BEHXHET Sh.SHALA: BALI MET, KOMANDANT I ZONËS OPERATIVE TË ÇAGLLAVICËS!

Prishtinë, 03. 05. 2013 – Një hyrje sa për sqarim – Për më tepër se tre vjet po shkruaj për veriun e Kosovës përkatësisht për veriun e Mitrovicës, një qytet i ndarë dhe i pranuar ndërkombëtarisht me kryebashkiakun e parë Marti Ahtisari ndryshe dhunuesin më të madh juridik dhe kushtetues i cili u bë Kumbarë i ndarjes së qytetit për ta zëvendësuar ndonjë Kumbarë tjetër me mbiemrin Ivanoviq, Damjanoviq apo Jakshiq! Pas nënshkrimit të ”marrëveshjes“ historike për normalizimin e marëdhënieve midis kryeministrave Thaçi – Daçiq. E pranoj se paskam qenë krejtësisht i “painformuar“. Mungesa e dijes, mungesa e informatës domosdoshmërisht të shndërron në injorant dhe budalla të llojit të vet prandaj e kam pranuar me shumë dashamirësi cilësimin e kryeministrit Thaçi se të gjithë ata që shkruajnë dhe deklarojnë se veriu i Kosovës do të ketë autonomi, status special, status të veçantë, Tirol apo Kataloni janë injorantë. Madje, e pranoj se jam kryeinjoranti sepse edhe sot, si i “trenti pas kosit“ mbaj të njëjtin qëndrim. Fatmirësisht që u deklarova si i painformuar, i padijshëm dhe pse jo edhe budalla i papërmirësueshëm duke i lënë veti një shteg të shmangies së përgjegjësisë para ligjit. I papërgjegjshëm para ligjit, i përgjegjshëm para detyrimit ta flasë të vërtetën! Ndërkaq, që disa të tjerë duan të jenë të përgjegjshëm para ligjit dhe të papërgjegjshëm para së të vërtetës! Se kjo marrëveshje qenka e mirë më bindën të gjithë duke filluar nga presidentja Jahjaga e cila nga Londra e Isa Boletint i dha përkrahje të fuqishme kësaj marrëveshje prandaj nuk më shkon as mendja ta mohoj patriotizmën e presidentes ndryshe do të vija në dyshim edhe vet Isa Boletinin.

Për kokë të Ahmet Zogollit dhe Hasan Prishtinës! Argumenti tjetër ishte fjalimi historik i ish presidentit të Dellit dhe Pushikarit, aktualisht zëvendëskryeministri i parë dhe përgjegjës për lobim, njohje dhe prurje të investimeve të huaja për biznesin e vet i cili në emër të grupit parlamentar të AKR-së, me një oratori si Ciceroni apo Demosteni dikur e shpëtoi kryeministrin Thaçi ! Vërtetë, Thaçi pa përkrahjen e argumentuar të Behgjet Pacollit atë natë do të shtrihej përtokë! Por, miku i mirë për ditë të vështira! Falë Pacollit, shpëtoi Thaçi dhe me këtë edhe Kosova! Pacolli jo vetëm që e përkrahu fuqishëm Thaçin por në një mënyrë e urdhëroi ate me fjalët: ”kryeministër filloja menjëherë zbatimin e marrëveshjes“. Margaritari i mbrëmjes ishte bekimi që i bëri Pacolli “asaj gruas“ (baroneshës Ashton) për punën e saj dhe suksesin e merituar! Jo nga minarja e xhamisë por nga një vend ku një numri të madh të deputetëve nuk u zihet besë. Nga Kuvendi i Kosovës! Miku im (jam dhëndërr i tyre) Ismet Beqiri nxori një argument që më bindi. Tha se ndonëse kanë rezerva për këtë marrëveshje e përkrahin ate pasi që amerikanët e përkrahin gjithashtu. E fortë ishte kjo! Duket se Ismeti e ka ngatërruar gjeografinë duke menduar se bëhet fjalë për Kaliforninë. O Ismet, bëhet fjalë për një pjesë të okupuar të Kosovës e jo për Teksasin apo Kaliforninë! Arsim Bajrami, si “bashkshkërdhyes” i Kushtetutës së Kosovës dhe nxënës i keq i Marti Ahtisarit, me një oratori akademike e arsyetoi këtë marrëveshje aq mirë dhe në këtë mënyrë e vërtetoi pohimin tim se: ”tragjedia e këtij vendi qëndron në faktin se intelektualë me tituj shkencorë shndërrohen në shërbyes civilë të politikanëve për një interes fare të vogël”. Jam i sigurt se Arsim Bajrami nuk u ka besuar as fjalëve që i ka folur vet në përpjekje për t’i bindur të tjerët! Prandaj, si mund t’u besojmë ne të padijshmit dhe injorantët ?! Pastaj, një ndërkombëtar tha botërisht se Blerim Shala, mamia e pakualifikuar e të gjitha lindjeve politike në Kosovë duhet të krenohet me veprën e tij gjatë këtyre bisedimeve.. Ata që i përcjellin këto lindje politike me asistencën e mamisë Blerim Shala janë në dijeni se pas këtyre lindjeve të porsalindurit kanë lindur me defekte ndërsa vetëm xhirollogaria e Blerimit është shëndoshur (plotësuar) tej mase. Por, definitivisht mendoj se kryeministri i Kosovës nuk ka pasur rrugëdalje tjetër përveç se ta nënshkruaj këtë marrëveshje! Në mos për asgjë tjetër atëherë për ato dy puthje të baroneshës Ashton pasi e ka nënshkruar marrëveshjen! Hej njeri! Nuk është se po të puth gruaja por po të puth baronesha Ashton! Dikush, me një lehtësi edhe mund të thotë se puthjet e baroneshës Ashton për Thaçin dhe Daçiqin janë në fakt të barasvlefshme me puthjet që i ka bërë Juda Krishtit para se ai të gozhdohej në kryq ! Nuk kam informata, jam i padijshëm , injorant dhe i papërgjegjshëm prandaj po përmbahem nga vlerësimi! Thjesht, po abstenoj! Nuk është se abstenimi ta shpëton fytyrën por së paku ta shpëton prapanicën ! Për një kohë të caktuar !
Diçka për titullin
Gjatë negociatave në Bruksel, Bali Met, banor i Çagllavicës, poliglot sepse e kupton gjuhën e pakicës në Kosovë (shqipe) dhe e flet rrjedhshëm gjuhën e shumicës (serbe) ndërsa shanë mire në disa gjuhë ndryshe, bashkë me mua dhe me disa të tjerë pjesë e inventarit të restoranit Rings ka qenë vazhdimisht i sulmuar nga patriotët. Jo, çka po doni ju të Graçanicës, ju të Mitrovicës e të Shtërpces dhe po ia futni kot ju të Çagllavicës dhe shumë pyetje të tjera që vinin në dyshim kredibilitetin dhe lojalitetin njerëzor, kombëtar dhe moral të Balit Met. Unë, isha më i kujdesshëm sepse shumë herë e përshëndetja në gjuhën e shumicës në Kosovë me zdravo dhe dobro jutro Bali Met. Disi isha i sigurt se pas bisedimeve në Bruksel statusi shoqëror i Balit Met do të forcohej shumë! Tash, pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel të gjithë po i vardisen Balit Met se mbase në kurriz dhe falë autoritetit të tij do të mund t’i afrohen grazhdit apo Fondit për Zhvillim për Mitrovicën e Veriut! Që, përmes këtij Fondi kinse bëhet më lehtë integrimi i veriut të Mitrovicës! Bali Met ka mundësi të zgjedhë se ku do të sistemohet. Duke filluar nga pika e parë deri te pika e 15 e marrëveshjes. Pa e pyetur as Hashimin, as Isën, as Ramushin e as Albinin. Nga Behgjeti duhet ta marr një rekomandim! Ndërsa vendimmarrës do të jenë Ivanoviqi, Marko Jakshiqi dhe Marti Ahtisari! Me këtë marrëveshje nuk përfiton vetëm Bali Met. Fitojmë të gjithë! Pjesa kriminale e Policisë së Kosovës do të fuqizohet me Rojat e Urës, paramilitarët e Marko Jakshiqit dhe Beretat e Kuqe të Legias! AKI do të forcohet me kuadro të UDB-së dhe BIA-së. Ndërsa FSK do ta përmbushë 10 % , e mbase edhe do ta tejkalojë këtë përqindje me pjesëtarë të komunitetit serb nga Garda e Car Dushanit dhe Civilna Zashtitës! Punët po na hecin për së mbari! Gjykatës së korruptuar të Kosovës do t’i bashkangjitet gjykata e kriminalizuar e veriut të Kosovës fillimisht si panel e pastaj edhe si ghykatë në vete! Prandaj, nuk i kuptoj ata që e kundërshtojnë këtë marrëveshje që siguron normalizim të marëdhënieve dhe fqinjësi të mirë! Ndryshe kush do të sakrifikonte aq shumë që Serbia ta fitojë datën e anëtarësimit në BE? Vetëm ne, pasardhësit e Nënës Tereze ishim në gjendje dhe e bëmë këtë!
Dy sulme nga ndërkombëtarët dhe kosovarët
Don Andrea Kapusela ka qenë frekuentues shumëvjeçar i grazhdit të privatizimit në Kosovë duke kullotur deri në çastin kur hundët dhe buzët hasën në dhe të Kosovës të cilin e kishin shndërruar në shkretëtirë ai, me “ miqtë “ ndërkombëtarë të shoqëruar me Cosa Nostran vendore. Pas kësaj kur mbeti pa taxhi ( euro të buta ) nisi me të madhe t’i akuzojë të gjithë për korrupcion duke u shndërruar më Vetëvendosje se vet Vetëvendosja ! Ngadalë u shndërrua në “ njohës të mirë” i drejtësisë përkatësisht i procesit të faljes së të dënuarve në vuajtje të dënimit (Don Andrea Kapusela i quan kriminelë!) duke akuzuar presidentin Sejdiu dhe ushtruesin e detyrës së presidentit z. Krasniqi se i kanë shitur me para ato falje! Gjuha e Don Andrea Kapusela është thjesht gjuhë kriminale sepse edhe të dënuarit që i përmirësojnë sjelljet e tyre kanë të drejtë për mëshirën e shtetit! Madje shteti detyrohet të dëshmojë mëshirë në këtë rast! Po të pyetej Don Andrea Kapusela, Kosovën do ta shndërronte në një burg të madh! Të gjithë qytetarët e saj do t’i dënonte me burg të përjetshëm, pa të drejt faljeje! Don Andrea Kapusela i detyrohet qytetarëve të Kosovë ta tregojë të vërtetën për privatizimin në Kosovë, zhvatjen e miliona euro dhe dollarëve dhe rolin e tij në këtë proces. Si edhe të ndërkombëtarëve të tjerë të cilët i lane si jashtëqitje këta hajnat vendorë! Nëse, edhe për një çast të vetëm do të tregohej i sinqertë atëherë në shkrimet e mia të ardhshme nuk do t’i drejtohem më me Don. Deri atëherë Don Andrea Kapusela mbetet pjesë aktive e mafias ndërkombëtare që e kanë kullotur Kosovën duke e ndarë ate dhe duke e shndërruar në një shtet jofunksional ku krimi i organizuar, tregtimi me qenie njerëzore , narkotikë, parime dhe moral po imponohen si vlera dhe të drejta të njeriut! Definitivisht është kohë e horrave! Atyre ndërkombëtarë dhe kosovarë! Por, është fat se kjo kohë kalon shpejt! Shembull tipik është pikërisht Don Andrea Kapusela! Dhe do Donë të vendit që nuk po e bëjnë gjumin rehat!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura