Prishtinë, 22 korrik 2020: Në numrin e 24 janarit të vitit 1998, “Zëri” sjell intervistën me Xhafer Shatrin, atëherë ministër për informim në Qeverinë në egzil të Republikës së Kosovës, i cili në mes tjerash pasi apostrofon se ne duhet ta shohim realitetin në sy , deklaron se “Nuk mund të themi tash se UÇK-ja nuk ekziston se është dorë e zgjatur e Serbisë dhe se njerëzit me dy fije mend në kokë nuk guxojnë të sillen në mënyrë kaq të papërgjegjshme, UÇK-ja ekziston”. Shatri, më tej duke dhënë shpjegime për shkaqet që sollën deri te paraqitja e UÇK-së, nënvizon terrorizmin sistematik serb, indiferencën e Fuqive të Mëdha, si dhe, pa aftësinë dhe papërgjegjësinë e udhëheqjes së Kosovës. Ishte ajo paraqitja e parë, mjaft transparente e një zyrtari të Qeverisë në egzil të Republikës së Kosovës, i cili, në cilësi të ministrit të informatave ishte jashtëzakonisht i hapur, i drejtpërdrejt dhe, nga një aspekt kritikonte qëndrimet “oportune” të krerëve të LDK-së në lidhje me paraqitjen, rolin dhe fuqinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Artikullshkruesi në ,,Zëri” e 31 janar 1997, pra pas sulmit të parë serb mbi familjen e Jasharve , në shkrimin me titull: Shaban Jashari, apo “Dy duar për një krye“ shkruan se vetëm fjalitë e Shaban Jasharit kanë frymë e shpirt “Unë kam vetëm një shtëpi dhe prej saj nuk kam ku të shkojë” (1). Ishte ai prononcimi ekskluziv i kryeplakut të familjes Jashari, i cili i bënte me dije opinionit shqiptar, por në radhë të parë, pushtetit sundues serb se, familja Jashari, sikur edhe populli mbarë i Kosovës është e vendosur të luftojë edhe ma armë për ta mbrojtur pragun e shtëpisë. Dy muaj më pas, ai paralajmërim i kryeplakut dhe trimit të Drenicës, Shaban Murat Jashari u bë realitet, kur më 5, 6 dhe 7 mars familja Jashari, Shabani me djemtë Hamzën, Ademin dhe fëmijë e gra, luftuan deri në rënien e tyre heroik kundër hordhive të ushtrisë dhe policisë serbe.
Në të njëjtin numër ,,Zëri”boton një reportazh të gjatë për historinë e familjes Jasharve të realizuar, nga autori i kësaj Kumtese dhe kolegia e tij e punës, në odën e kryeplakut Shaban Murat Jashari. (2)
“ Zëri”, në një vështrim të korrespodentit të vetë nga Nju-Jorku, të datës 28 shkurt 1998, sikur paralajmëronte një intonacion krejtësisht tjetër fare të zyrtarëve amerikanë rreth paraqitjes dhe aktiviteteve luftarake të UÇK-së. Ishte ajo periudha kur diplomacia amerikane, pa pritur dhe në befasi i ndryshon pozicionimet e veta rreth rolit të UÇK-së.
Shaban Murat Jashari me dy nipat e tij, foto e realizuar më 31 dhjetor 1991 nga Ilaz Bylykbashi. Nga e majta Fitim Adem Jashari 11 vjeçar dhe Lulzim Adem Jashari 15 vjeçar. Kjo fotografi është realizuar pas sulmit të parë të forcave serbe në kullen e Jasharajve në Prekaz., më 30 dhjetor 1991.
Artikullshkruesi, në korrespondencën nga Nju Jorku shkruante se, sipas disa diplomatëve amerikanë dhe politikanëve amerikanë UÇK-ja së shpejti mundë të shpallet organizatë terroriste dhe të gjithë ata që kanë pasur kontakte apo kanë kontribuar për fondin e saj mund të vihen në pozita të palakmueshme sa i përket karrierës së tyre në diplomaci. Këto vlerësime në diplomacinë amerikane arritën pas vizitës së Robert Gelbard në Kosovës kur ai, në takimin me Ibrahim Rugovën, dhe madje edhe në konferencën e mbajtur për shtyp, bëri trysni mbi palën shqiptare dhe e denoncoi UÇK-në. Paraqitja e diplomatit Robert Gelbard, ishte e pa pritur dhe kishte krijuar huti të madhe në opinionin publik të Kosovës dhe përgjithësisht në opinionin shqiptar. Sigurisht, edhe shumë nivele, qarqe të diplomacisë ndërkombëtare të kohës, pra jo vetëm udhëheqja serbe e kishin komentuar atë deklaratë dhe atë ndryshim të kursit diplomatik të Qeverisë amerikane rreth rolit të UÇK-së.
Paraqitja e parë e një politikani shqiptar i cili në mënyrë transparente flet për UÇK-në është realizuar në “Zërin” e 14 marsit të vitit 1998 në vështrimin editorial të Adem Demaçit që mbante titullin: “Ballë për ballë me UÇK-në”. Demaçi me guximin intelektual, kombëtar dhe politik, vlerësonte se “Dalja në skenën tonë politike e UÇK-së është shfaqja më e re dhe më e befasishme gjatë pesëdhjetë vjetëve të fundit. (3) Demaçi, i cili që nga themelimi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (shtator 1963) kishte propaganduar se, Kosova nuk çlirohet dhe nuk bashkohet me Shqipërinë pa luftë, pa kryengritje gjithë popullore në vitin 1998 e kishte krejtësisht të qartë se, UÇK-ja ishte forca kryesore, jo vetëm e sfidimit të pushtuesit serb, por edhe e çlirimit të Kosovës së robëruar dhe hapjes së të ardhmes së re, të lirë dhe demokratike për popullin e Kosovës. Por, megjithatë, duhet thënë se, zëri i Demaçit, për atë kohë, ishte zë i veçantë për shqiptarinë, ndaj ndikimi i tij në krijimin e opinionit për luftë, për t’iu bashkangjitur UÇK-së ishte shumë domethënës, shumë me ndikim, shumë i fuqishëm. Madje, pikëpamjet e Demaçit për UÇK-në trajtoheshin me shumë kureshtje dhe interesim edhe në qarqet e diplomacisë ndërkombëtare të kohës.
Prandaj, Demaçi konstatonte me guxim dhe me vizion se, “Kjo forcë e organizuar serioze ilegale po sfidon në mënyrë më të mirë jo vetëm regjimin serb jo vetëm politikën tonë të rezistencës paqësore, por edhe politikën ballkanike, evropiane dhe botërore”.
Duke qenë, gjithnjë kritik ndaj politikës pacifiste, Demaçi e mbronte qëndrimin se, UÇK-ja është “pjellë e politikës së gabuar, e kompromisit dhe e vonesave të faktorit ndërkombëtar ndaj regjimit fashist e terrorist serb“. Pra, sipas Demaçit, kishte ardhur koha e kryengritjes së armatosur të popullit të Kosovës ndaj sundimit serb, si rruga e vetme për çlirim.
Deklarimi i tillë kaq i guximshëm i Demaçit, për kohën që ishte thënë ishte aq më domethënës, për faktin se pikërisht në atë periudhë, UÇK-ja denoncohej nga segmente të diplomacisë perëndimore, kurse politikanët e atëhershëm të Kosovës, në prononcimet e tyre për opinionin, hezitonin të deklaroheshin për UÇK-në. Demaçi edhe në numrin e 28 marsit të vitit 1998, në vështrimin e tij editorial, botuar në “Zëri” i mbetët besnik guximit të tij, kur në vështrimin për zhvillimet e Kosovës shkruante se “Tash e tutje deshëm apo së deshëm, u gjendëm ballë për ballë me UÇK-në, të gjithë pa përjashtime“. Në fakt, me këto qëndrime, Demaçi i bënte thirrje popullit, i madh e i vogël që me guxim dhe pa kurrfarë frike ta përkrahin UÇK-në dhe t’i bashkëngjiten nëpër aradhët luftarake në front, në fushëbetejë.
Demaçi vlerëson se me shfaqjen e UÇK-së regjimit serb i është prishur krejtësisht projekti i zgjedhjes së çështjes së Kosovës, pra, sipas Demaçit, i ishte prishur plani për serbizimin e Kosovës dhe se “Kur UÇK-ja doli me kumtesën se ajo nuk do të pranoj kurrfarë marrëveshje për Kosovën pa pjesëmarrjen e saj në negociata, atëherë gjërat ndryshuan diametralisht”.
“Zëri”, në një analizë të shkrimeve të shtypit perëndimore rreth UÇK-së më botimin e datës 11 prill 1998, shkruan se “Fakti se UÇK-së i mungon krahu politikë dhe përvoja e strategjisë luftarake, e bën edhe më lehtë për shënjestrën e armatimit të rënd serb, që rrezikon jo vetëm UÇK-në por edhe popullatën shqiptare në tërësi”. Ishte ai një shqetësim real, i arsyeshëm dhe i drejtpërdrejt për kohën, ndërkohë që, zhvillimet e mëtejshme brenda UÇK-së dëshmojnë se, ishte forcuar edhe krahu politik, të cilin e drejtonte, Drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së, z. Hashim Thaçi.
“Zëri” me këtë rast citon një ekspert ushtarak amerikan i cili kishte deklaruar se: “Fakti që popullata shqiptare tash është e ndarë midis UÇK-së dhe politikës paqësore, do t’i kushtonte shtrenjtë Kosovës”. Ishte muaji prill, 1998 kur në të njëjtin numër “Zëri” shkruante se “Për UÇK-në në qarqet politike shqiptare edhe më tej ka një heshtje ose së paku mëdyshje se a duhet bërë apo jo analiza publike e veprimeve dhe e qëllimeve të saj”, për të konstatuar se “Tashmë duket se UÇK-ja po zhvillohet në një organizatë të fuqishme guerile, madje se është duke u vënë në ballë të rebelimit dhe të kryengritjes”. Pra, artikullshkruesi, vë theksin mbi faktin se, UÇK-ja po zhvillohej, ndërtohej, afirmohej si një organizatë e fuqishme guerile dhe, po vihej në ballë, në udhëheqje të rebelimit dhe të kryengritjes së shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit pushtues serb.
Artikullshkruesi, me të drejtë konstaton se “Politika e UÇK-së bie ndesh me përcaktimin e udhëheqjes politike, se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të arrihet me mjete politike dhe negociata, kurse UÇK-ja preferon luftën e armatosur”. Në opinionin politik të popullit të Kosovës, po forcohej admirimi për UÇK-në, për rolin e saj vendimtar në çlirimin e vendit nga sundimi serb dhe, gjithnjë e më tepër, politika e deriatëhershme pacifiste po e humbte fuqinë e ndikimit në masa, po shihej si një politikë e cila, realisht nuk mund ta çlirojë Kosovën nga sundimi serb.
“Zëri”, në numrin e 9 majit 1998 vazhdon të merret me temën e titulluar “Sqarimet me UÇK-në”. (4)
Artikullshkruesi, pasi konstaton se “nuk ka më aspak dyshim në ngritjen rapide të kësaj organizate”, vlerëson se “Vetë forcimi i UÇK-së me rekrutimin e disa mijëra luftëtarëve shënon kthesë të madhe, dhe se UÇK-ja paraqitet si forcë reale vepruese që sfidon ndryshimin rrënjësor jo vetëm të raportit të forcave në skenën politike kosovare, por edhe përgjithësisht të raporteve në skenën mbarëkombëtare”.
Autori me tej vlerëson se: “Në udhëheqjen e UÇK-së sikur ekziston bindja se konfliktet e tashme nuk janë vetëm kryengritje ndaj pushtimit serb, por kjo është njëkohësisht kryengritja edhe kundër pushteteve shqiptare, qoftë në Kosovë, në Shqipëri apo në Maqedoni, derisa këto pushtete udhëheqin një strategji të gabueshme dhe presin kot që zgjidhja e çështjes kombëtare të realizohet vetëm me mjetet politike“. Gjithsesi, me konstatimet e tilla politike, artikullshkruesi në “Zëri”, për herë të parë dhe shumë qartë e vë në spikamë çështjen e kundërshtimeve, mospajtimeve, por edhe konfrontimeve politike përbrenda faktorit politik shqiptar për rrugët e çlirimit të Kosovës. Nga njëra anë, sipas “Zërit”, ishte politika, strategjia pacifiste me në krye LDK-në, e përkrahur edhe nga qarqe zyrtare në Tiranë dhe në Tetovë/Shkup dhe, nga ana tjetër po qëndronte përballë strategjia e UÇK-së sipas të cilës, Kosova mund të çlirohej vetëm me kryengritje të armatosur, pra me luftë gjithë popullore. Ai reflektim politik i artikullshkruesit, për ballafaqimin dhe kundërvënien e këtyre dy strategjive, pra asaj pacifiste dhe të luftës kishte filluar të bënte opinione të caktuara ndër shqiptarët kudo që ishin.
Zhvillimet politike të determinuar nga veprimet çlirimtare të UÇK-së , bën që, megjithatë, edhe në skenën e diplomacisë ndërkombëtare, të ketë evoluime pozitive karshi synimeve kombëtare të UÇK-së. “Zëri”, duke përcjellë me pedanteri një varg tubimesh që në maj të vitit 1998 ishin mbajtur në Nju-Jork, gjithnjë në mbështetje te UÇK-së me shkrimin me titull “UÇK-ja në Amerikë”, të botuar më 16 maj të vitit 1998, citonte një gjeneral shqiptar i cili në një tubim të shqiptarëve në Nju-Jork, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kishte quajtur “një fëmijë të shëndosh, i cili duhet të ndihmohet që të rritet“. Kurse, gjithnjë sipas artikullit të sipërcituar, Xhozef Dioguardi kishte propozuar që UÇK-ja të futet nën organet legjitime të Republikës së Kosovës, në mënyrë që njerëzit si Gelbard të mos kenë mundësi manipulimi me terma.
Në të njëjtin numër të “Zërit”, korrespondenti i saj i përhershëm nga Nju Jorku analizonte se “Kumtesa e fundit e komandës së UÇK-së të lë përshtypjen e një vetëbesimi në rritjen e kësaj organizate, që tashmë e konsideron vetën si faktorë më se relevant, nëse jo edhe vendimtarë, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe se supozohet se Beogradi nuk ka llogaritur me një forcim kaq marramendës te UÇK-së“. Pra, sipas artikullshkruesit, vetëbesimi i UÇK-së ishte në rritje e sipër, përkrahja nga populli gjithnjë në rritje, ndërkohë që, populli i Kosovës po ndërgjegjësohej se, UÇK-ja ishte e vetmja forcë ushtarake dhe politiko – kombëtare për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb. Në fakt, opinionet e tilla, përmes javores “Zëri”, kishin ndikime të fuqishme dhe historike në krijimin e ndërgjegjësimit mbarë shqiptar se, vetëm me kryengritje të armatosur nën udhëheqjen e UÇK-së, populli i Kosovës mund të çlirohej. Ai opinion ishte me rëndësi të madhe kombëtare, sepse po e rriste popullaritetin e UÇK-së tek secili shqiptar, i betuar t’i shërbejë atdheut të robëruar, kauzës për çlirim nga sundimi barabar serb/sllav.
Robert Gellbard dhe Ibrahim Rugova (shkurt 1998)
Në reportazhin me titull “Me ata që luftojnë e besojnë në lirin e Kosovës”, botuar ne “Zëri”-n e 30 majit 1998, artikullshkruesi, citon një pjesëtar të UÇK-së i cili duke vënë mesazhin e luftëtarit të lirisë shprehët se: “Me dëshirën më të madhe jemi të gatshëm të japim edhe jetën për Kosovën se, më e shtrenjtë është liria sesa jeta, se vdekja për lirin e Kosovës do të ishte fati im më i madh jetësor dhe se vetëm pavarësia e Kosovës është zgjidhje e drejt”. Nga këto shprehje të atij ushtari të UÇK-së mund të nxirrej konkludimi se, ushtarët e UÇK-së ishin trima të vërtetë të kohës, ishin të vendosur në luftën për Kosovë, prandaj edhe shprehnin ngazëllimin e tyre, idealizmin e tyre atdhetar me idenë se, vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte lumturia e tyre më e madhe jetësore. Sigurisht, paraqitjet e tilla në mediet e Kosovës, pra edhe në “Zëri” e forcon moralin e qëndresës së popullit tonë dhe devotshmërinë e tyre që, me jetë a vdekje të jenë në shërbim të Kosovës, të çlirimit të saj nga sundimi serb.
VIJON …
__________
1 ,,Zëri”. 31/01/1998
2 Po aty
3 ,,Zëri” 14/03/1998
4 ,,Zëri”.9/05/1998
***
PROF.DR.AGIM ZOGAJ: HISTORIK I USHTRISË ÃªLIRIMTARE TË KOSOVËS NË JAVOREN ‘ZËRI’ (DHJETOR – 1997 – MARS 1999) (Pjesa I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10290