ARBANA XHARRA: KONGRESI I TALLJES ME POPULLIN E KOSOVËS

(Prishtinë, 30. 01. 2013) – Ishte hera e parë që po shkoja në njërin prej hoteleve më luksoze në Kosovë, në “Emerald”. Rrugës tek ngasja makinën u ndala në dy vende për të pyetur se ku gjendej ky hotel tamam. Me t’u afruar në oborrin e hotelit më zuri syri qindra makina luksoze, të mëdha e të zeza, siç i përdorin zakonisht zyrtarët e shtetit. Xhipa e vetura të markave të ndryshme, të prodhuara në Gjermani e Japoni, që pothuaj çdo ditë i shohim duke defiluar rrugëve të Kosovës. Këto vetura shfrytëzohen për aktivitete partiake, punë private, pjesëmarrje në dasma e syneti. Kështu prona e shtetit përdoret për qëllime joshtetërore. Kështu edhe paratë e shtetit digjen për interesa partiake dhe private.
Që në hyrje të hotelit shihej se çfarë po ndodhte: kongresi i Partisë Demokratike të Kosovës ose konventa, siç kanë dëshirë ta quajnë, sigurisht duke tentuar të imitojnë Amerikën, edhe atje thuhet “Konventa e Demokratëve” ose “Konventa e Republikanëve”. Të forcuar nga të mirat e pushtetit zyrtarët e PDK-së ia bënin qejfin njëri-tjetrit, duke thënë se partia e tyre është më e forta dhe s’ka kush e mposht në zgjedhje.
Mes të pranishmëve mund të dalloje edhe disa politikanë të PDK-së, të cilët vitet e pushtetit i kanë shpërfytyruar totalisht, sikur janë bërë njerëz tjerë. Sa ishin ne opozitë promovonin vlera dhe thoshin se do të luftojnë korrupsioni. Thirreshin në vlera të demokracisë dhe ligjit. Sot janë pjesë e makinerisë së korrupsionit.

Hoteli Luksoz “Emerald” – ku u mbajt Kongresi i VI’të i Hashim Thaçit.

………………………………………………..

Shumicës u vjen mërzi t’ua kujtosh kohën kur betoheshin se do të luftojnë korrupsionin. Ndoshta as ata nuk duan të kujtojnë më të kaluarën, as luftën, as terrin, as vitet e kaluara në opozitë, as konferencat e tyre për shtyp, ku nxirrnin të zezat e koalicionit qeverisës AAK-LDK. Kishte vite që këta politikanë të PDK-së nuk i kisha takuar. Asnjëri prej tyre nuk pranon të flasë hapur e publikisht për keqqeverisjen. Por, kur e shohin se nuk po vëzhgohen nga ndonjë bashkëpartiak, me dëshpërim thonë: “Nuk kemi çka me ba…”.
Kjo logjikë e shpjegon më duket më së miri edhe kongresin e Partisë Demokratike të Kosovës. Kur në një parti mungon kultura e debatit, kur mungon shkëmbimi i ideve, atëherë edhe kongresi shndërrohet në tubim, të siguron vazhdimësinë me politikanë të diskredituar.
Ky Kongres i PDK-së në vend se t’i kërkonte falje opinionit për aferat korruptive në fakt vendosi t’i mbajë në nivelet më të larta partiake të diskredituarit si Bajram Rexhepi, Adem Grabovci, Azem Syla dhe shumë kryetarë komunash të njohur për dallavere dhe kërcënime.
Ky ishte kongres i retorikës proevropiane dhe i sjelljes dhe vendimeve në stilin e Koresë së Veriut dhe Zimbabvesë, ku si me urdhër duartrokasin të gjithë dhe askush nuk shtron asnjë pyetje. Ky ishte kongres i brohoritjeve për udhëheqësin që përgjohet nga drejtësia ndërkombëtare. Ky nuk ishte kongres ku të deleguarit e bazës kërkonin llogaridhënie për degradimin e Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kjo “konventë” e PDK-së ishte vetëm një rast për të përjashtuar kritikët. Ky kongres në një mënyrë ka përjashtuar mbështetësit e Jakup Krasniqit dhe një pjesë të Drenicës. U përjashtua njëri prej themeluesve të UÇK-së dhe po avancohen ata që në emër të UÇK-së u pasuruan pa fund. Kongresi ka përzënë një pjesë të ish-të burgosurve politikë që kanë sakrifikuar shumë për lirinë e Kosovës.
Kongresi ka përzënë edhe mbështetësit e Fatmir Limajt dhe rajonin e Malishevës, të gjithë ata mbështetës të PDK-së që kryeministri Hashim Thaçi i quante “zagarë” në bisedat e tij telefonike me Adem Grabovcin. Me dëbimin faktik të Hydajet Hysenit PDK e ka përzënë po ashtu një pjesë të mbështetësve në Anamoravë, sidomos në Gjilan e rrethinë. PDK me këtë lidership po dëshmon se nuk është parti, por grup interesi për plaçkitje të shtetit.
Kulmi i joseriozitetit u arrit kur pa asnjë debat partia si me magji u bë djathtiste. Derisa shumë mbështetës të Thaçit gjatë luftës kanë përshëndetur dhe pozuar me grusht në stilin e Enver Hoxhës dhe rregullisht i kanë raportuar liderit socialist të Shqipërisë Fatos Nano, këtë fundjavë PDK u bë djathtiste. Kjo ndodh ndoshta për shkak se, siç e tha Augustin Palokaj në komentin e tij te “Koha Ditore”, kryeminstri Thaçi kishte fjetur të dielën në krahun e djathtë. Në të vërtetë PDK nuk është as parti e majtë e as e djathtë, por vetëm menaxhon me resurset që i ka futur nën thonj.
Ky ishte më një fjalë kongresi i talljes me Kosovën dhe popullin e saj. Profilizimi i partisë nuk bëhet me urdhra nga shefi brenda pesë sekondave, por me përfaqësim të shtresave të caktuara të shoqërisë. Cilat shtresa i përfaqëson sot PDK? Asnjë shtresë shoqërore. Por, PDK po e përfaqëson grupin e zhvatësve, të cilët janë pasuruar jashtëligjshëm.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura