PROF.DR.NUSRET PLLANA: FERIZ GURI – KOMANDANT SHPATA, URAGANI I UÇK’së

Prishtinë, 23 prill 2019: “(…). E mora lajmin se ra Ferizi. Bënin përpjekje për ta tërhequr. Për mua çdo ushtarë, i cili kishte firmosur kontratën për të vdekur për këtë tokë, ishte Feriz. Për mua ishin të gjithë Feriz. Ishin djemtë e mi, vëllezërit e mi. Unë u kërkova atyre ushtarëve që mos të na bien djem të tjerë duke i tërhequr Ferizin dhe Xhevdetin. Nëse mbesin për një kohë, një ditë ua gjejmë eshtrat. Por, t’i ruajmë djemtë e tjerë. Po ju them sinqerisht, se kush e ka firmosur kontartën t’i dalë zot kësaj toke është Feriz për mua. Këtë qëllim e kam pasur fillim e mbarim” (fundi i citatit); marrë nga libri: Uragani i UÇK-së – i autorit: Nusret Pllana
Këto fjalë të të madhit Faik Guri – babait të Ferizit, i cili po na mungon shumë edhe sot, janë për antologji të dashur vëllezër e motra. Andaj, në nderim të 20 vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve të kombit Feriz Guri e Xhevdet Guri, dhe në shenjë respekti të përjetshëm për ta, por edhe për bashkëluftëtarin tonë Faik Guri, e meritojnë një duartrokitje të veçantë nga Ju.
Të dashur vëllezër e motra,
I nderuari Kryetar i Komunës së Hanit të Elezit, z.Rufki Sumaj,
I nderuari Kryetar i Komunës së Kaçanikut, Dr.Besim Ilazi,
I nderuari Rafis Haliti- Komandant Mësuesi,
E nderuara Familje e Madhe Guri,
Të nderuar veteranë dhe invalidë të tri luftërave tona çlirimtare,
Të nderuar të pranishëm,

Na ka tubuar sot, këtu në këtë Sallë të bukur të kulturës, të Komunës së Hanit të Elezit, gjaku i dy luftëtarëve emblematik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dy dëshmorëve të kombit: Feriz Guri – Komandant Shpata dhe Xhevdet Guri.

Feriz Guri – Komandant Shpata

Në historinë e popujve ka plotë ngjarje që janë harruar krye tri dite, si dasmat e këqija. Ka ngjarje që bëhen pjesë e kujtesës folklorike të një populli. Ngjarjet që i ka përjetësuar populli, jo vetëm në krijimet e tij, por edhe në kujtesën e tij, janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga qëndresa individuale e trimave të periudhave të ndryshme kohore e deri te lufta për mbrojtjen e kufijve të vendit, të cilët Evropa ua kishte dhënë fqinjëve tanë. Me luftëtarët e lirisë të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të shu-mtën e herëve po ndodh ndryshe. Po ashtu, edhe me ngjarjet që lidhen me këtë luftë çlirimtare, zakonisht ka ndodhur ndryshe, se sa jemi mësuar t’i hetojmë në kujtesën folklorike të popullit tonë. Kjo nuk do të thotë se populli ynë është popull që ka kujtesë folklorike. Përkundrazi. Vetëm një popull që ka ruajtur kujtesën historike, është në gjendje të organizojë një luftë çlirimtare, kur në Evropë dhe gjetiu luftërat kishin përfunduar kaherë, kur armiqësitë në mes vendeve mbikëqyreshin nga fuqitë e mëdha të botës, qoftë edhe për hir të sigurisë së tyre. Mirëpo, shqiptarët të cilët i kishte përgjysmuar historia, nuk kishin harruar se dikur kishin qenë bashkë, kishin pa-sur një shtet, qoftë edhe të porsakrijuar, shtetin shqiptar të dalë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë londineze, në Vlorë, më 1912.
Dëshmori i Kombit Feriz Guri, si fëmijë dhe si i ri nuk ka mundur ta marrë me mend, se në këtë pjesë të atdheut të tij, historia kishte bërë padrejtësi të mëdha historike duke ia dhënë një pjesë të gjeografisë kombëtare shqiptare fqinjëve të saj. Ai çuditej, si ishte e mundur të copëtohej toka e tij në aq shumë pjesë, kur shqiptarët ishin gjallë, ishin banorë të atyre tokave, por ishin të detyruar të mësonin gjuhë dhe kultura të huaja. Këtu kishte zënë fill edhe pakënaqësia e tij, por edhe dilemat e tij jetësore. Ishte nxënës i gjimnazit, kur ai u prinë shokëve të shkollës që t’u bëhen krahë kërkesave të minatorëve dhe të qytetarëve të tjerë të Kosovës, që të ruhej ajo pak autonomi, që ia kishte dhënë Serbia në vitin 1974 Kosovës së tij.
Ishte nxënës i dy shkollave të mesme, sipas sistemit arsimor të asaj kohe, që kishin emra të veçantë, jo vetëm për të, jo vetëm për Kaçanikun e tij, por edhe për pjesë të tjera të Kosovës. Në dy vitet e para të shkollës së mesme, ndoqi mësimet në shkollën “Voskopoja”. Feriz Guri ende nuk e kishte mësuar se dikur në Voskopojë, emrin e secilës e mbante shkolla e tij profesionale, kishte pasur një Akademi, ishin botuar libra, jo vetëm për kulturën e shkencave shoqërore, por edhe për shkencat ekzakte, deri edhe për kozmosin, duke shpjeguar të arriturat shkencore të asaj kohe, edhe në fushën e Astronomisë. Por, Voskopoja ishte rrënuar, ishte djegur dhe bërë shkrumb e hi, ishte zhdukur Akademia e saj, ishin varë dhe ishin përzënë njerëzit, të ditur e të paditur, vetëm që ajo të mos ekzistonte më. Pastaj kishte vazhduar dy klasat e tjera të shkollës së mesme në gjimnazin “Skënderbeu” të Kaçanikut të tij, të cilin në kohën kur këto shkolla pagëzoheshin me emra të këtillë, zot shtëpie në Kaçanik ishte atdhetari Salih Bajra.
Nga këtu kishte filluar frymëzimi i tij për ta dashur atdheun, edhe ashtu të copëtuar, për ta kërkuar dhe për ta dashur lirinë, si pjesë të jetës së tij dhe të popullit të tij. Sepse, kishte mësuar edhe nga familja, edhe nga librat që lexonte, edhe nga mësuesit dhe arsimtarët e tij, se pa liri jeta e asnjë njeriu, andaj as jeta e asnjë populli nuk ka kuptim. Prandaj, luftojnë popujt që të jenë të lirë, që ta kenë lirinë e tyre, që të rriten, të punojnë, të krijojnë dhe të vdesin të lirë.
Me këto ide dhe me këto ideale jetësore kishte filluar studimet, të cilat i përfundon me sukses të shkëlqyeshëm, duke dëshmuar kështu se mundin, angazhimin dhe djersën e familjes së tij, e të bacës Faik në veçanti nuk i ka nëpërkëmbur.
Për ta përmbushur idealin e tij, për lirinë e kësaj pjesë të tokave shqiptare, ai merr pushkën dhe bëhet ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ngjarjet e Luftës së UÇK-së në Kosovë, kudo ku kishte ushtarë të lirisë dhe kudo ku dëgjohej pushka e tyre, ishin pjesë e veprimeve të luftëtarit të lirisë, Feriz Guri. Në këtë mënyrë ai radhitet në mesin e atyre shqiptarëve që i thanë ndal dhunës, shfrytëzimit, pushtimit, robërisë, poshtrimit dhe padrejtësive historike. Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, lufta e Feriz Gurit është luftë për tërësinë e atdheut.
Pas rënies së tij dhe të kushëririt të tij Xhevdetit (më 22 prill 1999) në altarin e lirisë së kësaj pjese të atdheut, lufta për liri do të filloi edhe në pjesët e tjera të tokave të okupuara të gjeografisë kombëtare.
Mirëpo, ndonjëherë proceset historike dhe arritjet në kulturën e një populli nuk shkojnë krahas. Kultura, pra ana e përjetësimit të veprimeve historike, ndonjëherë vo-nohet dhe nuk i përgjigjet tërësisht atyre ngjarjeve që bëjnë ndryshimin e kohëve, duke i hapur rrugë krijimit të kombit modern shqiptar. Feriz Guri e dinte se kombi i tij ishte kombi shqiptar, prandaj këtë përkatësi ai e dëshmonte edhe me luftën e tij, kur e kishte kuptuar se një pjesë e kombit ishte i robëruar. Duhej Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duhej lufta e Feriz Gurit, që kjo pjesë e kombit shqiptar, pas më shumë se një shekull robërie, të bëhet pjesë e tërësisë së kombit modern shqiptar. Qoftë vetëm për këtë fakt, lufta e Feriz Gurit dhe e Xhevdet Gurit dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre ka përmasë kombëtare. Kur themi lufta e Feriz Gurit -Komandant Shpatës, kemi thënë tërësia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ushtar i së cilës ishte Feriz Guri, i cili në një çast të caktuar historik, me rënien e tij, bëhet pjesë e përjetësisë së luftës për liri.
Mirëpo, ndonjëherë, vonesat nuk ndodhin vetëm në jetën historike të popujve, siç ka ndodhur me luftën për liri të popullit të përgjysmuar shqiptar, e cila bëhet pas më shumë se një shekulli robërie. Këto vonesa, thënë sipërfaqësisht në këtë mënyrë, janë pjesë edhe e jetës kulturore të popujve. Andaj janë pjesë edhe e kulturës së popullit shqiptar.
Sepse, është pak jashtë logjikës normale të jetës së një populli që quhet popull historik, të ketë kaq këngë për ngjarje të mëdha si ishte Lufta e UÇK-së, e të mos ketë vepra të denja për nga vlera artistike ku trajtohet ajo, e të mos ketë vepra publicistike dhe shkencore ku shqyrtohet, analizohet dhe përjetësohet ajo. Ndonjëherë kjo mungesë e këtij trajtimi dhe e këtij shqyrtimi, dëshmon për mendësinë dhe për konceptin e nivelit intelektual të mjedisit tonë krijues.
Ka ngjarje që bëhen pjesë e kujtesës historike dhe kombëtare të popujve
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkundër faktit se është zhvilluar në rrethana shumë të rënda dhe krejt specifike, qoftë për raportet me faktorin e jashtëm, qoftë për raportet me faktorin e brendshëm, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, është nga ato ngjarje me përmasë historike që bën kujtesën historike dhe kombëtare të shqiptarëve (edhe pse procesi historik nuk ka përfunduar). Pjesë e këtyre proceseve është edhe lufta e luftëtarit të lirisë, Feriz Gurit. Po ashtu, pjesë e këtyre proceseve është edhe rënia në altarin e lirisë së kësaj pjese të kombit shqiptar e heronjëve të Kombit, Feriz Guri e Xhevdet Guri.
Procesi i papërfunduar historik, ose thënë ndryshe, procesi historik i ndërprerë dhunshëm në gjysmë të udhës, solli në skenën e jetës historike të shqiptarëve, së pari Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj edhe luftërat e tjera brenda pjesëve të okupuara të gjeografisë shqiptare. Andaj, përkundër hezitimit të faktorit ndërko-mbëtar, përkundër qyqarllëkut të shtresave politike dhe intelektuale shqiptare, ajo u pranua si luftë çlirimtare, qoftë edhe kur pjesëmarrësit e saj gjykoheshin në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës për krime lufte, por edhe tash kur po akuzohen në Gjykatën Speciale – e instaluar enkas për luftëtarët e lirisë, me të vetmin qëllim, njollosjen e luftës së pastër çlirimtare, tendenca këto ogurzeza të Evropës plakë, të cilat do të dështojnë me turpin e tyre edhe kësaj radhe, sepse e tërë bota e di që fajtore për gjenocidin serb mbi shqiptarët është Serbia fashiste, përkatësisht mijëra kriminela serbë, të cilët në vend që të dënoheshin për gjithë ato krime makabre, që dëshmojnë se,vetëm në periudhën e viteve 1981/1999, vetëm fëmijë të vrarë në Kosovë janë më shumë se 1370, por ata (kriminelët serbë) jetojnë të lirë dhe shëtisin të lirë.
Prandaj lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me Komandantin legjendar Adem Jashari dhe, lufta e Inxhinier Feriz Gurit – Komandant Shpatës me shokë, solli lirinë, jo vetëm lirinë fizike, por edhe lirinë mendore. Liria shpirtërore vjen me kohë. Pjesë e kësaj lirie shpirtërore janë edhe shenjat e kujtimit, shenjat e përjetësisë, si dhe shenjat e vlerësimit të luftës së Heroit të Kombit, Feriz Guri.
Lirinë fizike, ngase sot shqiptarët kurdo që duan të bëjnë një punë, një veprim, nuk kanë drojë se diku në rrugë, në oborr, në shkollë, në fabrika e institucione i pret postblloku i milicisë dhe ushtrisë fashiste serbe.
Lirinë mendore, sepse Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përveç përmbysjeve të tjera që ka shkaktuar në jetën shqiptare, ka përmbysur mentalitetin dhe psikologjinë e robit, pra ka hequr robërinë nga jeta e shqiptarëve. Kjo luftë ua ka hequr shqiptarëve “lepurin nga barku”, dhe u ka treguar atyre se liria as nuk mbinë nga toka as nuk pikë nga qielli. Ajo (liria pra) as nuk fitohet me ankesa e vajtime, e as me Konferenca për shtyp, por fitohet me gjak, me pushkën çlirimtare.
Lufta e UÇK-së, pjesë e së cilës ishte ushtari i lirisë, Ing.Feriz Guri, ka krijuar realizimin e këtyre dy rrafsheve, sepse këto dy rrafshe të jetës së shqiptarëve janë krijuar vetëm pas një veprimi historik të shqiptarëve, që kësaj radhe u kurorëzua me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe me luftërat e tjera në pjesë të okupuara të gjeografisë shqiptare. Pjesë e këtij veprimi historik, është edhe lufta për liri e Feriz Gurit.
Mirëpo, derisa ky veprim historik i shqiptarëve solli këtë përmasë lirie, Dëshmori i Kombit, Feriz Guri, bëhet pjesë e kujtesës sonë historike, sepse hoqi pushtuesin nga kjo pjesë e tokave tona, bëhet pjesë e kujtesës sonë kombëtare, sepse ka hapur procesin e madh historik për krijimin e kombit modern shqiptar. Ngase, në fund të fundit, edhe historia e di, se nuk ka komb modern të përgjysmuar.
Çlirimi i Kosovës po afrohej. Në qiellin e Kosovës fluturonin avionët e NATO-s, duke sulmuar caqet ushtarake serbe në Kosovë e në Serbi, në mënyrë që të dobesohej fuqia ushtarake e pushtuesit.
Ushtri tokësore e NATO-s(edhe pse e pashpallur) ishte Ushtria e Komandantit legjendar Adem Jashari, ishin ushtarët e Komandant Shpatës që e tmerronin armikun me sulme të befasishme e me beteja frontale, duke i shkaktuar humbje të mëdha në njerëz e në teknikë luftarake. Natë e ditë në shërbim të kësaj lufte titanike ishte edhe baca Faik, më tërë familjen e tij, që ju jepte moral dhe fuqi magjike luftëtarëve të lirisë të kësaj ane, jo vetëm të fshatit Nikaj, Kaçanikut e Hanit të Elezit me rrethinë, por gjithandej Kosovës, ku kishte marr hov lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Luftëtari i lirisë, Feriz Guri i printe Kompanisë së Dytë të Batalionit të Parë të Brigadës 183 “Agim Bajrami, me emrin e luftës Komandan Shpata, në tokën e tij.
Dhe kështu lufta për liri e Kosovës së tij, kishte tashmë edhe aviacionin e saj, kurse ai me bashkëluftëtarët e tij ishin kudo nëpër frontet e luftimeve duke e mbrojtur popullatën shqiptare dhe duke mbajtur përherë mbushur pushkën e lirisë. Luftëtarët e tij dëshmojnë se ai ishte kudo ku kishte nevojë fronti i luftimeve. Ai ishte kudo, kur duhej ndihmuar të plagosurit. Ai ishte kudo kur duhej përdorur armët, nga revolja deri të topi pa dridhje, e deri te “bombat bojlerë” që i kishte shpikur vet, e që e tmerronte armikun me to. Ai ishte kudo kur duhej të silleshin armë për luftën çlirimtare, të cilat fatkeqësisht u mungonin shpesh luftëtarëve të lirisë, fakt ky që e mundonte shumë Ferizin.
Dhe, vjen 22 prilli i vitit 1999.
Luftëtari i lirisë Feriz Guri, bashkë me luftëtarin e idealeve për lirinë e Kosovës, Xhevdet Gurin nisen për të sjellë armë për luftën e tyre çlirimtare. Nisen në tokat shqiptare që ishin nën Maqedoninë, njësoj pushtuese si edhe Serbia fashiste.
Për fat të keq, bien në një vend të minuar nga ushtria vrastare serbe, në afërsi të kufirit me Maqedoninë, dhe mbeten të vrarë të dytë.
Prandaj, kur më 22 prill të vitit 1999, ai po mbyllte sytë duke përfytyruar lirinë dhe tërësinë e atdheut të tij, ende nuk kishte mundësi të mendonte se po bëhej bashkë me ata që ia kishin falur jetën atdheut dhe lirisë së tij dhe po bënin shenjat e kujtesës kombëtare, të cilat më nuk mund t’i nëpërkëmbë as pushtuesi shekullor, as kancelaritë diplomatike të Evropës.
Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, lufta e Ing. Feriz Gurit – Komandant Shpatës, si pjesë e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është veprim historik, të cilin nuk mund ta zhbëjnë as politikat kozmopolite të shqiptarëve, kudo që janë, as qëndrimet antihistorike të mendësisë evropiane, të cilat luftën tonë çlirimtare e trajtojnë si një konflikt.
Prandaj, rënia në altarin e lirisë së kësaj pjese të atdheut e heroit të Kombit, Feriz Guri, është pjesë e kujtesës sonë kombëtare. Me rënien e tij për lirinë tonë dhe të shqiptarëve kudo që janë, Dëshmorët e Kombit Feriz Guri e Xhevdet Guri bëhen pjesë e përjetësisë të jetës sonë, si shenjë për ta dashur lirinë e atdheut.
Lavdi e përjetshme Feriz dhe Xhevdet Gurit!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit, kudo dhe kurdo që kanë rënë për lirinë e atdheut!
Prishtinë, 22 Prill 2019
Prof.dr.Nusret PLLANA – Universiteti “Hasan Prishtina” – Prishtinë

___________
Dokumentari final i dëshmorit të kombit Feriz Guri (Komandant SHPATA)
https://www.youtube.com/watch?v=YKj0bhujW5o

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura