MEVLYDE MEZINI SARAÇI: VEPRA E DËSHMORIT SELVER MAÇKAJ, ËSHTË SHEMBULL I ATDHETARIT TË IDEALEVE TË MËDHA, VEPRIMTARIT DHE LUFTËTARIT PËR ÇLIRIMIN E KOMBIT

Pashtriku.org, 18 tetor 2017: Të studiosh nga afër personalitetin dhe historinë e individit në raport me kombin, aq më thellë, ndjen dhembje dhe krenari njëkohësisht.
Kam njohur atdhetarë, të cilët nga thjeshtësia dhe modestia individuale në jetë, me veprat e tyre janë shndërruar në madhështi dhe krenari kombëtare.
Edhe Selveri ishte i tillë! E njoha përmes historisë kombëtare, të cilën e shkroi vepra e tij dhe e bashkëluftëtarëve, e shkruan luftëtarët e lirisë, përmes grykës së pushkës, me rastin e rënies së tij në front, ballë për ballë me armikun, duke shporrur njëherë e përgjithmonë armikun bashkë me zinxhirët ndarës të kufirit shqiptaro shqiptar.
Përmes rrëfimeve të trimëreshës Selvisha, nënës që di të lind veç trima, përmes rrëfimeve të Xhyheres, bashkëshortes së tij dhe vajzës Silvanës, por edhe të gjithë familjarëve, ia njoha jetën, veprimtarinë, luftën dhe krenarinë prej atdhetari, që nga vegjëlia.

Dëshmori i Kombit Selver Maçkaj – me bashkëshorten e tij, Xhyheren (maj 1999)

Vetë ardhja në jetë e Selverit në një martesë , nga prindërit, Bajram e Vezire Maçkaj, të cilët kanë pritur fëmijë për dymbëdhjetë vjet me radhë, na vjen si lindje profetike.
E kërkuan prindërit për shumë vite dhe Selveri erdhi në jetë vetëm atëherë kur iu desh kombit e atdheut, u rrit dhe u zhvillua si njeri i ndershëm e intelektual, për të qenë i gatshëm në kohën e zgjimit kombëtar.
Nga fryma dhe edukata që mori nga prindërit e tij atdhetarë dhe trima, ai arriti që të pasurohet me të gjitha virtytet njerëzore deri sa u fisnikërua edhe si mjeshtër i komunikimit dhe radiolidhjeve dhe i artit luftarak .
Në jetën e Selverit asgjë nuk kishte ardhur rastësisht, madje as aktiviteti, lufta e as rënia e tij në fushën e nderit!
Ai që i ri, kishte mësuar shumë, kishte lexuar shumë dhe ishte frymëzuar deri në atë shkallë, sa për tu bërë njëri ndër veprimtarët e hershëm që i shërbeu kombit, për çka flasin edhe bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e tij, në këtë monografi.
Atdhetarët e trimat nuk janë mite, por janë njerëz, në jetën reale dhe dallimi është se të tillët numërojnë vetëm lindjet ndërsa ditëvdekjet figurojnë vetëm si numra…
Ata jetojnë në lartësinë e merituar, në shpirtin dhe zemrat e shqiptarëve, të atyre që vlerësojnë lirinë e kombit dhe e ruajnë atë si sytë e ballit.
Qielli është lartësia e merituar për të rënët, të cilët jetën e vet ia falën tokës nënë, për ata që ranë për të jetuar shqiptarët të lirë brez pas brezi, për ata që ua fshin lotin dhe ua kthyen fëmijëve buzëqeshjen e jetës, për ata që ujitën themelet e lirisë me gjakun e tyre, për ata që fituan përjetësinë, ndërsa për njerëzit e vdekshëm është i pa arritshëm!
Prandaj, këtu është shkëlqimi i dëshmorëve dhe të rënëve për liri, është çmimi që ka sakrifica e tyre për atdheun, këtu vlerësohet pesha e lirisë, këtu matet dashuria për atdheun dhe për kombin që i tejkalon përmasat e një jete individuale dhe një familjeje.
Të tillët nuk mund të veprojnë ndryshe vetëm ashtu siç janë lindur, rritur, edukuar dhe ndërtuar, të gjallë në jetë, të pavdekshëm në përjetësi dhe të cilët pas rënies për liri, në vend të dhembjes dhurojnë krenari e frymëzim.
Jeta e Selverit nuk ishte një jetë e lakmueshme për të rinjtë që e kuptojnë jetën vetëm në suaza personale e familjare, por ishte një jetë e mbushur me dashuri, vështirësi, luftë për ekzistencë, angazhim maksimal për të siguruar bukën e gojës për vete dhe familjen, jetë me batica e zbatica, me të gjitha karakteristikat që e përmbushin jetën e një atdhetari, cili është i denjë për të zhvilluar aktivitete kombëtare por edhe për të dhënë më të shtrenjtën, jetën!
Edhe ardhja në luftë nga Italia ishte njëra nga cilësitë që e dallonin Selverin!
Ai gjithmonë kishte vepruar atë që kishte ndjerë në shpirt dhe kishte bërë ato veprime që i kërkonte atdheu, saktë dhe me përgjegjësi.
Sakrifica sublime e të gjithë të rënëve duhet të vlerësohet si çmim i shtrenjtë i lirisë së shumëpritur, si çmim i ndërtimit të një shteti të ri, për herë të parë në ekzistimin e saj që kishte qëllim të vetëm bashkimin e trojeve shqiptare, unifikimin e veprimeve dhe të mendimeve si një komb!
Dëshmorin e kombit, Selver Maçkaj, i cili meriton të quhet hero, me gjithë kuptimin e fjalës për meritat që ka, nuk e kam takuar asnjëherë në jetë, por e kam takuar dhe po e takoj çdo ditë në historinë që e shkroi bashkë me shokët e tij, me trimërinë dhe heroizmin e jashtëzakonshëm në luftën e drejtpërdrejtë dhe të përgjakshme në thyerjen e kufirit shqiptaro shqiptar, në bjeshkët e Pashtrikut, me brigadën 128 të Zonës Operative të Pashtrikut!
Të gjithë ata trima që luftuan në këtë front të hapur kundër një ushtrie fashiste të Serbisë, të mbështetur me të gjitha armatimet më moderne luftarake edhe nga Rusia e që sot janë dëshmorë, duhet të çmohen dhe të ruhen si margaritarë lirie, sepse me gjithë shpirt kanë luftuar dhe të vetëdijshëm edhe për sakrificën sublime.
Gjoksi i Selverit si bjeshka e rrënoi bjeshkën e kufirit që qëndronte si fantazmë më shumë se njëqind vjet dhe pushka e tij shkrepi me gjithë fuqinë e shpirtit të tij atdhetar me dëshirën e madhe që liria e Kosovës të buzëqeshë përgjithmonë, që të ndriçoj nën qiellin e Kosovës dhe të shqiptarëve, që fëmijët, familja e tij dhe mbarë kombi të qëndrojnë krenar përgjithmonë.
Mbase dëshmorit, Selver Maçkaj i ka mbetur plagë në shpirt, detyrimi që vinte si obligim i ligjeve ushtarake që ta kthej në shtëpi Xhyheren, bashkëshorten dhe bashkëluftëtaren tij, duke mos arritur t’ia plotësonte të vetmen dëshirë, që të luftojnë së bashku kundër armikut, në front të hapur.
Mbase dëshira e madhe për të kontribuar për lirinë e Kosovës nuk e kishte vënë në mendime se mund të vriteshin që të dy prindërit dhe fëmijët të mos kishin mbështetje prindërore.
Nuk do të shkruaj për përmbajtjen e librit sepse ju do të keni mundësi të lexoni rrëfime dramatike të autores, Xhyheres, bashkëshorte dhe bashkëluftëtare e dëshmorit, të nënës trimëreshë, Selvishës por edhe rrëfime të tjera deri tek evokimi i kujtimeve nga bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e Selverit.
Do ta veçoja këtë monografi të shkruar nga autorja, Xhyhere Vezaj Maçkaj e cila në mënyrën më modeste paraqet veten e saj, duke lartësuar gjithmonë vlerat e luftës dhe gjakun e dëshmorëve për liri, më saktë jetën e bashkëshortit të saj, dëshmorit të kombit, Selver Maçkaj por edhe të familjes!
Vetë libri monografik e sjell autoren, atdhetaren, Xhyhere Vezaj Maçkaj, si një grua qëndrese, luftëtare e dritës , një luftëtare e lirisë, një kryefamiljare e sprovuar me të gjitha vështirësitë e jetës deri te sakrifica e saj si zonjë e cila mbeti pa bashkëshortin e saj në moshë shumë të re dhe i mbeti besnike deri në vdekje duke i rritur dhe edukuar me dashurinë e nënës, tre fëmijët e saj që ia la amanet babai i tyre dëshmori, Selver Maçkaj!
Një ngjarje tragjike në familjen e dëshmorit, është edhe djegia e shtëpisë së familjes së Selverit, në Lagjen Tusuz, në Prizren, në të cilën e dogjën edhe Fazilen, të motrën e Selverit, vajzën me aftësi të kufizuara, vetëm e vetëm që ti hakmerren, Selverit dhe të vëllait, Enverit të cilët ishin rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe mbarë familjes atdhetare Maçkaj!
Prandaj në këtë monografi, heroi dhe personazhi kryesor është dëshmori i kombit, Selver Maçkaj, por ka dhe të tjerë protagonistë e rrëfime, sa origjinale aq edhe emocionale ku në mënyrë të sinqertë e pa hiperbolizim, përshkruhen sakrificat me të cilat u përballën individët dhe kombi, në raport me armikun dhe pasojat e luftës.
Autorja e kësaj monografie, tanimë e njohur me disa botime me poezi edhe kësaj radhe përveç rrëfimit të saj për jetën dhe bashkëshortin e saj, dëshmorin e kombit Selver Maçkaj, ka zgjedhur mënyrën që përmes frymëzimit në vargje të përshkruaj ndjenjat e saj të shpirtit, të botës së të brendshme me të cilën përballet çdo sekondë të jetës.
Gjithashtu monografia përmban një kapitull të veçantë me albumin e fotografive, si kronologji e jetës dhe veprës së dëshmorit Selver Maçkaj, familjes së tij në ditët më të bukura dhe të lumtura të jetës së tij por edhe të tjera të cilat paraqesin dëshmi nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për lirinë e vendit.
Në këtë album janë prezantuar edhe fotografitë e varrimit të dëshmorit të kombit Selver Maçkaj, në Kukës, por të rivarrimit në Kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Landovicë.
Gjithashtu janë prezantuar edhe fotografitë e varrimit dhe rivarrimit të motrës së dëshmorit e cila u dogj e gjallë nga kriminelët serbë bashkë me shtëpinë .
Duke shprehur respekt dhe mirënjohje të thellë për dëshmorët dhe të rënët, ndjehem jashtëzakonisht e nderuar që autorja e kësaj monografie, Znj. Xhyhere Vezaj Maçkaj, poetja, luftëtarja e lirisë, bashkëshortja e dëshmorit Selver Maçkaj i tejkaloi kufijtë provincial dhe më angazhoi në rolin e redaktores, në këtë monografi.
Secili prej nesh që ka mundësi të shpreh vlerësimin e sakrificës sublime, admirimin dhe respektin, jam e sigurt se ndien lehtësim shpirtëror dhe pse jo në momentet e angazhimit dhe punës, futet në botën e personazhit me të gjitha karakteristikat që përshkruhen por edhe bëhet pjesë e frymëzimit të mëtejmë për të mbrojtur lirinë e vendit, të fituar me gjakun e pastër të dëshmorëve pa kushtëzime.
Lavdi të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës!
Lavdi dëshmorit, Selver Maçkaj!
Autores së kësaj monografie, Zonjës Xhyhere Vezaj Maçkaj, bashkëshortes dhe bashkëluftëtares së dëshmorit Selver Maçkaj, i uroj shëndet, jetë të gjatë dhe shumë krijime e botime të tjera, gjithmonë në mbështetjen e bijës së saj Silvanës, bijve Florentit dhe Jaserit, familjes, por edhe më gjerë!
_______________

Fjala e redaktores Mevlyde Mezini Saraçi, e mbajtur më 16 tetor 2017, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren – me rastin e promovimit të librit: “MONOGRAFI – SELVER BAJRAM MAҪKAJ – DËSHMOR I KOMBIT’, të autores Xhyhere Vezaj Maçkaj.

M O N O G R A F I
KUSHTUAR DËSHMORIT TË KOMBIT SELVER MAÇKAJ
– XHYHERE VEZAJ MAÇKAJ, autore e librit,
– MEVLYDE MEZINI SARAÇI, Redaktore e librit
– Botues: Qendra Kombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Qkpsha Gjakova”
– Shtypi: Lenagrafik, Prishtinë 2017.

Familja e dëshmorit të Kombit, Selver B.Maçkaj. Bashkëshortja Xhyhere Vezaj Maçkaj me fëmijët: Silvanën, Florentin dhe Jaserin.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura