FAJËSIA E DJEPIT TË LASHTË…

FAJËSIA E DJEPIT TË LASHTË…

Nga Rexhep Kasumaj, Berlin 06 nëntor 2021

1. Udha e pakthim

Përtallja e sundtarëve dorëfortë me kundërshtarët politikë që, më pas, do të quheshin opozitë, ka një hershmëri simbolike.

Në fakt, simbolik ishte vetëm emri i një fondi, por aspak misioni i tij.

Gjermani i madh Otto von Bismarck, për të fishkur zhurmat e tyre, kishte themeluar, tashmë të  njohurin “Fond i reptilëve”!

Tani kush do ishin reptilët dhe ç’synonte “Arka e zezë”, ky organizëm i paparë?

Njëj cinizmi të thartë, reptilët e Bizmarkut ishin sfidantët e pushtetit, që fondi duhej t’i blinte e shformonte dhe, këso mënyre, të digjte kauzën e tyre politike! 

Nuk e di të ketë mësuar Edi Rama këtë lektyrë të Ottos.

Por, strategjia e tij për të shuar kumtin, e pra alternativën opozitare, është e ngjashme deri në fatkeqësi!

E Keqja, ndërkaq, s’ka vetëm një anë, anën e punëve të shtëpisë.

Ka prorë dhe tjetrën. Më të rëndë e madhore. Janë shtigjet e errta nacionale që ky, brenda një papërgjegjësie të organizuar, ndjek tash sa vjet. Refuzon kujtesën e varreve dhe shfaqjen ku,

para syve, armiku përsërit refrenin e vet…

S’ka oponencë, s’ka syzim parlamentar, s’ka kulturë të llogaridhënies apo ndjesi për kohën që vjen…

Dhe kështu ngadalthi, fshehur a krejt hapur si Ballkani i tij, nga Fondi i kancelarit shket në Sytë e Faraonit.

Të tillë sy, nga të cilët, si flet Libri i Qosjes, vdekja vjen, cilësoheshin agjentët e Sundtarit absolut.

Tani i kujt sy është, athua, Premieri i Shqipërisë?

I ka hyrë udhës së pakthim si në vëllezëritë mistike a kartelat mafioze e nuk del dot?

Me gjasë, është një ngujim i ngjashëm dhe, ndaj, s’arrin të kthehet më pas.

Sepse, thjeshtë, Rama s’mund të shkëputet nga vetja e vet.

Kjo është struktura e Personit të tij. Vetëm kështu i merr kuptim jeta. Dhe fati, mbase, i pazgjedhur lirisht…

2. Gënjeshtarët pa kufi

E njohin, vallë, këta të ansamblit opozitar, atë thënjën e bukur popullore “gënje për tokë”!?

Natyrisht, alternanca

është shpirti i demokracisë!

Dhe, natyrshëm, beteja e pushtetimit bën kuptimin e qenies së saj.

Sigurisht, kudo e gjithherë, do të ketë dhe truke, mashtrime e demagogji të përbuzshme.

Më kujtohet si sot, vitet e largëta të fillimeve të 90-ta, kur Bjorn Engholm, i ditur dhe elegant, rrezikonte realisht Helmut Kohl-in në turrin e maratonshëm për mandatin e fundit në Republikën e Bonit.

Paskësh heshtur një vrasje diku në jug, por që, pastaj, rezultoi një trill elektoral. Dhe kjo do bëhej shkak që Bjorni që rridhte nga elementi nordik gjerman, të humbte përgjithmonë.

Rrjedhimisht, as vende e demokraci të arrira, nuk janë të kulluara si loti. Veçse taktikat duhet pajuar pak me besueshmëri dhe inteligjencë.

Mirëpo “Europa e dy shpejtësive” me ç’duket, s’ndrynte vetëm filozofinë ekonomike.

Në shkronjën e saj është dhe arti i jetës: koncepti i shtetit, shërbesës dhe lirisë.

Në Kosovë, prandaj, kalohet çdo kufi i arsyes e çdo masë e etikës. Urtia e sipërthënë popullore shkallmohet. Është e poshtër. E ligë. Ngaqë, ja, u vjen si çelës revanshi që frenon turrin e tyre kooperativist!

Ndaj hedhin gurë për gënjeshtër – e janë vetë përtej fantazisë. Pastaj për hajni – e janë vetë hajna të etabluar karriere. Dhe, së fundmi, për rrudhje territori e sovraniteti – e janë, askush tjetër, pos ata që kanë dhuruar tokë si pajë nuseje dhe kanë firmosur republikë serbe të Kosovës!

Mjerisht, kjo klasë e pluhnosur, nuk mund të mënçurohet dhe as të fisnikërohet kurrë. Koha për ta ka një kuptim krejt metafizik. Robtojnë përzishëm t’a  rikthejnë e ndalojnë aty ku ishte: oazë sulltanore në zemër të Europës!

Por dialektika është e pamëshirshme: kastë e dinastëve të ikur ka konsumuar ciklin e vet.

Dhe, tani, nga distanca mizore e historisë,

brezat do të shohin qetësisht, dritën a terrin e tyre!

3. Fajësia e djepit të lashtë

Eh, të shkretët shqiptarë. Sikur t’a dinin. Por jo, nuk e kishin idenë. Mjerisht.

Dhe, ndaj, anipse pak e përtueshëm, janë shkruar libra e memoare, janë mbajtur akademi e simpoziume dhe janë lauruar shkencëtarë historie me emnesa të mëdha.

Dhe tema ishte e vetme deri në mërzi: doktrina e shfajsimit.

Jo shqiptarët, këta flijimtarë koti e të virgjër përherë. Por të tjerët ishin ferr! Dhe në krye të kolonës printe greku që do vidhte antikën dhe, menjëherë pas tij, serbi për mesjetën!

“Truri i fëmijës tronditet gjatë përkundjes në djep”! (Pediatri G. Xharra).

Ah, sikur të kishin patur shqiptarët këtë traditë qysh në fillim të kohës!

Por, dijenxënë të vonë, ata do përkundnin fëmijët në djep me ninulla heroizmi, duke  tronditur keq trurin e tyre. Trurin e vet kolektiv ndër shekuj.

Dhe faji tani kthehet sërish në Votër. Aty ku është ngjizur dhe ku jeton prehjen e tij.

A s’na çliroi, vërtetë, ky pediatër ingjenioz nga vuajtja e mëtejme për të gjetur autorin e disfatës historike?

E, pra, të mnerit kombëtar n’për kohë mugëtirash e deri në mijëvjeçarin e ri, kur një diell i paktë drojshëm rrezon…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura