FATON MEHMETAJ: NJË LIBËR I RRALLË, KU TRAJTOHEN ҪËSHTJET MË TË NDJESHME TË SIGURISË NË KOSOVË

Prishtinë, 23. 09. 2013 – (Përkitazi me botimin e librit “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, i autores mr. Fetnete Ramosaj, botoi Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri, Prishtinë, 2013, 182 faqe.) – Libri i Fetnete Ramosajt “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë” është një libër me tematikë të rrallë, pak të trajtuar nga studiues dhe hulumtues të ndryshëm vendorë e të huaj, sepse megjithatë konsiderohet si “temë e nxehtë”. Edhe përkundër kësaj, Ramosaj ka bërë një punë të shkëlqyer, në radhë të parë hulumtuese e mjaft argumentuese, duke e faktuar në mënyrë të përsosur veprimtarinë e këtyre organizatave në Kosovë. Faktikisht, libri është një përmbledhje e fakteve, e provave dhe e argumenteve, është një libër i dokumentuar që tregon në mënyrë kronologjike për aktivitetin e këtyre organizatave, të cilat datojnë qysh para 100 vjetësh e që janë aktive edhe sot, me shtrirje në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, por edhe në vende të ndryshme të Europës dhe të botës.
Edhe në këtë kohë kur rajoni po synon të integrohet në Unionin Europian, kur bota dhe Europa po bëjnë plane për një Europë të bashkuar e unike, megjithatë organizatat ekstremiste dhe terroriste serbe, si një instrument shtetëror i Serbisë, vazhdojnë të veprojnë në Kosovë dhe në disa shtete të Europës e të botës. Përmendim këtu vetëm rastin e terroristit Breivik në Oslo të Norvegjisë, i cili deklaroi haptazi se për të kryer këtë akt është inspiruar nga organizatat sekrete serbe. Nga po të njëjtat organizata u vra ministrja e jashtme suedeze Ana Lind, pastaj gazetarja e BBC-së Jill Dando etj., për mbështetjen që i dhanë Kosovës, u vra edhe boshnjaku Shefko Sallkoviq në pjesën veriore të Kosovës etj. Duhet përmendur sulmet e njëpasnjëshme mbi popullatën civile, sukmet mbi strukturat politike serbe, që kanë kanë shfaqur çfarëdo shenje për të bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovës, sulmet dhe vrasjet e policëve vendorë e ndërkombëtarë, sulmet e vazhdueshme me eksploziv, ku ka pasur edhe viktima, të plagosur dhe dëme të shumta materiale, vrasjet e vazhdueshme të civilëve shqiptarë, në mesin e të cilëve ishte edhe Selver Haradinaj, në pjesën veriore të Mitrovicës, pastaj sulmet e organizuara kundër disa pikave doganore të Kosovës, duke mos e anashkaluar as sulmin e 17 marsit 2008, në të cilin u plagosën rëndë e lehtë 63 pjesëtarë të policisë së UNMIK-ut, 45 pjesëtarë të KFOR-it, dhe 70 protestues serbë. Ky sulm ishte përgatitur nga pjesëtarët e MUP-it dhe ushtarakët rezervë të ushtrisë së Serbisë.

Këto organizata vazhdimisht kanë bërë agresion ndaj Kosovës dhe pjesëve të caktuara të saj. Ishte pikërisht organizata e parë sekrete terroriste serbe me përmasa ndërkombëtare “Dora e Zezë” (“Crna Ruka”), që nëpërmjet degës së saj me veprim në Bosnjë “Mlada Bosna” (“Bosnja e Re”) organizoi vrasjen e Arkidukës Franc Ferdinandi, në Sarajevë, më 28 qershor 1914, për shkak se ai e kishte penguar daljen e Serbisë në Detin Adriatik. Kjo vrasje u mor si shkak për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Duhet nënvizuar se në atentatin kundër Arkidukës Franc Ferdinand, kishte marrë pjesë pos tjerëve edhe shefi i shërbimit zbulues-kundërzbulues të Ushtrisë Serbe dhe kryesori i “Dorës së Zezë”, koloneli Dragutin Dimitrijeviq – “Apis”-i dhe Vasa Çubrilloviqi, më vonë kryetar i Akademisë së Shkencave të Serbisë dhe përpiluesi e disa elaborateve famëkëqija, në të cilat në detaje parashihej shfarosja e shqiptarëve.
Për të treguar pajtueshmërinë dhe lidhshmërinë historike me veprimtarinë e organizatave ekstremiste e terroriste sekrete e gjysmësekrete serbe që trajtohen në këtë libër, me iniciativën e Vuk Jeremiqit, në cilësinë e kryesuesit të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, u këndua kënga “Marshi mbi Drin”, nën tingujt e të cilit 100 vjet me parë u vranë e u masakruan qindra mijëra banorë shqiptarë e popuj të tjerë të ish-Jugosllavisë.
Përderisa në njërën anë, në këtë kohë kur Europa dhe bota po na sugjeron t’ia shtrijmë dorën e pajtimit Serbisë e t’ia falim krimet e terrorin që e ka bërë mbi popullin shqiptar për më shumë se 100 vjet me radhë, në anën tjetër deri më tani në asnjë rast Serbia jo vetëm që nuk ka kërkuar falje, por po vazhdon të na terrorizojë, të na shantazhojë e diskreditojë me të gjitha mjetet, sikurse herëve të tjera, edhe përkundër marrëveshjeve të arritura, të cilat po i përdorë vetëm për të përfituar në kohë. Në këtë prizëm duhet parë edhe nismat e institucioneve më të larta të Serbisë për rehabilitimin e Drazha Mihajloviqit, Aleksandër Rankoviqit e të tjerëve, të cilët në vazhdimësi bënë krime mbi popullin shqiptar.
Në këtë libër argumentohet se nën orkestrimin e shërbimeve sekrete serbe, në pajtueshmëri të plotë edhe me elitat politike të cilat gjithnjë kanë qenë të koordinuara me Akademinë e Shkencave të Serbisë, janë planifikuar vrasjet e krerëve dhe prijësve të popullit shqiptar, duke filluar nga Hasan Prishtina, Shtjefën Gjeçovi, albanologu i shquar Millan Shuflaj, Nazim Gafurri, Ymer Berisha, Xheladin Hana, Halim Spahia, Enver Hadrit etj. Nga kjo strukturë janë bërë planet për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë nga trojet e veta, është bërë spastrimi i kohëpaskohshëm etnik nga popullsia shqiptare, nëpërmjet terrorit dhe gjenocidit që e kanë zhvilluar në kohë lufte apo edhe në rrethana të tjera. Me qëllime të tilla organizuan ndërrimin e dhunshëm të fesë tek shqiptarët, mbylljen e shkollave dhe burgosjet dhe vrasjet e intelektualëve në zë, mohuan kombësinë dhe autoktoninë e popullit shqiptar, ua uzurpuan pronat disa herë nëpërmjet “reformave agrare”, i burgosën të gjithë ata që patën guxim t’i ngritin çështjet kombëtare, shkruan qindra libra për ta tjetërsuar e mjegulluar të kaluarën dhe historinë e shqiptarëve, bënë gjithçka për të na e mohuar gjuhën dhe flamurin. Edhe sot pa ndryshuar në asnjë dimension Serbia i vazhdon politikat e veta ndaj Kosovës, pa kurrfarë korrigjimi edhe pse në luftën e fundit bëri tmerre të papara ndaj popullit shqiptar. Për këtë arsye me të drejtë, Hasan Prishtina, në artikullin me titull “Kush e sundon Jugosllavinë”, të botuar në gazetën “Kosova” (1933) thoshte se Jugosllavia ka qenë qysh në fillim shtet i sunduar prej shoqatash të fshehta terroriste. Pothuajse të gjitha këto organizata atëherë e sot, qëllim kryesor e kanë bashkimin e të gjitha territoreve që kishin pakica të kombësisë serbe në një shtet me Serbinë dhe serbizimin e tyre. Këto organizata atëherë e sot janë përpjekur për aneksimin e Kosovës, Maqedonisë, Vojvodinës, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe tërë bregdetit Adriatik.
Duhet nënvizuar se organizata sekrete terroriste serbe “Dora e Zezë” nga e cila i kanë marrë orientimet organizatat tjera simotra, në programin dhe statusin e vet (përkatësisht në “kushtetutën” dhe “rregulloren”), moto e kishte sloganin: “Ujedinjenje ili Smrt” (“Bashkim ose Vdekje”). Kjo organizatë dhe organizatat tjera deri në ditët e sotme përbëheshin kryesisht nga ushtarakët serbë të dalluar për aksione e sakrifica, udhëheqës të grupeve militante çetnike si dhe intelektualë të dalluar, të gjithë të kombësisë serbe, nënshtetas serbë dhe banorë të Serbisë, të përbetuar për ta kryer detyrën që parashtronte motoja e programit të kësaj organizate.
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 e këndej këto organizata shpesh e kanë cenuar sigurinë tokësore duke hyrë “ilegalisht” dhe me dhunë në territorin e Kosovës, siç është rasti me organizatën “Garda e Car Llazarit” e dhjetëra të tjera si kjo. Këto organizata jo vetëm që kanë bërë thirrje të vazhdueshme për luftë, por kanë kryer edhe aksione konkrete brenda territorit të Kosovës, kanë marrë përgjegjësi për aktet e kryera terroriste etj. Shumica e pjesëtarëve të këtyre organizatave kanë qenë pjesëmarrës në luftën e Kosovës 1998-1999, kanë marrë pjesë në masakra e në vrasje, sepse dihen me emra e me mbiemra. Të tillët sot pritet të hyjnë në Policinë e Kosovës, në MPB, në AKI e në organe të tjera të sigurisë. Kjo nuk është për t’u habitur ngase edhe pas mbarimit të luftës shumica e çetnikëve dhe kriminelëve serbë të luftës i morën pozitat më të larta në shoqëri.
Ekstremizmi serb, radikalizmi dhe nganjëherë aktet e dhunshme terroriste edhe më herët edhe gjatë këtyre katërmbëdhjetë viteve kanë qenë të pranishme në Kosovë. Shpesh e kemi anashkaluar praninë e këtyre organizatave, e kemi anashkaluar, e kemi minimizuar, e kohëve të fundit e kemi bërë praktikë të mos flasim fare për to.
Megjithatë kur ndodhemi përballë argumenteve, vlerësojmë ndryshe dhe adresimet janë të qarta. Kështu ndodh kur kemi në duar librin ekskluziv “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, në të cilin adresohen çështjet më të ndjeshme të sigurisë në Kosovë. Ky libër i rrallë do t’u shërbejë strukturave të inteligjencës, AKI-së, policisë, gjyqësisë, qarqeve shkencore e politike, opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm, për të ditur realisht për ngjarjet që kanë ndodhur dhe po ndodhin në të vërtetë në Kosovë dhe rreth saj.
(Faton Mehmetaj – Dr. Kandidat i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.)

—————————-

KUSH ËSHTË FETNETE M. RAMOSAJ

* * *

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura