HALIL HAXHOSAJ: MALLI, KUPTIMI DHE DASHURIA NË VARGJE POETIKE

Prishtinë, 21. 10. 2014: (Mazllum Saneja: “Letra Evës”, poezi, botoi “Saga”, Prishtinë, 2014.) – Problemet e jetës, lakesat nëpër rrugët e saj, pengesat, turbullirat, por edhe dashuria, gëzimet e hareja janë shpesh burime të pashtershme për penën e poetit, brushën e piktorit, krijimtarinë artistike edhe të kompozitorit dhe jehonën e këndshme të zërit të këngëtarit. Mbi të gjitha këto tronditje, pse jo edhe kënaqësi, burojnë dhe derdhen pastaj me frymëzimin nëpër figura vargjesh imazhe që nguliten në memorien e lexuesit. Kjo ndodh zakonisht me ata poetë që në një formë ose tjetër, i spërkatin vargjet e tyre me lëngun autobiografik që rrjedh nga damarët e dheut të atdheut atëherë kur shtohet më së shumti malli për dhe e atdhe nga mërgimi dhe jeta mërgimtare.
Në mesin e këtyre poetëve, me bagazhin e jehonën e kësaj që u tha më lartë, është edhe poeti, eseisti, kritiku e posaçërisht përkthyesi, Mazllum Saneja, i cili më tepër se gjysmën e jetës së tij e kaloi në mërgim, në diasporën bashkëkohore, në Poloninë e largët. Dhe këtë atmosferë, poeti e krijuesi Saneja e skalit artistikisht në vargjet e veta poetike të botuara edhe deri tash, por posaçërisht këto tashmë frymojnë më bindshëm, më dendur, më latueshëm dhe më tingëllueshëm artistikisht në veprën poetike “Letra Evës”, që është përkushtuese për miken e tij Eva Shmitanska, që dëshmohet edhe me moton e shënuar në fillim të veprës:
“Mikes sime,
Eva Shmitanska,
Autori”


Mazllum Saneja

Nga përkushtimi shtrihet edhe strukturimi i veprës që shtjellohet në volumin prej më se 79 faqesh. Forma e këtij strukturimi ka diçka të posaçme dhe të veçantë, sepse autori e bën në formë poeme bashkëkohore e moderne, që shfaq risitë e veta në poetikën e tij. Dhe shikuar në shtresimet që përshkojnë tërësinë e veprës, vërehen qëllimet, synimet e pse jo edhe ambiciet e rangut poetik. Figura e Evës është qendra e botës frymëzuese për vargëzime poetike në këtë vepër. Nga kjo figurë burojnë të gjitha anët e tjera, që krijuesin e ngacmojnë, e frymëzojnë, e grishin, e përmallojnë, por edhe e mallkojnë, e rikujtojnë dhe veçanërisht e shtyjnë edhe të dashurojë.
Andaj, figura e Evës ka elemente mistike e mitologjike dhe sidomos biblike, sepse kjo është nëna e gjithë njerëzimit, gruaja e parë e Adamit e të tjera. Nëpër këto shkallë të piramidës frymëzuese, poeti Mazllum Saneja, i shkruan letra Evës së dashur, e cila artistikisht është strumbullari që pranon, dëgjon, ndjen dhe shpërfaq gjithçka nga vargëzimet e Sanejës. Letrat që mund të quhen lirika intime poetike si hallka të poemës moderne dhe specifike, rrjedhin nëpër të gjitha poret e jetës. Ndaj:
Të shkruaj Ty
nga larg
nga thellësia
e viteve të mia
shkruan poeti në fillim të poemës së tij “Letra Evës”, që mund të jetë prolog poetik i këtij krijimi, i kësaj vepre, e pse jo edhe i kësaj poeme moderne dhe specifike e dalluese. Nëpër të gjitha poret e jetës rrjedhin gurrat e ndjenjave, që nuk zhbëhen e as nuk treten asnjëherë.
Vargu “Të shkruaj Ty” është varg fillestar, por edhe prijatar i të gjithë përbërëseve të letrave poetike veç e veç që formojnë strumbullarin e poemës. Ky varg nismëtar frymon me të gjitha anët intime, dehëse, por edhe të tjera të strukturimit sublim të vargëzimit, i cili ka një formë adekuate të ngjizur me specifikën e figurës, metaforës, të gjuhës artistike dhe asaj letrare. Nëpër këto pore intimiteti figurativ mbarështohen peizazhe poetike të veshura me lëng autobiografik nga fëmijëria, rinia, burrërimi, e pse jo edhe në kohëra të tjera. Nyja lidhëse e këtij shtresimi dallohet në këto vargje:
Të shkruaj Ty
se herët braktisa
vendlindjen
dhe askurrë
nuk e harrova

të cilat janë dëshmi e një realiteti të hidhur bashkëkohor, të cilin poeti Mazllum Saneja e skalit bukur artistikisht, sepse e ndjen në kurrizin e tij. Kështu, mërgimi është hallka që e ngjesh krijuesin, andaj ai i rrëfen për të gjitha hallet e mërgimtarit Evës së poezisë, Evës së lirikës, Evës së frymëzimit.

Gjakovë, 20. 10. 2014: Gjatë promovimit të librit “Letra Evës” të eseistit dhe përkthyesit të njohur Mazllum Saneja.

Eva i di, por i mëson të gjitha intimitetet e jetës së rrëfimtarit lirik. Ai i shkruan për ndjenjën kombëtare dhe lashtësinë shqiptare, për Arbërinë, Horën e Arbëreshëve, Gjakun e Shprishur, për Motin e Madh, Çabratin, Pashtrikun, Drinin e Bardhë, Erenikun. I shkruan letër edhe i rrëfen poetikisht edhe për prindërit, vëllain e motrën Shuhreten, shokët e fëmijërisë, për shokun besnik Stefan Melakun, pastaj për poetët Jeseninin, Migjenin, Lorkën e të tjerë. Dhe në këto letra intime të poetikës lirike burojnë ndjenja që skalitin figurën e Evës si shpëtimtare të këtyre rrëfimeve artistike. Të gjitha këto marrin ngjyra të tjera, sepse tash kuptohet më lehtë misteri i poezisë, duke i ndirë aromat e jaseminit, trëndafilit, lulegojës, livadheve, shijimet e frutave e pemëve: rrushit e manaferrës, kulumbries, mollës, kumbullës e të tjerave. Eva për poetin është “Këngë mbi Këngët”, burim drite dhe bukuri si Jerusalemi. Ajo është gjithçka, ajo është madje edhe engjëll.
Vepra poetike “Letra Evës” e Mazllum Sanejës, shënon edhe datën e vendin e shkrimit që është: Varshavë, fundi i prillit 2014. Kjo dëshmi shpreh synimet, pse jo edhe semantikën e vargëzimit përkushtues artistik dhe shtrirjen në nivelin e duhur të vargëzimit. Edhe figuracioni i përdorur në këtë vargëzim është i qëlluar dhe suksesshëm inkuadrohet në sistemin e shprehjes lirike, që dominon në këtë poezi. Kështu figura e metaforës, simbolit, por edhe krahasimi, anafora, retiçenca, madje asonancat dhe përsëritja, që do ta quaja prirja e vargut “Të shkruaj Ty” janë niveli artistik me domethënie në këtë vepër.
Kjo vepër e këtij poeti e botuar shpreh edhe një shtresim që është vargëzim poetik i autorit Mazllum Saneja, andaj nuk është gabim nëse thuhet se me këto vargje e dëshmoi mendimin se ky është varg i poetikës së këtij poeti.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura