MANIPULIMI I “GJENERALIT” RUZHDI SARAMATI ME LUFTËN E UҪK-së NË GOROZHUP, GJATË OPERACIONIT “SHIGJETA” NË PASHTRIK, (MAJ – QERSHOR 1999) VIDEO /

Në 20 vjetorin e Operacionit “Shigjeta” në Pashtrik

MANIPULIMI I “GJENERALIT” RUZHDI SARAMATI ME LUFTËN E UҪK-së NË GOROZHUP, GJATË OPERACIONIT “SHIGJETA” NË PASHTRIK, (MAJ – QERSHOR 1999)

Nga Sheradin Berisha, nga arkivi i FB, 15 Prill 2019

Përgjegjësia e parë e dëshmitarit të një ngjarjeje historike është t’i shmanget gënjeshtrës, e dyta të mos e fshehë të vërtetën, dhe e treta të mos japë asnjë shkas që të dyshohet në të për anësi. Në këtë kuptim historiani dhe filozofi i Romës antike, Ciceroni (106 – 43 p.e.s) ka tënë: “Ligji i parë i historisë është të mos thuash kurrë asgjë të rreme dhe të mos kesh frikë të pohosh tërë të vërtetën”.

Njeriu mund ta përdor imagjinatën e tij në art, në pikturë, në skulpturë, në arkitekturë, në kompozime muzikore, pastaj në letërsi, në roman, në prozë, në përralla popullore, në anekdota, në poezi etj., por nuk mund ta përdor në histori, në trajtimin e ngjarjeve historike! Pse? Sepse imagjinata në shkencën e historisë, të gënjen, të çon drejt gabimeve të mëdha dhe në këtë mënyrë manipulohen faktet e vërteta arkivore!

***

“Historia përbëhet nga ngjarjet dhe datat. Ajo nuk është një pikturë e vjetër a një ikonë që mund t’i shtosh disa penelata zbukurimi apo ta restaurosh. Jo! Historia ka lidhje me kohën dhe me veprat. Koha nuk mund të kthehet pas dhe veprat nuk mund të ribëhen me zbukurime”. (‘Helga’s Secrets’, për librin “Lufta shqiptaro – turke (1370 – 1530), Tiranë 2016.)

***

Të dhëna themelore

Në shkencën e historisë ngjarjet e luftës nuk janë piktura të vjetra të cilat mund të zbukurohen apo të restaurohen. Ato ngjarje hulumtohen e faktohen nga burime të ndryshme arkivore dhe pastaj trajtohen ashtu si kanë ndodhur, e jo ashtu si dëshirojmë ne të kishin ndodhur!

Edhe operacioni “Shigjeta” në Pashtrik (maj – qershor 1999), si një nga ngjarjet më të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës duhet të faktohet me dëshmi shterruese arkivore!

Për t’i shpërfaqur përmasat e Operacionit “Shigjeta”, duhet të kihen parasysh tre faktorë ushtarak!

1. Ushtria Ҫlirimtare e Kosovës (UҪK-ja),

2. Ushtria Shqiptare në epiqendër me Divizionin e Kukësit, dhe

3. Bashkëpunimi me NATO-n për bombardimin e forcave serbe.

Deri më tani nuk është shkruar asnjë studim i mirëfillt shkencor për Operacionin “Shigjeta”, ndonëse janë publikuar disa shkrime dhe janë mbajtur shumë fjalime përkujtimore në përvjetorët e rënies së dëshmorëve, veçanërisht të dëshmorëve që ranë në luftën e Gorozhupit, në kuadër të këtij operacioni!

Për 19 vjet rresht, në çdo 31 maj – në Gorozhup të Hasit, (atje ku tashmë në emër të “brigadës 128 me 4 batalione jo ekzistuese”) është ndërtuar një Memorial për Dëshmorët e Kombit, organizohen manifestime përkujtimore. Organizatori i këtij manifestimi Ruzhdi Saramati, në emër të kësaj ‘brigade’, përkujtimin e dëshmorëve dhe të gjithë operacionit “Shigjeta”, ndonëse e ka shndërruar në një ritual të përvitshëm, me rrëfimet e tij këtë histori me përmasa të gjera operacionale të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës, e ka konstruktuar e reduktuar në një histori të pavërtetë të “brigadës 128”, me moton “Epopeja e Gorozhupit”!

Për më tepër ai në këto “manifestime” e ka përjetësuar moton e rrejshme: “Brigada 128 bartëse e operacionit luftarak – sulmues “Shigjeta” në Pashtrik”!!!

Komandanti i kësaj “brigade”, Ruzhdi Saramati (i cili e ka emruar veten si “gjeneral brigade”) në të gjitha shkrimet e botuara dhe në fjalimet e tij të mbajtura në “Epopenë e Gorozhupit”, e ka shtrembëruar e manipuluar tërësisht historinë e vërtetë të Operacionit “Shigjeta” dhe të vendrënies së 15 dëshmorëve në vijën sulmuese të Gorozhupit dhe jo vetm, edhe të Pashtrikut (!):

– 8 dëshmorë në TF-2,

– 6 dëshmorë në TF-3 dhe

– 1 dëshmor në TF-0.

***

MANIPULIMI …

Në shkrimin me titull:”Jehona e operacionit “SHIGJETA” ne Pashtrik”, botuar më 6 maj 2014 (ditë e martë), në portalin ‘epopeja/org’, Ruzhdi Saramati shkruan:

“Më 24 Maj të vitit 1999, Brigada jonë (128), nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së mori urdhërin për sulm në hapsirën kufitare të Gorozhupit e Pashtrikut. Komanda e brigadës me në krye komandantin Ruzhdi Saramatin hartoi planin strategjiko luftarak, dhe si vijë frontale ishte caku: Drini i Bardhë; Gryka e Lumës; Gorozhup; Maja e Pashtrikut; Kurora; Shpella e pëllumbave; Qafa e Prushit. Detyra kryesore ishte: Kapja e vijës përgjatë Drinit të Bardhë; Ura e Nashecit; Ura e Fshejtë; ishin detyrat e afërta të brigadës për mësymje, të cilat i realizuam me sukses, ndërsa në planin e detyrave të largëta ishte bashkangjitja me formacionet luftarake të UÇK-së në pikat: Kleçkë; Nishor; Zatriq. Kurse në Qafë Prush brigada 128 lidhej me brigadën 138 të Z.O.D.-it. Formacioni i brigades sonë ishte si më poshtë:

– Batalioni i II-të i komanduar nga oficeri i U.Sh.të fshatit Bicaj të Kukësit Adem Shehu, tashmë i ndjerë, në drejtimin nga Drini i Bardhë, Grykë Lumë deri në Gorozhup.

– Nga Gorozhupi ishte i vendosur shtabi i brigades dhe Bataljoni i I-rë vazhdonte në vijën frontale Gorozhup, Rrasa e Kuqe, i komanduar nga Komanda e Brigadës, respektivisht nga komandanti i Brigadës Ruzhdi Saramati.

– Nga Rrasa e Kuqe, Maja e Pashtrikut (vorri i mirë), shtrihej batalioni i III-të, i komanduar nga komandanti Xhelal Limani.

– Në vijën frontale nga Maja e Pashtrikut, Lugu i Zi; Qafë Mullar; Kurorë; Shpella e pëllumbave, shtrihej batalioni i IV-ër i komanduar nga Abdurrahman Nazifi (Bugari).

Në krahun e majtë të batalionit të IV-ër, operonte në mbështetje të Brigadës 128 Batalioni “Atlantiku”.

***

Sipas kësaj historie të sajuar nga Ruzhdi Saramati, “planin strategjiko luftarak” në gjithë “vijën frontale” të Pashtrikut gjatë operacionit “Shigjeta”, e paska hartuar “Komanda e brigadës me në krye komandantin Ruzhdi Saramatin”!!!

Për më tepër me këto gënjeshtra ai edhe zonën frontale të “brigadës 128” e zgjeron nga pashtriku deri në Qafë Prush, atje ku gjoja është lidhur me brigadën 138 të ZOD-it!!!

Ky rrëfim i Ruzhdi Saramatit (të cilin e ka përsëritur për 19 vjet rresht edhe në fjalimet e përvitshme përkujtimore të 31 majit) është i pavërtetë dhe manipuluar!

***

OPERACIONI “SHIGJETA” DHE DREJTIMET TAKTIKE!

Sipas dëshmive dhe dokumenteve arkivore, Planin “strategjiko luftarak” të Operacionit “Shigjeta” e ka hartuar Shtabi i Përgjithshëm i UҪK-së në malet e Jezercit, në gjysmën e dytë të prillit 1999, e jo “Komanda e brigadës me në krye komandantin Ruzhdi Saramatin”. Dhe as vijën frontale për të cilën shkruan “gjeneral” Ruzhdi Saramati, nuk e kanë mbuluar “katër batalionet e brigadës 128”, sepse kjo brigadë nuk ka ekzistuar gjatë operacionit Shigjeta në Pashtrik”.

Plani i shkoqitur i Operacionit “Shigjeta” në shkrepat e Pashtrikut (nga Komanda e operacionit), ka definuar tri (3) Drejtime Taktike (DT):

1. DT-1

2. DT-2, dhe

3. DT-3.

Të gjitha njësitë që kanë marrë pjesë në vijat frontale sulmuese (në të tri DT-të) në Pashtrik, duke qenë “Forca (të përkohshme) për Veprime të Veçanta” janë emërtuar si “Task Force” (shkurtimish TF), sipas modeli amerikan.

1. Në DT – 1 (Lugu i Zi…), kanë operuar disa togje në kuadër të Njësisë TF-1:

2. Në DT – 2 (Maja e Pashtrikut…), kanë operuar, TF-0, Batalioni Atlantiku, njësitë e Brigadës 126, një skuadër profesionale e ardhur nga Kosova, dhe dy bataione (TF-5 dhe TF-6) që kishin ardhur nga Qendra Stërvitore e “Fekenit” në fund të majit,

3. Në DT – 3 (Gorpozhuip …), kanë operuar njësitë e TF-2 (në vijën luftuese) dhe njësia TF-3 në fshatin Pogaj, rreth 2 km larg vijës luftuese në Gorozhup.

***

DT-3 DHE KOMANDA E TF-2 & TF-3

Të ndalemi te DT-3!

– Komandant i TF-2 ishte Fazli Berisha (Vullneti)

– Komandant i TF-3 ishte Ruzhdi Saramati (Forca)

***

– KOMANDA E TF-2:

1. Fazli Hasan Berisha, komandant,

2. Ramiz Nezir Neziri, zv.komandant,

3. Avdyl Shabani, shef i shtabit,

4. Abdulla Islam Rama, ndihmës komandant, për moral dhe operacione,

5. Bashkim Ruzhdi Hasani, shef i logjistikës,

6. Mentor Fehmi Konjuhi dhe Ardian Hamëz Bujari, kurirë të shtabit.

***

– KOMANDA E TF-3:

1. Ruzhdi Saramati, komandant,

2. Elmi Bytyqi, zv.komandant dhe shef i shtabit,

3. Nazim Pulaj, shef i personelit,

4. Avdi Ibrahimi, shef i ZKZ (S2),

5. Hajdin Xhahaj, shef i logjistikës,

6. Arben Rashkaj korier i shtabit.

***

NJËSITË E TF-3

“Forca për Veprime të Veçanta”, ose TF-3 ishte ajo njësi për të cilën Ruzhdi Saramati pretendon se ka qenë “brigadë 128 me katër batalione”!!!

Në të vërtetë sipas dokumenteve arkivore, Ruzhdi Saramati në Kukës ka formuar një „Shtab Rajonal të UÇK-së për Prizren“, në këtë kohë kur shtabet lokale ishin shuar qysh në gusht – shtator 1998! Dhe si Shtab Rajonal i Prizrenit në javën e dytë të prillit 1999 në Kolsh dhe pastaj në Burrel (nga data 23 prill) Ruzhdiu ishte përpjekur të ngris një Brigadë me shifrën „28“, krahas një brigade tjetër në krye me Ilmi Kodrën, të cilat u shuan ende pa u formuar mirëfilli, qysh më 2 maj 1999 në Burrel, pas vrasjes së ushtarit Halil Gashi nga PU (gjatë një proteste të ushtarëve për lirimin e shokëve të burgosur me urdhër të Ruzhdiut, vetëm pse kishin dalur në qytetin e Burrelit për të folur në telefon me familjarët e tyre në shtetet perënimore)! Ruzhdi Saramati me këtë rast largohet nga kazerma, por, pas disa orëve Policia Ushtarake Shqiptare dhe ajo e UÇK-së e arrestojnë dhe e burgosin. Përkundër përgjegjësisë komanduese që kishte në këtë rast të rëndë e tragjik pas disa ditëve ai lirohet! Kthehet në Kukës dhe atje konfliktohet me Shtabin e Operacionit „Shigjeta“, i cili nga fillimi i majit kishte nisur të konsolidohet për përgatitjet e Operacionit “Shigjeta” në Pashtrik. Me urdhër të Komandës së Operativës në Kukës (në krye me Bislim Zyrapin) Ruzhdi Saramati mbledh rreth vetes ushtarë, kryesisht nga fshati Dobrusht, Zhur me rrethinë si dhe nga treva e Opojës, dhe shkon në Kalimash.

Në Kalimash krijohet një strukturë me rreth 240 ushtarë:

1 – Kompania e parë me komandant Shpend Berisha (tashmë dëshmor), zv.komandant Ismet Kyqyku, dhe

2 – Kompania e dytë me komandant Agron Llaushën, zv.komandant Gëzim Berishën,

3 – Bateria e Artilerisë me komandant Sali Saramatin (tashmë dëshmor), zv.komandant Xhelal Limani,

4 – Togu i Xhenios me komandant Valbon Ҫollakun. Në të vërtetë K-dant Valbon Ҫollaku dhe ushtarët e tij, thonë se njësia e tyre ishte Njësi Speciale, pa e përjashtuar edhe aktivitetin e deminimit në zonën e luftës. Kjo njësi pas ngjarjes së 2 majit 1999 në Burrel (ku u vra ushtari Halil Gashi) kishte shkuar në Koshare dhe pastaj me urdhër të Komandës së Operacionit “Shigjeta” ka ardhur në Kalimash për të shkuar me njësitë tjera të TF-3 në fshatin Pogaj – Gorozhup).

5 – Togu i Ndërhyrjes së Shpejt (apo Njësia Speciale) me komandant Bashkim Hoxhaj, dhe

6 – Togu i Zbulimit me komandant Azem Pulaj.

Më 25 maj 1999, Ruzhdi Saramati i shoqëruar nga Agron Axhami dhe Avdi Ibrahimi, në Komandës Operative “Shigjeta” në Cahan raporton se i ka 330 ushtarë (?), dhe aty kjo Njësi si Forcë (e përkohshme) për Veprime të Veçanta definohet si Task Force – 3 (TF-3)

***

Sulmi i parë në Pashtrik ka ndodhur në orët e mëngjesit të datës 26 maj 1999! Në ditën parë të sulmit Njësitë e TF-3 në krye me Ruzhdi Saramatin nuk ishin në vijën luftuese. Në ditën e dytë të luftimeve (më 27 maj) Ruzhdi Saramati, së bashku me Avdi Ibrahimin dhe Nazim Pulajn të shoqëruar me 22 ushtarë të Togut të Ndërhyrjes së Shpejt me K-dant Bashkim Hoxhaj shkojnë në fshatin Pogaj!

***

Pas “betejës” së përgjakshme më 31 maj 1999 në Pogaj, ku nga granatimet e artilerisë serbe ranë pesë dëshmorë:

1. Selver B.Maçkaj,

2. Sali Saramati,

3. Gani Saramati,

4. Shpend Berisha dhe

5. Beran Gashi, si dhe u plagosën disa ushtarë, këto forca (të lartëpërmendura) u shpartalluan plotësisht për shkak të mungesës organizative nga shtabi i kësaj njësie (TF-3).

Dëshmi për ngjarjen e 31 majit 1999 në fshatin Pogaj!

Bedri Hoxhaj: kujtime për dëshmorin Selver Maçkaj, Pogaj 31 maj 1999

Pogaj – 21 dhjetor 2017 – Rrëfime lufte

Bedri Hoxhaj, gjatë operacionit “Shigjeta”, ishte komandanti i Togut të III, të kompanisë së II, me komandant, Agron Llausha, në njësinë TF-3 me komandant Ruzhdi Saramatin, Pogaj – Gorozhup…

Shikoni intervistën me eprorin Bedri Hoxhaj të zhvilluar në vendin kun ndodhi ngjarja e datës 31.05.1999 në fshatin Pogaj:

Në këtë situatë të rëndë, për shkak të neglizhencës së komandës, sipas dëshmitarëve rreth 230 ushtarë ishin larguar nga kjo zonë, në drejtime të ndryshme për në Kukës. Nga data 1 – 7 qershor në Pogaj TF-3 ka mbetur me një tog prej 40 ushtarësh në krye me Ruzhdi Saramatin. Veteranja e UÇK-së, Fatmire Dedari, e cila ishte motër sanitare në këtë ngjarjen e 31 majit, thotë saktësisht kanë mbetur 46 ushtarë!

Më 8 qershor një pjesë e ushtarëve që kishin ikur me 31 maj kthehen në Pogaj dhe përfundimisht më 13/14 qershor, pasi njësitë e xhenios së TF2-shit (me komandant Vehbi Berisha) dhe TF3-shit (me komandant Valbon Ҫollaku) e kishin deminuar rrugën, në lagjet Martinaj, Tejec, Jelliqi, Binaj… të Grozhupit futen njësitë e këmbsorisë dhe më pas të artilerisë të TF2-shit dhe TF3-shit. TF-3, futet në lagjen Martinaj (afër Karaulls serbe) dhe pastaj udhëtojnë për në fshatin Sajk dhe përfundimisht dislokohen në fshatin Nashec, ndërsa forca TF-2 me K-dant Fazli Berisha, futen në Lagjen Binaj, qëndrojnë 2 – 3 ditë aty dhe pastaj marshojnë dhe dislokohen në fshatin Gjonaj…

KUSH E MBULONTE VIJËN MËSYMËSE (FRONTALE) NË GOROZHUP?

Sipas urdhërit luftarak nr.12/99, datë 07.06.1999 të lëshuar nga komanda e operacionit “Shigjeta” në Cahan – Kukës:

– vija mësymse (frontale) e TF-2 ishte Gorozhup – Jelliç – Tejec – Binaj – Milaj – Planej – Zym, me detyrë: të sulmoj, rrethoj e asgjësoj forcat e armikut në këtë drejtim e të dalë në vijën Donje – Krajk.”

– Vija frontale e TF-2 ishte përballë karaullës serbe (lagjja Martinaj) – Mariq – rrëzë majës Pashtriku, deri aty ku nis vija frontale e DT-2.

KU ISHTE VIJA MËSYMËSE (FRONTALE) E TF-3, E KOMANDUAR NGA RUZHDI SARAMATI?

Një njësi e TF-3 ishte lokalizuar në fshatin Pogaj rreth 2 km, larg vijës së frontit në Gorozhup, përballë karaullës serbe! (Fshati Pogaj përballë vijës së Frontit në Gorozhup është zonë e zhveshur me lendina!) Forca TF-3 (sipas dokumenteve arkivore të Shtabit të Operacionit Shigjeta) zonën e veprimit e kishte matanë Drinit – në Koretnik!

Vija mësymëse e TF-3 (sipas urdhërit luftarak nr.12/99, datë 07.06.1999, të Shtabit) ishte nga Koretniku (Pikëllima), në “drejtimin Vërmicë – Shkozë – Dobrusht me detyrë, të sulmoj, rrethoj e asgjësoj forcat dhe mjetet e armikut në këtë drejtim e të dal në vijën Vlashnje – Nashec.” Por, për shkak të rrethanave të pafavorshme për të operuar matan Drinit, TF-3 ka mbetur në Vijën mësymëse të Gorozhupit.

MARSHIMI I NJËSIVE TË TF-3 PËR NË FRONTIN E GOROZHUPIT!

Për marshimin e dy Kompanive dhe të baterisë së Artilerisë së TF-3 për në frontin e Pashtrikut – në Gorozhup, ka shumë dëshmi të ushtarëve dhe eprorëve të kësaj njësie.

Me këtë rast po i referohem dokumenteve të komandës së operacionit “Shigjeta” si dhe veprimtarit dhe eprorit të UҪK-së, Elmi Bytyqi.

Elmi Bytyqi, gjatë Operacionit “Shigjeta ” në Pashtrik (maj – qershor 1999), ishte Shef dhe Zëvendëskomandant i Forcës për Veprime të Veçanta TF-3, në Drejtimin Taktik nr.3 (DT-3) – Pogaj – Gorozhup…

***

Komanda e Operacionit “Shigjeta” në Cahan, pas kunsultimeve përfundimtare me SHP të UҪK-së (brenda në Kosovë) më datë 30 maj 1999 ka lëshuar urdhërin Nr.1/07, për të gjitha njësitë (TF-at) që të përgatiten, për në orën 4:00 të mëngjesit, datë 31 maj 1999, të nisin sulmin nga të gjitha vijat e frontit kundër forcave serbe.

Në këtë kohë u është dhënë urdhëri që disa njësi ushtarake të lëvizin në drejtim të frontit, nga Qendrat Stërvitore: KALIMASH dhe FEKEN.

Nga QS e Kalimshait për në front kanë lëvizur disa njësi të TF-3’shit në krye me Shefin dhe Zëvendëskomandantin e shtabit, Elmi Bytyqi, ndërkohë që nga QS e Fekenit për në Pashtrik kanë lëvizur dy batalione, të cilat (me urdhër të komandës së Operacionit Shigjeta në Cahan) do të pozicionohen në DT2 – Maja e Pashtrikut, aty ku nga 26 maji po luftonte TF0, në krye me komandantin Fadil Zejnullahu – Lepurin, një njësi e brigadës 126 – Hasi me K-dant Riza Alijajn – Hoxha…, Batalioni Atlantiku me K-dant Uran Rexhepin, dhe një skuadër profesionale në krye me Agim Lekën.

***

Nga Qendra Stërvitore e Kalimashit për, në vijën e Frontit në Pogaj – Gorozhup, Elmi Bytyqi ka shkuar me këto Njësi të TF-3:

1. Kompaninë e Parë, me komandant Shpend Berisha,

2. Kompaninë e Dytë me Komandant Agron Llausha,

3. Bateria e Artilerisë në krye me komandantin Sali Saramatin, dhe

4. Njësia e Speciale – Xhenios me komandant Valbon Çollakun.

Kanë udhëtuar në vijën rrugore e malore: Kalimash – Kukës – Krumë – Cahan – Kishaj – Pogaj.

Sipas dëshmive arkivore dhe kujtimeve të eprorëve e ushtarëve të kësaj force, para se të futeshin në Pogaj, natën e 30/31 majit e kanë kaluar në malet e fshatit Pogaj (diku prapa fshatit Moriq). Shtabi i Operacionit në Cahan, ashtu sikurse të gjitha K-dantëve të TF-ve në gjithë vijën frontale edhe K-dantit të TF-3 Ruzhdi Saramatit, i dorëzohet urdhëri Nr.1/07, I lëshuar më datë 30 maj 1999, për të sulmuar bashkarisht me njësitë e këmbësorisë së TF-2!  

Në orët e mesantës 30/31 maj 1999 është mbajtur një Takim I komandantëve të këtyre njësive (të TF-3).  Dhe Komanda e TF-3 në krye me K-dant Ruzhdi Saramatin në vend se të bashkëveprojë me Komandën e TF-2 në krye me K-dant Fazli Berisha për tu futur qysh në orët e hershme të mëngjesit në vijën luftuese në Gorozhup, nuk e bëjnë këtë veprim. Forcat e TF-3 qëndrojnë në mal mbi fshatin Pogaj (prapa lagjes Moriq) deri rreth orës 8 kur agon mengjesi dhe, forcat serbe gjatë vëzhgimit i kanë parë lëvizjet e tyre dhe menjëherë kanë nisur të granatojnë nga largësia (4-5 km…) si nga Zhuri, Vërmica… dhe nga ana e Gorozhupit fshati Planej…!

Në këtë situatë forcat e UҪK-së nën breshërinë e granatimeve futen në lagjen (nën antenë) të fshatit Pogaj, për tu mbrojtur nga granatimet e furishme. Megjithatë gjatë kësaj ngjarjeje në këtë lagje bien dëshmorë: 1. Selver Maçkaj, 2. Sali Saramati, 3. Gani Saramati, 4. Shpend Berisha dhe 5. Beran Gashi, ndërsa plagosen rëndë e lehtë disa ushtarë, në mesin e tyre dhe mjeku Ilir Rakaj, shefi dhe Zv.K-danti i TF-3, Elmi Bytyqi, Milaim Shala, Ramadan Krasniqi etj.

Pasi ushtarët dhe njësia e femrave, u japin ndihmën e parë të rënëve dhe të plagosurve, i tërheqin nga vendngjarja dhe organizohen për t’i dërguar në Spitalin e Kukësit.

Në Spitalin e Kukësit, të plagosurit vizitohen nga anëtarë të shtabit të qendrës mobilizuese në Kukës. Me këtë rast vizitohet edhe eprori i plagosuri Elmi Bytyqi.

***

Më këtë rast Eprori Elmi Bytyqi flet për ngjarjen e 31 majit, para kamerës:

Ai thotë: “Unë quhem Elmi Bytyqi. Vijë nga Prizreni, nga qyteti i Prizrenit. Në vijën e parë të frontit kam qenë me Forcën TF-3, kam qenë zëvendëskomandant i kësaj force. Ndërsa pas fillimit të luftës më datën 31 maj (1999) kanë filluar granatimet nga tri pika, nga Zhuri, Vërmica dhe pjesa e epërme (Gorozhupi…).

Tërheqja e të plagosurve është bë me ndihmën e shokëve tanë të kësaj force, me anë të pizgauverit (shofer ishte Selim Rashkaj – sh.b). Mua dhe shokët e mi që kemi ardhur deri këtu na kanë transportuar me pizgauver, shokët tanë të cilët kanë qenë të destinuar për bartjen e të plagosurve. Trajtimi në Spitalin e Kukësit është i mirë me ato mjete që kanë. Mirë na kanë pritur, nuk kemi ndonjë vërejtje. Kushtet janë ato që janë. Nuk janë të nivelit që duhet, por përkujdesja është e mirë” – përfundon fjalën, Elmi Bytyqi.

Në vijim shikoni intervistën e Elmi Bytyqit:

Elmi Bytyqi, zëvendës komandant i TF3, Kukës – qershor 1999

https://www.youtube.com/watch?v=SAYBqvThfkM

Videoinçizimin e ka bërë ushatri i UҪK-së, Zijadin Hoxha.

Në spitalin e Kukësit, qershor 1999

…..

Në këtë intervistë, veprimtari dhe eprori Elmi Bytyqi, dëshmon qartë, se ka qenë zëvendëskomandant i Forcës TF-3, gjatë operacionit “Shigjeta” (maj – qershor 1999).

Kjo është e vërteta e kësaj historie…

***

OBJEKTET USHTARAKE TË USH-së NË SHËRBIM TË UҪK’së

Gjatë Operacionit “Shigjeta” TF2’shi i ka shfrytëzuar dy objekte ushtarake:

1. objektin ushtarak të Ushtrisë Shqiptare (te antena), rrëzë Pashtrikut (afër fshatit Kishaj), dhe

2. Kullën e Vrojtimit!

———-

1. Në objektin ushtarak (tashmë i rrënuar), ka qenë logjistika e TF-2.

– Komandant i Togut të Logjistikës ishte Ahmet Mazreku,

– shef i Logjistikës së armatimit ishte Bashkim R.Hasani, ndërsa zv.shef ishte Adem Metaj.

– Komandant për armatim dhe municion ishte Shaqir Duli, ndërsa komandant i Skuadrës së transportit ishte Shemsi Beshiri.

– Komandant i Skuadrës Intendante ishte Hamdi Murat Zejnullahu, ndërsa komandant i Skuadrës së Ndërlidhjes ishte Blerim Sh.Selmani.

– Ndërkaq komandant i Skuadrës së Shëndetësisë ishte Bislim Sokol Kadriu, ndërsa komandant i Xhenios, ishte Vehbi Feriz Berisha.

Nga ky objekt me mjete logjistike është furnizuar edhe TF-3 i Ruzhdi Saramatit i vendosur (i lokalizuar) në fshatin Pogaj.

***

Fazli Berisha, komandant i TF2 në DT3 – Gorozhup, gjatë Op.SHIGJETA, maj – qershor 1999

___________

2. Kulla e Vrojtimit ka shërbyer për vëzhgimin dhe identifikimin e pozicioneve të forcave serbe në Zonën Gorozhupit! Kullën e vrojtimit e ka shfrytëzuar disa ditë para fillimit të sulmit (më 26 maj 1999) Komadanti i Njësisë Speciale – Vëzhguese – Diverzante, Safet Zeqir Peci, ndërsa gjatë operacionit e kanë shfrytëzuar edhe komandantët e artilerisë, si Shemsi Iljazi – Baruti, Jonuz Peci, Ismet Lushi, Petrit Ahmeti etj.

Në pjesën e poshtme të Kullës së vrojtimit ishin të pozicionuar Njësitë e Artilerisë së TF-2. Saktësisht përfundi Kullës së vrojtimit (në anën e majtë dhe të djathtë të saj) kanë qenë, njësitë e Artilerisë (dy bateri), me minahedhësit (Mortajat) 82mm, përballë kullës ishin të vendosur topat pa dridhje 75 mm dhe kundërajrorët 12.5mm., të komanduara nga eprori i Artilerisë Shemsi Iljazi (Baruti), me komandantët e njësive, Jonuz Isuf Peci, Agron Sherif Mulaku, Hajdin Halil Fazliu, Faik Rexhep Maqestena, Petrit Hazir Ahmeti dhe Ismet Ali Lushi.

Ndërkaq në kuadër të tri kompanive të TF-2 (dhe një kompanie përforcuese që kishte ardhur me 1 qershor nga DT-2) kanë vepruar njësia e minahedhsave 60 mm, dhe skuadra kundër tankeve me zola 60 mm dhe 90 mm, me komandantin Sahit Maksutaj.

***

KULLA E VROJTIMIT, në Frontin e Gorozhupit DT3/TF2, gjatë Operacionit Shigjeta, maj – qershor 1999

***

EDHE NJË DËSHMI ARKIVORE PËR TF-3 E RUZHDI SARAMATIT!

Me këtë rast për të faktuar se gjatë kohës së operacionit “Shigjeta” Ruzhdi Saramati ishte Komandant i TF-3 (e jo K-dant i brigadës 128 me katër batalione fantome!!!), mund t’i referohem edhe një dokumenti tjetër arkivorë! Komandanti për armatim dhe municion, Shaqir Duli në Logjistikën e TF-2 me komandant Fazli Berisha, (në objektin ushtarak të USH, te antena – rrëzë Pashtrikut) ka mbajtur shenime për dhënien e paisjeve ushtarake për të gjitha njësitë, dhe në ato shenime ekzistojnë dëshmitë e marrjes së paisjeve ushtarake nga kjo logjistikë për TF-3 e Komandant Ruzhdi Saramatit, nga shefi i logjistikës, eprori i palodhur, Hajdin Xhahaj – Mësuesi.

***

ILUSTRIMET NË FOTO:

– Lexoni kodin ‘teper sekret’ të njësisë ushtarake TF3, dhe moton e rrejshme të Ruzhdi Saramatit: “Brigada 128 bartëse e operacionit luftarak – sulmuese “Shigjeta” në Pashtrik”!

Dhe

– Lista e Forcës TF-3 e Ruzhdi Saramatit, kur shefi i logjistikës i kësaj force, Hajdin Xhahaj, ka marrë paisje ushtarake në objektin e logjistikës së TF-2, te K-ndanti i armatimit dhe municionit, Shaqir Duli.

***

(Autori është bazuar në të dhëna arkivore të Komandës së Operacionit “Shigjeta” dhe në dëshmitë e eprorëve dhe ushtarëve të këtij operacioni luftarak në Pashtrik)

———————–

SHERADIN BERISHA: NJOHURI BAZIKE PËR MARSHIMIN LUFTARAK NGA ‘FEKENI’ DHE ‘KALIMASHI’ NË DREJTIM TË FRONTIT TË LUFTËS NË PASHTRIK, GJATË OPERACIONIT “SHIGJETA” MAJ – QERSHOR 1999!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura