ZILI YJËSH TË LARGËT

Nga Rexhep Kasumaj, Dimër, 2024

ZILI YJËSH TË LARGËT

(Mbi princin e munguar)

“Letra juaj m’dhuroi ngazëllimin e kulluar e t’njëmifishtë, se në këtë botë ka princër që mendojnë si njerëz, princër-filozofë që do lumnojnë botën”!

Kështu i përgjigjej Volteri Friedrich-ut të Madh të Prusisë (Letërkëmbim mes tyre, nga Hans Pleschinski), një magmë vezulluese e epistografisë botërore.

Natyrisht, në këtë Letërkëmbim, shpër­ndarë si pluhnajë yjësh, ka përplot brilantinë të tjerë. Veçse do mrekullohesha nga ç’mësova për kulturën e epërme të Princit të veçantë.

 A s’e pohon këtë, çiltërisht admirues, dhe Volteri vetë?

Në fakt e dija, janë të njohura kultura dhe finokëria e aristokracisë. Megjithatë, Letrat e Friedrich-ut të madh, do t’i rezervonin aq kënaqësi e adhurim Shpirtit krijues volterian.

 Ndaj dhe në Letrën e tij (shtator, 1736), gjenden dy shprehje që pikturojnë saktë e bukur mikun e Naltmadhnuar prusian, prijësin e njërit nga oborrët e fuqishëm në Pentarkinë e Europës.

E ato, njëj thellësie dritëruese, veçohen qysh në rreshtat parë: Princ-Njeri dhe, njëkohësisht, Princ-Filozof! Rrjedhimisht, si thotë Volteri, del të mos jetë i shpeshtë, madje është i rrallë ky përplotësim sipëror.

Duke lexuar ndjenjat dhe konsideratën e Volterit hedhur në fletën e bekuar, nuk i rezistoja (a duhej vallë?) ndikimit prehësor të tyre. Dhe, fill më pas, dësh’rimit të djegshëm që të shihja dyzimin ideal në formatin e Princërve të politikës së kësomotshme.

E kujt, kujt më shumë i nëvojitet Njësimi fatlum se një cope të ngushtë Dhéu në Ballkan ku banojnë shqiptarë?

Atyre që s’patën kurrë Fridrichër, as të madh e as të vogël, në harkun e jetës së tyre. Dhe, mbase, s’do t’i kenë ndonjëherë. Por, së paku, sado vonë, t’pajo­hen shëmbëllimi të largët të atij nyjëtimi, gati qiellor: Princ-Njeri dhe Princ-Filozof, që do të shenjonte me Ndjeshmëri e Mendim epokën e re…

E jo antipodin e lig, gazavajshëm të tillë: Princ-Çnjeri dhe Princ-Injorant, kaq vulëzi për kujtesën e brezave që vijnë.

A është e mundur, vallë, ç’metafizikë do arrinte një pakt me kohën? Që ajo për shqiptarët të rridhte më shpejt.

Pak më shpejt se koha e të tjerëve që kanë ikur shekuj përpara e, poashtu, më shpejt se kalendari i vjetër i dyzimit të ulët princëror…

Ah, ti zili e pagjasë, e ti dësh’rim i pamundur!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura