EPIDAMN ZEQO*: BANKA QENDRORE DUHET QË TA ‘USHQEJË’ EKONOMINË ‘ZOMBI’!

Londër, 17. 07. 2013 – Kriza financiare dhe bankare ka kohë që ka mbërthyer ekonominë shqiptare, tashmë një ekonomi “zombie”, dhe ishte opozita më efektive kundër maxhorancës aktuale që vulosi rotacionin e pritur politik. Por kjo krizë është tanimë opozita më efektive kundër maxhorancës së re legjitime. Programi i Rilindjes së Përshpejtuar, pra ai socialist bashkë me programin e LSI-së, është shpresëdhënës sepse është program zhvillimi. Prandaj, Kryeministri dhe maxhoranca legjitime mbartin mbi supe shpresat e popullit jashtë dhe brenda vendit për zhvillim dhe mirëqenie. Ky është objektivi i maxhorancës legjitime!
Ka pafundësisht probleme, prapambetje dhe kriza në vend; nuk ka rritje ekonomike, nuk ka pune, nuk ka kredi, dhe nuk ka mirëqenie. Por me të cilën krizë duhet të fillohet goditja me politika zgjidhjedhënëse?! Ekonomia vuan nga shumë kriza, por kriza financiare dhe bankare është padyshim më vendimtarja për të ardhmen e saj. Në mendimet pro dhe kundër, duhet gjiithmonë të kihet parasysh se varfëria është shkaktuar pjesërisht më shumë nga mungesa e politikës monetare dhe instrumentave financiarë sesa nga ekzistenca e tyre.
Arsyjet e prapambetjes përgjatë gjithë jetës së Shqipërisë Moderne është e vështirë të artikulohen në këtë atikull. Por duhet thënë një e vërtetë universale dhe vendimtare; Shqipëria Moderne nuk ka arritur të krijojë një sistem të zhvilluar financiar dhe bankar. Ky është problemi!
Në kohën e Zog-ut ishte ndihma Italiane që ndërtoi Bankën Qendrore dhe printoi lekun. Në kohën e partisë-shtet dhe Enverit nuk ditëm se çfarë të bënim me Bankën Qendrore dhe me kursimet, dhe kokëfortësia e izolimit nuk na lejojë të mësonim nga jashtë. Në fillim të tranzitcionit nuk ditëm si të ndërtonim një sistem bankar që zhvillon. Përkundrazi, paaftësia dhe trashëgimia komuniste kultivoi dhe lejoi mashtrimin piramidal. Erdhi FMN-ja dhe krijoi Bankën Qendrore dhe sistemin bankar që kemi sot. Politika monetare u vendos të ishte konservatore dhe minimaliste.

Sot Banka Qendrore ka dështuar dhe sistemi bankar nuk krediton ekonominë. Banka Qendrore minimaliste dhe jo-intervencioniste është një relike e viteve 90 dhe “samurai i fundit” i paradigmës që politika monetare duhet ndare nga politka fiskale, dhe që roli i Bankës Qendrore ka të bëjë vetem me inflacionin. Te dyja, politika fiskale dhe ajo monetare, ndikojnë në ekonomi drejtëpërdrejt, prandaj është e domosdoshme që të dyja të jenë bashkëvepruese dhe efektive. Kështu që në fund politika fiskale dhe monetare të jenë komplimentuese dhe të punojnë për zhvillim dhe mirëqenie. Programi për një Rilindje të Përshpejtuar, i cili është një program zhvillimi, mund të realizohet vetëm me një politikë monetare më fleksibël dhe intervencioniste, dhe një sistem bankarë kreditues dhe kompertitivë. Ky është thelbi!
Roli i Bankës Qendrore edhe në këtë ekonomi “zombie” vazhdon të jetë konservatore-minimaliste dhe e paaftë. Minimaliste sepse qëndron vetëm me objektivin parësor stabilitetin e çmimeve, dhe (keq)përdor që vetëm normën e interesit si metodë monetare për të stimuluar ekonominë. Është e paaftë sepse ka dështuar me politikën e normës së interesit që nuk e stimuloi ekonominë, si edhe ka dështuar për të adresuar në kohë dhe përfundimisht krizën e borxhit të keq dhe moskreditimin nga bankat tregtare.
Politika konservatore dhe minimaliste e Bankës Qendrore është një gabim strategjik për një ekonomi akoma të pazhvilluar dhe që nuk po zhvillohet më. Ekonomia shqipëtare është e pa zhvilluar dhe është tashmë një “zombie” i etur për “gjak”. Ka nevojë për një Bankë Qendrore proaktive që përdor metodat dhe politikën monetare për të zhgjidhur përfundimisht krizën bankare, dhe për të ndërtuar një sistem bankar kreditues dhe kompetitiv që zhvillon ekonominë. Është gjithashtu parësore, që Banka Qendrore të jetë proaktive në lehtësimin e kredimarrjes dhe për të përhapur mikro-financimin. Ky duhet të jetë roli i Bankës Qendrore!
Politika monetare është e dretë sovrane e një shteti. Shqipëria ende nuk është e kushtëzuar nga Banka Qendrore Europiane apo FMN-ja për të mos zhvilluar një politikë monetare më fleksibël dhe intervencioniste. Ekonomia “zombie” kërkon një politikë monetare që e “ushqen” atë dhe që e ndihmon të zhvillohet. Politika fiskale dhe monetare duhet të bashkëveprojnë për ta shëruar dhe zhvilluar ekonominë! Nuk është momenti ende për të thirrë FMN-në që do të imponojë një program fiskal dhe monetar minimalist dhe shtrëngues. Ky është paralajmërimi!
Shtypja e Lek-ut është një alternativë ndryshe nga rritja e taksave dhe shkurtime të thella në shpenzimet dhe stimulon direkt dhe indirekt ekonominë. Kjo është politika monetare që çdo Bankë Qendrore në botën e zhvilluar dhe te tjera vende në zhvillim kanë përdorur për të adresuar krizat e tyre respektive. Ne mund të kemi frikë inflacionin por pyetja është sa e dhimbshme dhe destruktive është alternativa e kolapsit total ekonomik?! Rreziku i hiperinflacionit duhet ta influencojë politikën monetare por jo ta përcaktojë atë, sidomos kur financat dhe bankat janë në krizë dhe inflacioni nuk është problem.
Në mënyrë që të jenë efektivë, stimujt monetarë duhet të zgjasin mjaftueshëm për të rivendosur besimin dhe të kenë një ndikim të vërtetë e real në ekonomi. Një plan katër-vjeçar është një fillim i mirë. Qëllimi kryesor i kësaj politike monetare është për të nxitur si shpenzimet e brendshme ashtu edhe investimet. Si një efekt, normat e ulëta reale zakonisht dobësojë monedhën si edhe mund të ulin importet. Por, kjo gjë përmirëson konkurencën duke ulur cmimin e mallrave të prodhuara në vend. Nëse politika është e suksesshme në ringjalljen e kërkesës së brendshme, ajo përfundimisht do të çojë në rritjen e eksporteve, në rritjen e produktivitetit dhe prodhimit. Kjo është alternativa!
Është e rëndësishme që Banka Qendrore dhe Qeveria të konsultohen dhe jo të kondicionohen nga jashtë. Të mësohet sesi politika monetare mund të luaj një rol të ri në ekonomi dhe sesi politika monetare të jetë më fleksibël dhe intervencioniste, por në të njëjtën kohë e përgjejshme dhe transparente. Ne jemi mëse të aftë të mësojmë ekonominë makropolitike dhe çfarë është më mire për ekonominë tonë.
Banka Qendrore duhet që së bashku me maxhorancën legjitime, dhe në bashkëpunim me bankat tregtare të zhvillojnë mikro-financimi në vënd, dhe të sajojnë menjëherë skemat kredi-lehtësuese për grupe të ndryshme s.p.sh. për çiftet e reja për blerjen e një banese, për sipërmarrësit e ri për zhvillimin e biznesit, për studentët për pagesën e studimeve, etj. Kjo gjë është e nevojshme edhe për të mbështetur rregullimet strukturore që synojnë zhvillimin e forcës punëtore në përputhje me kërkesat e veçanta të teknologjisë moderne (një rrugëdalje nga papunësia e të rinjve).
Në fund, Banka Qendrore me politikën monetare duhet ta zhvillojë ekonominë dhe jo të shkaktojë kolapsin e saj. Është koha të mësojmë sesi ekonomia mund të shpëtohet dhe të zhvillohet me politika monetare dhe financiare. Është koha të ndërtojmë një sistem bankar dhe financiar që e krediton ekonominë dhe e zhvillon atë. Kjo është sfida e maxhorancës legjitime që do të përcaktojë fatin e saj dhe të vendit!
*) Autori ka një Master të Arteve nga Universiteti St. Andrews në Skoci dhe një Master Shkencor nga London School of Economics. Ai jeton dhe punon në Londër.

………………………………………..

– EPIDAMN ZEQO – 

POLITIKAT FINANCIARE TË BANKËS, IDETË E MUNGUARA TË DALJES NGA KRIZA
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1411

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura