REAGIM NDAJ LIBRIT “SHTEGTARI I LIRISË – NESIMI ELSHANI” ME AUTOR QEMAJL KRASNIQI

REAGIM NDAJ LIBRIT “SHTEGTARI I LIRISË – NESIMI ELSHANI” ME AUTOR QEMAJL KRASNIQI

Shkruan: Maxhun Zeka, 11. 11. 2022

Libri i Qemajl Krasniqit, ishte në dorëshkrim në vitin 2019, ndërsa u botua në vitin 2020 dhe u ribotua në vitin 2021  

Më 25 mars 2021 u bënë plot 40 vite, që kur plasi demonstrata me kërkesa politike në Prizren, në përkrahje të Demonstratës studentore të 11 marsit 1981 në Prishtinë. Në Demonstratën e Prizrenit që u organizua më 25 mars 1981 u shpalos për herë të parë edhe kërkesa kryesore politike KOSOVA REPUBLIKË, e cila vazhdoi të kërkohet pa u ndalur, nëpër të gjitha qytetet e Kosovës dhe në tërë Europën dhe në SHBA.

I uroj të gjithë studentët dhe pjesën tjetër të popullatës shqiptare, që ishin pjesëmarrës në këtë demonstratë, që ia rritën madhështinë asaj. Urime të veçanta do t‘u bëja organizatorëve që i prinë kësaj demonstrate, ku edhe u dënuan me shumë vite burg të rëndë:

1. Begzad Gashi, 8 vite,

2. Fatmir Zekolli, 7 vite,

3. Nexhmije Demiri, 6 vite,

4. Ymer Bala, 6 vite dhe

5. Halim Buqaj, 6 vite.

Këta e mbajtën burgun me dinjitet dhe të vendosur, sepse kërkesa e tyre ishte e drejtë.

Me këtë përshëndetje, që i bëjë me rastin e 40-vjetorit të demonstratës së Prizrenit, e cila u mbajt më 25 Mars të vitit 1981. Dua që t‘i  përkujtoj opinjonit se autori i librit për Nesemi Elshanin, Qemal Krasniqi, qëndron në atë se në librin e tij të ribotuar në shkurt të vitit 2021, se gjoja  „demonstrata ka ndodhur më 28 Mars të vitit 1981, me organizator Shefqet Gashin“, për të cilin e di mirë se s‘ka marrë pjesë fare në atë demonstratë dhe se nuk është dënuar as një gjysëm dite burg, për këtë demonstratë.

I kam bërë me dije autorit të librit, Qemajl Krasniqit, „Shtegtari i lirisë – Nesimi Elshani“, që nga viti 2019 (kur ai ma ka dhënë librin në dorëshkrim), sëpaku 30 herë që datën e ka të gabuar, dhe se Shefqeti, fare s‘ka lidhje me organizimin e demonstratës së Prizrenit! Siç ka shkruar në faqën 67 të librit, ku e ka gabuar edhe datën e demonstratës që ka ndodhur më 25 Mars (ai e ka shkruar: më 28 Mars) dhe se atë ditë as unë dhe as Shefqeti nuk kemi marrë pjesë në këtë  demonstratë, sepse unë e Shefqeti ishim pothuaj se të pandarë dhe se në atë ditë kur ndodhi demonstrata, më 25 Mars 1981, ditë e mërkurë, ne ishim në Rahovec, pa e lëvizur këmbën në drejtim të Prizrenit.

Pra, i bëj thirrje publike Qemajl Krasniqit, që pa lejën time tashmë për të tretën herë ka keqpërdorur fotografinë time dhe të heroit të kombit, Nesimi Elshani (ku në foto fq. 67, Shefqeti është në mes meje dhe Nesemiut) për ta ndryshuar (falsifikuar) këtë datë historike, si në fq. 67, por edhe rrëfimet tjera, në faqe 68, janë trillime të Shefqetit, ku rrëfen kinse e kanë ballafaquar me Begzadin në zyret e sigurimit të shtetit në Prizren. Që rrëfen se gjoja e paska parë Begzadin të torturuar dhe të përgjakur, ku Begzadi thotë se në këtë gjendje i torturuar kam qenë prej 25 marsit deri më 1 dhe 2 prill (1981), kurse Shefqeti është burgosur 35 ditë pas meje, që do të thotë më 30 prill me atë grupin e gjimnazit të Rahovecit për tentim organizimi të demonstratës në Rahovec, ku janë dënuar nga 60 ditë burg, kundërvajtje, 7 persona dhe në këtë grup ka qenë edhe Shefqeti. Të gjithë janë liruar 10 ditë më herët, që do të thotë se i kanë mbajtur nga 50 ditë burg dhe se „s‘ka pasur shansë që unë të ballafaqohem me Shefqetin“, thotë Begzadi.

Trillimi i radhës i Shefqet Gashit, në faqen 69, është kur thotë se ka bërë betimin para Nesemiut bashkë me vëllaun Agimin 12 vjeçar, për t‘u pranuar në LPRK. Të gjitha këto janë rrëfime të pavërteta! Thjesht, trillime nga Shefqet Gashi, duke na injoruar neve dëshmitarëve të gjallë, dh duke na konsideruar që të gjithëve, sikur të mos jemi në jetë, duke filluar nga të gjithë 5 organizatorët e Demonstratës së Prizrenit (më 25 mars 1981) së bashku me mua.

Dua ta përmend se edhe Afrim Hoti, vëllai i Ukshin Hotit, gënjen marrëzisht, kur thotë se ka qenë në burgun e Prizrenit në një qeli me Nesemiun 6 muaj. Unë edhe Nesimiu kemi qenë në burgun e Prizrenit vetëm 5 muaj e 6 ditë, dmth prej 5 Tetorit 1981 (kur u burgosëm) e deri më 12 Mars 1982, që brenda kësaj kohe prej 5 muaj e 6 ditë, 3 muaj kemi qenë së bashku në dhomën numër 13 afër rrojtorës; unë, Nesemiu, Hysni Hoti, Sheradin Berisha, Izet Krasniqi etj.

Si është e mundur që Afrim Hoti të ketë qenë 6 muaj në një qeli me Nesimiun, kur Afrimin dhe Begzadin me një grup të burgosurish i kanë larguar nga burgu i Prizrenit më 12 Nëntor të vitit 1981, kurse ne jemi burgosur më 5 Tetor të vitit 1981? Si është e mundur që Afrimi të ketë qenë 6 muaj me një qeli me Nesimiun, kur e vërteta është se Afrimi me Nesimiun s‘ka qenë asnjë minutë bashkë në një qeli? Lexo trillimin në faqet 226, 227, 228! Edhe për këtë të pavërtetë i kam treguar autorit të librit, Qemajl Krasniqi, por ai ka vazhduar të bëhet i shurdhër dhe vazhdoi punën e tij me të pavërteta.

Pra, shihet haptas se Qemajl Krasniqi është i vendosur ta mbrojë të pavërtetën! Ndërsa, unë jam i vendosur ta themë të vërtetën.

Pra, ndjej përgjegjësi morale dhe obligim që t‘u bëj thirrje gjithë faktorëve, që bënë të mundur ribotimin e këtij libri, me kaq shumë shtrembërime të qëllimshme të datës historike dhe duke e vendosur organizatorë të paqenë të kësaj demonstrate, duke e keqpërdorur fotografinë e heroit të kombit Nesimi Elshanit dhe fotografinë time, emrin tim me të Begzad Gashit.

Pra shfrytzoj rastin t‘u bëj thirrje: redaktorit Merxhan Avdyli, recensentëve Sefer Pasha e Sali Bytyçi dhe të gjithë faktorëve relevantë si, shoqatës së ish-të burgosurve politikë në Prishtinë dhe Rahovec, që të dalin me një reagim në mbrojtje të dinjitetit të heroit të kombit Nesimi Elshani, i  cili njëkohësisht ishte edhe i burgosur politik, që të mbrohet diniteti im dhe i gjithë ish-të burgosurve politikë të Demonstratës së Prizrenit.

U bëj thirrje të gjitha institucioneve të komunës së Rahovecit, që të dalin në mbrojtje të fakteve historike, në qoftëse ka mbetur ndonjë historian i ndërgjegjshëm në komunën tonë, që në këtë rast janë shtrembëruar të vërtetat me qëllim, nga autori i këtij libri, bashkë me miqtë e tij!

U bëj thirrje edhe shokëve të idealit, ish-të burgosur politikë të komunës sonë, që këto fakte historike, janë shtrembëruar qëllimisht dhe, duhet të dalë në shesh e vërteta! U bëj thirrje miqve e shokëve të Nesimiut dhe sidomos vëllaut të tij, Agim Elshanit edhe djalit tij Nëntor Elshanit, që të mos heshtin ndaj autorit kur tash më e dinë se faktet po flasin vetë.

Thirrje të veçantë do t‘u bëja bashkëfshatarëve të fshatit Nagavc e, sidomos shokëve Nebih Elshani, Nasip Krasniqi dhe të gjithë bashkëfshatarëve të Nesemiut, që e duan emrin e Nesemiut dhe të vërtetën, që ta përdorin autoritetin e tyre në të gjitha format, që të dalin një herë e përgjithëmonë në dritë, faktet historike të shtrembëruara me qëllim nga Autori i librit, Qemajl Krasniqi, për interesa private dhe korruptive dhe, të vihet drejtësia në vend.

U bëj thirrje edhe shokëve të Qemajlit, si ish-luftëtarë të UÇK-së, që ta përdorin autoritetin e tyre, për vendosjen në vend të kësaj date historike dhe të hiqet mashtrimi i Shefqet Gashit, me të cilin është keqpërdorur pa lejen time, fotografia e Nesimiut dhe fotografia ime për shtrembërimin e fakteve, në fq. 67, të librit.

Unë M. Z. edhe B. G., nuk do të lëmë gurë pa lëvizur, derisa ta vëmë në vendin e vetë të vërtetën, që ka nevojë edhe nëpërmjet organeve gjyqësore! Ne nuk do të ndalemi, sepse në qoftë se ky ribotim i librit i ka 1000 ekzemplarë, le ta dijë autori se na ka fyer 1000 herë! Në qoftë se libri i tij i ka 3000 ekzemplarë, ne jemi të fyer  3 mijë herë!

Mbetem me shpresë, që organet relevante do të merren me këtë çështje, kur t’i kuptojnë këto gënjeshtra kaq të ndieshme. Në mënyrë që e vërteta të triumfojë dhe të shihen e të lexohen drejt, gjithë ato informata në lidhje me ngjarjen në fjalë dhe veprën e heroit kombëtar, Nesimi Elshanit, sepse e meriton.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura