pasur kurrë armiq, as njerëz të dyshimtë që t’i vërtiteshin rreth vetes. Thua të ishte një kurth? Thua të kishte rënë në grackë? Nga kush? Përse? Kush ishte ky Lili Koçibelli që ia kishin ngjitur nga pas? Thua pas tij të fshihej dora e zgjatur e U-D B-së? Pikërisht kësaj ia kishte pasur frikën gjithmonë, qysh se ishte hedhur në Shqipëri, mirëpo përse kaq me vonesë? Vendimi i asaj nate ishte i prerë. S’do të pranoj asgjë. Asgjë. Asgjë. Gjyqi i tij u zhvillua në ditët e para të marsit, në një kinema të vjetër, me dyer të mbyllura. Gjatë atyre gjashtë muajve hetuesie ai kishte qëndruar gojë kyçur, nuk kishte pranuar asgjë dhe nuk kishte firmosur asgjë. Akuzat e prokurorit atë mëngjes i mohoi me përbuzje, duke përsëritur të njëjtat fjalë që kishte thënë dhe para hetuesve. “Nuk di asgjë… Nuk kam bërë asgjë… Janë të gjitha trillime… Nuk më dënon shteti im, por më dënon UDB-ja jugosllave. Në gjithë këtë histori ka gisht UDB-ja. Kërkojeni. Agjentin e keni midis jush”. Emrin e Lili Koçibellit nuk e përmendi as në hetuesi, as para prokurorit, meqë vendimin për të e kishte marrë në heshtje. Prokurori kërkoi dhjetë vjet burg, gjykatësi e zbriti në gjashtë. Gjashtë vitet e burgut i bëri kokërr më kokërr, në Burrel, në Spaç, në Qafën e Barit…dy vitet e fundit në burgun e punëtorëve te kodrat e Saukut, në ndërtimin e Sanatoriumit të Tiranës. Një vit më parë se të lirohej nisi një kurs anglishteje. Lili Koçibellin nuk e kishte harruar. U gëzua shumë kur, aty në burg, mori vesh që e kishin zhveshur nga detyra dhe e kishin transferuar me gjithë familje në Elbasan, në qytetin e së shoqes. Askush nuk e dinte shkakun e saj saktësisht. I interesuar për të marrë vesh ndonjë hollësi më shumë, kur i duheshin edhe gjashtë muaj për t’u liruar nga burgu, nga një oficer i ri me të cilin kishte një farë miqësie, mori vesh se Lili Koçibelli mund ta hante dhe më keq nga ç’e kishte ngrënë…dhe se pas lirimit kishte nisur të pinte. Një tjetër i kishte thënë se Lili ishte në vëzhgim… Ishin punë më të thella. “Më prit”, – kishte thënë me vete Jetoni, një muaj para lirimit.
* * *
Si mund të kalojnë gjashtë vjet burg nëse njeriu nuk e vret kohën me përfytyrime të bukura për ditët në liri? Lavdi ty o Zot që na ke dhënë artin e përfytyrimit. Me përfytyrime njeriu mund të shkojë në Nju-Jork, në Paris, në Malburn, në Toronto, në Majami, në Palma de Majorka edhe kur ai gjendet në një qeli të errët. Përfytyrimit s’i vë kush fre… Përfytyrimi është bukuria e vërtetë e jetës. Përfytyrime të bukura mund të quheshin dhe skenarët e Jeton Shatrit për zhdukjen artistike të Lili Koçibellit. Ju thashë, mikun tim e kishin prishur librat që kishte lexuar qysh në rininë e vet, me të kishte ndodhur ajo që kishte ndodhur shekuj më parë me sojliun e Mançës. ‘Vrasja është art,- mendonte ai. – Vrasja duhet të jetë art, si gjithë artet e tjera. Sidomos kur ka brenda një ide progresive… Sidomos kur vrasja niset nga një qëllim fisnik, për t’u pastruar rrugën brezave që vijnë. Ndaj jeta është e bukur. Kush të godet pas shpine e bën sepse s’do kishte guximin ta bënte përballë. Një burracak i tillë dhe tinëzar ishte Lili Koçibellit. ‘Njerëz të tillë duhen ndëshkuar, pasi në këtë mënyrë pastrohet raca njerëzore’, mendonte ai. Koha e ngjarjes – pasburgu. Vendi…? Këtu merrte krahë fantazia e tij. Variantet ngjanin si ato të një loje shahu ku ai kalonte shpesh kohën në ato vite burgu. Në shah mbretin mund të zësh rob vetëm me një lëvizje, kur e gjen të zbuluar. Lili Koçibellit tashmë gjendej i zbuluar, sidomos para gotës së rakisë. Pas largimit të tij nga detyra dhe largimit nga Tirana, në qytetin e Elbasanit, ai quhej një figurë e djegur, një figurë e dështuar, një burracak që të godiste pas shpine, një njeri i dyshimtë. Variante të mundshme kishte plot, si për shembull; në ndonjë përvjetor, në ndonjë ditëlindje, në ndonjë dasmë, në ndonjë festë jubilare, në ndonjë darkë në fshatrat e Elbasanit, të Dumresë, të Çermenikës, të Librazhdit, të Sopotit, të Përrenjasit, të Martaneshit ose të Gjinarit. Krahina e Elbasanit kishte plot vende piktoreske, me blerim e ujëra. Lili Koçibellit ishte në një moshë që duhej të kujdesej për shëndetin, sidomos në raste të tilla ku derdhej rakia lumë. Të gjashtëdhjetat sa i kishte mbushur, me zemrën kishte probleme…Dhe tensioni kishte nisur t’i lëvizte. Një vdekje para gotës së rakisë mund të quhej një vdekje e bukur. Mirëpo, vdekja është vdekje. Shpeshherë në jetë gjërat nuk ndodhin si i dëshirojmë ne. Kush mund të mendonte që Lili Koçibelli do të kishte një vdekje të lumtur, mes miqsh e shokësh? Kush do ta mendonte se Lili Koçibellit në atë mbrëmje të gëzuar, me rastin e synetllëkut të djalit të Isuf Kuqit, do të ulte bukur kokën përmbi tavolinë, duke u lënë lamtumirën dashamirëve që e rrethonin? Askush nuk dyshoi te ndonjë dorë vrastare. U përfol për një vdekje të papritur dhe natyrale. Në fund të fundit, natyrale janë të gjitha vdekjet, gjersa njeriu është i përkohshëm tek kjo botë, Lili Koçibelli kishte probleme shëndetësore, pra, nuk i kishte faj njeri, duhej të ishte treguar më i kujdesshëm atë natë. Ai nuk u ishte përmbajtur këshillave të mjekut të zemrës. Qesh e bot, qesh e bot…Pi dollinë e njërit e kthe dollinë e tjetrit… Dhe hajde më thuaj tani se Jeton Shatri me ato fantazitë e burgut nuk do t’i kishte rënë pikës kur pranoi variantin e vdekjes së tij natyrale. -E gjeti nga perëndia, -tha dikush, në kësollin e një njeriu të zi, sakaq u dëgjua një pëshpërimë: ”Perëndia, Perëndia…por duheshin dhe duart e mia”.
* * *
Jeton Shatri kur doli nga burgu u interesua për të gjetur një punë. Nuk e priti askush. Duke lëvizur nëpër Tiranë, në një kryqëzim rruge ai takoi rastësisht një mikun e tij të ditëve të burgut, Pehlivan Kuqi, nga Gjinari i Elbasanit, i dënuar për plagosje pa dashje të një fshatarit të vet. U ulën në një birrari dhe kujtuan ato vite burgu. Pehlivan Kuqi punonte sharrëxhi në sharrat e Gjinarit. Kur mori vesh që miku i vuajtjeve ishte i papunë, e ftoi të punonin së bashku. -Si jo, – tha Jetoni gjithë gëzim. Ishte një punë që e njihte mirë. U nisën së bashku qysh atë mëngjes tetori. Ajër i pastër, ujë i ftohët, dritë, gjelbërim. Tre muaj i kaloi duke parë si rrëzoheshin pishat e larta me kokë në yje. Vitin e Ri e festuan së bashku. Ditët e para të janarit i dha lamtumirën Pehlivanit dhe u nis për në Shkodër. Askush nuk e di saktësisht kush e ndihmoi për të kaluar Bunën me not, në ato ditë të ftohta janari. Në Mal të Zi qëndroi vetëm një vit. Më pas në Itali. Fundi i tij…Në vitin 1961 i hipën avionit Romë- Nju-Jork. Në qoftë se dikush nga ju është i interesuar të pijë një kafe me zotni Jeton Shatrin (këtë emër mban dhe sot), le ta kërkojë në Boston, në këtë adresë: Avenju 6 .str. 3 1453 D . Atje banon dhe sot , në moshën 75-vjeçare, gëzon shëndet të plot, si një zotni barkmadh, i martuar, me pesë fëmijë…Vetëm sytë e tij të ndritshëm ruajnë ende kujtimin e atij Jeton Shatrit të dikurshëm i cili, në moshën 20-vjeçare u nis si i verbër pas një ëndrre. Pas shumë peripecive në jetë, ai takoi ëndrrën e vet kur zbriti në tokën amerikane. Kanë kaluar shumë vite qysh nga ajo kohë, por mua ende më ka mbetur enigmë vdekja e papritur e Lili Koçibellit: Si ka mundësi që Lili Koçibelli t’i mbyllë sytë përgjithmonë në fshatin Gjinar, te familja e Isuf Kuqit, kushëri i parë i Pehlivan Kuqit? Si ka mundësi që në darkën e shtruar me rastin e synetllëkut të djalit të vet të parë, Jeton Shatri me Lili Koçibellin të ndodheshin kaq pranë…kaq pranë, 20 metra larg, aq sa ç’mund të ishte distanca e tytës së revolverit të tij me cigaren e Milla Cërkoviçit. Çfarë rastësie!? Çfarë rastësie!? (FUND)
– Sylejman Mato është, shkrimtar, poet, dramaturg dhe publicist shumë i njohur në Shqipëri.

*   *   *

LEXONI PJESËN E PARË
SYLEJMAN MATO: NJË NJERI ME DY EMRA(I)
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=1972

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura