VERIU, VENDI I KRIZAVE TË RICIKLUAR DHE PLANI FRANKO – GJERMAN SI ZGJIDHJE!

Veriu është bombë e kurdisur dhe eksplodon me planë të agjendave ndërkombëtare …

VERIU, VENDI I KRIZAVE TË RICIKLUAR DHE PLANI FRANKO – GJERMAN SI ZGJIDHJE!

Nga Sheradin Berisha, Facebook 10 nëntor 2022

Krizat e ricikluar politike që kulmuan së fundmi në veri të Kosovës, e kanë zanafillën në qershor të vitit 1999, kur me vendim të NATO-s dhe me dijeni të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, njësive të UÇK-së iu ndalua kalimi dhe përqëndrimi i tyre në pjesën veriore të Kosovës që shtrihet mbi lumin Ibër deri në kufi me Serbinë. Në këtë mënyrë NATO-ja përmes KFOR-it francezë e bëri fakt të kryer ndarjen e Mitrovicës Jugore nga ajo veriore së bashku me tri komunat tjera, atë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe të Leposaviqit.

Përmbajtja

1 – HYRJE

2 – KRIZAT E RICIKLUARA TË PAS LUFTËS NË KOSOVË SIPAS TRIADËS HEGELIANE

3 – ÇKA PËRMBAN PLANI FRANKO – GJERMAN?

4 – KËRKESAT POLITIKE: SERBI – KOSOVË – SHBA’BE … NË SITUATËN E KRIJUAR NGA KRIZAT E RICIKLUAR

5 – ASOCIACIONI SI KRAHINË AUTONOME E SERBËVE NË VERIUN E KOSOVËS I NGJANË KRAHINËS SOCIALISTE AUTONOME TË KOSOVËS TË VITIT 1974!

6 – ÇFARË STATUSI KISHTE KOSOVA (KSAK’u) NË JUGOSLLAVINË (RSFJ-në) E VITEVE 1945 – 1989?

7 – SI E NDAU ZYRTARISHT NATO (KFOR’i FRANCEZË) MITROVICËN DHE VERIUN E KOSOVËS MBI LUMIN IBËR?!

8 – BEKIM SHYTI: NDARJA E MITROVICËS NGA KFOR’i FRANCEZË DHE NDALIMI I KALIMIT TË UÇK-së NË VERI TË MITROVICËS

9 – DISLOKIMI I KFOR’i FRANCEZË MBI URËN E LUMIT IBËR …

10. HASHIM THAÇI KONFIRMON NDARJEN E MITROVICËS!

11. NDARJA E MITROVICËS DHE “ROJAT E URËS”!

12. NDARJA E MITROVICËS NJË “EL DORADO” PËR STRUKTURAT KRIMINALE TË SERBISË!

***

13 – SHTOJCË

Si funksionon Serbia në Kosovë?!

STRUKTURAT PARALELE SERBE DHE FUQIZIMI I TYRE NGA UNMIK’u, KFOR’i, EULEX’i DHE QEVERIA E KOSOVES! (1999 – 2011)

14 – ÇKA FSHIHET PAS NEGOCIATAVE KOSOVË – SERBI?

********

1. HYRJE

Gjithmonë kur kërkohet të ndryshohet një situatë politike dhe e cila nuk zgjidhet me dialog, (në mënyrë paqësore), ajo gradualisht rëndohet me veprime konfliktuoze!

Për të sqaruar këtë çështje, në filozofinë politike ekzistojnë dy parime themelore: 1. rregull nga shkaktimi i krizave, dhe 2. fitore përmes konfliktit.

Këto dy parime në zhvillimin e krizave politike dhe jo vetëm, harmonizohen e bashkërendohen sipas triadës filozofike të filozofit gjerman Georg Fridrih Vilhelm Hegel (1770 – 1831): 1. Teza (problemi), 2. Antiteza (reagimi) dhe 3. Sinteza (zgjidhja).

Rrjedhimisht me këto parime, të bashkërenduar sipas triadës së Hegelit, rezulton se krizat politike me përmasa konflikti që synojnë një rregullim të ri, nuk shkaktohen aksidentalisht. Përkundrazi ato planifikohen nga bartësit e politikës, gjegjësisht nga elita politike.

Në këtë kuadër presidenti i 32-të amerikan, Franklin D.Roosvelt (1882 – 1945), ka një thënie epokale: “Në politikë asgjë nuk ndodh aksidentalisht. Në qoftëse diçka ndodh duhet të jeni të sigurt se ajo është planifikuar në atë mënyrë”, ka thënë presidenti Roosvelt.

2. KRIZAT E RICIKLUARA TË PAS LUFTËS NË KOSOVË SIPAS TRIADËS HEGELIANE

Të gjitha krizat politike të pasluftës në Kosovë të cilat kulmuan me zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës, nuk janë aksidentale, nuk janë të rastësishme. Ato derivuan nga një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare që kulmuan me Pakon e Ahtisarit dhe gjashtë pikëshin e Ban Ki Moonit. Pra, rrjedhimisht krizat kishin një vazhdimësi të planifikuar dhe ndodhën në mënyrë të kontrolluar e menaxhuar nga kreatorët e marrëveshjeve ndërkombëtare (SHBA-BE-Rusi), sipas parimeve të lartpërmendura dhe triadës së Hegelit: Teza (problemi), antiteza (reagimi) dhe sinteza (zgjidhja).

Kush është problemi (teza), reagimi (antiteza) dhe zgjidhja (sinteza) në zhvillimet e acaruara politike së fundmi në Kosovë?!

A. Problemi (teza) është Serbia e cila përmes listës serbe si element nxitës kërkon që të respektohen “tabelat” e makinave të lëshuara në Republikën e Serbisë për serbët që jetojnë në Republikën e Kosovës, dhe mbi të gjitha kërkon themelimin e një Asociacioni në nivel të një Autonomie territoriale (një republikë serbe), e cila substancialisht cënon integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës;

B. Reagimi (antiteza) është Qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës, të cilat kërkojnë përmes sundimit të ligjit konvertimin e tabelave ilegale “KM” (të periudhës së Millosheviçit) në tabela legale “RKS”, si dhe janë kundër themelimit të Asociacionit, si subjekt autonom  që shkatërron subjektivitetin shtetëror të Kosovës;

C. Zgjidhja (sinteza) janë SHBA – BE …, të cilat përmes dialogut dhe kompromiseve ofrojnë zgjidhjen e problemeve që kanë shkaktuar palët në konflikt. Për këtë qëllim aktualisht është përgatitur një planë – propozim (traktat) i ashtuquajtur “franko – gjerman”.

3. ÇKA PËRMBAN PLANI FRANKO – GJERMAN?

Në këtë planë të mbështetur nga SHBA – BE, kërkohet që Kosova dhe Serbia:

–  të zhvillojnë marrëdhënie normale…;

– të udhëhiqen nga aspiratat e tyre reciproke për anëtarësim në BE;

– në përputhje me MSA-në [Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit] të zgjidhin çdo mosmarrëveshje dhe të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës, duke respektuar integritetin territorial të njëri-tjetrit;

–  dy palët nuk mund të përfaqësojnë njëra tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as të veprojë në emër të saj;

– reciprokisht të respektohet juridiksioni midis palëve;

– në procedurën e normalizimit të marrëdhënieve midis tyre të lidhin marrëveshje të ndërsjellë në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit, marrëdhënieve gjyqësore, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, sportit, mjedisit, mbrojtjes dhe në fusha të tjera;

– të shkëmbejnë Misionet e Përhershme për t’u vendosur në selitë e qeverive përkatëse; palët të pajtohen që ky traktat (plan franko – gjerman) të mos ndikojë në marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të lidhura tashmë prej tyre në Bruksel (më 19 prill 2013 – 25 gusht 2015) dhe marrëveshjen prej 16 pikash të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë.

4. KËRKESAT POLITIKE: SERBI – KOSOVË – SHBA ‘ BE … NË SITUATËN E KRIJUAR NGA KRIZAT E RICIKLUAR

Në ditët e fundit në katër komunat veriore, largimi i Listës Serbe me të gjithë punëtorët serbë të administratës nga institucionet qëndrore e lokale të shtetit të Kosovës, të cilët kurrë s’e kanë pranuar si shtet të tyre, ka shkaktuar një krizë të ricikluar prej vitesh, e cila në ditët dhe javët në vijim mund të përshkallëzohet deri në konflikt të armatosur.

Në këtë situatë të krijuar nga krizat e ricikluar, SHBA-ja dhe Bashkimi Europian kërkojnë vazhdimisht kthimin e Listës serbe të Vuçiqit në institucionet e shtetit, të këtij shteti që nuk e njohën kurrë dhe rrjedhimisht çdo ditë punuan  për rrënimin e tij!

Ndërkaq të njejtit nga qeveria e Kosovës kërkojnë:

a) shtyrjen e afatit për konvertimin e targave të periudhës së Millosheviçit edhe për 10 muaj, (meqë kishte kaluar afati dy mujorë i shtyrjes së parë (shtator – tetor). Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë që qeveria të heq dorë nga e drejta për sundimin e ligjit në këtë drejtim; dhe

b) të themeloj pa humbur kohë Asociacionin, Zajednicën si autonomi territoriale për serbët në katër komunat veriore…, e cila do të administrohet nga lista serbe e Aleksandër Vuçiqit!

Shumë zyrtarë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve përfshirë këtu dhe ambasadorin Jeffrey M. Hovenier në Kosovë, dhe dy emisarët e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi (Burrel – Lajçak) në vazhdimësi çdo ditë po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës themelimin e menjëhershëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe!

Çka do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që Asociacioni (Zajednica), si Krahinë Autonome e Veriut formalisht të jetë pjesë “integrale” e Republikës së Kosovës, ndërsa realisht të funksionojë si element konstituiv i Republikës së Serbisë, përmes listës serbe në krye me ata që dhanë dorëheqje nga institucionet e kësaj republike.

5. ASOCIACIONI SI KRAHINË AUTONOME E SERBËVE NË VERIUN E KOSOVËS I NGJANË KRAHINËS SOCIALISTE AUTONOME TË KOSOVËS TË VITIT 1974!

Interesant dhe shumë e çuditshme!

Për mendimin tim Insistimi për formimin e këtij asociacioni (zajednice), si Krahinë Autonome e serbëve në Veri të Kosovës është i çuditshëm! Pse? Sepse më kujton statusin politiko – juridik të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK-ut) në periudhën e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë-RSFJ-së (1946-1989) të Tito-Rankoviçit – Millosheviçit!

Me Pakon e Ahisarit statusi i Kosovës ngjanë të jetë i dizajnuar duke u bazuar pikërisht në Kushtetutat e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), në atë të Republikës së Serbisë (RSS) dhe të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) të viteve 1946, 1963 dhe 1974.

6. ÇFARË STATUSI KISHTE KOSOVA (KSAK’u) NË JUGOSLLAVINË (RSFJ-në) E VITEVE 1945 – 1989?

A. Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova me Kushtetutën e parë të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë (RFPJ), të miratuar më 31.01.1946, u definua si njësi autonome territoriale – administrative brenda Republikës Socialiste të Serbisë e quajtur «Obllast Kosovo i Metohije (OKM)» – «Qarku Autonom i Kosovës dhe Metohisë (QAKM)».

B. Me Kushtetutën e 07.04.1963, RFPJ shndërrohet në Republikë Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), ndërkaq Kosova me Statut shpallet si Krahinë Autonome e Kosovës dhe Metohisë (KSAKM). Konkretisht ky Statut Kosovën e përkufizonte si bashkësi shoqërore e politike në kuadër të Republikës së Serbisë, e themeluar si Obllast (Qark) me një Vendim të miratuar nga Kuvendi i Serbisë, në fund të vitit 1945.

C. Në gjysmën e dytë të vitit 1968, filluan diskutimet për ndryshimin e Kushtetutës Federative dhe të kushtetutave të republikave (të vitit 1963) dhe në fund të këtij viti u formuluan disa amendamente kushtetuese. Në Amendamentin VII thuhet se krahinat autonome (të Vojvodinës dhe Kosovës) u takojnë Republikës së Serbisë edhe Federatës së Jugosllavisë. Konkretisht me Nenin 1 të Kushtetutës së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) të datës 27 shkurt 1974, Kosova definohet si bashkësi shoqërore politike, (me lidhje hibride politiko – juridike). Konkretisht thuhet se Kosova është njësi integrale e Republikës Socialiste të Serbisë (RSS-së) dhe njësi konstituive e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ-së).

(Saktësisht Kosova atëkohë kishte këtë status, ku aktualisht mbi këto premisa juridiko – politike po përpiqen të imponojnë themelimin e Asociacionit, si Krahinë Autonome e serbëve në Veri të Kosovës!)

D. Gjatë vitit 1988 nisën diskutimet publike për ndryshimet kushtetuese në Kushtetutën e vitit 1974. Në një atmosferë të kundërshtimit gjithëpopullorë në Kosovë (me protesta dhe grevën e minatorëve), më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës me pjesëmarrjen në votim edhe të pjesëtarëve të shërbimeve sekrete serbe dhe jo vetëm, u suprimua Autonomia e Kosovës.

Në këtë krizë të rëndë, në Kosovë vazhduan demonstratat gjithëpopullore, të cilat nuk e ndaluan dot Serbinë në krye me Sllobodan Milosheviqin që më 28 mars të atij viti Kuvendi i Serbisë të miratojë kushtetutën e re, me anë të së cilës pretendohet se Serbia u bë unike dhe e pandarë!

7. SI E NDAU ZYRTARISHT NATO (KFOR’i FRANCEZË) MITROVICËN DHE VERIUN E KOSOVËS MBI LUMIN IBËR?!

Për mendimin tim krizat e ricikluar që kulmuan së fundmi në veri të Kosovës janë një skenar i përgatitur, sipas dy parime të lartpërmendura: 1. rregull nga shkaktimi i krizave, dhe 2. fitore përmes konfliktit si dhe triadës hegeliane: teza (problemi) – antiteza (reagimi) dhe sinteza (zgjidhja). Dhe për t’i dhënë fund riciklimit të kësaj krize, e cila e ka zanafillën qysh në qershor të vitit 1999, kur me vendim të NATO-s dhe me dijeni të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, njësive të UÇK-së iu ndalua kalimi dhe përqëndrimi i tyre në pjesën veriore të Kosovës që shtrihet mbi lumin Ibër.

Wesley Clark për ndarjen e Mitrovicës…

Një vëzhgim më i esëllt i gjërave sjell në pah faktin se ndarja e veriut zanafillon në ngurrimin që u krijua midis aleatëve kryesor të NATO-s gjatë përpjestimit të sferave të interesit në Kosovë, duke përvijuar një model që i shkërbente Gjermanisë së 1945-ës. Ish-kryekomandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark në librin e tij ‘Të bësh luftë moderne’ shprehet se amerikanët me qëllim i bishtnonin vendosjes në pjesën veriore të Kosovës, e cila kufizohej me Serbinë.

Sipas tij: ‘…sektori verior, te Mitrovica, do të ishte më i ndjeshmi, pasi që kufizohej drejtpërsëdrejti me territorin e Serbisë dhe unë mendova se SHBA-të do të mund të merrnin përsipër këtë pozicion kritik atje, siç kishim bërë në Bërçko të Bosnjës. Por, amerikanët refuzuan sektorin e Mitrovicës. Pentagoni dëshironte vendin më të qetë dhe dukej se sektori më i lehtë është ai në juglindje, ku do të kontrolloheshin rrugët për në Maqedoni. ‘Në këtë mënyrë’ më shpjegoi një oficer yni, ‘ne mund të tërhiqemi herët, duke e lënë në duar të evropianëve’. Këtë motivacion e kuptuan edhe evropianët. Në fund, në momentin kur amerikanët ndoqën rrugën e tyre, francezët u paraqitën vullnetarisht për punën e vështirë në Mitrovicë, ndërsa italianët morën përsipër sektorin veriperëndimor’ (Clark: 200).

Vendosja e kontingjenteve të KFOR-it francez në veri të Kosovës ipso facto bëri që të ndalej hovi i dëbimit të forcave ushtarake dhe atyre policore serbe. Këto të fundit të shpenguara do të tokëzohen në veri, atje ku forcat franceze kishin ndërprerë çfarëdo veprimi. Po në këtë kohë në mesin e aleatëve kryesor të NATO-s ngriti krye një apati e sertë ndaj UÇK-së. Zyrtarë të NATO-s, të molepsur nga propaganda anti-shqiptare e kohës, më shumë i druheshin përhapjes së kryengritjes shqiptare në Maqedoni e Kosovë Lindore, sesa forcave paramilitare serbe të cilat po forcoheshin në veri dhe në enklavat e shpërndara në jug të lumit Ibër.

Madje vetë Clark përmend sesi KFOR-i bënte çmos që të parandalonte UÇK-në nga marrja e legjitimitetit politik në terren. Ai vë në pah se:

“UÇK- ja kishte depërtuar në vakumin e institucioneve lokale dhe të policisë, të cilin e kishin lënë serbët prapa pas tërheqjes dhe KFOR-i bënte përpjekje ta parandalonte që të merrte legjimitet politik…” (Clark: 451).

Kjo frikë e tepruar e Perëndimit nga zgjerimi i kryengritjes shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë Lindore la jashtë vëmendjes përforcimin e forcave serbe në veri dhe enklavat e tjera në brendësi të vendit. Vetë ish-kryekomandanti i NATO-s del të ketë qenë i vetëdijshëm se: “Ekzistonte mundësia që Millosheviqi të kishte lënë prapa në Kosovë disa njësi të policisë së tij, me rroba civile, me komunikime dhe armatim të fshehur, të gatshëm për të nxitur trazira në momente të caktuara” (Clark: 451).

Autorë të huaj për ndarjen e Mitrovicës

Vazhdimi i historisë prej këtu e tutje është lehtë të merret me mend. Robert Perito, autori i librit ‘Where is the Lone Ranger When We Need Him?’ thotë se “ngurrimi i NATO-s për të vendos kontrollin mbi pjesën veriore të Mitrovicës rrjedhoi me ndarjen de facto të kësaj pjese’ (Perito: 2009). Ai vëren se “kur trupat e KFOR-it francez pozicionuan tanket pas telave gjemborë dhe ngritën një pikë kontrolli në urë, Mitrovica u bë një qytet i ndarë” (Perito: 2009).

Edhe William G.O’Neil në librin e tij “Kosovo: an unfinished peace” është i mendimit se “veprimet e trupave të KFOR-it francez në rrugën prej Vushtrrisë deri në Mitrovicë gjatë ditëve të para të vendosjes së NATO-s patën konsekuenca negative” (2002: 45). Sipas po të njëjtit autor, shqiptarët nuk lejoheshin të kalonin në Mitrovicën veriore ose në veri të vendit si pasojë e ngritjes së një pike kontrolli në lumin Ibër. “Si rrjedhim, francezët ndanë Mitrovicën, e cila u bë një qytet i ndarë sikur Mostari në Bosnjë”, shkruan O’Neill.

Në një analizë gjithëpërfshirëse të Grupit Ndërkombëtar të Krizave për vitin 2001 theksohet se “Ndarja de facto e Mitrovicës dhe veriut të Kosovës ishte rrjedhojë e vendimeve të pathëna të elementëve të KFOR-it francez për të mos e përdorur forcën për ribashkimin e qytetit” (2001: 93). Edhe gazetari i Le Monde, Remy Ourdan thekson se “ushtria franceze vendosi të toleronte, të paktën përkohësisht, ndarjen [e qytetit] të imponuar nga paramilitarët serbë”. (Lukic:151).

Por trajtimi më i mbrehtë i prapaskenave që u zhvilluan në veri bëhet nga gazetari australian me origjinë greke, Mike Karadjis. Në parantezë do të duhej të shtonim se ai mbetet një nga zërat e vetmuar të së majtës ndërkombëtare që merr një qëndrim pro-shqiptarëve. Poende në librin e tij ‘Bosnia, Kosova and the West”, Karadjis shtron një pyetje majeutike “A e ka humbur Serbia Kosovën apo e ka fituar një pjesë të saj duke u shtrirë 50 kilometra në brendësi të kufijve të Kosovës?”.

Duke përimtue skenarët e Millosheviqit për ndarjen etnike të Kosovës, gazetari australian saktëson se Serbia do të aneksonte 1/6 e territorit të Kosovës. Sipas tij “derisa serbët ishin vetëm 1/10 e popullsisë së Kosovës, marrja e 1/6 së territorit nuk do të ishte keq për ta gjatë ndarjes”. Por për regjimin serb – vazhdon Karadjis – çështja është te cilësia dhe jo tek sasia: veriu i pushtuar është aty ku ndodhet pjesa më e madhe e pasurisë minerale të Kosovës. (Burimi: Salih Mehmeti: Kontributi Francez në ndarjen e Veriut të Kosovës, pashtriku,org, 20.05.2013)

8. BEKIM SHYTI: NDARJA E MITROVICËS NGA KFOR’i FRANCEZË DHE NDALIMI I KALIMIT TË UÇK-së NË VERI TË MITROVICËS

Më 4 dhjetor 2004 Rrjeti i Aksionit për Kosovën (Kosova Action Network – KAN) ka organizuar një tryezë me temën “Ndarja dhe bashkimi i Mitrovicës”. Moderatorë të tryezës ishin Glauk Konjufca, kreparlamentari aktual dhe Shkëlzen Gashi. Në këtë tryezë në mesin e ligjeruesve kanë qenë të ftuar Agim Çeku, Bajram Rexhepi, Rrahman Rama dhe Ramush Haradinaj. Përveç Ramushit të lartpërmendurit kanë refuzuar pjesëmarrjen në tryezë.

Ramush Haradinaj, i cili një ditë më herët (më 3 dhjetor) ishte zgjedhur Kryeministër i Kosovës në tryezë ka premtuar se do ta bashkojë Mitrovicën.

Në fund të sesionit të parë “Kur, si dhe pse është ndarë Mitrovica?”, ka folur edhe njëri prej eprorëve të UÇK-së, Bekim Shyti. Ai ka treguar se si është ndarë Mitrovica nga forcat e KFOR-it francez.

Fillimisht Bekim Shyti ka treguar se ai nuk ka qenë në nivelin e vendimmarrjes, ngase Komandant i Zonës Operative të Shalës ka qenë Rrahman Rama, ndërsa, ai ka qenë vetëm komandant i një njësie.

Në vijim Bekim Shyti ka deklaruar se, më datën 17 qershor 1999 forcat e KFOR-it francez kanë hyrë në Mitrovicë dhe në pjesët tjera ku vepronte UÇK-ja, ndërkaq ne kemi qenë të vendosur në fshatin Ashlan – një kilometër më në veri është fshati Pantinë – dhe diku rreth orës 19:00 ose 20:00 kanë ardhur forca të mëdha franceze me gjasë për të siguruar serbët e fshatit Frashër (Svirnjar) sepse mes fshatit Ashlan, fshatit Pantinë dhe Mitrovicës gjendet fshati Frashër, i banuar kryesisht me serbë.

Në pyetjen njërit prej moderatorëve të kësaj tryeze, Shkëlzen Gashit, se a ka pasur urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm që forcat e UÇK-së të kalojnë apo të mos kalojnë në veri, Bekim Shyti është përgjigjur si vijon:

“…Ne nuk kishim urdhër për të qenë në pjesën veriore të Mitrovicës, por, përkundrazi, në kohën kur është bërë Marrëveshja e Kumanovës (9 qershor 1999) neve na është thënë nga gjeneral Rrahman Rama se nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka ardhur një urdhëresë që në magjistralen Vushtrri-Beograd dhe anasjelltas në Mal të Zi – faktikisht Mitrovica mbetej në një trekëndësh – forcat e uniformuara nuk guxojnë të ofrohen dy kilometra afër kësaj magjistraleje gjegjësisht kësaj vije të kuqe. Kështu që, francezët në atë kohë kanë thënë se nëse ndonjë pjesëtarë i uniformuar – e kjo ka qenë për UÇK-në sepse në atë kohë nuk ka pasur pjesëtarë tjerë të uniformuar – e kalon këtë vijë të kuqe, në të do të shtihet pa paralajmërim. Me gjasë ka pasur një marrëveshje për këtë punë dhe do të kishte qenë shumë mirë që në mesin tonë të jenë ata që kanë bërë një marrëveshje të tillë, qoftë në Rambuje, qoftë në Kumanovë apo kudo që ta kenë bërë…”…

Po qe se bazohemi në hulumtimet e opinionit publik që kanë bërë organizatat më prestigjioze që merren me këtë punë, atëherë, Agim Çeku dhe Bajram Rexhepi janë dy njerëzit më me ndikim dhe më me autoritet në Kosovë. Ka qenë lehtë e parashikueshme që këta dy njerëz do të jenë pjesë e procesit negociues. Përmes këtyre dy njerëzve ndërkombëtarët do të tentojnë të legalizojnë ndarjen e Mitrovicës dhe ka gjasa që të rezultojnë të suksesshëm.

Në vijim të kësaj duhet parë deklaratën e paradoditshme të Agim Çekut se Mitrovica do të jetë njëra nga sfidat më të mëdha të statusit. Zaten, Çeku ka dëshmuar disa herë se është i gatshëm të bëj kompromis, madje pikërisht për Mitrovicën. Hera e parë është urdhëresa që, sipas Bekim Shytit, e ka lëshuar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, e në bazë të së cilës, siç u tha edhe më sipër, trupat e UÇK-së nuk kanë pasur të drejtë të kalojnë magjistralen Vushtrri-Beograd dhe anasjelltas në Mal të Zi, e Çeku ka qenë shef i SHP-së të UÇK-së dhe nuk e ka kundërshtuar këtë farë urdhërese, kurse hera e dytë është shpërndarja e protestuesve në Marshin për Mitrovicën që është mbajtur në dhjetor të vitit 1999 (për më shumë shih: Bernard Kushner “Luftëtarët e Paqes” faqe 133- 138). Tash, e treta e vërteta!

(Burimi: Shkëlzen Gashi: Mitrovica me urdhër të SHP të UҪK’së është lëshuar nga veriu i saj, Pashtriku.org, më 16 maj 2017)

***

Dëshmi

Shkëlzen Gashi, Klan Kosova (video)

https://fb.watch/gGxpGfCq2I/

9. DISLOKIMI I KFOR’i FRANCEZË MBI URËN E LUMIT IBËR …

Në gjysmën e dytë të qershorit 1999, trupat franceze të NATO-s (KFOR-it) u vendosën mbi urën e lumit Ibër, dhe nuk i lejuan forcat e UÇK-së, të shkojnë në pjesën veriore të Mitrovicës deri në kufi me Serbinë, dhe në këtë mënyrë NATO-ja e bëri fakt të kryer ndarjen e Mitrovicës Jugore nga ajo veriore së bashku me tri komunat tjera, atë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe të Leposaviqit.

Për më keq në këtë periudhë KFOR-i francezë së bashku me policinë e UNMIK-ut nuk i lejonte  familjet shqiptare, madje as punëtorët dhe  mantelbardhit shqiptarë që të kalonin nëpër urë mbi lumin Ibër për të shkuar në punë dhe shtëpitë e tyre në pjesën veriore të Mitrovicës!

Gjatë protestave, KFOR-i francezë për të penguar shkuarjen shqiptarëve në veri të Mitrovicës kishin vendosur edhe tela me gjemba, madje edhe tela me rrymë në Urën e lumit Ibrër.

Dëshmi:

Kosovo: Mitrovica; Protestors clash with K-FOR Troops (Video)

10. HASHIM THAÇI KONFIRMON NDARJEN E MITROVICËS!

Në verën e vitit 1999 në një nga protestat e shqiptarëve të cilët nuk lejoheshin nga KFOR-i francezë për të shkuar nëpër shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës, për ndalimin dhe qetësimin e protestuesve shqiptare ka marrë pjesë: Kryeministri i QPK dhe ish Drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së Hashim Thaçi me bashkëpunëtorët e tij, Kadri Veselin, Bilall Sherifin, Bajram Rexhepin dhe Komandantin e Zonës Operative të Shalës, Rrahman Rama…

Dëshmi:

Hashim Thaçi në verën e vitit 1999 kur u nda Mitrovica (Video)

***

Hashim Thaçi konfirmon ndarjen e Mittovicës

11. NDARJA E MITROVICËS DHE “ROJAT E URËS”!

Kryeadministratori i parë i UNMIK-ut, Bernard Kushner në librin e tij “Luftëtarët e paqes”, lidhur me ndarjen e Mitrovicës shkruan: “Kolonat franceze, të ngarkuara për këtë zonë gjatë futjes së aleatëve, më 12 qershor 1999, duke vendosur fushimin në jug të qytetit (të Mitrovicës), nuk e ndoqën policinë e Beogradit, por u ndalën në urë, duke futur rrallazi ndonjë njësit të vëzhgimit më në veri, ku zbuluan pjestarë të policisë dhe të vrasësve që bartin skalpet dhe flokë grashë shqiptare të varura në hallkat e rripit. Me urdhër të kujt ishin ndalur (te ura) forcat tona çlirimitare? Kurrë nuk kam mundur ta mësoja saktësisht, por ky ishte një gabim i madh politik. Ky ndalim i papritur, jo vetëm bëri nga Mitrovica një qytet të ndarë, por shkaktoi një eksod masiv, një ndjekje reciproke e të përhershme të refugjatëve të nemitur e të privuar nga të gjitha, dhe u ofroi serbëve një territor strehimi të papritur, në kufi me Serbinë që ende drejtohej nga Milosheviqi. Shumë shpejt vullnetarët serbë organizuan në veri të Urës një polici të udhëhequr me mjeshtëri nga Oliver Ivanoviqi, sportist i mëhershëm profesionist. Ai si njeri i guximshëm politik që ishte, u bë për UNMIK-un një bashkëbisedues i vështirë, dhe po aq i sinqertë sa mund të jetë njeriu në ato rrethana. Ai organizoi një njësit të armatosur të bridge watchers, rojat e urës, njerëz të armatosur të të gjitha tendencave, që nga njerëzit më të ndyrë e më brutalë deri te patriotët më të devotshëm, të cilët e kishin shtabin e tyre në “Dolce vita”, përballë Urës, ku shenjuan “territorin e lirë serb”, e të cilët nëpërmjet komunikimit me radiolidhje, mund të mblidheshin me alarmin e parë.” Dhe pak më tutje vazhdon Bernard Kushneri: “Por komandanti francez i zonës ishte kundër lëvizjeve tona që rrezikonin autonominë serbe në pjesën e epërme të qytetit të Mitrovicës.” (Koha Ditore” më 3 qershor 2004) Çdo koment është i tepërt!

12. NDARJA E MITROVICËS NJË “EL DORADO” PËR STRUKTURAT KRIMINALE TË SERBISË!

Ndarja e Mitrovicës dhe tri Komunave në veri të Kosovës (Zveçanit, Leposaviçi dhe Zubin Potokut) u shndërrua në El Dorado për strukturat kriminale të Serbisë.

Gjatë ngjarjeve të dhunshme të shkurtit  2000, përgjegjësia për mbajtjen e rendit publik në Mitrovicë binte krejtësisht mbi batalionin e këmbësorisë së KFOR-it francez. Vetëm me 3 – 4 shkurt të vitit 2000, u vranë 11 shqiptarë, dhjetëra të tjerë janë keqtrajtuar ose lënduar, ndërsa 1.564 familje me 11.364 anëtarë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Përveç krimeve dhe masakrave të kryera gjatë luftës nga forcat serbe, 16 kriminelë serbë kanë ikur prej burgut të Mitrovicës, së paku njëri është nxjerrur nga burgu përmes demonstratave të serbëve, kurse disa herë protestuesit nuk kanë lejuar që të arrestohen persona serbë të caktuar. Në trazira të dhunshme nuk u kursyen as forcat ndërkombëtare që për dallim i kursenin strukturat e Serbisë. Trazirat ishin të vazhdueshme, prej prillit të vitit 2002 kur u plagosën 22 policë polakë e deri me 17 mars 2008 kur u vra polici ukrainas. Serbët atje përdorën një arsenal të tërë ushtarak të armëve të zjarrit kundër ndërkombëtarëve dhe jo vetëm …

Robert Perito në librin ‘Where is the Lone Ranger When We Need Him?’ thotë se gjatë përleshjeve “pjesëtarët e KFOR-it francez nuk i dhanë përgjigje kërkesave të policisë së UNMIK-ut për mbështetje” (Perito: 211). Ai veçon një rast kur një oficer amerikan dhe një detashment i trupave franceze po përpiqeshin të shpëtonin një grup të vogël shqiptarësh që ishin rrethuar nga një turmë e hazdisur serbe. Ushtarët francezë u tërhoqën në mbrojtje të mjeteve të tyre të blinduara. Vetëm një kompani e pjesëtarëve të KFOR-it danez u përgjigjen duke i shpëtuar shqiptarët (Perito: 212). Në mars të po të njëjtit vit, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan njoftonte Këshillin e Sigurimit mbi përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në veri të Mitrovicës. Ai ngriti gishtin e fajësisë edhe te “dështimi i shteteve anëtare për të kontribuar me personele policore”. Në prill të vitit 2000 në Kosovë arriti një njësi policore nga Pakistani, e cila u vendos në Mitrovicë.

Gjatë trazirave të njëpasnjëshme, kontigjenti i KFOR-it francez vazhdonte të mbështetej në burimet e veta, duke anashkaluar aktivizimin e njësive pakistaneze. Një nga incidentet më eklatante ishte ai i 21 qershorit të vitit 2000 kur grupe serbësh nisën të sulmonin me gurë ndërtesat e banuara me shqiptarë në veri të urës së Ibrit.

Perito jep një përshkrim të hollësishëm të këtij incidenti: “Policia e UNMIK-ut iu përgjigj ankesave të banorëve, madje arrestoi njërin nga vandalët. Një turmë e ‘Rojave të Urës’ shpejt e rrethuan policinë për të ndaluar arrestimin e të dyshuarit. Disa nga zyrtarët e UNMIK-ut deshën ta lironin të dyshuarin, por një oficer amerikan e arrestoi serbin dhe kërkoi ndihmën e njësive pakistaneze. Pas një vonese të konsiderueshme, njësia pakistaneze arriti në fundin jugor të Urës. Gjatë kohës sa qëndronin të renditur në formacion, pakistanezët u goditën me gurë por u ndaluan nga KFOR-i francez dhe mjetet e tyre të blinduara për të kaluar urën e për të dalë në veri” (Perito: 213).

Sipas Peritos, asnjëherë nuk u dha ndonjë sqarim zyrtar pse trupat franceze nuk lejuan njësitë pakistaneze në kontrollimin e turmës së dhunshme në veri të Mitrovicës. Ky autor beson se motivet franceze mund të rrjedhin mbase edhe nga perceptimi i interesave ekonomike afat-gjatë të Francës në Serbi dhe bindjes se stabiliteti i rajonit në të ardhmen kërkonte domosdo një prani etnike serbe në Kosovë. Kjo sikur përplotësohet edhe nga gazetari me origjinë greke, Mike Karadjis, i cili sipërfaqëson një sërë rastesh kur KFOR-i francez do të sprapste mijëra shqiptarë që përçapeshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre në veri.  Ai shton se ‘një përpjekje e UÇK-së për të marrë kontrollin e minierave të Trepçës do të pengohej nga trupat franceze me 3 korrik”.

Karadjis është i prirur të besojë se lidhjet e Francës me Serbinë kanë një traditë të gjatë historike. Ai vë në dukje se “Imperializmi francez kishte një lidhje të veçantë me Serbinë. Shumica e udhëheqësve serbë në Bosnjë që kërkoheshin për krime lufte, përfshirë edhe Radovan Karagjiqin, jetonin në sektorin francez të Bosnjës. Kur majori francez Bunel u arrestua në tetor të vitit 1998 për përcjelljen e të dhënave të NATO-s tek ushtria serbe, oficerët e ushtrisë franceze protestuan me moton ‘Ushtria me serbët – Lirojeni Majorin Bunel” (Karadjis: 205).

Është meritë e gazetarit me origjinë greke që interesimin e veçantë të francezëve për veriun e qëmton tek pasuritë e jashtëzakonshme minerale të Trepçës. Së këndejmi, Karadjis citon disa raporte të cilat e vlerësonin kompleksin e Trepçës si “asetin më të vlefshëm në krejt Ballkanin”, vlera e të cilit përllogaritej rreth 5 miliardë dollarë. Vënia e dorës mbi këto pasuri minerare, merret vesh, ecte dorë për dore me dëbimin sistematik të mijëra shqiptarëve nga kjo pjesë. Përderisa qytetet në veri si Zveçani e Leposaviqi, që kishin komplekse të rëndësishme të Trepçës, kishin një popullsi shumicë serbe, “Mitrovica e veriut së bashku me pjesën e Trepçës dhe minierat e Stan Tërgut, para luftës, nuk ishin serbe” (Karadjis: 204). (Burimi: Salih Mehmeti: Kontributi Francez në ndarjen e Veriut të Kosovës, pashtriku,org, 20.05.2013)

——————————

13. SHTOJCË

Si funksionon Serbia në Kosovë?!

STRUKTURAT PARALELE SERBE DHE FUQIZIMI I TYRE NGA UNMIK’u, KFOR’i, EULEX’i DHE QEVERIA E KOSOVES! (1999 – 2011)

Shkruan: Sheradin Berisha – Gusht 2011

https://pashtriku.beepworld.de/veriu_i_kosoves.htm

***

14. ÇKA FSHIHET PAS NEGOCIATAVE KOSOVË – SERBI?

Nga Sheradin Berisha, Facebook 9 nëntor 2022

__________________________________

REFRENI I EMISARËVE PËR FORMIMIN E ASOCIACIONIT …

Nga Sheradin Berisha, Facebook 11 nëntor 2022

https://pashtriku.org/refreni-i-emisareve-per-formimin-e-asociacionit/

Total
0
Shares
2 comments
  1. Mos humbisni: MAQEDONIA KA SHUMICE SHQIPTARE

    mentealternativa1.blogspot.com/2023/04/maqedonia-eshte-me-shume-shqiptare-se.html

  2. PAS MBARIMIT DHE KISHE RI-ÇLIRIMIT TË KOSOVËS QË NJËRI NGA UNMIK-U OR SI ARMIKU, PARA TV KOSOVËS PO DEKLARON: JU, SHQIPTARËT E SHQIPTARISË,
    AS MOS MENDONI NË LIRI, PAVARËSI EDHE DEMOKRACI TË KOSOVËS ORE TERË
    TROJEVE SHQIPTARE! PERANDORIA TURKO-OSMANE U KA MBAJTUR OKUPUAR
    MBI 500 VJET; A NE, DO JU OKUPOJMË EDHE NËNSHTROJMË PËR 600 VJET OR, QË DO TË THOTË EDHE 100 VJET MË SHUMË!!” SI NJË ATDHETAR I MADHË NGA
    ISH RUSO SERBO JUGOSLLAVIA E PARË; DENOHEJ BURGU NISHIT ME 100 VJET
    BURG PËR NACIONALIZËM LIRI, BASHIKIM MBARË SHQIPATRË! FUND JU LEJUA
    TA KËRKOJË NJË DËSHIRË: AI KERKOI QË TA MATË SALLËN E GJYQIT ME HAPA,
    JA LEJUAN; E MATI; GJYQI PO E PYET SE, ÇKA PO TË VYEN MATJA E SALLES TË GJYQIT, QË TI, NUK ARRINË DOT TË PËRJETOJË GJALLË 100 VJET BURG!” AI PO QESH DHE PO PËRGJIGJEJ: PO, KY ËSHTË BURG POLITIK DHE UNË BESOJ SE DO TË LIROHËM I PA FASHËM DHE, DO TA NDËRTOJË NJË KULLË VENDLIDJEN TIME DRENICËN LEGJENDARE DHE, NË ATË KULLË DO TË PRESË MIQ MË DASHAMIRË
    E TË HAMË E PIJMË OR TA FESTOJMË LIRINË PAVARËSINË MBARË SHQIPTARE!”
    MANI NEW JERSEY USA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura