ISUF BYTYQI: KOSOVA ËSHTË KOLONI E SERBISË NËN MBIKQYRJE TË BASHKIMIT EUROPIAN!

München, 18. 02. 2015 – (Ndërtimi dhe shthurja e shtetësisë së Kosovës) – Kosova, 500 vjet nën sundimin e egër të Perandorisë Osmane e, 100 të tjera nën pushtimin okupues e gjenocidial të Serbisë, tani e 15 vjet e lirë e pa policinë e ushtrinë raciste serbe e, 7 vjet shtet i pavarur, demokratik e „multietnik“, me përqindje më të vogël minoritetesh, ndoshta nga të gjitha shtetet e Europës Juglindore, që janë duke u bërë shumë eksperimente të papara mbi te! Që nga viti 1870, shteti serb rregullisht për çdo 30 vjet provoi pastrimin etnik të tokave dardane me të gjitha mjetet e të gjitha format që i kishte. I maltretoi shqiptarët, i vrau, i burgosi dhe i shpërnguli, duke u munduar që ta pastrojë tokën tonë nga populli shqiptar, i cili ishte dhe është autokton përherë në këto troje.
Shqiptarët bënë përpjekje të vazhdueshme për liri, por kot ishte. Ata, pra, ne u munduam edhe në vitin 1911, 1912, 1913, edhe në luftërat ballkanike, pra, në Luftën e Parë Botërore, edhe në Luftën e Dytë Botërore, por nuk arritën. Që në vitin 1968 ndodhi Demonstrata për liri e barazi me të gjithë popujt e ish-Jugoslavisë, që pas këtyre demonstratave mezi u lejua përdorimi i flamurit kombëtar, por me kufizime e përsekutime të vazhdueshme. Që në vitin 1970 u lejua hapja e Universitetit të Kosovë dhe dy vjet më vonë u lejua përdorimi i Gjuhës së njësuar Shqipe. Pas këtyre ngjarjeve, shqiptarët u shkolluan në masë shumë më të gjerë se më parë, që në vitin 1981 ndodhi demonstrata për Republikën e Kosovës, se shteti ish-Jugosllav, po ashtu sikur edhe ato të `68, burgosi, vrau dhe diferencoi shumë djem e vajza shqiptare, që në vend se të plotësoheshin kërkesat e studentëve, ndodhi e kundërta. Në vitin 1988-89, edhe ajo grimë kushtetutë konstituive, që e kishte Kosova, iu mor me ndihmën e tanksave serbosllave. Në fund shqiptarët u munduan pa luftë dhe në mënyrë paqësore t`i fitojnë të drejtat, që ideolog i kësaj moto ishte presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova. Me gjithë përpjekjet, të cilat i bëri Ibrahim Rugova, që të zgjidhet çështja e Kosovë në mënyrë paqësore, kjo ra në veshin e shurdhët europianë. Si pasojë e aparteidit që udhëhoqi regjimi serb kundër popullit shqiptar në Kosovë, ndodhi shpërngulje masive. Pas gjithë këtyre shpërnguljeve, populli zgjodhi më të mirën, nga dy të këqiat: jo robërinë, por luftën për liri. U themelua shtabi i UÇK-së dhe Fondi „Vendlindja thërret“. Lufta guerile filloi, në kushte tejet të pabarabarta me armikun. Euopianët e mbyllën njërin sy, ngjajshëm sikur me Bosnjen, ndërsa amerikanët e bënë të kundërtën, i hapën që te dy sytë dhe veshët. Ish-presidenti amerikan u zgjua plotësisht nga gjumi dhe pengoi gjenocidin në Kosovë, që të mos jetë i përmasave të Bosnjes. Mori vendim dhe ndërhyri, ndali masakrat dhe sulmoi ushtrinë e policinë serbe nga ajri. Dëme të mëdha u bënë në Kosovë, si në njerëz ashtu edhe në materiale, por mundësitë ishin për dëme të shumëfishta më të mëdha që të ndodhnin. Kosova u çlirua në vitin 1999 dhe „u pavarësua më 17. shkurt të vitit 2008“. Thonjëzat, nuk i vura rastësisht, por dua të tregoj se Kosova nuk është e Pavarur. Kosova është e lirë, por jo edhe e pavarur. Kosova është koloni e Serbisë nën Pretektoratin (mbikqyrjen) e Bashkimit Europian (EULEX), që më parë ishte nën atë Ndërkombëtarë (UNMIK). Shih bisedimet. Asgjë nuk ndodhë Kosovë pa e pyetur Brukselin. Asgjë nuk vendos Brukseli pa pyetur Beogradin. Dhe asgjë nuk vendoset ba ren në një mendim Brukseli e Beogradi e, politikanë tanë të Qeverise, deklarohen se ato bo ndodhin pas dialogut tre palësh që po ndodh: Prishtinë-Bruksel_Beograd. Vjen pyetja: Cili është kodi telefonisë së Kosovës? Çka u bë me Kartonin e Gjelbërt, për sigurimin e automjeteve? Çka u vendos për Trepën? Çka u bë me enklavat serbe nëpër Kosovë? Të gjitha këto janë probleme, të cilat nuk janë zgjidhur pa Beogradin dhe nuk janë duke u zgjidhur. Kot flet Albin Kurti me Vetëvendosjen se do ta kishin ndryshuar situatën. E gënjejnë popullin se asgjë nuk do të kenë mundësi të ndryshojnë, pa ndryshuar qëndrim BE dhe B. ndërkombetare. Kot e kanë. Genjejnë popullin e lodhur edhe ashtu nga varfëria, në mëyrë që t`i marrin edhe disa vota. Ka mundësi se në zgjedhjet e ardhshme ta fitojnë shumicën sikur në Greqi partia e majtë që fitoi, por nuk ma thotë mendja se do të ndryshojnë gjë, pa marrëveshjen e gjithë liderëve politië, që ta ndryshojnë.

-Në dasmën e të të varfërit vallëzojnë pa brekë të tjerët
Ndërkombëtarët neve na çliruan dhe për këtë ne jemi dhe do t`u jemi gjithmonë mirënjohës. Ata, pra, ndërkombëtarët na ndihmunat të çlirohemi dhe morën për detyrë që të na ndihmojnë për ndërtimin e shtetit. Edhe na ndihmuan, por që në mesin e tyre kishte të tillë që më tepër punonin për xhepat e tyre, sikur për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Vallëzimi pa brekushe, do të thotë se disa individë nga Misioni ndërkombëtar e ai Europian, jo që nuk u interesonte ndërtimi i shtetit të ri, pra, Kosvës, por u korruptuan në shkallë të lartë, që edhe vendorët i mësuan e iu imponuan edhe këtyre pak politikanëve me pak dije, që të vjedhin së bashku me ta. Kosova e djegur në luftën e fundit 80 për qind, e varfër dhe me rini më të shumtë në Europë, ra në duartë e korruptuara, duartë vjedhëse, duartë mashtruese dhe vrasëse. Në hapin e parë u nda Mitrovica e veriut dhe enklavat tjera serbe brenda si-shtetit të Kosovës. Kriminelët serbë prap patën rastin ta tregojnë agresivitetin e shfrenuar dhe urrejtjen, që shumë vrasje ndodhën nëpër gjithë Kosovën, që dyshohet se kriminelët serbë në bashkëpunim me bashkëpunëtorët e tyre shqipfolës dhe disa individë të UNMIK-ut i organizuan dhe i bënë në mënyrën më profesionale dhe enigmatike, për të cilat ende nuk dihen skenaristët dhe autorët e tyre.
„Populli më i pakënaqur në Europë, janë shqiptarët“, shkruante një gazetë europiane. Si të jenë të kënaqur kosovarët, kur 24 orë në ditë rrinë! Ne këtu në Europë, shumica e kemi nga një punë 8 orëshe edhe tjetrën 2 orëshe e, mezi bëjmë hall për mbijetesë! Si të jetojnë ata njerëz, me premtime? Premtimet nuk hahen! Liria nuk hahet! Pavarësia nuk hahet! Njerëzit duan bukë dhe ngrohje. Mirëqenie, donë. Liria dhe pavarësia janë dy elemente, pa të cilat nuk paramendohet jeta normale. Por këto të dy janë gurthemel i mirëqenies, e cila nuk është luks për njerëzimin.
-Teatri i Absurdit – Parlamenti i Kosovës
Kosova u çlirua nga forcat okupuese-barbare serbe që në fundin e shekullit 20. kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 si shtet pë pavarur, demokratik dhe shumetnik. Si-shteti i Kosovës i themeloi institucionet shtetërore e shoqërore, që premtuan se Kosovën do ta bëjmë si Zvicrën. Kjo nuk ndodhi, por e kundërta. Kosova eci përpara me hapat e breshkës. Shumë ngadalë. Në Kosovë u bë rindërtimi i 80 për qind i atyre shtëpive të cilat u dogjën nga forcat çetnike serbe dhe shumë shkolla e spitale u ndërtuan. Kosova bëri ndërtimin e shumë rrugëve e të autostradave. Këtë nuk mund ta mohojmë. Por, kjo nuk është gjithçka. Politikanët tanë, pa përjashtim pozitë e opzitë, u pasuruan brenda nate. Të gjithë anëtarët e Parlamentit të Kosovës, që shumica nga ata vetëm brekët i kishin e, dikush nga këta e kishte një qerre me një kali, që fotografitë e tyre ende i kanë në raftet e tyre e, tani janë bërë multimilonerë, me fakultete, magjistratura e doktoratura të blera nëpër kiosqe! Ky është veç fillimi i absurdit! Aty ngatërrohen sikur në Parlamentin rus, që është bërë në arenë ngatërresash e dyluftimesh. Ndoshta, që kemi pasur ideologji të përbashkët, Komunizmin e, tani po na hyn Talibanizmi! Fjalët , të cilat i dëgjoj nga goja e deputetëve të Kosovës, por edhe të atyre të Shqipërisë shtetërore e të atyre jashtë shtetit amë, kur shajnë e fyejnë njëri tjetrin, m`i kujtojnë fëmijtë e lënë pasdore, që përdorin lloj-lloj fjalësh nga më të ndytat. Kurrëfarë debati nuk e ka gjuhën e arsyes, por gjërat janë tejet të politizuara e, që gënjeshtra, fyerja e sharja kanë lulëzuar!
Kur i sheh në televizor deputetët tanë, që shahen e ngatërrohen si qentë e, kur dalim më tutje e shohim se kanë blerë toka të shtetit së bashku, udhëheqës të disa partive! Kurse populli ngatërrohen në mes veti, poashtu si qentë, duke thënë: „udhëheqësi i partisë sime është më i mirë se i yti“ etj., që m`i kujton kohët e mëparme, që shqiptarët ngatërroheshin për qentë. „ Qeni im është më i mirë se i yti“, derisa vinin edhe te ngatërresa e vrasje, në mes vete! Liderët, bëjnë kualicion e pazare e, naivët ngatërrohen ende si qentë, për ta. Përvese nervozohem kur i shoh deputetët që shahen në men veti, akoma më tepër nervozohem dhe turpërohem t`i shoh lajmet, dëgjoj për vrasje makabre: burri vret gruan me revole, reja vret vjehrrën me sopatë, vjehrri e burri vtasin nuse, ai tjetri dhunon mbesën, tjetri shkel me automobil fëmijën. Qarkullimi i automjeteve bëhet si në luftë. Zhvillojnë shpejtësinë 5 herë më tepër se normale në autostrada, 2 herë më të madhe në qytete, bëhen parakalime në vende vdekjepruese dhe në Kosovë ka vdekje vetëm në komunikacion brenda një viti më tepër sikur në kohën e regjimit të Millosheviqit, kur vriteshin shqiptarët e Kosovës si qentë endacakë e, askush nuk jepte përgjegjësi. Secili do të jetë i pari. I pari do të jetë gomari, o njerëz!
Kjo, pra: “është Kosova e lirë dhe e pavarur”!
-Futja hallës atë sendin e budallës
Pse t`mos ia fusin hallës atë sendin e budallës, kur Kosva dhe populli ynë janë në gjumë të thellë? Në gjumë janë shqiptarët e, vetëm atëherë kur duan ta shajnë njëri-tjetrin, janë të zgjuar? Xhelozi e urrejtje sa të duash!
Derisa shteti serb e ka një grup pune, i cili merret vetëm me çështjen shqiptare dhe bëjnë analiza nga më të ndryshmet, për ta dëmtuar çështjen shqiptare, shqiptarët nuk e kanë një grup pune për ruajtjen e çështjes së tyre kombëtare! Kjo gjë m`i kujton filmat dokumentarë me shtazë. Serbët m`i kujtojnë hienat, shtazë dinake e agresive e, shqiptarët m`i kujtojnë delet edhe buallicat, shtazë të qeta, që hanë barë dhe s`kanë gajle për sulm apo mbrojtje! Baglojnë sa të munden.
Ne momentalisht jemi duke ecur në rrugë pa krye: Lindja nuk po na lëshon, perëndimi s`ka vend për ne e, ne ecim në rrugë pa krye!
Fitues, në këtë rast janë, të gjithë, vetëm shqiptarët janë humbës, kudo që janë e, mbi të gjitha shqiptarët e Kosovës. Fitues janë kriminelët e terroristët, në bashkëpunim me individë të ambasadave të huaja, me serbë, arabë e turq. Ata bëjnë dokumenta të falsifikuara, transportojnë armë, drogë dhe mashtrojnë e tradhtojnë popullin e shkretë. Shkojnë kosovarët në luftërat fisnore arabe! “Aty ku qeni nuk e njeh të zotin”! Ndoshta për një kafshatë bukë. Hyjnë në vallen e djallit, vrasin njerëz të pafajshëm, gra, pleq e fëmijë. Sikur e kanë harruar luftën e fundit, e cila na ka nxi jetën ne shqiptarëve. Shqiptarë nga Kosova me shumicë muslimane e po ashtu proamerikanë, që nga këta shkojnë për të luftuar për “xhihadin”. Ta shkërdhefshin qentë, xhihadin! Të tillë ka në të gjitha partitë edhe në Parlamentin e Kosovës. Ka në administratë, në shkolla, fakultete e shoqata! Po ashtu edhe nga UDB-ja, ka në të gjitha instancat shtetërore e shoqërore! Kush e ka fajin? Fajin e kanë politikanët pa dallim partie. Ata, të cilët bëjnë teatër absurdi në Parlamentin e Kosovës. A e dini se sa familje janë shuar, a e dini se sa nëna, motra, baballarë e vëllezër kanë mbetur pa më të dashurit e tyre, në luftën e fundit? E tani? Tani kanë shkuar djemtë shqiptarë për të luftuar. Për kë? Nuk e dinë as vetë! Thjesht kanë shkuar për të luftuar për ideologji fetare, klane, që për kë nuk e dinë as vetë! Për djallin kanë shkuar të luftojnë! E politikanët tanë thonë: “ Po na i manipulojnë rininë, shërbimet e huaja sekrete”. Po, mirë, vjen pyetja: A kemi edhe ne Shërbim Informativ Kombëtar? A kemi edhe ne intelektualë, sociologë e pedagogë që merren me këtë problem? A e dini se nëse shqiptarët hyjnë në listat e Fundamentalizmit Islamik, aktiv, do të na hajë dreçi? A e dini ju politikanë, pedagogë e sociologë se nëse nuk e rrethon bujku arën, ia dëmtojnë kafshët e gjithë fshatit? Ara do rrethuar e, kafshët nuk e kanë të lehtë të hyjnë në te. Pra, fati ynë i braktisur qëndron në një udhëkryq të madh. Kosovarët, pushtetarët nuk i donë e opzitës nuk i besojnë! Çka të bëjnë mjeranët? E morën rrugën e azilit! Ikje masive nga Kosova! Dikush thotë: ikin nga varfëria, dikush tjetër thotë se ikin për një jetë më të mirë, tjetri thotë për luks, ikin kosovarët e, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë:” Nuk i vizitova ikësit në staionin e autobusëve, sepse ata kishin aifonë”. Ajfonët nuk janë gjithçka. Ata nuk hahen, nuk të ngrohin, zoti kryeministër! Të gjitha këto janë pasojat e, të gjithë shqiptarët merren me pasojat. Askush nuk merret me shkakun. Nëse nuk e dimë shkakun, zor se do ta shërojmë pacientin, sepse shkaku është sëmundja (diagnoza), të cilën pa e ditur nuk mund ta kurojmë atë!
Udhëheqësit kosovarë nuk arritën t`i plotësojnë kushte për liberalizimin e vizave nga europianët dhe, që për këtë punë e kanë një pjesë të fajit edhe këta të fundit, sipas mendimit tim që, si një lloj shpërblimi për kosovarët u hapën dyertë e azilit, që kosovarët t`u mësyejnë dyerve të vendeve të B E-së e, të sorollaten pa kufi.
Në këtë rast përfitues janë të gjithë politikanët e kosovës pa përjashtim pozitë-opozitë, BE edhe agjensitë e kompanitë turistike. Humbës është vëtëm njëri: populli i mjerë është humbës, sepse shitën: automobila, traktora e shtëpi për t`i siguruar eurot, për rrugën pa krye, që bënë drejt Europës e që së shpejti do të kthehen më të varfër se që ishin!
Propaganda ishte aq e fuqishme, saqë edhe mua ma mbushën mendje se gjermanët po ua japin azil kosovarëve, derisa u informova nga burime të sakta se gjermanët po i kthejnë azilkërkuesit një orë e më parë në Kosovën martire.
– Për disa shqipfolës, më tepër kishte vlerë kaliba e qenit se shuarja e familjeve të tëra në luftën e fundit
Shumë shqipfolës kanë harruar se në çfarë gjendje ishin në kohën e paraluftës së fundit! Kanë harruar se shumica nga ne kemi pasur kushte minimale për jetë pa kuzhina dhe janë larë me pacërkë dhe, tani shajnë ish-luftetarët e UÇK-së. Kur i takoj anëtarët e të vrarëve, që u vranë në luftën e fundit nga forcat serbe, më të arsyeshëm jnë dhe gjejnë kurajon të mbahen. Kurse kur i takoj ata, të cilët ishin në marrëdhënie jo të këqia me okupatorin, i vajtojnë kalibat e qenve, të cilat ua dogji ushtria e policia serbe, sherri i luftës së UÇK-së, që përndryshe “nuk do t`ua digjte“, siç mendojnë ata. I vajtojnë liderët, të cilët u vranë në mënyrë misterioze e, që atë ditë e sot nuk e di kush se kush i vrau dhe si e përse i vrau! E shajnë Bacën Adem, simbolin e qëndresës. Shajnë UÇK-në e lavdishme, se gjoja ish-pjestarët e UÇK-së i bënë këto vrasje makabre e enigmatike! Kush i siguron ata se nuk i ka vrarë Shërbimi Sekret Serb? Kush i siguron ata se nuk i ka vrarë ndonjë kriminel ordiner apo i thjeshtë, ata njerëz të ndjerë?
-Çka të bëjnë kosovarët?
Motori i një vendi është politika. Politikanët tanë duhet reformuar. Urgjentisht do të formohet Këshilli Kombëtar Shqiptar në bashkëpunim me shtetin amë Shqipërinë. Ata duhet të jenë: 1) të natyrshëm, 2) të besueshëm dhe 3) të pranueshëm.
Të fillojnë të punojnë ndershëm, t`ia zënë frymën korrupcionit, krimit të organizuar dhe familjarizmit e klaneve.
T`ia fillojnë me Akademinë e Shkencave të Kosovës, që ta reformojnë, ta ndërrojnë ligjin për pranimin akademikëve të rinj, jo në baza partiake e shoqërore, por të formohet Komisioni Kombëtar, për pranimin e akademikëve të rinj në baza shkencore e humanitare. Të jenë, pra, plotësisht të lirë e të pavarur akademikët nga ideologjia fetare e politike.
Të jenë udhëheqësit e fakulteteve e të degëve të pavarur e kompetentë dhe jo të udhëhiqen degët e fakulteteve nga çiçikovët! Sikur nuk e di pushteti! E dinë fort mirë, por e kanë mbyllur njërin sy e, nga një herë që te dytë. Kur ne jashtë vendi e dimë se udhëhiqen disa degë që ka shumë profesorë fakultetesh me diploma të blear nëpër kiosqet e Europës, Shqipërisë e Kosovës, si të mos e dinë ata të cilët janë kompetentë për këtë punë? Me vetëdije të plotë e them se ka profesorë universiteti që nuk dinë ta përpunojë një deklaratë e, le që një profesor i tillë sëpaku duhet t`i ketë shkruar vetë disa libra, përveç atyre disertacioneve, të cilat i kanë kopjuar dhe blerë me euro.
Të pastrohen spitalet nga mjekët hajna, të cilët vjedhin mjete medicinaledhe medikamentet e, që i prishin ato dhe i orientojnë pacientët të shkojnë në ordinanca private. T`i largojnë doganierët, të cilët shkojnë si qentë mbas tregtarëve për t`i plaçkitur e, në të njejtën kohë e vjedhin edhe kacën e shtetit dhe pasurohen Brenda nate. Të largohen nga puna gjyqtarët, prokurorët e avokatëve t`ua merren licencat për korrupcion e ryshfet. Të largohen nga puna policët e shefat e tyre, të cilët bashkëpunojnë ngushtë me hajna e kriminelë ordinerë. Por jo vetëm kaq. Le t`iu merret e gjithë pasuria, të cilën e kanë fituar në mënyrë të paligjshme gjatë kohës së punës kur e kanë keqpërdorur punën e tyre. Le të përjashtohen nga puna arsimtarët e profesorët, të cilët hanë pula të pjekura e pinë birra nga nxënësit e tyre, në mënyrë që t`ua rregullojnë atyre suksesin. Le të përjashtohen nga puna dhe le të burgosen arsimtarët e profesorët, të cilët i keqpërdorin nxënëset e tyre dhe i shfrytëzojnë moralisht ato. Ata arsimtarë e profesorë që i mashtrojnë e i detyrojnë nxënëset e tyre, ata edhe bijat, mbesat e motrat e tyre i keqpërdorin. Kishte thënë nëna e një arsimtari: “ Unë as motrën e vet nuk ia besoj djalit tim”.
Le t`i pëzënë e t`i denojnë pacientët, të cilët shkojnë në spitale dhe i vjedhin çarshafët e çebet nëpër spitale. Le t`i përjashtojnë punëtorët, të cilët i bëjnë bisht punës dhe vjedhin në vendet e tyre të punës. Le t`i përjashtojnë nga tenderët ndërmarrjet të cilat i kryejnë sipërfaqësisht punët e tyre dhe jo ndershëm.
Kështu bëhet shteti ynë ende i paformuar dhe i pandërtuar: i natyrshëm, i besueshëm dhe i pranueshëm. Pastaj, ta shohim se sa dhe si do te vijnë investitorët shqiptarë dhe të huaj për të investuar në vendin tonë. Ta shohim se sa punë do të hapet dhe sa shqiptarë do të shkojnë jashtë vendit për të punuar. Besoj se do t`iu kthehet dinjiteti kosovarëve në veçanti e shqiptarëve në përgjithësi.

– Kontakti me autorin: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura