DRITAN HILA: ÇFARË ISHTE SIGURIMI I SHTETIT?

Tiranë, 4. 12. 2016: Sigurimi i shtetit zë fill ende pa u çliruar Shqipëria nga pushtimi i huaj. Një qarkore e Shtabit të Përgjithshëm udhëzonte që të krijoheshin pranë njësive ushtarake seksione të cilat do të mblidhnin informacion mbi armikun, por edhe të veprimtarisë së armiqve të brendshëm.
Mbarimi i Luftës së dytë Botërore shenoi fillimin e luftës së ftohtë. Lufta, e cila ishte shumë e nxehtë larg syve të publikut. Ishte pikërisht përplasja e agjensive e inteligjencës.
E ndodhur në kufirin ndarës mes dy blloqeve edhe Shqipëria nuk bëri përjashtim, duke fuqizuar shërbimin e saj të sigurisë. Në fillim me partizanë, më vonë me ata që kishin studiuar në shkollat sovjetike, u trupëzua ai që në histori ka mbetur si sigurimi i shtetit dhe për sytë e publikut përfaqësohej nga godina ku edhe sot e kësaj dite ndodhet Ministria e Brendshme.
Përplasja me agjencitë e huaja të zbulimit të cilat përdorën kundër Shqipërisë luftën inteligjente dhe atë të misioneve të armatosura, shkaktoi 1.000 të vrarë nga rradhët e efektivave të Sigurimit të Shtetit dhe efektivave mbështetëse të tij.

Shtylla e sigurimit të shtetit ishte Dega e parë e Drejtorisë së Parë. Dega e parë ishte kundërzbulimi. Ajo luftonte veprimtarinë e agjenturave të huaja në vendin tonë. Fusha e veprimit të saj ishte territori i Republikës së Shqipërisë dhe 30 kilometra në thellësi të territorit të fqinjëve, ku operonte në bashkëpunim me zbulimin e ushtrisë. Sektor tjetër i rëndësishëm ishte Drejtoria e tretë. Objekt i punës së saj ishte zbulimi i veprimtarisë armiqësore jashtë kufijve, dhe njihej me termin e shkurtuar Zbulimi. Trupa e tyre ishte e inkorporuar në shërbimin diplomatik dhe zyrat ishin në godinën e Ministrisë së Jashtme.
Në veprimtarinë e tij ky shërbim nuk e kaloi kurrë numrin e 600 personave që njiheshin me emrin operativë. Këta ishin edhe personeli i deklaruar i sigurimit.
Kur shkohet në përllogaritjen e agjenturës që këta oficerë mbanin në lidhje, gojëdhana popullore bëhet edhe më e madhe, duke thënë se një ndër tre shqiptarë ka qenë spiun. Në të vërtetë sipas manualeve të këtij shërbimi, një operativ nuk mund të mbante në lidhje më shumë se 20 agjentë, ndaj në kohën më të mirë në Shqipëri nuk ka pasur më shumë sesa 12 mijë agjentë aktivë. Por jo të gjithë këta ishin rezultativë. Shpesh herë shumë prej tyre rekrutoheshin dhe pasi nuk rezultonin të efektshëm, skualifikoheshin.
Po atëhere sa ka qenë numri i agjentëve të këtij shërbimi?
Kjo është e vështirë të thuhet, pasi në një hark kohor 45 vjeçar, agjentët që nuk rezultonin efektivë shkëputeshin nga lidhja, dhe dosjet e tyre asgjësoheshin. Po ashtu kishte edhe bashkëpunëtorë që nuk ishin vetëm të sigurimit.
Hetuesia përdorte bashkëpunëtorët e saj, që në gjuhen popullore njihen me termin e spiunëve të birucave. Këta nuk kanë dosje, pasi mbanin lidhje direkte vetëm me hetuesin. Listës së bashkëpunëtorëve i shtohen edhe bashkëpunëtorët e policisë të cilët përdoreshin kundër elementëve që nuk bënin vepra penale politike, por ishin keqbërës të rëndomtë. E gjithë kjo e bën të komplikuar historinë e bashkëpunëtorëve dhe ka nxitur krijimin e miteve.
Por ligji i miratuar do të merret vetëm me kategorinë e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit.
25 vjet pas shkrirjes së kësaj organizate të frikshme, ende ka legjenda rreth saj.Hapja e dosjeve do të tregojë nëse vërtet ky shërbim kishte një kontroll aq kapilar të vendit, apo frika jonë e bënte të tillë?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura