VËLLAI I HASHIM THAÇIT – GANIU, DREJTOR I SIGURMEVE ME 4 MIJË EURO PAGË MUJORE!

(Pashtriku.org, 17. 03. 2012) – Gani Thaçi, vëllai i Kryeministrit të vendit Hashim Thaçi, këtë javë është avancuar në detyrë të Re. Nga pozita e zëvendësdrejtorit të Shoqatës së Kompanive të Sigurimeve ka kaluar si Drejtor Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS). Ky institucion mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe e përfaqëson Kosovën në byronë ndërkombëtare të kartonit të gjelbër. Ky mekanizëm mundëson kalimin e kufijve pa paguar sigurime kufitare shtesë.
     (Vizitoni faqen zyrtare të BQKhttp://www.bqk-kos.org/?cid=1,1 )
     Rrahim Pacolli, kryetar bordi i BKS-së, të enjten ka deklaruar se “Gani Thaçi i plotësonte më së shumti kriteret për këtë pozitë”. Bordi Drejtues i kësaj byroje në konkursin e hapur më 29 shkurt e të mbyllur më 6 mars të këtij viti kishte vënë si kriter që drejtori të ketë tri vite përvojë menaxheriale. Gani Thaçi, sipas Pacollit, kishte 3 vjet e gjysmë si zv/drejtor në Shoqatën e Kompanive të Sigurimeve.

     Gjithsej ka pasur dymbëdhjetë kandidatë për këtë pozitë. “Ka pasur edhe kandidatë që kanë pasur më shumë vite përvojë pune. Përvoja e tyre ishte jashtë kompanive të sigurimeve”, ka thënë Pacolli.
     Kryetari i Bordit të Byrosë, Rrahim Pacolli, e ka përshkruar si pozitë me përgjegjësi postin e Drejtorit Ekzekutiv të BKS-së. Paga në këtë vend pune, sipas tij, është afër 4 mijë euro.
     Rrahim Pacolli që drejton kompaninë e sigurimeve „Siguria“ për një kohë ka drejtuar edhe subjektin politik Aleanca Kosova e Re (AKR) të Behgjet Pacollit, që është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) që udhëhiqet nga i vëllai i Drejtorit të ri të Byrosë Kosovare të Sigurimeve z.Hashim Thaçi! “Nuk ka pasur asnjë intervenim nga jashtë. Nuk më ka thënë askush që të emërojë këtë apo atë. Gani Thaçi ka ardhur në intervistë tek unë dhe i ka plotësuar kriteret për këtë pozitë”, ka thënë z.Pacolli.
     “BQK-ja e konsideron këtë si një hap tepër me rëndësi në procesin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Byrove të Kartonit të Gjelbërt“ – thuhet në faqen zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.
     Dihet mirëfilli se, Byroja Kosovare e Sigurimit u themelua më 1 gusht të vitit 2011. Atë ditë të gjitha kompanitë e sigurimit që operojnë në Republikën e Kosovës nënshkruan solemnisht Marrëveshjen e themelimit të Byrosë Kosovare të Sigurimit. (Lexoni këtu: : http://www.bqk-kos.org/?cid=1,52,406)

Nënshkrimi i Marrëveshjes për themelimin e Byrosë Kosovare të Sigurimit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura