GJOKË DABAJ: KY QIELLI I SOTËM I EGËR, MBULUAR ME ZËRA SORRASH!

Durrës, 23 maj 2018: Para disa ditësh u botua në portalin “pashtriku org” një shkrim i imi me nëntitull “Një zë blete me rastin e 1 Majit”.
E dija që do të ketë lexues të pakët. Ose edhe më keq: të aspakët. E dija që atë shkrim nuk do ta publikonin portale të tjerë, që i kemi të shumtë në gjuhën shqipe. E dija që atë shkrim nuk do ta botonte asnjë nga gazetat e panumërta që dalin shqip, në Tiranë, Prishtinë e gjetkë. E dija që ai shkrim nuk do të përkthehej në asnjë gjuhë tjetër dhe nuk do të botohej, as në Francë, as në Gjermani, as në Kinë, as në Rusi e as në SHBA.
E dija edhe arsyen, pse ai shkrim nuk do të bëhej i njohur në të gjithë botën, sado që aty flitej për një problem shumë të rëndësishëm gjithnjerëzor. Arsyeja ish se në qiellin e sotëm të egër të mediavet mbizotërojnë krakaritjet e sorravet. Nuk ka atmosferë për të dëgjuar zërat e bletëvet. Zërat e bletëvet janë të dënuar të shuhen midis zhurmërisë shurdhuese të sorravet, të korbavet, të hienavet, të zhapikëvet, të çakejvet, të iriqëvet, të krokodilëvet, të luanëvet. Zhapikët po! Ata dëgjohen. Zëri i tyre amplifikohet. Vetëm zërat e bletëvet, të dallëndyshevet, të qengjavet, ata le të mbyten! Atyre, le të mos u dëgjohen zërat!
E tash, le të dalim nga gjuha ezopike!
LGBTI-të le të defilojnë nëpër rrugë me flamurin e tyre ngjyrylberi! „Të drejtat“ e tyre le të shtrohen dhe le të miratohen në parlamentet e shtetevet „më demokratikë“ të botës! Papët le të dalin dhe le të predikojnë „paqen“ me zërat e tyre të mekur „hyjnorë“! Patriarkët, me kamillafë të florinjtë mbi kokë, le të udhëtojnë me avionë të shtrenjtë dhe le të priten me ceremonira në kishat ortodokse shkëlqimverbuese! Hoxhët, me çallmat e tyre dhe me mjekrrat e thinjura, le t’i luten Allahut!.. Për çfarë?! Që avionët e Rusisë e të SHBA-së të vrasin edhe më shumë fëmijë, të lindur „kriminalisht“ nga prindër myslimanë?! (Ky është rezultati i lutjevet që hoxhët ia drejtojnë Allahut!) Dervishët, edhe ata me taçat e tyre të gjelbër, le të predikojnë një Allah „pak ndryshe“! Rabinët le t’i gëzohen ambasadës së SHBA-së në Jeruzalem, duke përjetuar me entuziazëm vrasjen e mbi 60 njerëzve me këtë rast „inaugurimi“ të asaj ambasade!

Kultivuesit dhe trafikuesit e drogës le të bëjnë punët e tyre, por ata të mos shtohen përmbi kufirin e lejuar nga kryepërfituesit! Droga le t’i trullosë deri në vetasgjësim miliona gjallesa që quhen njerëz, vetëm e vetëm që të pasurohen pushtetmbajtësit dhe… pushtetmbështetësit e pushtetmbajtësvet!
Prodhimin dhe tregtimin e armëvet le ta kenë në dorë sunduesit e botës! Edhe naftën le ta kenë ata në dorë! Edhe grurin! Edhe internetin dhe krejt mekanizmin modern të ndërlidhjes, mbushur me zëra sorrash! Deri edhe prodhimi i qepëvet dhe i lakravet duhet të dirigjohet nga „konkurenca e lirë“, që do të thotë: Nga vullneti i më të fortëvet, që njëkohësisht janë edhe më të pamoralshmit!
Në këtë qiell, siç thashë, le të valëvitet, s’ka gjë se valëvitet, madje na bën mirë flamuri shumëngjyrësh i LGBTI-vet. Atyre mund t’u bashkohet edhe shoqata e kancerozëvet (Sepse sëmundje është edhe kanceri, siç është sëmundje prirja për të bë „seks“ burri me burrë!). Edhe shoqata e të sëmurëvet nga tuberkulozi mund t’u bashkohet dy të paravet, por vetëm me një kusht: Që të kërkojnë të shtohet numri i tyre! Pa le, ata që vuajnë nga sida, sifilizi apo nga sëmundje të tjera veneriane! Ata janë krejt të natyrshëm nën flamurin e LGBTI-së, me thirrjen: Sot njëqind, nesër një mijë, pas një viti njëqind mijë! Edhe prostitutët dhe prostitutat, bashkë me parlamentarët, janë të mirëpritur nën hijen e atij ylberi thelbësisht demokracipërhapës!
Vetëm flamuri i asaj që dikur quhej klasë punëtore, ai i dikurshmi me drapër e çekan, të mos shihet gjëkundi! Vetëm ata që i ka lënë ky qiell sorrash pa bukë, punëtorët që sot gëzojnë „të drejtat“ e… „pushimit“ jo vetëm dy ditë në javë, por, po të duan, edhe gjithë jetën, vetëm ata të mos parakalojnë! Atyre që dikur quheshin proletarë e që sot u është harruar emri, të mos u dëgjohet zëri askund! Në formën e dikurshme jo e jo, por as në ndonjë formë tjetër! Në qoftë se guxon ndonjë grupim punëtorësh të dalë me flamurin e vet në ndodnjë shesh apo rrugë, atij i duhen vënë në krye urgjentisht disa sindikalistë sahanlëpirës (Të paguar prej punëtorësh pikërisht me qëllim për të mos i mbrojtur të drejtat e punëtorëvet!) Ndërsa në prapavijë, nidis rreshtavet të punëtorëvet protestues, duhen infiltruar sa më shumë huliganë që përmbysin e djegin makina dhe që thyejnë xhama vitrinash, në mënyrë që „demokratikisht“ t’i thuhet botës: Ja kush janë këta që demonstrojnë!
Fshatarët e kanë fituar „të drejtën“ për t’i braktisur tokat dhe për t’u grumbulluar nëpër qytete. Ku ka më mirë për një fshatar, se të ketë „të drejtë“ për të mos pasur tokë!? …Përndryshe, kujt do t’ia shesin tregtarët: zarzavatet, mishin dhe qumështin, industrialisht të prodhuar (Të fryrë dhe të tejfryrë me kimikate dhe …të bukurpaketuar!), kujt do t’ia shesin pesë ose dhjetë herë mbi koston e prodhimit, kujt do t’ia shesin, pra, nëse nuk do të grumbullohen kaq shumë fshatarë nëpër qytete?! Fshatarë të shndërruar sakaq në ish-fshatarë, që s’dinë nga t’ia mbajnë, sepse në fshat nuk mund të kthen më, ndërsa në qytet s’janë veçse „shoqëri moderne e konsumit“, me të gjitha përzierjet brenda!
Gratë e të gjithë botës, nënat, vajzat (Që me shumicë po mbeten pa u martuar!), miliona bashëshortet që s’dinë ç’t’u japin fëmijëvet, në mëngjes, drekë e darkë: përralla interneti mbushur me përbindësha, apo bukë e djathë e mish pule, „gjenetikisht të modofikuar“, ato, pra gratë, të mos dalin dot nëpër rrugë me flamurin e tyre të mirëfilltë, sepse i „kanë“ tashmë të gjitha “të drejtat“, deri edhe „të drejtën“ për t’u braktisur nga burri kur t’i dojë qejfi atij, „të drejtën“ për të dalë para kameravet krejt lakuriq, me dy centimetra brekë, apo gjysmëlakuriq, me kofshë përjashta e me gjinj të zbuluar, „të drejtën“, në ekstremin tjetër, për ta mbuluar krejt trupin dhe krejt fytyrën, në mënyrë që as i vëllai të mos e njohë të motrën pa iu afruar fare afër!
Qielli i sotëm mediatik i mbushur me zëra sorrash e korbash krijon klimë për sa më shumë divorce, sepse, sa më pak familje të rregullta të ketë, aq më shumë ka edhe frekuentues të kazinovet, kumarxhinj, bastexhinj e drogëpërdorues të të gjitha shkallëvet.
Divorcet nga një anë, prodhimi „industrial“ i analfabetëvet „me diploma“, nga ana tjetër, i kanë mbushur qytetet e sotëm me turma njerëzish, të cilavet praktikisht s’u jepet mundësia të mendojnë se ka në këtë planet edhe miza që prodhojnë mjaltë. (Thuhet madje që këtij insekti të fismë dalëngadalë po i vjen fundi. Dhe, kur t’i vijë fundi këtij insekti, të krijuar vetëm për të bërë mirë, po thuhet, bashkë me të do të zhduket edhe njeriu, i krijuar, edhe për keq, edhe për mirë.)
Flamujt e kombevet mund të valëviten dhe le të valëviten nëpër stadiume, atje ku ndeshen njëri me tjetrin gladiatorë të mirëpaguar dhe ku tifozët shajnë njëti-tjetrin dhe shpesh rrihen njëri me tjetrin deri në përgjakje! Ndërsa në vende të tjerë le të valëviten sa më shumë flamujt e partivet, të cilët t‘i detyrojnë, sidomos kombet e vegjël, të vijnë vërdallë si kuajt në lëmë! …Kush tha që nuk lejohen flamujt e kombevet?! Lejohen, jo vetëm të valëviten, por edhe të shkelen, të grisen e të digjen, nëpër sheshe e në rrugë, ashtu si dhe në shkallë stadiumesh! Vetëm LIRIA KOMBËTARE, ajo e mirëfillta, nuk u lejohet kombevet! As baskëvet, as kurdëvet, as shqiptarëvet, as veriirlandezëvet, as katalonjasvet dhe as dhjetëra kombevet të tjerë anembanë planetit tonë! Madje edhe atyre kombeve që i kanë shtetet e vet, u pikohet LIRIA me pikatore, aq sa të jetë i një mendjeje „Këshilli i Sigurimit“, i cili, në të vërtetë, nuk po siguron dot as lirinë e vetëvetes, le më t’u dalë zot kombevet të tjerë, flamujgrisur, me ekonomi të bërë çorap, me kulturë të shapravitur dhe me legjislacion shtremba-shtremba e mballomë pas mballome! Kudo ku është e mundur, kombet le të grinden dhe le të grihen njëri me tjetrin! Turqit me armenët, izraelitët me palestinezët e me libanezët, irakenët me iranianët, turqit me kurdët!.. Atje ku kombet nuk vriten njëri me tjetrin, le të ndizen zjarret brenda tyre: shiitë me synitë (Irak etj), ortodoksë me myslimanë (Bosnjë), myslimanë me katolikë (Siri e Liban) protestantë me katolikë (Irlandë). Atje ku kombet arrijnë të kenë një prijës, ai le të sulmohet dhe akuzohet, deri sa vetë populli i tij ta shkelë me këmbë! (Kujto Sadam Hysenin, Muamer Kadafin, po edhe të tjerë që unë tani nuk po dua t’i përmend.) “Këshilli i Sigurimit” është aty për të garantuar PASIGURINË në çdo cep të Botës dhe në të gjithë aspektet e mundshëm!
…Ja, këto gjëra po më shkonin nëpër mendje këto ditë që e publikova shkrimin tim me titull „Botës i duhen prijës. Po ku t’i gjejë?!“ dhe me nëntitull „Një zë blete me rastin e 1 Majit“.
Në botën e gjallesavet, në kuptimin zoologjik, nuk është e mundur që sorrat të kthehen në bletë zëëmbla e mjaltëprodhuese, por në shoqërinë njerëzore kategoria e „bletëvet“, sado e rrëzikuar qoftë, nuk duhet asnjëherë të pushojë së përpjekuri për t’i kthyer edhe „sorrat“ në rrugën e duhur, pra, në rrugë „bletësh“. Edhe vetë njerëzit, kur ta kuptojnë se zëri i tyre është një krakaritje sorre, mirë është të marrin shembull prej bletëvet: Ta harmonizojnë zërin me atë të bletëvet dhe ta përdorin thumbin për mirë, qoftë edhe duke dhënë jetën, siç ndodh me bletën!
Dhe DUHET TË VIJË NJË KOHË kur njerëzit e mirë, njerëzit mendërisht të kthjellët, njerëzit me shkolla të larta, sidomos ata që e kanë një diplomë por s’kanë punë, gratë e poshtëruara, gratë, të cilavet shoqëria-përbindësh fytyrëlustruar, ua ka nxirë jetën, punëtorët që janë lënë pa punë dhe pa mundësi për t’u punësuar, miliona ish-fshatarë që kanë kërkuar parajsën e kanë gjetur purgatorin nëpër lagjet e qytetevet, qindra milionë të rinj, të cilëvet u është ofruar shkollë, bile janë çuar me detyrim në shkollë, por që praktikisht janë lënë pa dituri, pothuaj analfabetë, mbas gjithë atyre viteve të djegur kot, duhet TË VIJË PRA NJË KOHË që, që të gjithë këta, të kërkojnë një EPOKË TË KTHJELLIMIT MENDOR DHE MORAL TË NJERIUT.
Në këtë gjendje, në këtë prag katastrofe gjithnjerëzore, njerëzit e ditur dhe të përkushtuar, duhet t’i gjejnë, edhe ARSYET pse duhet çelur një EPOKË E KTHJELLIMIT MENDOR DHE MORAL TË NJERIUT, edhe RRUGËT si duhet mbërritur te ajo EPOKË E KTHJELLIMIT MENDOR E MORAL TË NJERIUT.
Miku im shumë i kthjellët, Sheradin Berisha, para pak ditësh publikoi një thënie, të cilën do të duhej ta shkruanim me shkronja të mëdha në fasadat e pallatevet: „ÇFARË DEMOKRACIE ËSHTË KJO, KUR 3%‘SHI I OLIGARKËVET E SUNDON 97%‘SHIN, QË JETON ME PAGA MINIMALE DHE NË VARFËRI TË SKAJSHME?!“ Ky, pra, duhet të jetë një ndër gurthemelet e ARSYES, pse duhet kërkuar një EPOKË E KTHJELLIMIT MENDOR E MORAL TË NJERIUT!
Ndërsa RRUGËT për të mbërritur deri te ajo EPOKË E KTHJELLIMIT MENDOR E MORAL TË NJERIUT, sigurisht që nuk do të jenë, as ajo e luditëvet anglezë makinashkatërrues, as ajo e barrikadavet të Komunës së Parisit të vitit 1871 dhe as ajo e Revolucionit të Tetorit të 1917-s, sado që prej të gjithavet, deri edhe prej Kryengritjes së Spartakut, njerëzimi duhet të vjelë përvojë, ashtu siç duhet të vjelë përvojë edhe prej Budës, Konfucit, Jezusit dhe Muhamedit.
Kohët kanë ndryshuar dhe mënyrat për ta nxjerrë njerëzimin nga kolapsi detyrimisht duhet të ndryshojnë. Të demonstruarit nëpër sheshe e rrugë nuk duhet të jetë më „e vetmja mënyrë“ „sensibilizuese“. Përkundrazi, në sheshe e në rrugë duhet të dilet vetëm atëherë kur organizuesit të jenë në gjendje t’i udhëheqin njëqind mijë njerëz pa thyer asnjë xham dhe pa përmbysur asnjë makinë. Në sheshe e në rrugë duhet të dilet vetëm atëherë kur organizuesit do të jenë në gjendje t’i udhëheqin një milion njerëz pa e thyer asnjë vitrinë, pa përmbysur asnjë makinë dhe pa djegur asnjë gomë makine.
Mënyrat për të arritur deri te ajo EPOKË E KTHJELLIMIT MENDOR E MORAL TË NJERIUT duhet të studiohen me akribinë më shkencore të mundshme dhe vetëm si të tilla duhet të vihen në zbatim, në mënyrë që oligarkia të mos mund më, as ta sundojë njerëzimin dhe as ta çojë atë, siç po e çon, drejt një lufte totalisht asgjësuese.
Por, para se të shpasurohet oligarkia, është më imediate se kurrë që të SHUHET, duke e mundur me zëra njerëzorë, gjithë kjo zhurmëri shurdhuese njerëzimtrullosëse!
Me shprehjen „të shpasurohet“ duhet të kuptojmë zbritjen e së quajturës oligarki ose plutokraci në një nivel të arsyeshëm human, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në aspektin politik. Ky do të jetë F I L L I M I, duke marrë shembull nga Librat e Shenjtë: “Në fillim ishte fjala”.
Gjokë Dabaj, Durrës 15-16 maj 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura