ABDULLA MEHMETI: KAMBANAT E ZGJIMIT PO BIEN

Tetovë, 01. 11. 2015: Durimit i ka ardhur fundi, edhe tradhtisë e krimeve, bashkë me besimin ndaj politikanëve që shitën gjithçka që pati ky popull, pasurinë, dinjitetin, gjakun dhe nderin. Kambanat e zgjimit po bien. Revolta e popullit do të ngrihet si uragan në mbrojtjen e të drejtave të shkelura, krenarisë, jetës dhe fatit të tij.
Nuk ka forcë që e ndal shpërthimin e mllefit dhe zhgënjimit nga mashtrimet e politikanëve të paaftë, hajdutë dhe servilë. Një herë e mirë, secilit do t’i tregohet ku e ka vendin, kurse bukëshkalët e mohuesit për stacion të fundit do ta kenë aeroportin më të afërt, me bileta pa kthim.
Popullit me arna në trup dhe pa bukë në sofër; me shëndet të rrënuar, të frikësuar dhe pa shpresë, nuk i premtohet ardhmëri, reforma dhe integrime pa i dhënë llogari për mashtrimin e madh të derisotëm.

Këtij populli që ia shitët pasurinë dhe ia shkatërruat të sotmen; ia helmuat tokën e bukës dhe fëmijët në djepa; ia mohuat gjuhën, ia zvogëluat flamurin, ia nëpërkëmbët traditat, besën dhe krenarinë; e latë në rrugë, pa punë dhe të uritur; e detyruat të merr rrugën pa kthim të mërgimit, e përzutë në katër anët e botës që ta harrojnë përgjithmonë emrin Atdhe, tani vjen dita t’i jepni llogari për atë që bëtë dhe nuk bëtë; për atë që nuk mundët, nuk ditët dhe nuk deshët; për atë që ju besoi dhe e tradhtuat; për atë që mendoni ende ta mashtroni si fëmijën me sheqerka të mbështjella me helm e plumba!
Mjaftë më, se ka humbur durimi!
Mjaftë më, se na koritët para botës!
Mjaftë më, se na turpëruat para historisë!
Mjaftë më, se do t’ju mallkojnë djepat dhe varret e të parëve!
Mjaftë më, se kurrë shqiptari nuk ka qenë më i shtypur dhe poshtëruar se sot!
Mjaftë më, që të mos u mallkojë tëmbli i nënave dhe gjaku i dëshmorëve! Lëreni popullin të qetë, të ec i lirë në rrugën e vet, PA JU!
Se ju ia shkelët flamurin, besën dhe nderin; ia mohuat shenjtorët, abetaren dhe gjuhën; ia shuat pushkën e lirisë dhe dritën e ardhmërisë; ia përdhosët të kaluarën, varret e të parëve, kishat dhe xhamitë; ia lëvizët kufijtë dhe tkurrët Atdheun; ia burgosët dhe vratë djemtë pas shpine; ia manipuluat dhe shitët rininë për beteja të huaja; ia vratë ardhmërinë dhe shpresën!
Kambanat e zgjimit po bien. Populli nuk dëshiron që vrasësit e hajdutët t’ia bëjnë dasmat dhe festat. Lëreni të jetojë i lirë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura