BESIM ZYMBERI: DENIGRIMI I UÇK-SË, MERCENARIZËM ANTI-KOMBËTAR

Ferizaj, 28. 10. 2016: Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në kontekst të historisë sonë kombëtare, nuk është një proces i izoluar ose i favorizuar i emancipimit tonë politik, kulturor dhe komb e shtet-formues. UÇK, është një emër i ri i një platformeje të vjetër liridashëse shqiptare, platformë kjo e parefuzueshme, e pakundërshtueshme, e patjetërsueshme dhe e domosdoshme.
Përpjekja histerike për denigrimin e UÇK-së, nuk është vetëm një projekt politik i sektarizuar në kohë dhe hapësirë, por është një doktrinë politike shekullore për denigrimin e çdo përpjekjeje nacionale shqiptare për liri e shtetformim.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është synuar të shkatërrohet e të denigrohet që prej kohës së idesë për themelimin dhe vitalizmin e saj.
Forma të ndryshme të fushatave denigruese ndaj UÇK-së, kemi parë që prej paraqitjes së parë të saj publike e deri sot e tutje.

Ideatorët e fushatave kundër UÇK-së, njëkohësisht edhe sponsorë të tyre, besoj që së paku parimisht, mund të emërtohen nga secili shqiptar që ka dy kokrra mend në kokë.
Por, ajo që është zhvendosur tërësisht dhe me shumë efikasitet nga vëmendja e duhur, është: histeria e deklaruar publikisht kundër UÇK-së në ambientin brenda shqiptar të Kosovës…!?
Cila është arsyeja që segmente të fuqishme brenda disa partive politike si dhe organizata joqeveritare e media, fokus të vetëm të tyrin e kanë pikërisht komprometimin e filozofisë liridashëse të UÇK-së…?
Ka vetëm një përgjigje në këtë dilemë: Jugosllavizmi, përkatësisht, serbizmi, në jetën institucionale, civile, intelektuale e mediale, është aq i shtresuar fuqishëm në Kosovë, saqë ka arritur me shumë efektivitet të krijojë perceptime kolektive të demonizimit të profilit të UÇK-së!
Ky jugosllavizëm, përkatësisht serbizëm, është e qartë se nuk është luftuar, nuk ka arritur të luftohet e të neutralizohet, ose duket ndonjëherë se as që është synuar të luftohet seriozisht…!?
Përkundrazi, duket se me kohën, ky element destruktiv në shoqërinë shqiptare në Kosovë, vetëm sa ka zgjeruar e thelluar terren, e jo e kundërta.
Në periudhën UNMIK-ut, elementi i tillë i dyshimtë, është i favorizuar legalisht madje edhe në baza diskriminuese ndaj të tjerëve, në punësim, sidomos në institucionet vitale shtetërore të Kosovës.
Proceset gjyqësore kundër eprorëve e ushtarëve të UÇK-së, platforma e sponsoruar mediale, politike dhe civile anti UÇK si dhe egoizmi vetëvrasës i disa prej ish udhëheqësve të UÇK-s, tani me pozita të larta në politikë, përfshirë këtu edhe ambiciet e tyre të pakontrolluara, mund të jenë fajtorë të rëndësishëm në forcimin e platformës anti UÇK, të ekzekutuar në formën e një fushate të organizuar me shumë dinakëri e profesionizëm nga sponsorët ideatorë, prej të cilëve, lozha ruso-serbe sigurisht që ka rol prijës…
Mendimi im është se sot, në pragut të edhe një procesi të ri anti UÇK, që do të jetë Gjykata Speciale në Hagë, vlera, përkatësisht filozofia politike dhe kulturore e UÇK-së, si një vazhduese e denjë e platformës shekullore nacionale për lirinë dhe komb e shtet formimin, fatkeqësisht nuk gjen strehën e pritur nga institucionet politike, kulturore, mediale e akademike, të Kosovës. Filozofia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të vetmen prehje adekuate e gjen tek, së pari, populli i thjeshtë i cili di ta identifikoje me kërkesat dhe nevojat e tij, qoftë historike të trashëguara e qoftë të brezit përkatës dhe së dyti, te historia, e cila ka kapacitete seleksionuese të drejta dhe të arsyeshme, që Ushtrinë Çlirimtare, ta vlerësojë e ta vendosë në panteonin e përpjekjeve të lavdishme e të drejta të kombit shqiptar, për liri e shtetformim.
Institucionet shtetërore të Kosovës, media, intelektualët, shoqëria civile si dhe shoqëria shqiptare në përgjithësi, duhet ta kenë të qartë se fushata denigruese kundër UÇK-së, është një platformë e sponsoruar antishqiptare. Shoqëria shqiptare duhet ta ketë të qartë se, momenti i ndalimit të fushatave denigruese ndaj UÇK-së, do të jetë dëshmia e vetme e bazuar e minimizimit të ndikimit serb në jetën institucionale e politike vendimarrëse në Kosovë. Ndërsa, bartësit e fushatave të tilla, duhet ta kenë të qartë që, në një ditë të afërt, do të zhduket ky konfuzion që po shkakton edhe aktualisht një mosdallueshmëri të një kufiri ndërmjet atdhedashurisë, përkatësisht vetëdijes shtetndërtuese dhe misionarizmit mercenar me elemente të fuqishme antikombëtare dhe anti-shtetërore…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura