ANJEZA XHAFERAJ: A NA DUHET NJË TJETËR PARTI E QENDRËS SË MAJTË?

Tiranë, 14. 10. 2016: Lajmi i krijimit të një partie të re prej Ben Blushit kish kohë që pritej. Shpeshherë në kundërshti me kryetarin e partisë për një sërë çështjesh politike dhe procedurash brendapartiake, më në fund Ben Blushi vendosi të ndahet nga partia mëmë dhe të krijojë një parti të re, duke u bërë kështu partia e tretë, pas PS e Vërtetë ‘91 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Rëndom, ajo çka me shumë kërshëri media pret është pozicionimi i partisë në spektrin e majtë-e djathtë, a thua se përvoja jonë 25-vjeçare me partitë politike ka provuar se partitë e dinë se në ç’pikë të spektrit janë pozicionuar dhe për pasojë i kanë të qarta qëndrimet e tyre në lidhje me çështjet e ndryshme të debatit publik. Gjithsesi, meqenëse largimi nga partia kërkon një lloj pozicionimi, edhe partia e re u vetëpozicionua në qendrën e majtë, edhe pse ne nuk dimë ende se cila pjesë e elektoratit identifikohet me këtë pozicionim.
Po pse në qendër dhe jo në të majtë? Logjika e kërkon, të largohesh nga partia se nuk është më besnike e bindjeve që njëherë e një kohë shërbyen si baza për themelimin e saj. Të paktën këtë rrugëtim kanë ndjekur partitë simortra në vendet e tjera. Vjetrimi i partisë mëmë kërkon një ri-gjallërim të bindjeve, besimeve dhe vlerave, dhe zakonisht të rinjtë, revolucionarë për nga natyra, kundërshtojnë zvetënimin e partisë dhe pozicionohen në të majtë të partisë së majtë apo në të djathtë të partisë së djathtë, për të treguar se nuk janë njerëz të kompromisit. Të rinjtë kundërshtojnë kompromisin dhe për pasojë qendrën e cila nuk është gjë tjetër veçse pika ku të moderuarit e doktrinave të kundërta takohen me njëri-tjetrin: të moderuarit e së Djathtës me të moderuarit e së Majtës.

Ben Blushi

Të pozicionuarit në qendër është i leverdishëm, sepse teknikisht të jep mundësinë për të bërë kompromisin me kundërshtarin e moderuar të krahut tjetër duke bërë kështu sintezën e aspiratave kontradiktore. Në këtë kuadër, edhe Meta, i harroi të gjitha dasitë që kish me të djathtën, dhe ashtu i pozicionuar në qendër ia doli të sintetizonte aspiratat kontradiktore të së majtës me të djathtën duke bërë koalicion pikërisht me atë me të cilin kish qenë kaq kohë në opozitë të plotë. Po ku do të qëndrojë Blushi në këtë pozicionim partish? A do të jetë më qendër se LSI apo më radikal se ajo? Në “Letër një Socialisti” në prill të 2015-s, Blushi shqetësohej për të varfrit që po shkonin në emigracion, për rritjen e papunësisë, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, për rritjen e çmimit të naftës apo për zvogëlimin e numrit të atyre që marrin asistencë. Pra, shqetësimi i tij ishte se e PS nuk ishte aq e majtë sa ç’duhej. Logjikisht partia e tij e re do të duhej të pozicionohej më majtas dhe jo në qendër.
Megjithatë kundërshtitë e tij me PS më së shumti kanë qenë të natyrës procedurale: si p.sh. zgjedhja e kryetarit të partisë, procedurat e vendosjes së kandidatëve për zgjedhjet vendore, demokracia e brendshme e partisë apo mos-besnikëria e partisë ndaj vetvetes në rastin e ligjit mbi importin e mbetjeve. Në fakt, në mesazhin e largimit Blushi thotë se po largohet nga kazani i plehrave, po largimi nga kazani nuk është një kauzë e mjaftë. Nuk tregon asgjë për platformën dhe për programin dhe përveçse pretendon pastërti më të madhe se të tjerët që lë pas në kazan, nuk thotë asgjë mbi programin politik.
Për t’ju kthyer sërish pyetjes së ngritur në fillim: A na duhet edhe një tjetër parti e qendrës së majtë? Besoj se jo. Çdo pozicionim në qendër e ka të shkruar në ballë kompromisin, dhe kompromiset në Shqipëri nuk është se kanë prodhuar ndonjë të mirë për shqiptarët. Përkundër asaj që thuhet nga ndërkombëtarët, dhe përsëritet me zell nga media, për nevojën për kompromis mes palëve politike, kompromisi nuk ka munguar asnjëherë, madje ka shënjuar marrëdhëniet mes dy krahëve politikë. Çdo parti e qendrës së majtë në këtë rast nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të ‘huazonte’ elektorat nga elektorati i majtë duke i dhënë fuqi kërcënuese partisë për të bërë transaksione majtas dhe djathtas në funksion të koalicioneve të mundshme. Problemi qëndron se ashtu si gjithmonë me partitë e reja në Shqipëri, krijohet partia para segmentit të shoqërisë që përfaqëson, krijohet partia që kërkon të përfaqësojë të gjithë shqiptarët, andaj edhe pozicionohet në qendër, dhe pikërisht kjo e bën problematike, sepse një parti e qendrës është teorike, hipotetike, por politika kërkon aksion, veprim, program konkret, të cilin një parti ‘kap gjithkënd’ nuk mund ta realizojë pa mos rënë në konflikt me interesat e ndryshme të shoqërisë.
Përfundimisht nuk na duhet një parti e re e qendrës së majtë, por një e majtë e vërtetë.
*) Autorja është Pedagoge, UET.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura