QENDRA JUSUF GËRVALLA – DOMINIMI I MARKSIST ‘ LENINISTËVE DHE KODI POLITIK I JUSUF GËRVALLËS… (15) 

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA – DOMINIMI I MARKSIST ‘ LENINISTËVE DHE KODI POLITIK I JUSUF GËRVALLËS … (15) 

Nga Xhafer Durmishi – Pashtriku, më 21 shkurt 2023

12-24. Kurtha logjike – Mendimi i shumicës

Mendimi i shumicës për një çështje në një moment të caktuar nuk është garancion për të vërtetën faktike. Me mija vjet shumica e njerëzve kanë menduar se toka është e rrafshtë si tepsi por nuk është ashtu. Kisha, me shumicën në anën e vetë, e ka gjykuar Gjordano Brunon dhe Galilein. Dhe në të dyja rastet kisha, me shumicën në anën e vetë, del fajtore.

Përsëritja e gënjeshtrave me shpresë se mund të shumohen, dhe si të shumuara, të mirren si të vërteta është taktikë hitleriane.

12-25. Kurtha logjike – roli i autoriteteve

Referimi tek autoriteti i shtetit shqiptar nga Abdullah Prapashtica

Ish Inspektori i UDB-se serbe Abdullah Prapashtica nuk ka marrë mundin me e shkrua historinë e Partisë së tij komuniste dhe me i analizua shkaqet e mos përputhjes së ideologjisë me organizata tjera komuniste, por është mundua që duke u fshehur pas Nuhi Sylejmanit ta shkruaj historinë e Lëvizjes së Jusuf Gërvallës, me librin Vrasja e trefishtë.

Në atë libër ish inspektori i UDB-së serbe thotë se:

 -Lëvizja e Jusuf Gërvallës emrin e saj e ka marrë nga Shqipëria,

-Lëvizja e Jusuf Gërvallës emrin e gazetës së saj e ka marrë nga Shqipëria.

  Nga kjo nxirren dy përfundime:

-Në Lëvizjen e Jusuf Gërvallës nuk ka asgjë origjinale dhe

-Lëshimet që i kemi bërë për këtë Lëvizje janë bërë për hir të origjinës nga Shqipëria dhe jo për hir të mulla Hamitit dhe mulla Izet Tashollit.

 Analizën e plotë për librin Vrasja e trefishtë e kam bërë në librin “Lëvizja e Jusuf Gërvallës” dhe nuk e kam ndërmend të zgjatem më shumë këtu.

Referimi tek autoriteti i shtetit shqiptar nga Emrush Xhemaili

Emrush Xhemaili, në shkrimin e tij të vitit 2002 për historinë Lëvizjes – LPK shkruan se:

“17 shkurt 1982 në Turqi, përfaqësues të dy grupimeve patriotike të fshehta, Sabri Novosella dhe Abdullah Prapashtica (të arratisur politik nga Kosova), në prezencë edhe të ambasadorit të Shqipërisë në Turqi, z. Bujar Hoxha shpallin të formuar Lëvizjen për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ).”

 Citati i mësipërm i Emrushit përmban dy të pavërteta:

-Bujar Hoxha nuk kanë qenë i pranishëm dhe

-Bujar Hoxha nuk ka qenë ambasador i Shqipërisë në Turqi.

Nga referimi tek autoriteti i shtetit shqiptar, Emrushi don me thënë se ai dhe shokët e tij i referohen 17 shkurtit 1982 vetëm për hir të shtetit shqiptar dhe jo për shkak të Sabri Novosellës e Abdullah Prapashticës.

Referimi tek Autoriteti i Institutit të turqnisë të Prof. Dr. Abdyl Kadollit

Instituti i turqnisë i Prof. Dr. Abdyl Kadollit përdoret për shumë aktivitete e simpoziume të ndryshme shkencore me kusht që veprat të jenë të bazuara vetëm në Shartin e parë të turqnisë dhe jo Shartin e parë të shkinisë. Ideja është që Instituti i Prof. Dr. Abdyl Kadollit garanton se do të respektohet ky princip.

Referimi tek autoriteti i binomit Mojsiu-Golemi dhe Beratit

Më 17 janar 2017 është mbajt një Simpozium shkencor, në Institutin e Prof. Dr. Abdyl Kadollit, kushtuar Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, 17 janarit 1982, ku kanë marrë pjesë autoritete të ndryshme nga tokat shqiptare.

Në mes tyre kanë qenë, Berat Luzha, Alfred Mojsiu dhe Shpëtim Golemi. Alfred Mojsiu dhe Shpëtim Golemi në popull janë të njohur më tepër si binomi Mojsiu-Golemi. Prania e binomit Mojsiu-Golemi dhe Beratit është një nder i madh për Institutin e turqnisë dhe për Shartin e parë të turqnisë.

Tentativa e fshehjes pas autoriteteve, me qëllim të plasimit dhe mbulimit të gënjeshtrave, në logjikë konsiderohet krejtësisht e pavlerë.

12-26. Motivi i dashurisë

Një djallëzi e thellë për gënjeshtrat e zhurmën rreth bashkimit është edhe motivi i “dashurisë”.

 Skema e këtij mendimi duket në këtë formë:

Ai që e don Jusufin, Bardhoshin e Kadriun thotë se bashkimi është bërë më 17 janar 1982,

Ai që e don Sabriun e Abdullahun thotë se bashkimi është bërë më 17 shkurt 1982.     

Urdhëroni, i keni vetëm dy mundësi me zgjedhë:

A meriton me u dashtë më shumë Jusuf Gërvalla apo Sabri Novosella,

A meriton me u dashtë më shumë Jusuf Gërvalla apo Abdullah Prapashtica.

Krejt punës së pastër e të vërtetë të Jusuf Gërvallës do t’i hynte kanceri i gënjeshtrës, sikur të pranohej me ra në këto djallëzi, dhe vepra e tij do të shembej.

 Amicus Plato, sed magis amica veritas (Platoni është miku im, por e vërteta është një mik më i mirë).

12-27. Motivi i higjienës gjenetike

Skema e motivit të higjienës gjenetike:

Është shumë me rëndësi që Gjeneza e bashkimit të jetë pikërisht në ditën e Gjenazeve.

Kodi racial e politik i Kadri Zekës dhe Ibrahim Kelmendit është më i mirë se kodi politik i Sabri Novosellës e Abdullah Prapashticës. Në këtë kodin e pastër racial të Kadri Zekës e Ibrahim Kelmendit, bëhet djallëzia të përzihet edhe kodi politik i Jusuf Gërvallës.

Ideja e racës së veçantë politike, e racës së zgjedhur politike, nuk është e re. Ajo ka ekzistua në vitin 1981 e 1982.

Organizata Marksiste – Leniniste e Kosovës dhe Kadri Zeka kanë mbajtur qëndrime të fëshehura raciste – deri në mesin e tetorit 1981, dhe qëndrime të hapura raciste – pas tetorit 1981 e gjer në vdekje, kundër Jusuf Gërvallës, të shprehura me qëndrimin se:

-Askush tjetër nuk mund të jetë komunist jashtë Organizatës së tyre e vendimeve të tyre. Kadri Zeka e ka bërë këtë me qëllim të DOMINIMIT ME ÇDO KUSHT mbi Jusuf Gërvallën, me shpresën se secila rrugë të drejton në OMLK e në Partinë Komuniste që do të formohej nga OMLK.

Ideja raciste e higjienës gjenetike është përdorur dhe ka qenë gjallë prej 1985 deri në shembjen e murit të Berlinit.

Të gjithë ata që luftojnë për të treguar se e kanë prejardhjen nga kodi i pastër racial i Kadri Zekës dhe Ibrahim Kelmendit kanë të drejtë ta bëjnë, por në atë rast ata mund të flasin vetëm për OMLK-në, Frontin e OMLK-së dhe Frontin e Kuq.

Kodi politik i Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe i Untergruppenbachut ka qenë i papërzieshëm dhe i paintegrueshëm me racën politike të OMLK-së, të Kadri Zekës dhe Ibrahim Kelmendit më 1981 e 1982.

Kodi politik i Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe i Untergruppenbachut është i papërzieshëm dhe i paintegrueshëm me racën politike të OMLK-së, të Kadri Zekës dhe Ibrahim Kelmendit në ditët e sotme.

Hashim Thaçi: “Komunizmi në Kosovë është instaluar dhunshëm dhe është larguar dhunshëm, por shqiptarët kurrë nuk kanë qenë komunistë.” (Bota Sot, 14 shtator 2009)

Kovosaprees: “Në punimet e sotme të Konventës së VI-të të PDK-së është diskutuar edhe rreth profilit të partisë, me ç’rast delegatët janë përcaktuar për profilizimin si parti e qendrës së djathtë.” (PDK profilizohet si parti e qendrës së djathtë, wwww.kosovapress.com, 27 janar 2013)

12-28. SHPIRTI I VETËMOHIMIT I MEGALOMANËVE

Bashkimi duhet të kontrollohet në bazë të fakteve dhe nuk është çështje e përcaktimeve. Pamvarësisht numrit të atyre që përsërisin gënjeshtra, gënjeshtra mbetet gënjeshtër.

Jusuf Gërvalla ka merita të veta personale për të bërë histori dhe nuk ka nevojë t’ia vjedhë meritat një ish inspektori të UDB-së. Vetëm e vetëm për meritat e tij UDB-a i ka zënë pritë në derën e shtëpisë së tij.

Nëse Kadri Zeka, si komunist ka nevojë me bërë histori me meritat e një komunisti të shkollës së UDB-së, ajo është çështje që duhet të shqyrtohet vetëm brenda komunistëve dhe nuk më takon të përzihem, pasi e di se komunistët i karakterizon shpirti i VETËMOHIMIT. Virtyti më i madh i komunistëve të paepur është VETMOHIMI.

Jusuf Gërvalla nuk ka nevojë me ua vjedhë meritat të tjerëve, me bërë histori me merita të vjedhura. Jusuf Gërvalla nuk ka nevojë për dhurata të vjedhura, për dhurata nga persona modelet e rrejshme ideore të të cilëve kanë falimentuar. Nëse të tjerët kanë nevojë për dhurata e për merita të vjedhura është problem vetëm për ta dhe hajnitë e tyre historike nuk mund të përzihen e integrohen me të vërtetën e Jusuf Gërvallës.

12-29. Fjala e fundit është për idiotët që nuk kanë thënë mjaft

Skema e dëshirës për ta thënë fjalën e fundit.

Në shtete të ndryshme ku ekziston dënimi me vdekje, në burgje të ndryshme, të burgosurit njoftohen me kohë, paraprakisht, për datën dhe orën e ekzekutimit. Shumë të dënuar mbajnë shënime në çastet e fundit. Më vonë këto fletore mblidhen nga drejtoria e burgjeve, dhe fjalët e shumë të burgosurve që duken më interesante mblidhen në përmbledhje e botohen si kuriozitete. Një analogji e tillë nuk mund të bëhet këtu, pasi vrasësit e UDB-së nuk i kanë pyet Jusufin, Bardhoshin e Kadriun se cila është dëshira e tyre e fundit dhe se pa e thënë dëshirën e fjalën e fundit nuk do ta kryejnë vrasjen.

Përveç të dënuarve me vdekje, edhe të sëmurët, nga sëmundjet e ndryshme apo nga gjendja natyrale e moshës së shkuar, që e kanë vdekjen afër, shpesh pyeten se cila do të ishte porosia e tyre e fundit, fjala e fundit. Për këtë lloj fenomeni e mençurie, kur është pyetur në formë të ngjashme,

Karl Marx është përgjegj: ”Fjala e fundit është për idiotët që nuk kanë thënë mjaft.”

12-30. Kurtha e stilit – ose je me mua ose je kundër meje

Një taktikë për ta vendosur veten në qendër është që të tjerët të kesh fuqi t’i vendosësh në udhëkryqe, të kesh fuqi dhe t’i detyrosh të zgjedhin vetëm dy rrugë: të jenë me ty ose kundër teje. Fraza: Ai që nuk është me mua është kundër meje, – është e vjetër që është përdorur para mija vjetësh, e prej miliona njerëzish, por sado që triku të duket interesant, shkenca e logjikës e konsideron të pavlerë. Thelbi i kësaj taktike qëndron pas zhurmës së atyre që i luftojnë komplotet, dhe që i quajnë komplote të gjitha punët nga të cilat të tjerët i kanë përjashtuar dhe nuk ua kanë treguar as emrin e vetë të vërtetë, duke i konsideruar si persona të pabesë gjer në fund.

13. Gjuha e vërtetë e varreve dhe gënjeshtrat e kufomave të gjalla

Më ka rënë të lexoj shkrime të Lëvizjes Kaçake Kosovës duke thënë se bashkimin që e kanë bërë Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka është shembull për gjeneratat e tjera. Sipas kaçakëve të cilët i kuptojnë gjërat në tërë kompleksitetin e vetë, Jusufi e Kadriu tregojnë se si duhet bërë “bashkimi”.

Si e tregojnë ata rrugën e këtij “bashkimi”?

Vetëm kur ta shohin vdekjen, si të vdekur janë dakord me u bashkua, ndërsa për së gjalli kurrë. Kjo logjikë mund t’i përshtatet Kadri Zekës dhe shokëve të tij, luftës së tyre për DOMINIM ME ÇDO KUSHT MBI TË TJERËT, por kurrë Jusuf Gërvallës, që ka luftuar për barazi me të tjerët. Sipas kësaj Kadri Zeka dhe Jusufi paskan qenë për bashkim vetëm kur e shohin fundin, janë për bashkim kufomash. Kjo logjikë mund t’i përshtatet komunistëve hegjemon. Jusuf Gërvalla ka dhënë shembuj me vite se ka qenë për bashkim të njerëzve të gjallë dhe jo për bashkim kufomash.

Gënjeshtrat mbesin gënjeshtra. Jusuf Gërvalla nuk ka bërë kurrfarë bashkimi për së gjalli, prej ditës që ka dalë në Gjermani deri në shtratin e vdekjes në spital kur e ka dhënë deklaratën e fundit.

Në mënyrë të njerëzishme e me naivitet të papërmirësueshëm, ne rrethi i Jusuf Gërvallës, kemi menduar se vdekja e përbashkët, pa harrime e falsifikime, megjithate deri në një masë, do të duhej t’i lej divergjencat nën hije. Në këtë mënyrë familjet e Vëllezërve Gërvalla dhe shokët e tyre i kanë pritë nga pozita të barabarta të gjithë ata që kanë ardhur pas vrasjes për ngushëllime dhe u kanë treguar respektin më të madh. Pothuajse të gjithë kanë ardhur si të barabartë dhe pa qëllime për me e marrë kalanë nga brenda, me ndonjë përjashtim. Është   vërtetuar nga shkrimet e OMLK-së dhe Ibrahim Kelmendit, se Saime Isufi paska ardhë në shtëpinë e Vëllezërve Gërvalla, jo si e barabartë, por së bashku me Ibrahim Kelmendin të kontrollojnë se kujt i ka mbetur zotshpillaku, kush e ka uzurpuar zotshpillakun dhe prej kujt e ka bërë atë uzurpim.

Jeta e njerëzve të gjallë është e ndryshme. Vdekja e njerëzve është e ndryshme. Njerëzit lindin si origjinal, jetojnë si origjinal dhe vdesin si origjinal. Kujtimi i tyre pas vdekjes është i ndryshëm, është origjinal, pasi kujtimi i tyre bazohet në veprën e tyre origjinale.

Vdekja e tyre e përbashkët nuk ka pasur asnjë ndikim tek shokët e Kadri Zekës, në etjen e tyre për dominim me çdo kusht prej vdekjes e deri sot. Qëndrimet e tyre gjenden në libra që nuk mund të ndryshohen. Në natyrë ndodhin vetëm procese të pakthyeshme.

Për ta ruajtur pavarësinë e tij, dinjitetin, dijen e tij, nga çdo lloj dominimi e manipulimi, në varrezat e Shtutgartit, më 5 shkurt1982 Jusuf Gërvalla, nga familja  e tij, është varrosë, si yll shqiptar, në krahun e Bardhosh Gërvallës dhe jo të Kadri Zekës.

Tek gënjeshtrat dhe fushatat e shpifjeve kundër Jusuf Gërvallës për së gjalli, e mosbashkimit për së gjalli, luftës për DOMINIM ME ÇDO KUSHT kundër tij, me ndjenjën e epërsisë boshe, qëndron baza e mosbashkimit të eshtrave, e varrimit të Jusufit e Bardhoshit nga familjet e tyre në fshatin e tyre të lindjes, më 2002.

14. Tërmeti i Berlinit dhe Kështjella e Jusuf Gërvallës

Mehmet Hajrizi: “Në natën e 17 janarit 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë, kanë ndodhur tri ngjarje historike për Kosovën: në bazë të Tezave të Frontit Popullor për Republikën e Kosovës, u arrit marrëveshja e tri organizatave çlirimtare shqiptare, u vranë tre sendërtuesit e atij bashkimi dhe pushoi së vepruari OMLK….” (Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë 2008, f.11)

 Hashim Thaçi: “Komunizmi në Kosovë është instaluar dhunshëm dhe është larguar dhunshëm, por shqiptarët kurrë nuk kanë qenë komunistë.” (Bota Sot, 14 shtator 2009)

Fjalë të Abdullah Prapashticës, ish-inspektor i UDB-së Serbe 

“Jusuf Gërvalla ishte një kolos i pazëvendësueshëm i çështjes kombëtare. Prandaj, përpjekja për zëvendësimin e tij ishte një gabim fatal, që i kushtoi shumë shtrenjtë gjithë çështjes kombëtare shqiptare, e veçmas organizatave politike që vepronin në atë kohë!”  (Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, f.150)

Rrëzimi i murit të Berlinit ishte një gabim fatal që i kushtoi shumë shtrenjtë veprimtarisë kaçake, veçmas organizatave komuniste që vepronin në atë kohë!

 Tërmeti i Berlinit e la të paprekur Kështjellën e Jusuf Gërvallës.

(VIJON …)

_______________

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA – PSE U VRA JUSUF GËRVALLA, KADRI ZEKA DHE BARDHOSH GËRVALLA? GËNJESHTRAT DHE E VËRTETA! (14) 

Nga Xhafer Durmishi – Pashtriku, më 18 shkurt 2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura