SADRI RAMABAJA: KUR KARTELI PDK&LDK SHNDËRRON KUVENDIN E PRISHTINËS NË LABORATOR TË ALKIMISË POLITIKE

Prishtinë, 13. 02. 2016: Skandali i komisionit të Kuvendit të Prishtinës për emrimin e rrugëve dhe shesheve, duke hequr emrat e humanistëve të njohur Radovan Zogoviq dhe Kosta Novakoviq, është maja e ajsbergut të veprimeve të injorancës politike.
Ka një kategori qytetarësh tanë që me të drejtë reagojnë, kur mësojnë se Kuvendi i Prishitnës, që dominohet nga LDK/PDK (6 muajt e fundit tërësisht i paralizuar), ka miratuar heqjen e disa emrave të rrugëve që ndërlidhen me personalitete të kulturës, siç është rasti me atë të poetit dhe mikut të madhë të shqiptarëve – Radovan Zogoviq, por edhe me atë të Kosta Novakoviqit, një internacionalisti serb që na mirrte në mbrojtje atëherë kur bëhej ploja mbi Kosovën e pushtuar (1913…)
1.
Ajo që paksa më shqetëson është fakti që, këta që reagojnë sot me të drejtë për heqjen e emrave të këtyre personaliteteve, në legjislaturën e kaluar, kur po ky Kuvend pat hequr emrin e njërit prej personaliteteve tona më të mëdha të periudhës së Luftës së Dytë Botërore – Zenel Hajdinit, mu në qendër të qytetit (tek RTK) heshtëte! Pse?
Komsioni atëbotë, heqjen e emrit të Zenel Hajdinit e ndërlidhte me kuazi ndjesi nacionadiste që po promovonte!!! Ndërkaq insistimit argumentues për respektimin e emrit të Zenel Hajdinit, duke ia shtuar edhe atë të meditorit tjetër -Veli Dedit, hero i popullit, ish luftëtarit të Spanjës e njërit prej themeluesve të Akademisë Ushtarake Shqiptare, që na ka munguar çdo herë, tok, e nderojnë historinë tonë, Isa Mustafa i përgjigjej me cinizëm, ndërkaq “zëdhënësi” i atij komisioni, njëri nga ish nënkryetarët analfabet të Komunës, me plot fodulluk e mbylli këtë çështje me deklaratën banale se ”LDK nuk ka të bëjë asgjë me nostalgjikët e komunizmit!”

Pas kësaj përplasje heshtja e pat mbytur reagimin tim!
Por, si në legjislaturën e kaluar edhe në këtë të tashmen, përbërja e Komisionit për emërimin e rrugëve dhe shesheve lë shumë për të dëshiruar. Kjo është arsyeja pse, jo rrallë, emrimi i rrugëve është bërë pa kurrfarë kriteri profesional. Ndonjë rrugë bart madje edhe emra nazistësh e personash që kanë qenë pjesë e Kundërzbulimit Ushtarak Jugosllav (KOS-it)! Në lagjen Dardania, ku janë të përqëndruar edhe një numër relativisht i madhë i intelektualëve, një rrugë ka emrin e ish kryeministrit kuisling shqiptar gjatë periudhës të nazizmit në Shqipëri! Ndonjë tjetër bart emrin e Xhafer Devës, kuislingut tjetër famkeq, autorit të masakrës së 4 shkurtit në Tiranë…Ky fakt nuk e ka penguar komisionin, as Kuvendin, por për çudi, as qytetarët e asaj lagjen!
Fatkeqësia është se tendencën për rehabilitimin e kësaj kategorie kuislingësh në Kosovë, sidomos LDK&PDK e bëjnë në emër të luftës ideologjike, duke u pozicionuar si forca politike të qendrës së djathtë dhe që janë trashëgimtare të “nacionalizmës” shqiptare! Bandat, e logjikshme, mbrojnë banditët!
2.
Pyetjet legjitime të gazetarëve tanë që reaguan me këtë rast, do të duhej të konsideroheshin si kambana alarmi nga politika, pavarësisht se ndonjëri prej tyre, goditi ultë, duke akuzuar udhëheqjen e Komunës.
Ky vend e këta politikanë që pretendojnë të integrohen në familjen euroatlantike, në botën e ngritur mbi vlerat e humanizmit dhe demokracisë, nuk ka si bëhen avokat të nacionalizmit vulgar dhe idologjive fashiste. Komisioni i kuvendit të Komunës i cili turpëroj kryeqendrën e Republikës, është produkt i kësaj mendësie. Prandaj, me të drejtë, njëri nga publicistët tanë i cilësoi si rrugaqë.
Ky veprim i komisionit dhe i Kuvendit të Komunës, kur dominohet nga injorantët, nuk kishte si të ishte ndryshe as tashti, edhe për një arsye të thjeshtë: Kuvendi dominohet nga LDK&PDK. Nuk mund të prodhohet ari nga jometalet.
Këto veprime të natyrës së pastër kriminale, i shpërfaqin alkimistët e politkës, që po mbajnë peng Republikën. Peng të këtij karteli kriminal janë pothuajse të gjitha ndërmarrjet publike të Prishtinës. Ndërkaq vendimi i komisionit të Kuvendit, që me të drejtë u cilësua si skandal, është rrjedhojë e injorancës politike të anëtarëve të komisionit, por edhe e përbërjes tejet të mjerë të Asamblesë Komunale (Bashkisë) së Prishtinës. Për këtë nuk mund të themi se nuk kanë përgjegjësi edhe qytetarët, shtresat e tëra, që për një arsye a tjetër injoruan dhe vazhdojnë ta injorojnë politikën, duke qëndruar larg saj.
Në këto raste, dihet, ndodh që politika ta marrë arratinë nga jeta!
Debati i inicuar si produkt i kësaj injorance të politikës së këtij komisioni dhe kësaj përbërje të Kuvendit, që nuk din ç’bën dhe na turpron publikisht, de fakto po hedhë në dritë defektet publike të bllokadës politike që po ushtron karteli kriminal LDK&PDK.
Ky fakt është edhe më trishtues, kur kihet parasysh se ky kartel ka në dorë Republikën, respektivisht po vazhdon ta mbaj peng atë, duke rrezikuar seriozisht përmbysjen e shtetit.
3.
Në rrethanat kur Kuvendi i Komunës së Prishtinës mbahet peng i kartelit LDK&PDK, turpin e shkaktuar nga Komisioni dhe Kuvendi që ka miratuar propozimet e tij, e që mediat e bën publik, është detyrë jona imanente ta korrigjojmë aq sa mundemi, përmes presionit jo vetëm publik.
Natyrisht, meqë jam asamblist i Kuvendit, këtë çështje e kam shtruar fill pas mbledhjes ku ishte miratuar propozimi i komisionit. Si grup asamblistësh, ne patëm lëshuar mbledhjen e Kuvendit në emër të papajtueshmërisë së bllokimit të Kuvendit për të trajtuar çështjet e ngritura nga Drejtoria e Urbanizmit, ndërkaq e ashtuquajtura shumicë politke (LDK&PDK) e kishte shndërruar Kuvendin në laborator të alkimisë politike.
Sidoqoftë, duke ndjerë një lloj përgjegjësie për këtë skandal, pavarësisht faktit që nuk e kemi miratuar si grup i VV, unë po e bëj publike se, kam kërkuar që në rend të ditës, në mbledhjen pasuese, të shqyrtojmë këtë çështje dhe Kuvendit, me këtë rast, do t’ia dorëzoj kërkesën për shkarkimin e komisionit për emërimin e rrugëve dhe shesheve të kryeqytetit.
Si qytetar i ndërgjegjshëm, si qenie politike që udhëhiqem nga mendimi racional, si shqiptar dhe europian me bindje progresiste, jam i bindur se qytetaria aktive dhe mediat e pavarura, do ta mbështesin idenë për rikthimin e emrave të Radovan Zogoviqit dhe Kosta Novakoviqit, por edhe atë të Zenel Hajdinit, ndërkaq emri i Veli Dedit do t’i bënte nderë ndonjë sheshi a Shkolle ushtarake që do ta ngrejmë në një të ardhme të afërt, pasi t’i kemi krijuar hapësirë veprimit racional politk.
Transparenca e plotë e institucioneve përgjegjëse të Komunës në raport me këtë skandal dhe presioni publik, janë rruga e vetme për shpëtimin e asaj që mund të shpëtohet -moralit tonë publik.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura