BESIM CENGU: FTESË PËR DEBAT

Tiranë, 26 maj 2018:
NË FILLIM…
Kur shkrova para ca ditësh essenë “Rrjedhë mendimi…në autobuzin urban.” (Meditim përballë një vajze të panjohur) isha i ndërgjegjshëm se shkrimi do të bëjë efekt te ata që janë të interesuar. Disa më kanë kuptuar mirë, ndërsa disa të tjerë më kanë keqkuptuar. Duke qenë pjesë e atyre njerëzve që dallon vlerat dhe antivlerat po përcjell disa konsiderata që besoj se meritojnë të diskutohen. Jam krejtësisht i hapur për çfarëdo lloj debati dhe përherë i disponuar të respaktoj argumentin shkencor.

NJË EKSPEDITË SHKENCORE NË KRAJË E SHESTAN
Të ndodhur para argumentit e fakteve të bollshme ku çdo gjë fliste në heshtje e ndjeva veten krenar në kishën e Gjon Buzukut në fshatin Brisk në Malësinë e Krajës dhe Shestanit.
Në barkun e kësaj kishe të vogël shqiptare kishte lindur më i madhi i letërsisë së vjetër shqipe. Na ka lënë dëshmi “Mesharin” librin e parë të njohur deri më sot të shkruar shqip. Shkencëtar i barabartë si të gjitë të tjerët në kohën e vet, gjuhëtar i mirëfilltë dhe i përgjegjshëm për rendësinë e gjuhës së vet, atdhetar si ai, prift i një kishe që nuk kish kapacitet për më shumë se 30 vetë, por me kumbim e jehonë të madhe. Buzuku asnjëherë nuk e vendosi kryqin e katolicizmit para identiteti të vet shqiptar, sepse asnjëherë nuk tha se unë më përpara jam katolik pastaj shqiptar..
Detaje dhe gjetje të reja në këtë kishë katolike shqiptare do t’iu paraqesim në një shkrim tjetër, ndërsa sot do të paraqes disa sjellje serioze të disa autoriteteve fetare në Shqipëri që janë kryekëput antikombëtare dhe antifetare.
NJË HOXHË KUNDËR PARIMEVE TË ISLAMIT
Këto ditë hoxha i Lezhës në një takim ku merrte pjesë edhe ambasadorja e OSBE në Tiranë kërkoi kthimin e ligjit me vdekje në Shqipëri!
Ai në Forumin qytetar për sigurinë publike tha se “…nëse rikthehet dënimi me vdekje do të zgjidhen shumë plagë sociale që kanë mbërthyer vendin. Ne si komunitet mysliman do të lobojmë në Parlament nëse jepet drita jeshile prej jush”.
Ndërsa Vlahutin, e cila ishte në këtë Forum tha se BE nuk e pranon dënimin me vdekje. ”Ky është një sugjerim, por duhet të dini që ka disa vlera themelore që do të thotë jeta e çdo njeriu duhet mbrojtur. Ka një shtet të së drejtës, një shtet që ne po përpiqemi shumë të ndihmojmë që të funksionojë. Dënimi me vdekje nuk pranohet nga BE”, – tha Vlahutin pas kësaj gafe të hoxhës.
Si mund ta thotë këtë një klerik që është edhe predikuesi i librit të shenjtë të cilin e respektojnë më shumë se një miliard njerëz në botë dhe që është kundër marrjes së jetës përcakton se “Zoti i ka sjellë jetën njeriun dhe Zoti ia merr”.
Por edhe Protokolli Nr. 6 i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore lidhur me heqjen e dënimit me vdekje, nënshkruar në Romë më 4 nëntor 1950, në Neni 1 titulluar “Heqja e dënimit me vdekje” përcakton tekstualisht: “Dënimi me vdekje do të hiqet. Askush nuk do të dënohet me një dënim të tillë dhe askush nuk do të ekzekutohet.”
Sot të ekspozohet publikisht me një propozim për vdekjen e një qenie njerëzore një autoritet i fesë përbën paradoks.
Një prej parimeve bazë të besimit islam është falja e mëshirimi dhe jo ndëshkimi apo vdekja. Dënimi me vdekje është hequr me këtë Konventë, sepse bazohet mbi vlerat universale meqë jeta është më e çmuara për njeriun dhe shoqërinë dhe në asnjë rast e rrethanë nuk mund të cënohet.
Heqja e dënimit me vdekje dëshmon nivelin kulturor të një shoqërie dhe orientimin e saj drejt vlerave të jetës, prandaj propozimi i hoxhës së Lezhës është jo vetëm një gafë, por edhe një akt i paprecedent jokulturor dhe antihuman.
TOLERANCA E IDEVE
Kurrë askujt nuk është e udhës t’i imponohen idetë me dhunë apo pa argumente, por ama në asnjë rast të vetëm nuk duhet lejuar nga askush që të na imponojë dikush idetë e veta me këto armë. Nuk i kushtoj kurrëfarë rëndësie një grupimi politik, shoqëror apo religjioz, nëse në “oborrin” e vet mbledh më pak se 2 përqind të njerëzve.
Në Shqipëri kjo gjendje e mjerë është sot në aspektin religjioz.
Sipas një studimi interesant nga “Pew Research”, një organizatë e specializuar që ka emër me famë ndërkombëtare në fushën e kërkimeve dhe sondazheve rezulton se më pak se 2 përqind e shqiptarëve shkojnë në xhami. Sipas këtij përfundimi pak a shumë në këto nivele është situata edhe te shqiptarët e Kosovës dhe pak më lart te shqiptarët në Maqedoni.
Një shkollë, bie fjala, nëse frekuentohet 2 përqind nga nxënësit nuk ka vlerë dhe ky institucion arsimor humbet kuptimin, funksionin dhe qëllimin.
Pikërisht për këtë institucionet religjioze të cilitdo besimi për shumë rrethana në Shqipëri që e kanë ulur vlerën e ndikimin e tyre deri në minimum kanë humbur edhe autoritetin për të arritur qëllimet.
Kjo prirje për hir të së vërtetës nuk është vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë e botë, por ne flasim për vendin tonë. Shihni me sytë tuaj se sa xhami janë ndërtuar në qytete e fshatra (përgjithësisht jashtë traditës e stilit tradicional) dhe nuk frekuentohet prej njerëzve ose shkojnë fare pak. Në Shqipëri ka institucione religjioze, xhami, kisha apo teqe që kanë vite që janë ndërtuar prej fondacioneve të ndryshme anonimë, kryesisht të dyshimtë dhe nuk janë hapur asnjëherë në sherbim të njerëzve.
Hithrat janë dy metra te dera e tyre.
Vetëm në Prizren janë mbi 60 xhami ndërkohë që numri i praktikuesve vetëm bie e bije… Në Krahinën e Lumës kësaj i thonë “Drini po shterret e njerëzit (shqiptarët) po mbyten në vijën e mullirit”.
DHUNIMI I INSTITUCIONEVE RELIGJIOZE DHE DEVIJIMI I QËLLIMIT
Nuk jemi kundër institucioneve fetare dhe as ideve se ata përgjithësisht ndikojnë në zbutjen e shpirtrave njerëzorë, por jemi kundër dhunimit që vetë autoritetet e fesë që janë në krye devijojnë qëllimin. Bie fjala, unë jam kundër praktikës së sotme të ndërtimit të minareve si raketa të gjata deri në qiell të cilat nuk janë të traditës tonë ballkanike e në kontekst shqiptare. Shoh një praktikë të re e stilit të ardhur pas viteve 90 nga Pellgu Arabik. Minare të tilla, nëse nuk jam i gabuar, ngrejnë vahabistët.
Ne kemi traditën tonë e vlerat tona të pamohueshme në këtë drejtim. Minaret tona janë të ulëta dhe funksionale, ndërsa zgjatja e tyre, ndërtimi i më shumë se një minare, mënyra se si ndriqohen janë të stilit mohojnë traditën duke u ndikuar rrymave brenda besimit islam që nuk i përkasin kulturës e stilit tolerant ballkanik.
Respektojmë e vlerësojmë myslimanit tolerant të traditës në Ballkan, por jemi kundër atyre që shkojnë për të mbrojtur të keqen në Siri dhe për të shkatërruar kulturën e lashtë e të ndritshme të këtij vendi (të Palmirës) të mbushur me kulturë e vlera humane universale.
Lexuesit e nderuar i ftoj ta verifikojnë: Sot në qytetin e Kukësit minaret e një xhamie janë objekt për të instaluar përforcues telefonikë. Ja ku ka shkuar gjendja dhe funksionaliteti i tyre!
Në kontekstin e institucioneve religjioze, nisur prej kësaj “indiference” masive (në kushtet kur siç thamë më lart vetëm 2 përqind e popullsisë falet) vetë imamët e xhamive e kanë ligjëruar parëndësinë në jetën sociale të xhamive në mënyrën më të shëmtuar presin të vdesë dikush në fshat për të fituar ndonjë lek. Kështu ndodh edhe me kishat.
Është ironi që në fshatrat shqiptare minaret e xhamive therin qiellin dhe lumi i varfërisë noton nëpër shtëpitë tona. Së dyti, duke e parë kotësinë e tyre, mosfrekuentimin prej njerëzve ka filluar të ndryshojë destinacioni. Psh, në luftën e Kosovës e më pas në Luginën e Pershevës e hapësirën shqiptare në Maqedoni, në shumë raste minaret “dhunoheshin” duke u përdorë si “shkopinj flamujsh”. Ç’është kjo praktikë e paparë askund!?
ANTISHQIPTARIZMI I SHFRENUAR I NJË HOXHE NË PRIZREN
Se besoj një shqiptar normal është me idetë e një farë hoxhe me emrin Irfan Salihu, i cili paturpësisht shprehet para xhematit të vet në një nga xhamitë e Prizrenit se “ne (shqiptarët) jemi turq, pasi në Ballkan nuk ka pasë shqiptarë para pushtimit.”
Kjo monstër antishqiptare shprehet tekstualisht: “Në Kosovë gjatë vitit 1445 kanë qenë vetëm një për qind shqiptarë, kurse turqit i paskan sjellë shqiptarët në Kosovë dhe më pastaj u kanë dhënë toka atyre”, Epo nëse ka antishqiptar të tërbuar, pikërisht ky është. Si mund të na serviren idetë e kësaj mendjeje diabolike!? Antishqiptari nuk ka brirë; ai e ka emrin Irfan Salihu.
Fjalimin e tij propagandistik e boton gazeta ultranacionaliste serbe me titullin “Kurir” e cila e ekzaltuar shkruan me superlativa për hoxhën, i cili sipas saj “ka shokuar opinionin shqiptar.”
IDEJA SKANDALOZE E FUAD RAMIQIT
“Unë së pari jam mysliman, pastaj jam shqiptar!”, – thotë ky kolonel i ushtrisë jugosllave.
“Besohet se Fuad Ramiqi është rekrutuar nga KOS-i qysh në fillim të viteve të ’90. Personeli që i ka mundësuar veprimtarinë ushtarake Ramiqit nga KOS ishin: Zdravko Tolimir, Dragan Stojmenovic (Mlekce) dhe Simon Tomanov, zëvendës i eprorit të KOS-it, Aleksadër Vasiljeviq”, – thuhet në disa dokumente analitike për figurën e Ramiqit, të cilat i ka siguruar gazeta “Express”.
Madje ky fundamentalist islamik është i akuzuar edhe për vrasjen më 21 shtator 1998 të Ahmet Krasniqit, ministrit të Mbrojtjes së qeverisë së Bukoshit.
Nuk kam parë asnjëherë pozitë më të ulët në të gjitha drejtimet se të këtij njeriu me emrin Fuad Ramiqi. Nuk kam kuptuar dhe nuk do ta kuptoj kurrë absurditetin e një individi me këtë pohim të çmendur, prandaj është krejt kot të zgjatesh më tej.
Jo vetëm kaq: Ramiqi e ngul parmendën edhe më thellë në idetë e veta antishqiptare kur thotë në “Opinionin” e Blendi Fevziut se “Nëse Skënderbeu është kalorës i krishtërimit, ai nuk është heroi im…”!!!
Vetëm një fundamentalist që nuk ka asnjë lidhje me kombin e vet mund të shprehet kështu. Më thoni ju lutem, cili është marifeti i kësaj ideje pa pikë lidhje e pa pikë kuptimi?
…NË PËRFUNDIM
Unë artikullshkruesi falem sa herë të dua para kryqit të kishës së Gjon Buzukut, i cili ka shkruar “Mesharin”, librin e parë në gjuhën shqipe, para Dedë Gjo Lulit që ngriti flamurin kuq e zi në majën e Deçiçit në marsin e vitit 2011, para kryqit të Nolit e Fishtës, por asnjëherë nuk falem para një xhamie ku instalohen përforcues telefonikë dhe ku brenda saj një hoxhë si Irfan Salihu i flet xhematit të vet me gjuhën e djallit.
Përherë e në çdo rast respektoj vlerat e islamit tolerant në Ballkan, e shqiptar sidomos, që çmon jetën e njeriut dhe predikon paqen e tolerancë humane, por përçmoj atë hoxhë që kërkon në kundërshtim me parimet e fesë marrjen e jetës së njeriut si në rastin e hoxhës së Lezhës.
Përkulem përpara kontributit të klerikëve patriotë e atdhetarë si Hoxhë Tahsini, Hoxhë Kadriu, Hoxhë Mehmeti, por nga ana tjetër përçmoj idetë fondamentaliste të Fuad Ramiqit që mohon identitetin kombëtar dhe përçmon heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot – Skënderbeun.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura