REXHEP KASUMAJ: POPULLI PËSHPËRITËS…

Berlin, 20. 02. 2017: Athua do të mësojë njëherë Nomenklaturësi shqiptar i Prishtinës kulturën e dorëheqjes dhe, më pas, të lamtumirës me magjinë e sundimit?
Ballkani është, si prorë, përplot hjekësi, pabesi e marrëzi – por kjo ngjan me qenë nga më të vrugtat që kapullon poret e jetës.
Natyrisht, në rendet tiranike a hemisferat obskure, kjo ndjesi është e huaj. Ndaj dhe tema i referohet ritualit, vetë altarit të demokracisë. Të pranosh fajin, qoftë dhe për arsye etike, është, ndaj, një katarsis, një çlirim nga demonët që, duke shtrënguar me darët e lakmisë, qëndrojnë të errtë mes titullarit publik dhe atyre që i kanë dhënë përfaqësimin politik.

Por me gjasë, për shumë kohë akoma, pritmëria do mbetet një ëndërr astrale…
Ndërkaq, tek Tibetjanët e moçëm (“Libri i vdekjes”) mëkatnorët dërgoheshin në “vendin e dëlirjes”, për tu spastruar nga ajgëtimi i së Keqes. Tani po përceptuam legjendën të përshtatur kësojetshëm, aherë dhe për këta Hierarkët që kanë shpërdoruar shpresën, gjendet sipër, mbi dhé një “vend i dëlirjes”. Është një Vetmore e vocërr me grila që dielli e viziton rrallë. E poashtu shkurt: vetëm sa për ti kujtuar humbjen e dritës së tij.
Po kush, vallë, do përndante rolet dhe kush do ngjiste a zbriste shkallaret e skenës? Shekspiri thoshte se në teatër ndodh të fillosh si aktor i parë, të vijosh si dytësor dhe të përfundosh pëshpëritës…
Fajmëdhenjtë, rëndom, priren t’mos ngrejnë dorë kundër fronit që gëzojnë. Duan protagonizëm të epërm me çdo kusht e çmim (dhunë, mashtrim, vjedhje, vrasje, mitosje të rolcaktuesit…). Kurse të tjerët poshtë tyre, për pasojë, përligjin vullnetshëm këtë statu-quo të përhershmërisë: pa zë e dukje, ata kanë mbaruar, tashmë, në pëshpëritës mbi orën e fatkeqësisë së vet.
Sa rëndë vetëm ta imagjinosh për një çast këtë rrëzomë dramatike: një popull i tërë i shndërruar në pëshpëritës! Ankesë fshehatare pa akuzë dhe besim i shformuar pa moral – kjo është vuajtja, mallkimi i tij në pritje mjegullnajash të ndonjë Moti të ri!..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura