SHEMSIE ELSHANI: IMPOTENCA POLITIKE DHE MESAZHET E DASHURISË!

Bern, 10. 03. 2015 – Veç te ne në Kosovë kemi njerëz të tillë gjenial që mund të jenë njëkohësisht edhe intelaktual edhe të pasur shumë, edhe politikanë të “suksesshëm”, ndërkohë që populli, që kjo kastë përfaqëson, po i braktisë ata, duke iu bashkuar lumit të madh të njerëzve në eksodin më të turpshëm në historinë e Kosovës. Dhe në vend që të gjindet shkaku pse ka ardhur deri të kjo e keqe, që të kërkojmë gabimin te vetja, të marrim përgjegjësinë që na takon, bëjmë thirrje me mesazh dashurie, për të arsyetuar në këtë mënyrë impotencën politike! Kjo më ngjan si kur mashtron një fëmijë njëvjeçar, duke i dhënë një të puthur në faqe. Pika, qe s’të bie!
***

Të guximshme ca gra pushtetare! Në foto iu sheh lluksin mondan deri në grykë; frizura ala parisiene; garderoba sipas modës së fundit. Gjoksin gjithësesi paksa të zbuluar, ashtu si i kanë edhe ca dije kuazi aristokratike, ndonjëra sosh në formë kopjeje të përfituara nëpër ca universitete të botës. Të guximshëm edhe ca burra budallenjë dhe gra të marra, që kanë nevojë t`i shkojnë prapa dikujt që ka, jo vetëm pushtet politik, por edhe muskuj të fuqishëm.
Ky guxim donkishotesk, kësaj kategorie ju mjafton që ta bëjnë mendjen top, e të gjykojnë se kanë tashmë legjitimitet t’i drejtohen popullit me gjuhën e Göthes: ‘Nëse një njeri i mirë don të ndahet përgjithmonë prej nesh, si ta mbajmë? I thoni je i nevojshëm, kjo do ta mbajë.’ Kjo urtësi e shprehur me kaq delikatesë, i rrinte kokës së Göthes, por jo një politikaneje të shpifur në Kosovë. Një thirrje të tillë popullit mund t’ia bëjnë intelektualët e mirëfilltë, apo politikanët e suksesshëm, por jo çdo kush që i thotë vetes intelektual a politikan, të cilët vetë bashkë me familjet e tyre jetojnë për shtatë palë qefe, duke mos e vënë fare re mjerimin ku është zhytur ai popull i shkretë.

(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Kjo është tallje! Kështu, me këtë sjellje e me këtë gjuhë komunikimi mund t’ju bëhet qefi shefave nga të cilët këto gra paguhen, dhe natyrisht edhe burrave narcist të Kosovës, të cilët iu servilosen këtyre grave më shumë për shkak të fizikut të bukur të tyre, vendit që ato kanë në pushtetin aktual politik, se sa vlerave të njëmendëta njerëzore dhe aftësive të tyre intelektuale a politike. Vaftë në djall dhe ky pretendim prej intelektuali, kaq i lakmueshëm edhe për politikanë edhe për tregtarë e edhe për biznismenë.
Një intelektual europianë nuk do të quhej intelektual, nëse atë titull nuk e ka fituar duke u rebeluar ndaj padrejtësive, duke u kacafytur me të keqen e duke sfiduar moralisht atë. Meqë, të qenit intelektual është para se gjithash vlerë morale, në Kosovë nuk ka se si të mos ndjehesh i lajthitur tek vëren se disa të ashtuquajtur intelektual kanë nga 3 e më shumë kontrata pune (Ministri, Universitete Publike e Kolegje private)!!! Posedojnë banesa, shtëpi e villa në bregdetin shqiptar e në shpatijet e Sharrit … vetura luksoze e patundshmëri të pafund?! Mos vallë, politika jonë arriti deri në atë nivel sa të di të vlerësojë intelektualin dhe i ofroi kaq kushte të mira materiale atij? Nuk më besohet! Në gjithë historinë e njerëzimit, intelektualët nuk kanë qenë kurrë me të pasur së populli i vetë. Përndryshe, kjo bie ndesh me vet definicionin për intelektualin si roje e vlerave morale, respektivisht produkt i tyre.
Janë dy orientime bazë të njeriut në shoqërinë individualiste:
– të kesh, apo
– të jesh.
Të dyja këto cilësi, kanë një mesatare, që nuk e tejkalon nivelin e përgjithshëm të asaj shoqërie prej nga këta individ vijnë. Pikërisht për ketë, asnjë njeri normal, nuk do të besonte që Kosova ka intelektual të nivelit botëror, apo qoftë edhe europian. Ky konstatim disi rigjid, vije edhe për faktin se edhe intelektuali më i madh, nuk mund të dalë tej mase përtej shoqërisë nga ai vije, por përkundrazi, ai mbetet pjesë e asaj vetëdije. (Megjithëse përjashtimet e pakta mund të dëshmohen në historinë e civilizimit tonë).
Veç te ne në Kosovë kemi njerëz të tillë gjenial që mund të jenë njëkohësisht edhe intelaktual edhe të pasur shumë, edhe politikanë të “suksesshëm”, ndërkohë që populli, që kjo kastë përfaqëson, po i braktisë ata, duke iu bashkuar lumit të madh të njerëzve në eksodin më të turpshëm në historinë e Kosovës. Dhe në vend që të gjindet shkaku pse ka ardhur deri të kjo e keqe, që të kërkojmë gabimin te vetja, të marrim përgjegjësinë që na takon, bëjmë thirrje me mesazh dashurie, për të arsyetuar në këtë mënyrë impotencën politike! Kjo më ngjan si kur mashtron një fëmijë njëvjeçar, duke i dhënë një të puthur në faqe. Pika, qe s’të bie!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura