GJOKË DABAJ: TURPI ËSHTË I EUROPERENDIMORËVET

Durrës, 26. 10. 2013 – Po bëhet shumë zhurmë këto ditë lidhur me ca deklarata të Z.T.Erdohan, të Z.E.Rama, të Z.H.Thaçi etj. Sigurisht që secili prej tyre ka përgjegjësi për atë çfarë thotë dhe si e thotë. Psh ZotinT.Erdohan, në mes të krejt atyre çfarë tha, vetëm një fjali do ta bënte njeriun më të dashur të të gjithë shqiptarëvet, të atyre që kanë vdekur, të atyre që janë gjallë dhe të atyre që do të lindin. Fjalia do të ish kjo: “Sapo të kthehem në Ankara do të jap urdhër që të hapen 1000 shkolla në gjuhën shqipe në shtetin ku unë jam kryeministër.” Kjo do të ishte fjalia e shekullit në krejt politikën kontemporane përparimtare turke. Kjo do të ishte fjalia e jetës e këtij politikani të Republikës Turke, e mjaftueshme për ta vënë atë në radhën e udhëheqësvet më të mëdhenj të atij vendi.
Por ai nuk foli ashtu. Ndërkaq, unë po dua ta kthej vëmendjen në një krah tjetër: JANË TRADICIONALISHT TË VERBËR EUROPERENDIMORËT, prandaj dhe shqiptarët, grekët, sërbët, turqit, janë në hall. Shqiptarët janë hall, sepse europerendimorët i shikojnë këta, jo me sy të kthjellët, por me sy të qorrollisur, të verbuar. Grekët janë në hall, sepse europerendimorët nuk u thonë: “Hiqni, more, dorë nga dënglat tuaja në lidhje me Vorio-Epirin! Apo, edhe Notio-Epirin!” Sërbët janë në hall, sepse europerendimorët nuk u thonë prerë dhe qartë: “Hiqni, more, dorë nga përrallat tuaja të Gazimestanit dhe hiqni nga Kosova tentakulat pravosllave!” Turqit janë në hall, sepse europerendimorët nuk u thonë: “Nuk është rruga juaj për ta bërë Shqipërinë Turqi. Rruga juaj është, ta bëni Turqinë Evropë, në mënyrën që ju kanë treguar: Shemshedin Samiu, Hoxhë Hasan Tahsini dhe Gazi Mustafa Qemal Ataturku. Që të gjithë shqiptarë!”

 Tek po përdorja epitetin TË VERBËR, më pat mbërthyer ndiesia e çuditshme e pamjaftueshmërisë. Në të gjitha kohët, të këtillë janë treguar europerendimorët ndaj shqiptarëvet e ndaj Shqipërisë. Jo vetëm për ne, por edhe për vete, për interesin e vetë atyre, europerendimorët janë treguar të verbër ndaj nesh e, rrjedhimisht, ndaj krejt Ballkanit. Se ç’dreqin kanë pasur me ne, një Zot e di!
Në vitin 1913 i sakatuan, këtë vend dhe shtetin tonë të sapoproklamuar, duke ua lënë copat më të mëdha shtetevet fqinjë. Në vitin 1915, iu duk se na kishin dhënë shumë dhe bënë një traktat të fshehtë, për të na e copëtuar edhe këtë pak shtet që na e patën njohur jo plot 2 vjet më parë. (Të njëjtën gjë po duan të bëjnë tash edhe me Kosovën: Po u duket se i kanë dhënë tepër!) Në vitet 1919-1920 prapë po këta europerendimorë ishin të pavendosur: Të ketë apo të mos ketë shtet shqiptar!? Të mos ish bërë ai Kongres i Lushnjës, kushedi ç’fat i zi do ta shoqëronte kombin tonë në vitet e mëkëndejmë!
Në të gjitha kohët! Edhe në kohën e Enverit, europerendimorët, nga njëra anë akuzonin Enverin si bashkëpunëtor me jugosllavët, nga ana tjetër, bashkëpunonin vetë me jugosllavët në mënyrën më “konstruktive” të mundshme kundër Enver Hoxhës.
Në vitet e shpartallimit të Jugosllavisë, atëherë kur Jugosllavia nuk u duhej më europerendimorëvet, Sllovenisë ia njohën për 3 ditë pavarësinë, Kroacinë poashtu e njohën, Malin e Zi e shkëputën me marifet prej Sërbisë, Kosovës nuk deshën kurrsesi t’ia njohin pavarësinë. E lejuan Sërbinë të nxjerrë kushtetuta e stërkushtetuta, e lajuan ta shpallë Kosovën “pjesë të pandarë të Sërbisë”. Më thoni qoftë edhe 1 deklaratë të qoftë edhe 1 qeverie europerendimore, e cila t’i ketë thënë Sërbisë në ata vite: “Mos nxir të tilla kushtetuta!”
Më në fund, po na mjaftojnë vetëm 3 javë, për të parë përsëri lojëra nga më të bezdisshmet. Të shqetësuar, si duket, në lidhje me lëvizjet diplomatike që po bën një qeveri e re këtu në Republikën e Shqipërisë, europerendimorët po duan të na e tatojnë pulsing dhe këtë po e bëjnë me një lloj nervozizmi. Vjen Z.Evangelos Venizellos në Tiranë dhe thotë: “Ne nuk e njohim problemin çam.” S’ka turp burri, me 9 kilogramë kokë mbi supe, të shtiret sikur nuk di ç’ka bërë gjyshi i tij, Elefterios Venizellosi, në Çamëri! Kërkon edhe disa mijëra milje katrorë det, dhe, përveç detit, thelë mbi bisht, kërkon (për grekët, jo për ne), 6000m katrorë truall kishe në Përmet! Kërkon edhe më shumë, por e lë për ta thënë herë tjetër.
Ç’të bëjë qeveria e re e Republikës së Shqipërisë në një ditë të tillë?! Ajo është e detyruar t’i thotë Grekut: “Di ti, por di edhe unë.”
Vjen sakaq partneri ynë “strategjik” Z.T.Erdohan dhe, fjala e tij më kryesore është, t’u tregojë, edhe Grekut, edhe Sërbit, se “Shqipëria e Kosova janë Turqi”. Nga një anë, mirë e ka, se, përderisa Sërbia guxon të thërrasë, mu në sy të europerendimorëvet se “Kosova është Sërbi”, dhe përderisa Greqia guxon të thërrasë, mu në sy të europerendimorëvet se “Shqipëria e Jugut është Greqi”, përse të mos thotë edhe Turku që “edhe Shqipëria, edhe Kosova janë Turqi”?!
T’ia kishin njohur europerendimorët autonominë apo pavarësinë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dmth Shqipërisë, më 1878, a do t’i binte ndër mend sot turkut të thoshte që Shqipëria është Turqi? Të mos ia kishin dhënë europerendimorët Kosovën Sërbisë më 1913, a do t’i shkonte në mend sot z.I.Daciq të thotë: “Kosova është Sërbi”?! Të mos ia kishin dhënë europerendimorët Çamërinë Greqisë më 1913-n, a do të thoshte sot Greku që Vorio-Epiri është Greqi?!
Vjen turku në Prizren dhe thotë kështu. Por, ke parë ti çudi që vjen edhe hollandezi në Tiranë, në të njëjtën ditë, për të na “lajmëruar” që Hollanda, dmth Evropa, s’është ende gati për të na pranuar në Evropë.
Bullgarinë e kanë pranuar për 3 ditë në Bashkimin Evropian.
Rumaninë e kanë pranuar për 3 ditë. I ndjeri N.Çaushesku s’ka qenë më pak komunist se i ndjeri Enver Hoxha. Por, ndërsa me N.Çaushskun Franca lidhte miqësi të forta, Enverit ia ekzekutonin, ia vdisnin, Hysniun mu në Francë. Lexoni shtypin dhe shihni si sillej Franca me komunistin N.Çaushesku, në po atë kohë kur komunistit Hysni Kapo i “pastronin” barkun nga “metastazat” mu në Paris!
Tash, Rumania e ka mbushur Francën me magjypë dhe prapë, po ajo Rumani është “më e mire” se Shqipëria. Pse është Rumania “më e mirë” se Shqipëria?! A sepse Rumania në Mesjetë i ka dhënë Evropës një Drakul, ndërsa Arbëria (Shqipëria e sotme) i ka dhënë Evropës, edhe Botës, një Gjergj Kastriot Skënderbe?!
Gjergj Kastrioti Skënderbeu është përfaqësuesi më madhështor i Renesansës Evropiane në “llojin” diplomatik, politik dhe strategjiko-ushtarak. Krejt Arbëria e shekullit XV është një avanpost, sa tragjik, aq edhe i madhërishëm i Rilindjes Evropiane: Një varg i gjatë gjeneralësh kanë dhënë jetët e tyre të reja në mbrojtje të Humanizmit Evropian! Një varg dijetarësh, një Marin Barlet, më i madhi përfaqësues i Rilindjes Evropiane në “llojin” e historishkruesvet. (Shih sa herë është botuar nëpër Evropë vepra e tij!) Një Leonik Tomeo, një Aleks Artiot, një Aleks Durrësak. O zot, sa shumë ka! Por europerendimorëvet prapë nuk u mjaftojnë të gjitha këto merita të arbro-shqiptarëvet. Europerendimorët prapë vazhdojnë t’i yshtin Shqipërinë dhe shqiptarët.
Sigurisht, ne s’kemi asgjë kundër Rumanisë. Populli rumun është, bashkë me ne, etnia më e vjetër i këtyre hapësirave. Meritojmë respekt që të 2. Por na vjen inat, pse europerendimorët, duke qenë miopë në bërje të historisë, na trajtojnë ne shqiptarët jo si nënë, por si njerkë.
Ç’të bëjë tani kjo Shqipëri e ndarë në 6 shtete, përballë një Evrope kaq të vështirë?! Sado të kthjellët të jemi ne, sado diplomatë të jemi, sado elastikë të jemi, ndaj një të këtillë politike europerendimore kaq të padrejtë ndaj nesh, ne s’na mbetet tjetër, veçse të bëjmë ç’të bëjmë PËR VETE. Të mbledhim mendjen e të punojmë PËR VETE!
Z.T.Erdohan nuk tha asgjë më tepër se ç’kanë thënë me mijëra herë grekët edhe sërbët për ne. Vetëm një fjali më tepër do t’i kërkonim të na e kish thënë atë ditë në Prizren. Po e përsëris edhe njëherë: “Sapo të kthehem në Ankara, do të jap urdhër që të hapen 1000 shkolla në gjuhën shqipe në shtetin ku unë jam kryeministër.” Këtë premtim duhej të na e bënte Erdohani dhe ne do t’i mbeteshim atij mirënjohës në jetë të jetëvet.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura