DR.LUFTULLA PEZA: KONFERENCA E PEZËS DHE E VËRTETA HISTORIKE

Durrës, 23. 09. 2016: Më 16 shtator u mblodhën në Pezë mijëra veteranë dhe bij veteranësh, trashëgimtarët të dëshmorëve të Atdheut, shumë dashamirët të Pezës si dhe përfaqësues të pushtetit lokal dhe qëndror, për të përkujtuar Konferencdën e Pezës, të mbledhur më 16 shtator 1942 në Pezë. Konferenca e Pezës, përbën një ndodhi historike mjaft të madhe në historinë e popullit shqiptar, pasi në te u mblodhën përfaqësuesit e të gjitha forcave politike të vendit dhe përpunuan platformën e përbashkët të luftës kundra pushtuesit fashist për çlirimin e vendit.
Në mitingun e organizuar me këtë rast përshendetën të pranishmit kryeadministratori i Pezës J. Kola, kryetari i Bashkisë A. Velian, zëvendës kryeministri N. Peleshi dhe sekretari i konitetit të veteranëve të LANÇ. Të gjithë vlerësuan rëndësinë e Konferencës së Pezës, e cila për nga qëllimet dhe vlerat e saj krahasohet me Kuvendin e Lezhës të mbledhur nga Skenderbeu në Lezhë në vitit 1444, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1879), të cilat janë organizuar për mobilizimin e popullit shqiptar në luftë kundra pushtimit osman. Fatkeqësisht në përkujtimin e Konferencës së Pezës mungonin përfaqësuesit e partive të kualicionit të djathtë. Ata luftojnë çdo ditë për të marrë pushtetin, por nuk ju intereson bashkimi i forcave politike shqiptare, ashtu siç u bë në Pezë në vitin 1942
Më bëri shumë përshtypje se në mitingun e sivjetëm të Pezës, përfaqësuesi i veteranëve shqiptar hodhi disa ide të vjetra të përpunuara gjatë regjimit socialist, që kanë qenë në modë para vitit 1990. Kjo më shtyri të shkruaj këto rrjeshta, për të hedhur dritë mbi të vërtetën.

1-Organizimi i konferencës
Organizimi i Konferencës së Pezës nga propaganda komuniste ka qenë në modë të paraqitej se u bë nga Partia Komuniste Shqiptare, gjë që nuk qëndron. Komunistët shqiptar nën shembullin e bollshevikëve të Lenin-Stalinit, e kanë dashur gjithmonë pushtetin për vete dhe të mos e ndanin me forcat e tjera politike, siç mendojnë demokratët. Organizimi i Konferencës së Pezës ka qenë një mendin mjaft i pjekur i të gjitha forcave politike në vend gjatë vitit 1942, por kryesisht është nismë e të gjithë patriotëve shqiptar pa parti. Ata organizuan lëvizjen dhe bashkëbisedimin ndërmjet tyre dhe me forcat politike të vendit. Ata donin shporrjen e pushtuesit dhe vendosjen e një regjimi demokratik në Shqipëri. Në konferencë përveç nacionalistëve pa parti erdhën edhe përfaqësuesit e Partisë Komuniste Shqiptare, të sapo formuar, Ballit Kombëtar dhe Legalitetit.
Në Pezë në atë kohë, i ftuar nga komunisët shqiptarë, kishte ardhur edhe i dërguari i P.K. Jugosllave M. Popoviçi, por me këmbënguljen e M. Pezës dhe të nacionalistëve të tjerë, ai nuk u lejua të marrë pjesë në konferencë, megjithse derigjonte shtabin komunist nga jashtë.
2-Vendi i mbajtjes së konferencës
Vendi ku do të mblidhej Konferenca e Pezës është ndërruar disa herë. Udhëheqsit komunistët fillimisht donin ta bënin konferencën në zonat jugore të vendit, sepse atje ata kishin krijuar bazat e tyre në atë kohë dhe ndjeheshim më të sigurtë si Vlora apo Gjirokastra. Por nacionalistët shqiptarë nuk kishin besim tek komunistët, ata e njihnin mirë tiparin e tradhëtisë të udhëheqësve komunistët, sepse njihnin shembujt nga Bashkimi Sovjetik. Nga kjo ata nuk pranuar të futeshin në zonat e influencës komuniste.
Myslim Peza atdhetar i madh dh komandanti i Çetës së Pezës, pasi mori mbështetjen e kushërinjve të tij më të afërt në Pezë, ofrojë shtëpinë e tij për punimet e konferencës, me gjith kundërshtimet e të vëllait. Nacionalistët shqiptar ndjen ngrohtësi dhe shpresë, sepse familja Peza ishte e njohur për besnikëri, bujari dhe përkrahjen, që u kishte dhënë forcave demokratike në vitin 1924 gjatë kohës së revolucionit demokratik dhe kur ai u mposht nga forcat e Zogut.
Peza gjithashtu në këtë kohë ishte vendi më i sigurtë dhe i përshtatshëm për mbledhjen e konferencës. Aty funksjononte Çeta e parë Atdhetare e vendit, që do të ruante punimet e qeta të konferencës. Jehona e luftës së 16 marsit të vitit 1941 e Çetës së Pezës kundra fashistëve italianë, ku forcat fashiste lanë 84 oficerë dhe ushtarë të vrarë dhe shumë të plagosur, ishte shumë e gjallë. Prandaj me pëlqimin e të gjitha palëve u zgjodh Peza. Peza pat edhe rëndësinë e madhe strategjike, sepse ishte afër kryeqytetit dhe organizimi i konferencës aty do të bënte bujë të madhe.
Nga ana tjetër rëndësi të madhe pat edhe gadishmnëri e familjeve pezake të strehonin dhe të mbanin me ushqimet e nevojshme gjithë ato njerëz që erdhën në Pezë, si delegatë, por shumica si shoqërues. Përveç familjes së Babë Myslimit në këtë drejtim ndihmë të madhe ka dhënë familja e dëshmorit Hasan Peza, si dhe familjet e Abdurraman Pezës dhe Bexhet Hoxhollit, ku është strehuar Enver Hoxha gjatë ditëve të konferencës.
3-Fati i pjesmarrësve të konferencës
Fati i pjesmarrësve të Konferencës së Pezës është çeshtje me shumë rëndësi, që është lënë e errët nga propaganda komuniste, por edhe sot për këtë çeshtje ka heshtje të plotë. Krerët komunistët ashtu si dhe ata fashistët nuk kanë besë dhe fati i pjesmarrësve të Konferencës së Pezës e tregon këtë më së miri. Kur komunstët shqiptar forcuan pozitat e tyre dhe morën frenat e LANÇ, ata i harruan premtimet dhe vendimet e Konferensë së Pezës dhe ndaj pjesmarrësve në konferencë u sollën si barbar dhe mjaft harbutë.
Qysh gjatë luftës për çlirimin e Tiranës një kompani partizane mori si detyrë të asgjësonte sa më shumë njerëz me bindje demokrate, ndër ta edhe disa pjesmarrës të Konferenëc së Pezës si Ismail Petrelën dhe Azis Çamin. Vejmë në dukje se në këtë kohë i biri i Ismail Petrelës, Xhevdet Petrela, ishte komisar batalioni në Çetën e Pezës, megjith këtë ai nuk u kursye dhe u vra pabesisht bashkë me 33 intelektualë të tjerë të Tiranës.
Fat të Zi pat edhe Abaz Kupi, udhëheqësi i organizatës së Legalitetit. i cili sapo mbarojë lufta u shpall armik dhe u vunë forca të mëdha për ta arrestuar si armik i popullit. Falë miqësisë familjare, që kishte me Myslim Pezën, që e ndihmnoi të arratisej në Itali, ai mundi të mbijetojë.
Mustafa Gjinishi, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar dhe ish komisar i Çetës së Pezës, u vra në pabesi në rrethinat e Peshkopisë në gusht 1944 nga Dali Ndreu komandant dhe Hysni Kapo komisar i Divizionit të parë dhe Liri Gega, përfaqësuese e Komitetit Qëndror të PKSh. Nëpër burgje përfunduar edhe Ndoc Çoba, që vdiq në hetusi, Koço Tashko, Ramazan Jerani, Halim Bregeja, Fetah Butka etj.
4-Fati i mikpritësve të konferencës
Sapo u mor vesht organizmi i Konferencës së Pezës, fashistët itaianë dhe bashkëpuntorët e tyre vërshuan në Pezë si të tërbuar. Vodhën ç’mundën nga dy shtëpitë ku u mbajtë konferenca dhe ku u strehuan pjemarrësit: shtëpinë e vëllezërve Myslim dhe Shyqyri Peza dhe shtëpinë e vëllezërve Hasan dhe Abduraman Peza, ngjitur me të. Pasuria e tyre, zbukurime prej ari dhe argjendi, enë dhe armë të ndryshme me vlera muzeale, para dhe sende të tjera shtëpijake dhe të gjitha bagëtitë u vodhën. Më pas shtëpitë dogjën. Familjet tona ishin larguar, sepse ndryshe do të pushkatoheshim të gjithë.
Reprezaljet të egra ndaj pezakëve u shtrinë edhe më gjerë. Në Pezë të Vogël pak ditë pas konferencës u dogj i gjithë fshati dhe u pashkatuan disa dhjetra njerëz të pafajshëm. E njejta tragjedi u përsërit në fshatin Grecë, duke djegur dhe vrarë dhjetra njerëz të pafajshëm, të gjithë përkrahës të Çetës së Pezës dhe LANÇ.
Edhe mikpritësit e njohur të delegatëve dhe shoqëruesve të tyre në Konferensë së Pezës, që i mbajtën me harxhimet e duhura, nga pushteti komunist shqiptar u trajtuan si armiq. Në vitin 1946 u bë reforma agrare dhe nga kjo reformë u shtetëzuan të gjitha tokat e dëshmorit Hasan Peza, duke e lënë gruan e tij ish partizane me djalin e vogël me gisht në gojë. Disa muaj pas lufte Ismete Peza, gruaja e dëshmorit Hasan Peza, ish partizane nga fillimi i luftës deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë, u end nëpër zyrat e qeverisë së re për pensionin si grua dëshmori, por përveç premtimeve dhe rrenave asgjë nuk mori. Me shtetëzimin e tokës nga reforma agrare, kjo familje dëshmori u kthye në familje proletare pa asnjë pasuri dhe i biri i dëshmorit, Luftullai, nga skamja përfundoi në Strehën Vorfnore. Të njëjtin fat patën edhe mijëra familje shqiptare pronare tokash, fabrikash, shtëpishë etj., të cilat mbetën pa toka dhe prona të tjera, megjithse kishin dhënë kontribut të shquar me forma të ndryshme LANÇ.
Me rëzimin e sistemit komunist në vitin 1990 të gjithë menduam se më në fund erdhi demokracia dhe problemi i pronave do të gjente zgjidhjen demokratike. Por më kot, sepse pseudodemokratët që morën pushtetin, sajuan Agjensinë e Kthimit të Pronave, e cila bëri “pronarë” pushtetarët e rinj dhe miqtë e tyre me pronat e pronarëve shqiptarë. Unë i biri i dëshmorit Hasan Peza, megjithse kam afërsisht 20 vjet, që kam depozituar dosjen me dokumentet përkatëse në këtë agjensi, asnjë pronë nuk më është kthyer, megjith premtimet e shumta.
Vitet e fundit Bashkia e Tiranës, në kundërshtim me ligjet në fuqi, mundohet të bëhet pronare e trojeve rreth shtëpive, ku u organizua Konferenca e Pezës. Ajo nuk përfill pronarët e këtyre trojeve: familjen e dëshmorit Hasan Peza, familjen e partizanin Abdurraman Peza, luftëtarë të Çetës së Pezës që në vitin 1939, familjet e Ahmet Pezës dhe Behexhet Hoxhollit, megjith kontributin e shquar që dhanë për konferencën e Pezës dhe Luftën ANÇ. Bashkia e Tiranës e ka shpallur “park të bashkisë” sheshin në qendër të Pezës, njësoj si në kohën e komunizmit, megjithse nuk është pronare në asnjë metër katror aty, në një kohë, që pronarët presin që këto troje tu kthehen nga Agjensia e Kthimit të pronave. Këto familje luftuan dhe derdhën gjakun për të çliruar vendin nga pushtuesit fashistë dhe për të jetuar të lumtur në vendin e tyre aty në Pezë.
Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj Erion Veliaj i bëjmë thirrje të mos shkelë mbi gjakun dhe mundin e këtyre familjeve pezake dhe të ndërpresë diskriminimin ndaj këtyre familjeve mjaft të nderuara.
Golem, shtator 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura