DRITËHIJET E IBRAHIM KELMENDIT NË DISKUTIMIN PËR ATENTATIN E 17 JANARIT 1982 NË UNTERGRUPPENBACH TË GJERMANISË!

Në 43 vjetorin e 17 janarit 1982!

DRITËHIJET E IBRAHIM KELMENDIT NË DISKUTIMIN PËR ATENTATIN E 17 JANARIT 1982 NË UNTERGRUPPENBACH TË GJERMANISË!

Nga Sheradin Berisha

Më 12 dhjetor 2024 Ibrahim Miran Kelmendi në rrjetin e tij facebook e hap për diskutim këtë temë me titull:

PSE FAMILJARËT E JUSUF GËRVALLËS NUK DUAN TË ZBULOHEN VRASËSIT E JUSUFIT?!

Nga Ibrahim Miran Kelmendi

Facebook, 12. 12. 2024

Fatkeqësisht familjarët e Jusuf Gërvallës, bashkëshortja Suzana, vajza Donika, vëllezërit Hyseni dhe Avdyli, asnjëherë nuk kanë pas angazhim konkret në Gjermani që të zbulohen vrasësit e Jusufit. Djemtë Premtoni dhe Ergoni bëhen sikur nuk ekzistojnë. Por as shokët e bashkëveprimtarët e Jusufit nuk kanë ndërmarrë pothuajse asgjë për zbulimin e vrasësve të Jusufit, me përjashtim të Feridin Tafallarit, që i ka dërguar disa shkresa…

PSE nuk janë angazhuar e nuk angazhohen, nuk i di arsyet e tyre.

Në Gjermani dhe gjithandej, për arsye “pragmatike” institucionet e drejtësisë edhe mund të mos e kenë prioritet të zbulohen vrasjet politike. Në raste të tilla janë të domosdoshëm sidomos angazhimet e familjarëve, shokëve e bashkëveprimtarëve, që të ushtrojnë presion mbi institucionet kompetente, kur dyshohet se ato preferojnë të mos veprojnë. Shembulli më sqarues është rasti i vrasjes së kroatit Stjepan Gjurakoviq, i vrarë nga shërbimet jugosllave në vitin 1983, edhe pse kishte azil politik në Gjermani. E veja e Gjurakoviqit, e përkrahur nga emigracioni kroat, ia doli të detyroi institucionet gjermane që ta detyrojnë Kroacinë t’i dorëzon ish-kryeshefin e SDB-së (UDB) federative Zdravko Mustaq dhe ish-kryeshefin e SDB-së së Kroacisë Josip Perkoviq. Atyre u është bërë gjyq në Gjykatë kompetente në Mynhen, si urdhërdhënës për vrasje, dhe tashmë po vuajnë dënimin në Gjermani.

E veja e Jusufit, Suzana, e sidomos vajza Donikë, pas vitit 1990, i patën mundësitë më të mira se e veja e Gjurakoviqit. Ato do të ndihmoheshin me financa nga qeveria Bukoshi, ku ishte e angazhuar Donika, por edhe nga shumë bashkatdhetarë, që të angazhonin avokatë e dedektivë eminent në Gjermani, që të bënin presion mbi institucionet e drejtësisë gjermane, të cilat, fatkeqësisht, po simulojnë pamundësinë e tyre për t’i zbuluar vrasësit. Ndërsa gjatë këtyre katër viteve, besoj, qeveria e KM Kurti nuk do të ngurronte të ndante mjete financiare për të angazhuar avokatë e dedektivë në Gjermani që të riaktivizohen hetimet për zbulim e gjykim të vrasësve. Donika kishte edhe favore ekstra: vjehrri i saj ka qenë ministër i brendshëm në Gjermani, ndërsa Bashkëshorti ka qenë parlamentar në Parlamentin e Gjermanisë.

Deri në vitin 1991, kur hetimet i udhëhiqte Landeskriminalamt Baden-Württemberg (Enti republikan i kriminalistikës / Shtuttgart), isha në rrjedhë për rezultat të hetimeve, sepse isha caktuar edhe dëshmitar në procesin gjyqësor kundër Riza Salihut, i zhvilluar në vitin 1991 në Landgericht / gjykatë në Shtutgart. Kryehetuesi dhe prokurori ishin të bindur se Riza Salihu ishte njëri nga dy vrasësit, por procesi gjyqësor qe ndërpre, sepse qeveria gjermane nuk u angazhua mjaftueshëm për ta detyruar Jugosllavinë / Serbinë që t’i dorëzonte dëshmitarët që i kërkonte trupi gjykues.

Tashmë hetimet i kanë kaluar BKA (Bundeskriminalamt / Entit federativ të kriminalistikës), me gjasë nga frika se edhe Shtutgarti po vepron si Mynheni – po detyron që të zbulohen vrasësit, edhe pse qeveria federative duket se për hir të interesave shtetërore, duan të mos ndodh zbulimi i vrasësve, siç ndodhi në rastin e kroatit Gjyrakoviq.

Po të kisha të drejtë të angazhoja avokatë e dedektivë në Gjermani, i kisha mundësitë të përdoroja mjetet e Fondit “vendlindja thërret” gjatë nga maji 1998 deri në qershor 1999. Atëherë i kam pas quar fjalë Donikës, se isha i gatshëm të angazhohesha për ta ndihmuar financiarisht, nëse nuk kishte gatishmëri “kryeministri” Bujar Bukoshi, por, fatkeqësisht, nuk ktheu përgjegjje.

UROJ, në ndërkohë Zonja Donika Gërvalla-Schwarz, zv-kryeministrja dhe ministrja e jashtme e Republikës së Kosovës, t’i përdor favoret që i ka, për t’i riaktivizua hetimet në Gjermani.

***

Fatkeqësisht familjarët e Jusuf e Bardhosh Gërvallës nuk patën bërë padi as kundër Riza Salihut në Prishtinë, i cili në televizione e gazeta në Prishtinë pat shpif se Jusufi dhe Bardhosha ishin spiunë të UDB-së.

Këtu mund të dëgjohen shpifjet që i ka bërë Riza Salih më 16.03.2012, në tv klan Kosova:

********

Në vijim me Ibrahim Miran Kelmendin e kam zhvilluar këtë diskutim:

Sheradin Berisha

Miran Kelmendi

Një titull bombastik i stilit të gazetarëve që duan të përfitojnë materialisht!

“PSE FAMILJARËT E JUSUF GËRVALLËS NUK DUAN TË ZBULOHEN VRASËSIT E JUSUFIT?!”

Ndërsa brenda tekstit ky kualifikim tjetërsohet në mosangazhim! “nuk dua” dhe “nuk angazhohem” për shkaqe të ndryshme nuk e kanë të njejtin kuptim! Nuk është e vërtetë se ata nuk duan ta zbulojnë vrasjen e Jusufit …!

***

Shaip Baxhaku

Suzana Gervalla, gruaja e Jusufit ju akuzon juve në një intervist televizive.

***

Miran Kelmendi

Shaip, janë për konsum politik, meqë është viktimë e shpërdoruar. Përndryshe, po të kishte prova apo indicie, do më padiste.

Prokuroria gjermane më ka pas angazhua dëshmitar në procesin gjyqësor të vitit 1991 kundër një vrasësi potencial.

Unë ia kam bë një padi asaj për shpifjet ordinere.

***

Sheradin Berisha

Miran Kelmendi meqë orët e fundit (para atentatit) i ke kaluar me Kadriun, Jusufin dhe Bardhoshin dhe disa të tjerë, tani nga kjo distancë kohore a mund të na thuash konkretisht se a ishte ndonjë informator në mesin tuaj, që ka mund të jap informacione për vendndodhjen e treshes? Sepse vrasësit pa pas informacione nuk kanë mund të shkojnë në atë objekt që ishte duke u ndërtuar – afër banesës së Jusuf Gërvallës!

***

Miran Kelmendi

Sheradin, kur ma ka bë këtë pyetje SOKO (kryehetuesi Odaischi), të hënën, më 18.02.1982, në Heilbronn, jam përgjegj.

“Të shtunë në mbrëmje, të 16 janarit 1982, ishim të Murat Kryeziu në Bernhausen mbi 10 veta. Ishte aktivitet i organizuar nga Vëllezërit Gërvalla dhe bashkëveprimtarët e tyre. Kemi ndejt aty deri në mesnatë. Nuhi Sulejmani, të cilit e kam dyshuar si informator i UDB-së, ka bërë pyetje provokuese për të nxit grindje mes Jusufit dhe Kadri Zekës. Jusufi u hidhërua dhe e deklaroj të mbyllur atë diskutim që po bënim. Në oborr të banesës së Muratit jemi përshendet. Jusufi ka thënë që Kadriu dhe Ibrahimi e Syla janë mysafirë tonë. Nuhiu duhet të ketë informuar eprorin e tij për këtë lëvizje tonë. Në shtëpi të Gërvallëve kemi arritur rreth orës 3 të agimit të ditës se diell të 17 janar 1982. Gjatë rrugëtimit në rrugë të ngrime, me mjegull të dëndur, nuk kemi ndaluar. Telefon në shtëpi të Gërvallëve nuk kishte. Prandaj, dyshoj që Nuhiu ka qenë informatori…” (përifrazim)

***

Sheradin Berisha

Miran ti dyshon se Nuhi Sylejmani është personi që ka dhënë informacione për vendndodhjen e Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, duke dyshuar paraprakisht se ai ka qenë informator i UDB-së!

Në vitin 2010 Nuhi Sylejmani ka botuar librin “Vrasja e trefishtë” dhe në faqet 67 – 68, e ka përshkruar takimin e fundit (më 16 janar 1982) që ka mbajtur Jusuf Gërvalla me bashkëveprimtarët e tij, në banesën e Murat Kryeziut, në një vendbanim afër aeroportit të Shtugratit.

Nuhi Sylejmani shkruan:

“Ditën e mërkurë, më 13 janar ’82, dikush trokiti në derën time. E hapa. ishte Jusuf Gërvalla, i shoqëruar nga e bija e tij, Donika, dhe Murat Kryeziu. Për Muratin nuk kisha dëgjuar, por tani po e takoja për herë të parë. Në pika të shkurtra më njoftoi se ditën e shtunë, më 16 janar, në banesën e Murat Kryeziut do të shfaqeshin disa filma të Kinostudios „Shqipëria e Re“. E ftova Mejdi Rexhën të vinte deri tek unë. Jusufi, në prani të Mejdiut, e përsëriti edhe njëherë ftesën për shfaqjen e filmave dhe ia sqaroi vendimin që kishim marrë gjatë rrugës së kthimit nga dasma e Kadri Zekës, për t’ju ardhur në ndihmë familjeve të shokëve të burgosur.

Banesa e Murat Kryeziut ndodhej në Nordwestring 30, në Bernhausen, pranë aeroportit të Shtutgardit. Në kohën e caktuar filluan të grumbullohen të ftuarit, disa prej të cilëve ishin:

Jusuf Gërvalla

Bardhosh Gërvalla

Kadri Zeka

Jahir Jahiri

Ismajl Qirezi

Shaban Bobaj

Shemsi Bunjaku

Një shoqe gjermane e Shemsi Bujakut

Ibrahim Kelmendi

Mejdi Rexha

Halil Rexha

Adurrahman Sadiku

Ismet Klaiqi

Nuhi Sylejmani

Fahredin Tafallari

Qemajl Haxhillari

Murat Kryeziu

Sylë Nuha (18)

Nami Ramadani me disa shokë.

Gjithsej numëroheshim rreth 23 persona. Një pjesë prej të ftuarve nuk i njihja. Në fillim u shfaq filmi „Gërsheti i lirisë“. Pas një pushimi të shkurtër, u shfaq drama „Epoka para gjyqit“. Për një çast u bë një pushim i shkurtër. Të pranishmit filluan të bisedojnë me njëri-tjetrin, duke komentuar pjesë skenash apo citate dialogësh nga filmat e posa parë. Jusufi dukej i vrenjtur. Pas një dialogu që kishte zhvilluar me Kadriun, iu drejtua me zë të ngritur dhe qortues Ibrahim Kelmendit:„Shoku Ibrahim, në demonstratën e katër korrikut në Frankfurt, ishte njëri në kompetencat tuaja që merrej me xhirimin e demonstratës, të kujtohet? Fjalët i kemi pasur që një kopje të xhirimit të sigurohet për ne… hala nuk e morëm! Kemi informata se ky incizim i njeriut që ishte nën kompetencat tuaja ndodhet në duart e UDB-së dhe në bazë të këtij incizimi po burgosen shokët tanë!”——

(18) Sylë Nuha nga rrethi i Ferizajt, shok i Ibrahim Kelmendit. Sipas dëshmitarëve që ndodheshin në banesën e Murat Kryeziu për të parë filma nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, S. Nuha del në kabinën e telefonit i shoqëruar nga i zoti i shtëpisë, Murat Kryeziu, bisedon me dikë në telefon, merr shënime (ndoshta ndonjë numër telefoni) duke shkruar në një kuti duhani të markës Marlboro dhe kthehet prapë në dhomë ku shfaqeshin filmat.”

_______

(Burimi: Nuhi Sylejmani “Vrasja e trefishtë, Prishtinë 2010, faqe 67 – 68.)

Pas një heshtjeje bukur të gjatë, Ibrahimi filloi të fliste disi përçart… „jo, të betohem se ai nuk është i tillë… i thashë të ma sjellë materialin… nuk ndodhej aty… së shpejti do të kthehet… do ta sjelli atë material… edhe një kopje të tij patjetër që do ta jap ty…“ Foli bukur gjatë, duke pështjelluar, dhe në fund asnjë përgjigje të qartë nuk e dha!

Vazhduam me rishikimin e dramës „Epoka para gjyqit“. Shfaqja zgjati deri rreth orës dy pas mesnate. Pas përfundimit të shfaqjes, grupe-grupe dolëm jashtë. Pasi u përshëndet me ne, Ibrahim Kelmendi bashkë me Sylë Nuhën u nisën për Dyseldorf. Ndërkohë, pashë që Jusufi po më priste në distancë. Pasi ma zgjati dorën, më tha: „Bardhi duhet të udhëtojë në Bon, por mundësisht, ti dhe Mejdi Rexha të hënën të vini tek unë! Natën e mirë!“

Ishte përshëndetja e fundit me Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën.

______

(Burimi: Nuhi Sylejmani “Vrasja e trefishtë, Prishtinë 2010, faqe 68)

***

Miran Kelmendi

Besoje Nuhiun që paskësh rrëfyer “filma vizatimor”, po dëshe. Unë tregova çfarë u kam thënë hetuesëve të hënën e 18 janarit 1982, në mengjes, në Heilbronn.

***

Sheradin Berisha

Miran Kelmendi, edhe Nuhi Sylejmani besoj ka dhënë dëshmi tek hetuesit SOKO, dhe sigurisht i ka thënë këto dëshmi që i ka shkruar në libër, madje edhe më shumë se kaq! Ti je i bindur se Nuhiu ishte informator i UDB-së, ndërsa Jusuf Gërvalla për takimin e 16 janarit 1982 e ka njoftuar Nuhiun (në shtëpinë e tij) më 13 janar (tri ditë para takimit). Si është e mundur që Jusufi t’i ketë besuar kaq shumë një “bashkëpunëtori të UDB’së”, kur dihet mirëfilli se Nuhiu duke qenë më i besuari i Jusufit, ishte udhëheqës i grupit të punëtorëve shqiptarë që punonin në fabrikën e Mercedes-Benz në Sindelfingen, dhe rrjedhimisht e ndihmonin Jusufin në shpërndarjen e gazetave dhe jo vetëm?!

***

Miran Kelmendi

Sheradin, nuk kemi nevojë të spekulojmë më gjatë, sepse Jusufi kishte fatkeqësinë të anëtarësohet në organizatë që kishte formuar UDB-ja dhe UDBashin SN e idhullonte për udhëheqës. Kjo fatkeqësi u ka ndodh shumë idealistëve. Njësoj i ka ndodh edhe me Nuhi Sulejmanin…

Hetuesia gjermane mua më ka angazhuar dëshmitar, e jo Nuhiun, meqë e dinin se ai është një matrapaz ordiner.

Siodoqoftë, në p.s. i pafsha marionetat e UDB-së dhe ata që bëhen argatë të tyre!

***

Sheradin Berisha

Miran Kelmendi, këto janë përceptimet tuaja dhe si të tilla nuk janë fakte, që mund t’i marrim si të mirëqena! Nuhiu në libër shkruan se, Jusufi më 13 janar e ka njoftuar për takimin e 16 janarit që do të mbahet në banesën e Murat Kryeziut! I ka ftuar edhe të tjerët në këtë mbrëmje të 16 janarit!  A të ka njoftuar e ftuar paraprakisht Jusuf Gërvalla ty dhe Kadri Zekën në këtë takim?

***

Miran Kelmendi

Sheradin, është publikuar letra që Jusufi ma ka dërgua më 15 janar 1982 dhe informimet, si jemi ftuar më 16 janar 1982, prandaj nuk kam nevojë të të infor4moj më shumë, meqë tashmë je duke imitua UDBashët ordinerë, sikur je usta e kompetent të marrësh pyetje viktimat.

Rrugë të mbarë me Nuhiun dhe sisojin e tyre!

***

Sheradin Berisha

Miran Kelmendi, letrat e 15 janarit 1982 që i ka shkruar dhe i ka dërguar përmes postës Jusufi, për ty dhe Kadri Zekën, nuk ishin ftesa për takimin e mbrëmjes së 16 janarit! Kadri Zeka sipas dëshmive të shkruara të Saime Isufit (gruaja e K.Zekës), nga Zvicra për në Gjermani ka udhëtuar me tren më 12 janar 1982, dhe ai ka kaluar nëpër Shtutgrat dhe Heilbronn por, nuk është ndalur, për më tepër as s’e ka njoftuar Jusufin se po vjen në Gjermani!

Saime Isufi konkretisht deklaron (citoi):

“Më 12 janar 1982, Kadriu u nis në Gjermani për të kontaktuar me veprimtarë. Ndër ta edhe me Vëllezërit Gërvalla. Me vete mori edhe materialet e numrit 6-të të ‘Lirisë’ për t’i botuar si dhe ‘Tezat e Frontit për Republikën e Kosovës’. Tezat do t’i konsultonte edhe me vëllezërit Gërvalla. Numri i 6-të i ‘Lirisë’ doli pas rënies së Kadriut. Kadriu duhej të kthehej më 17 janar, pikërisht atë natë që e vrau dora gjakatare, sepse të nesërmen do të fillonte punë.” (Apostol Duka, Vrasje në Shtutgart, f.101-102).

Po ta kishte ditur Jusufi se Kadri Zeka ka ardhur në Gjemani (në rrethin e Dyseldorfit ku ke pas takime bashkë me ty) nuk do t’iu kishte shkruar letër me 15 janar 1982!

Ti e përshkruan disa herë (në libra e shkrime) mënyrën se si jeni “ftuar” nga Jusufi, përmes një telefonate që e ka bërë gjoja të vëllai yt Mustafë Kelmendi, por nuk dihet (nuk e sqarosh kurrë) se kush e njoftoj Jusuf Gërvallën, brenda natës së 15/16 janarit, se Kadriu është në Gjermani për t’iu “ftuar” në paraditen e 16 janarit përmes telefonit të Mustafë Kelmendit, që të vinit në takimin e mbrëmjes së 16 janarit në banesën e Murat Krueziut ?!

***

Miran Kelmendi

… (përgjigjet me tri pika pa shkruar asnjë fjalë)

***

Sheradin Berisha

Miran Kelmendi, dikush duhet ta ketë vënë në dijeni Jusuf Gërvallën se, Kadri Zeka është në Gjermani te ti, pas letrave që i kishte shkruar dhe i ka postuar gjatë ditës së 15 janarit 1982 për ty dhe Kadri Zekën në adresat përkatëse në Gjermani dhe Zvicër! Por, më duket që nuk ke përgjigje në këtë çështje me shumë peshë, e cila mund të shpalos e qartësoj një segment të rëndësishëm në këtë drejtim!

Sidoqoftë, e lëmë për momentin kështu, si çështje të hapur për diskutim! Dhe po i kthehemi tregimit tuaj se, si jeni ftuar përmes telefonit të Mustafë Kelmendit (vëllait tuaj) nga Jusuf Gërvalla për takimin e mbrëmjes së 16 janarit 1982 në banesën e Murat Kryeziut, në Bernhausen – afër aeroportit të Shtutgartit.

Pyetja ime është si vijon: para se të niseshit për rrugë me Kadriun dhe Sylën (si shofer), a e kishit adresën e banesës së Murat Kryeziut, ku do të mbahej takimi i mbrëmjes me shokët e ftuar nga Jusufi? Nëse po, kush ua dha adresën para nisjes, nëse nuk e kishit te kush e morët adresën, gjatë rrugëtimit tuaj për në Bernhausen…?

***

Sheradin Berisha

Miran Kelmendi

Për t’iu ndihmuar në përgjigjien tuaj për pyetjen time që ta bëra më lartë, lidhur me adresën e Murat Kryeziut ku ishte planifikuar të mbahet takimi i mbrëmjes së 16 janarit, po i referohem librave: Bedri Islami “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin, Tetovë 2012, dhe “ATENTATET,  Fokus, Prishtinë 2007.

Ibrahim, në faqen 26 të librit “Lëvizja …” (pa u futur në diskutim për vërtetësinë e rrëfimit tuaj) lidhur me takimet e organizuara me Kadri Zekën në Dyseldorf dhe pastaj shkuarjen tuaj në Bernhausen, ku po mbahej takimi i mbrëmjes që e kishte organizuar Jusuf Gërvalla, shkruan:

“Aty dhe në vizita të tjera takonim bashkatdhetarë veprimtarë. Kadriu kishte planifikuar ta kalonte atë fundjavë në Dyzeldorf. Aty kaluam natën ndërmjet të premtes e të shtunës së 16 janarit. Të shtunën para dite, ndoshta rreth orës 11.00, Mustafa na njoftoi se Jusufi kishte telefonuar dhe na kishte ftuar për të shkuar në mbrëmje në Bernhausen, qytezë afër Shtutgartit (Stuttgart), te bashkatdhetari Murat Kryeziu.” (Burimi: Bedri Islami, Lëvizja…, faqe 26).

Ndërkaq në faqet 316-317 të librit “Atentatet”, (gjithashtu pa u futur në diskutim për vërtetësinë e rrëfimit tuaj) lidhur me shkuarjen tënde bashkë me Kadri Zekën dhe Suliotin (Sylë Nuhën) në Bernhausen, në banesën e Murtez Kryebardhit (Murat Kryeziut) aty ku do të mbahej takimi i mbrëmjes që kishte organizuar Jusuf Gërvalla, shkruan:

“Vesëmira shtroi mëngjesin rreth orës 10.30. Ajo e kishte përgatitur me përkushtim. Ndërkohë Muja (Mustafë Kelmendi – plotësimi im), vëllai i Miranit, bëri telefonatë dhe njoftoi se Jusufi i kishte thirrur Kadriun e Miranin të shkonin sonte tek ai, por pikëtakimi ishte te Murtez Kryebardhi në Bernhausen, afër aeroportit të Stuttgartit. Në banesën e tij do të shfaqeshin filmat, meqë Jusufit tashmë i kishin arritur videokasetat nga Tirana. Në rreth të Stuttgartit akoma nuk ishte formuar klub shqiptarësh ku do të bëheshin aktivitete, siç ishte formuar në Dyzeldorf. Kadriu e Mirani po përgatiteshin të shkonin në stacion të trenit për t’i kapur lidhjet që do t’i çonin atje. Sulioti tha t’i voziste ai. Rreth orës 16.00 u nisën për rrugë që të tre. Arritën në mbrëmje te Murtez Kryebardhi, meqë Mirani e kishte adresën e tij. Aty gjeten Jusufin, Bardhin dhe mbi dhjetë veta, aktivisë që po prisnin Kadriun e Miranin.” (Burimi: Atentatet, faqe 316-317)

***

Ibrahim

Siç duket në librin “Atentatet” e konfirmoni se e kishit adresën e banesës së Murat Kryeziut ku po mbahej takimi i mbrëmjes së 16 janarit 1982! Besoj që ky citim do t’iu ndihmon për përgjigjen në pyetjen time: a e kishit adresën e banesës së Murat Kryeziut, ku do të mbahej takimi i mbrëmjes me shokët e ftuar nga Jusufi? Nëse po, kush ua dha adresën para nisjes, nëse nuk e kishit te kush e morët adresën, gjatë rrugëtimit tuaj për në Bernhausen…?

***

Sheradin Berisha

Miran Kelmendi

Jo rastësisht po kërkoj të dimë se, më 16 janar 1982, përpara nisjes nga Dyseldorfi (bashkë me Kadri Zekën dhe Sylë Nuhën) a e kishit adresën e banesës së Murat Kryeziut, (në Bernhausen) ku po mbahej takimi i mbrëmjes me shokët e ftuar nga Jusuf Gërvalla!

Pse është me rëndësi kjo?

Për faktin sepse në librat tuaj por, dhe në shkrimet e shumta autoriale të publikuara nëpër portale e rrjete sociale, për këtë ngjarje historike asnjëherë nuk thoni çartësisht se kush ta dha adresën e vend takimit të mbrëmjes së 16 janarit 1982, gjatë rrugëtimit tuaj për në Bernhausen?!

Me këtë rast për herë të parë këtu në facebook, po të sjellë një dëshmi nga libri i Dr.Nexhat Çoçaj: “Petriti i Shkrepave I, Durrës 2011, kushtuar Remzi Ademajt”, ku Suzana Gërvalla (shoqja e Jusuf Gërvallës) zbardhë faktin se gjatë rrugëtimit tuaj nga Dyseldorfi (bashkë me Kadri Zekën dhe Sylë Nuhën) keni shkuar në shtëpinë e Jusuf Gërvallës në Untergruppenbach, (rruga: Habichthöhe 40), për ta takuar atë (para se të kthehej Kadriu në Zvicër), pa e ditur ju se Jusufi kishte nisur qysh në fillim të javës, (nga 11 janari 1982) organizimin për mbajtjen e takimit të natës së 16/17 janarit 1982, në Bernhausen – në banesën e Murat Kryeziut!

Dhe meqë ju nuk e gjeni në shtëpi Jusuf Gërvallën (sepse ai tashmë bashkë me badhkëveprimtarë të tjerë kishte shkuar në Bernhausen), sipas dëshmisë së Suzana Gërvallës (shoqja e Jusufit), ajo ju tregon se ku gjendet Jusufi, duke ua dhënë edhe adresën e vendit ku mund ta takoni!

Në faqen 112 të librit: “Petriti i Shkrepave I, Durrës 2011, kushtuar Remzi Ademajt, përveç këtij fakti,  bashkëveprimtarët e Jusuf Gërvallës (Selim Dulla dhe Shaban Bobaj), dhe shoqja e Jusufit (Suzana Gërvalla) i pasqyrojnë edhe disa momente të rëndësishme të takimit të mbrëmjes së 16 janarit 1982!

Në faqen 112 të këtij libri autori Nexhat Çoçaj sjellë këto dëshmi (citoj):

“… Në natën e 16 janarit të vitit 1982, në banesën e Murat Kryeziut në Bernhauze ishin mbledhur rreth 30 veprimtarë për t’i parë disa nga filmat shqiptarë (“Gërsheti i luftës”, “Udha e shkronjave” etj.), që ishin sjellë në Gjermani përmes ambasadës së Vjenës.

Nga Heilbroni Remziu (Ademaj – shën. i SHB) kishte shkuar me Jusufin me makinë për në Bernhauze, ndërsa disa të tjerë me makinë të Bardhit, – kujton Selim Dulla, – ndërsa nga qytetet e tjera kishin ardhur edhe shumë veprimtarë të tjerë, – kujton Shaban Bobaj.

Pasi ishte nisur Jusufi me Remziun, ka ardhë Kadri Zeka me Ibrahim Kelmendin dhe një person tjetër në shtëpinë tonë (Habichthöhe 40, Untergruppenbach – shën i SH.B) dhe pasi u kam treguar se ku gjenden, ata kanë shkuar për t’iu bashkuar shokëve në Bernhauze.” (190) – kujton Suzana Gërvalla.

Pas përfundimit të kësaj mbrëmjeje, rreth orës 4 të mëngjesit të datës 17 janar 1982, Remziu ndahet me Jusufin, Bardhin, Kadriun dhe Ibrahim Kelmendin dhe niset me Selim Dullën për në Brackenheim.” – përfundon citati.

(Burimi: Nexhat Çoçaj – Petriti i Shkrepave I, Durrës 2011, libër kushtuar Remzi Ademajt, faqe 112)

***

Miran Kelmendi

Sheradin, të lutëm, më mirëkupto, jam lodh duke humb kohë me komente për të njëjtën tematikë, në FB, ku tekstet janë si bryma para diellit, meqë mua disa herë më janë bllokuar faqet dhe në ato tekste nuk kam më qasje.

Meqë po ke interesim, i radhit pyetjet dhe kontestimet, që të përgjigjem, në mënyrë që ai “bashkëbisedim” të mund të botohet në formatë libri, meqë vetëm si libër mund të ruhen; edhe portalet mbyllen kur pronarët e tyre nuk paguajnë me qira të kompanitë që ofrojnë shërbime përkatëse.

I mirëpres pyetjet e kontestimet dhe do ju përgjigjem.

Nuk më pengon nëse duke e bërë “bashkëbisedimin”, boton fejton në portalin Tënd, apo në FB.

Uroj të më mirëkuptosh.

PS.:

Sa për sqarim të lëvizjes fizike, kur jam marrë në pyetje më 18 janar 1982, nga dy kryehetusit e LKD të BW, i kisha gjerat e freskta dhe ato janë në dosje. Lute Donikën që ta jep një kopje, meqë ai është rrëfimi më konkret.

TUNG

***

Sheradin Berisha

Derisa ti nuk po lodhesh duke hapur këto tema këtu për diskutim, besoj që nuk është e lodhshme me iu përgjigj pyetjes që del natyrshëm nga tema e ngritur prej teje për diskutim!

Të përqendrohemi tek çështja kryesore!

Në faqen 112 të librit thuhet:

“Pasi ishte nisur Jusufi me Remziun, ka ardhë Kadri Zeka me Ibrahim Kelmendin dhe një person tjetër në shtëpinë tonë (Habichthöhe 40, Untergruppenbach – shën i SH.B) dhe pasi u kam treguar se ku gjenden, ata kanë shkuar për t’iu bashkuar shokëve në Bernhauze.” (190) – kujton Suzana Gërvalla.”

——

(Burimi: Nexhat Çoçaj – Petriti i Shkrepave I, Durrës 2011, libër kushtuar Remzi Ademajt, faqe 112)

—–

Ibrahim

Gjatë rrugëtimit tënd bashkë me Kadri Zekën dhe Sylë Nuhën nga Dyseldorfi, keni dashur ta takoni Jusuf Gërvallën (meqë Kadriu do shkonte për Zvicër) dhe Suzana ju ka treguar se ku gjendet Jusuf Gërvalla, dhe me këtë rast të ka dhënë adresën e banesës së Murat Kryeziut!

Dhe pastaj ju prej Untergruppenbachut keni shkuar në Bernhausen, ku ishin mbledhur shokët në krye me JusufGërvallën!

A është kështu apo është më ndryshe?!

***

Miran Kelmendi

Sheradin, edhe një lutje kompromise: të gjitha këto pyetje e kontestime i grumbullo, meqë i ke të ruajtura dhe po i plason sa herë që do të më provokosh e terrorizosh, dhe unë do të përgjigjem, por me paramendim, se nëse “grindja” mes nesh është mjaftueshëm voluminoze e përmbajtjesore, të bpotohet si libër, që të mos kem shkruar në akull.

Provo sistemimin, nga viti 1978, meqë herë pa here ke “gërvisht” edhe në atë kohë.

Dakord?

***

Sheradin Berisha

Miran Kelmendi

Unë nuk po bëjë asgjë tjetër veç se po i ballafaqojë  dëshmitë tuaja me dëshmitë e bahkëveprimtarëve tjerë për të njëjtat ngjarje (në rastin konkret për ngjarjen e 16/17 janarit 1982) duke shtuar këtu edhe dëshminë e Suzana Gërvallës, për të pasqyruar në mënyrë sa më shterruese të vërtetën në tërësinë e saj! Për ta konkretizuar qenësisht çështjen e adresës dëshmitë tuaja po i ngushtojë në përmasën e nevojshme, në mënyrë që ta kesh më lehtë të përgjigjesh!

Në faqen 26 të librit “Lëvizja…” lidhur me shkuarjen tënde (bashkë me Kadri Zekën dhe Sylë Nuhën) nga Dyseldorfi në Bernhausen, deklaron:

“Të shtunën para dite, ndoshta rreth orës 11.00, Mustafa na njoftoi se Jusufi kishte telefonuar dhe na kishte ftuar për të shkuar në mbrëmje në Bernhausen, qytezë afër Shtutgartit (Stuttgart), te bashkatdhetari Murat Kryeziu.”

Ibrahim,

Kadri Zeka sipas dëshmisë së Saime Isufit (shoqes së tij) më 12 janar 1982 ka udhëtuar nga Zvicra në Gjermani (nëpër Shtutgart, Heilbronn…) ka ardhur në Dyseldorf, dhe në ditët në vijim bashkë me ty ka pas takime me bashkatdhetarë në rrethinën e Dyseldorfit ku ka shpaluar tezat e Frontit të OMLK-së, ndërkohë që Jusuf Gërvalla nuk ishte në dijeni se Kadriu është në Gjermani (përndryshe nuk do t’i kishte shkuar letër më 15 janar 1982).

Tani shtrihet pyetja: qysh e mësoi apo kush i ka treguar, Jusuf Gërvallës se Kadri Zeka është në Dyseldorf, në mënyrë që ai të telefononte te Mustafë Kelmendi (vëllai yt), për t’iu “ftuar” në takimin e mbrëmjes së 16 janarit?!

***

Ndërkaq në faqen 317 të librit “Atentatet”, për shkuarjen tuaj nga Dyseldorfi deri në banesën e Murat Kryeziut (Murtez Kryebardhit) në Bernhausen, konkretisht ke shkruar:

“Rreth orës 16.00 u nisën për rrugë që të tre. Arritën në mbrëmje te Murtez Kryebardhi, meqë Mirani e kishte adresën e tij. Aty gjeten Jusufin, Bardhin dhe mbi dhjetë veta, aktivisë që po prisnin Kadriun e Miranin.”

Ibrahim, meqë Mirani e kishte adresën e vendit ku do të mbahej takimi i mbrëmjes së 16 janarit 1982, atëherë shtrohet pyetja: kush ia dha Miranit adresën e banesës së Murat Kryeziut, (në Bernhausen) aty ku do të mbahej takimi?

***

Sheradin Berisha

Miran Kelmendi, duket që e ke të vështirë të japësh përgjigjie në pyetjet që dalin natyrshëm nga dëshmitë tuaja të zbukuruara, për të mos thënë të sajuara e të manipuluara!

Për më tepër asnjëherë nuk e ke thënë në libra dhe në shkrimet tuaja, dëshminë e Suzana Gërvallës (të cilln e solla më lartë) se, më 16 janar 1982, gjatë rrugëtimit nga Dyseldorfi bashkë me Kadri Zekën dhe Sylë Nuhën, nuk shkuat drejtpërdrejt në Bernhausen ku do të mbahej takimi i mbrëmjes që e kishte organizuar Jusuf Gërvalla (sepse nuk kishit dijeni se po mbahet një takim i tillë), por u ndalët në Untergruppenbach te shtëpia e Jusufit, dhe aty meqë nuk ishte Jusufi, shoqja e tij Suzana, ua dha adresën se ku mund ta gjeni atë (Jusuf Gërvallën)!

Dhe duke bërë akrobacione tashmë të njohura, tërë kohën po hezitoni të sqaroni këtë ngjarje të rëndësishme, e cila largon mjegullën e përhapur në libra e shkrime të shumta, jo vetëm për këtë çështje, por edhe për shumë të tjera e veçanërisht për ardhjen e Kadri Zekës më 12 janar 1982 në Dyseldorf (pa e njoftuar Jusuf Gërvallën se është në Gjermani) si dhe për takimet tuaja të përbashkëta me badhkëatdhetarët për shtrirjen e aktiviteteve të OMLK-së dhe propagandimin e Tezave të Frontit dhe jo vetëm! Dhe bazuar në këto dëshmi Kadri Zeka nuk kishte ardhur në Gjermani për ta takuar Jusuf Gërvallën, por kishte ardhur për ta shtrirë OMLK-në në Dyseldorf me rrethinë!

Hezitimi dhe heshtja juaj për t’i zbardhur këto dritëhije të kësaj historie, nuk i zhbëjnë faktet, por, vetëm se i shtojnë dyshimet për jo sinqeritetin tuaj në këtë drejtim! TUNG!

***

Miran Kelmendi

Sheradin, pa mener me thanë, ti dhe zonja Mimuniciq, ma hangshi mutin, sepse me qenë pjellë e Skenderbeut nuk durohi me këto shpifje UDBeske.

Përtej p.s. vafshi, pjella të këqija!

Muart Kryeziun dhe gjithë bashkëveprimtarët në Shtutgart me rrethinë, edhe Muratin, Jusufi i ka njohur përmes nesh, nuk di të ketë gjet vet bashkëveprimtarë, pos matrapatzit Misin Mavraj.

Mos e keqpërdorni kaq vulgarisht martirizimin e Jusufit, sepse po delni se paskëshi qenë marioneta të pista të UDB-së, meqë në UDB ka pas kuadro që ishin më fisnikë se ju.

Meqë je PIS taktizues e diversionist, po dëshe, bëjmë bashkëbisedim për ta botuar si libër. Përndryshe, shporru nga faqja ime.

SRAMOTA!

______

Dhe me këto akuza e sharje Ibrahim Miran Kelmendi e mbyllë këtë temë dhe ma pamundëson diskutimin e mëtutjeshëm!

===========================

SHTOJCË

Në 43 vjetorin e 17 janarit 1982

DOKUMENTI I PËRMENDUR NË RADIOGRAMIN E 16 JANARIT 1982, NUK VENDOS PËRFUNDIMISHT BASHKIMIN: LNÇKVSHJ – PKMLSHJ!

Nga Sheradin Berisha   

https://pashtriku.org/dokumenti-i-permendur-ne-radiogramin-e-16-janarit-1982-nuk-vendos-perfundimisht-bashkimin-lnckvshj-pkmlshj/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura