JAKUP KRASNIQI: PDK ËSHTË UZURPUAR PËR TË IMPONUAR PUSHTET MBI NJERËZIT DHE MBI PASURINË E KOMBIT

(Pashtriku.org, 22. 02. 2013) – Sot, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Dr.Jakup Krasniqi i është drejtuar opinionit publik me një deklaratë, në të cilën ka sqaruar edhe një herë qëndrimin e tij lidhur me zhvillimet e fundit në PDK. Me këtë rast shpërfaq mendimin e tij rreth zgjedhjeve të zhvilluara në Kongresin e quajtur Konventa VI Zgjedhore e PDK-së, duke e quajtur atë produkt të një njeriu dhe ka konstatuar se partia është uzurpuar padrejtësisht dhe për interesa krejt personale e klanore dhe jashtë çdo procedure demokratike. Dr.Krasniqi, ka nënvizuar se “në Partinë Demokratike nuk ka pasur zgjedhje, por emërime të parapërgatitura për të eliminuar njerëzit më të votuar nga qytetarët e ngritur njerëz të verifikuar vetëm si servilë. Rrjedhimisht del se PDK-ja është uzurpuar për të imponuar pushtet mbi njerëzit, pse jo edhe mbi pasurinë e kombit.” Duke u nisur nga kjo situatë e krijuar në parti, ai ka theksuar se “Unë nuk mund të jem produkt spekulativ i një veprimtarie të tillë fund e krye të paqartë dhe të dyshimtë e, mbase, edhe diversive!”
Në vijim lexoni të plotë deklaratën e Dr.Jakup Krasniqit.

*   *   *

D E K L A R A T Ë

Nisur nga pëshpërimat e hamendësimet mediale, herë me zë e herë pa zë, e ndiej të nevojshme që edhe një herë ta njoftoj anëtarësinë e PDK-së dhe opinionin publik se qëndroj vendosmërisht në deklarimet e bëra në letrën e 25 janarit 2013 ku kam theksuar qartë se nuk dëshiroj të jem as pjesëtar e as pjesëmarrës i Kongresit të quajtur Konventa VI Zgjedhore e PDK-së (sikundër edhe u provua).
Pas zgjedhjes (pa vullnetin dhe praninë time në Këshillin Drejtues të kësaj partie) e ndiej të nevojshme që edhe një herë ta përsëris se në asnjë formë nuk dëshiroj të jem pjesë e atyre strukturave që kanë dalë nga zgjedhjet antistatutore. Zgjedhjet e zhvilluara kohë më parë në PDK, në asnjë nivel nuk qenë të rregullta, përfshirë këtu edhe Kongresin Zgjedhor të saj. Rrjedhimisht kësaj, unë nuk e njoh as “produktin” e këtij procesi “zgjedhor” finalizuar nga një Konventë jolegjitime.
Duke qenë njeri me vokacion politikani për një kohë të gjatë, vazhdoj me këmbëngulësi konsulenca, interesime dhe shestime idesh me anëtarë të niveleve të ndryshme të partisë. Këtu përfshihen edhe të interesuar të tjerë që presin ndryshime pozitive në skenën politike të Kosovës, që presin një qeverisje të mirëfilltë, ndryshe nga çfarë e kishim deri tani. Gjithnjë për aq sa ka hapësirë e mundësi veprimi në rrethana të këtilla. Të cilat nuk mund të shpërthehen pa një kulturë demokratike të reagimit qytetarë për ndryshime të thella e pozitive në shoqërinë tonë.
Dua t’ju siguroj, me këtë rast, se asnjë veprim nuk e bëj udhëhequr nga ndjenja e inatit apo interesit personal, por, para së gjithash, nga parimi i interesit të vendit dhe të qytetarëve për zhvillim, integrim dhe sundim rendi e ligji.

Kosova sot, më shumë se kurrë, ka nevojë imediate për një drejtësi shoqërore dhe për një menaxhim ndryshe të pasurisë kombëtare (njerëzore e materiale). Jam i bindur se në këto fusha të rëndësishme të jetës, gjatë këtyre viteve, ka pasur shumë keqpërdorime. Është koha e fundit që këto dukuri të shëmtuara të ndërpriten, sikundër jam thellësisht i bindur se kjo nuk mund të bëhet pa mbështetje e vullnet qytetar.
Jam i vetëdijshëm, ndërkaq, se partia të cilën e kemi ndërtuar së bashku me shumë mund e angazhim, mbase edhe më shumë se kaq, është uzurpuar padrejtësisht dhe për interesa krejt personale e klanore dhe jashtë çdo procedure demokratike. Edhe kryesia e emëruar e PDK-së nuk është legjitime, rrjedhimisht as anëtarët e saj të emëruar në një takim formal ku u ftuan anëtarët e një Këshilli Drejtues, po ashtu të dalë nga një votim i dyshimtë, numëruar e radhitur sipas preferencave për tre ditë, pas një votimi të mbajtur nën siglën e Konventës së PDK-së, (konventë që nuk dihet se në ç’rrethana u emërua si e tillë në Hotelin Emerald, më 26 janar 2013) disa ditë para mbajtjes formale të saj.
Unë nuk mund të jem produkt spekulativ i një veprimtarie të tillë fund e krye të paqartë dhe të dyshimtë e, mbase, edhe diversive!
Përfundimisht, Kryesia e emëruar nga një njeri dhe e miratuar me aklamacion (vullnet të detyrueshëm) nga të gjithë, duket si një dhuratë e shefit për të preferuarit e tij, ku edhe emri im është përfshirë padrejtësisht dhe vetëm për spekulim publik, si një pozë zemërgjerësie e mëshirimi.
Unë nuk pranoj “dhurata” të tilla dhe nuk më nderon radhitja e emrit tim në një forum të pazgjedhur dhe të emëruar arbitrarisht, ku shefi ndanë poste partiake (ashtu si ka ndarë edhe poste qeveritare), si dhurata e lëmosha nën petkun e solemnitetit, pa asnjë kundërshtim nga të pranishmit. Pikërisht këtë unë e quaj fatkeqësi politike për partinë e për anëtarët e ndershëm të saj.
Kategoria e këtillë e “mëshirimit” dhe e “zemërgjerësisë” për mua është një dënim. Gjëra të këtilla, edhe në rrethana më të vështira në jetën time, kurrë nuk kam pranuar dhe as i pranoj, sikundër nuk e njoh as e pranoj dënimin e tillë.
Së këndejmi kam shprehur haptazi qëndrimin tim dhe kam denoncuar vendosmërisht devijimin që po bëhej në mënyrë të organizuar, në emër të një Kongresi Zgjedhor në PDK, i cili vetëm me zgjedhje nuk kishte asgjë të përbashkët dhe në asnjë nivel të organizimit zgjedhor.
Ata që luajnë në emër të votës dhe imponojnë vullnetin e Të madhërishmit pa alternativë, janë vetëm manipulues të publikut dhe mbi të gjitha keqtrajtues të anëtarësisë së ndershme të PDK-së. Ky as ka qenë e as është vullneti i anëtarësisë së PDK-së. Në këtë proces, gjoja zgjedhor, është shkelur e drejta më elementare e njeriut në demokraci për të qenë i zgjedhur dhe për të zgjedhur! Këtu natyrshëm shtrohet pyetja: Njerëzit e emëruar në këtë mënyrë, çfarë perspektive ofrojnë për demokracinë, për institucionet demokratike të shtetit që drejtojnë, për qytetarët që dëshirojnë t’u shërbejnë e t’i integrojnë në institucionet euroatlantike!?
Të nderuar qytetarë,
Nga e gjithë kjo më rezulton se në Partinë Demokratike nuk ka pasur zgjedhje, por emërime të parapërgatitura për të eliminuar njerëzit më të votuar nga qytetarët e ngritur njerëz të verifikuar vetëm si servilë. Rrjedhimisht del se PDK-ja është uzurpuar për të imponuar pushtet mbi njerëzit, pse jo edhe mbi pasurinë e kombit. Nëse nuk qe e mundur t’i largojmë uzurpatorët me një proces të rregullt zgjedhor, unë, të paktën nuk pranova të jem pjesë e tyre.
Kur i kërkuan Dantes të kthehej në vendlindje pas dëbimit, ai tha: “Nëse nuk ka rrugë tjetër të kthimit në Firencë, përveç rrugës së nënshtrimit e përuljes, asaj rruge nuk do të kthehem kurrë”. Edhe në rastin tonë, rruga e vetme për të ecur përpara me dinjitet, është të ecurit vertikalisht për një qëllim të lartë politik, njerëzor e demokratik.
Vendimet e vështira që nuk varen nga individi duan kohë dhe maturi për tu marrë. Duke i qëndruar besnik parimit të transparencës zotohem se në kohën e duhur do ta bëj publik veprimin tim të më tejshëm politik, gjithënjë në interes të qytetarit tonë të mrekullueshëm.
Jakup Krasniqi
Prishtinë, 22. 02. 2013

============================

JAKUP KRASNIQI:

NË PDK S’KA KËNDELLJE, SUNDIMTARI I GJITHËPUSHTETSHËM

I PDK-së SHFRYTËZON PARTINË PËR ҪDO GJË, SI NJË PRONË PRIVATE

ME SHUMË ҪIPҪINJ TË TIJ
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1215

…………………………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

KRIMI ME VAKSINA!

KRIMI ME VAKSINA! Senatori australian, Malcolm Roberts bën thirrje për akuza kundër burokratëve shëndetësorë për krimet Covid Nga…