Prishtinë, 31. 03. 2015 – Serbia, sipas Nojdekit “do të provojë ta marrë Kosovën me grusht shteti. Më pas, mund të imagjinojmë sesi edhe presidenti rus Vladimir Putini, Beogradit do t’i japë mbështetjen vëllazërore ortodokse. Pastaj, Kosova brenda disa ditësh, do të shuhej së qeni shtet i pavarur.”
Humanisti gjerman Rupert Neudeck në një intervistë dhënë ditores së qytetit të Këlnit (Koelner Stad Anzeiger), përveç tjerash, ka tërhequr paralele mes segmenteve të tëra të politikës dhe krimit, duke i cilësuar shumë politikanë në Kosovë si kriminelë.
Duke e njohur begraundin e tij prej humanisti, por edhe si personalitet me ndikim në qarqe akademike (autor i zërave të veçantë për Kosovën në Enciklopedinë 24 vëllimshe gjermane) dhe të politikës, kjo akuzë e tij publike gjithësesi se do të ketë efektet e veta, sidomos tashti kur ndodhemi në prag të vendimeve të ndieshme që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale, Asociacionin e Komunave serbe etj.
– Humanisti gjerman Rupert Neudeck –
Ajo që më bëri përshtypje në intervistën e Tij ishte gjithësesi konstatimi pa dorashka i rrezikut permanent që ka Kosova nga Serbia. Serbia do të vazhdojë “të mbajë të gjallë kartën e kthimit në “lojën” e Kosovës”, potencoi ai fare hapur dhe me guximin që ka një njohës i mirë i politikave në Ballkan.. Si mundësi reale për këtë kthim të supozuar të Serbisë në Kosovë, ai vë theksin te një lloj grushtshteti i mundshëm!
Ky konstatim i Nojdekut vije pikërisht në kohën kur në Prishtinë po zhvillonte punimet samiti “Western Balkans 6” dhe dy zëvendëskryemiministrat dhe ministrat e jashtëm, ai i Republikës sonë, Hashim Thaçi, dhe ai serb, Ivica Daciq, po shpërfaqnin afrin më të madhe të mundshme!
Serbia, sipas Nojdekit, “do të provojë ta marrë Kosovën me grusht shteti. Më pas, mund të imagjinojmë sesi edhe presidenti rus Vladimir Putin, Beogradit do t’i japë mbështetjen vëllazërore ortodokse. Pastaj, Kosova, brenda disa ditësh, do të shuhej së qeni shtet i pavarur.”
Ky përfundim i humanistit gjerman, do të mund të cilësohej si një alarm i llojit të vetë, nëse kemi parasysh atë që po ndodhë sot në Ukrainë dhe mënyrën si po reagon Evropa.
Por ajo që prisja të gjeja, qoftë edhe në fund të intervistës, derisa po e lexoja atë në origjinal, më mungoj. As edhe një fjalë të vetme për Brukselin dhe Berlinin, respektivisht kontributin e këtyre dy qendrave vendimmarrëse të Evropës, në inkriminimin e politikës në Kosovë! Konstatimi se EULEX-i ka dështuar nuk mjafton!
Nojdek nuk thotë, madje as edhe një fjalë, se si Brukseli dhe Berlini kontribuan ndjeshëm për konservimin e kësaj kaste të inkriminuar! Ardhjen në pushtet të dyshes kriminale Mustafa-Thaçi, edhe atëherë kur opozita ishte përcaktuar për ndryshim dhe kishte pamundësuar riciklimin e qeverisë Thaçi 3 për gjashtë muaj rresht, e rrjedhimisht vazhdimin e kriminalizimit të politikës, e kishte mundësuar Brukseli, duke pasur një lloj mbështetje edhe nga Berlini. Vala e refugjatëve që vërshuan Gjermaninë ishte, përveç tjerash, produkt i këtyre politikave, që vranë shpresën e një pjese të qytetarëve të Kosovës për një ndryshim të mundshëm.
Neudeck do të ishte më mirë që ta potencoi këtë fakt, por nuk e bën dot, meqë edhe ai personalisht ka investuar gjatë në ringjalljen e nusproduktit jugosllav të quajtur LDK, si shumica e jugonostalgjikëve të majtë evropianë.
Kosova mund dhe do të çlirohet nga politika e inkriminuar edhe duke u ndihmuar nga familja e madhe evropiane, pjesë e së cilës definitivisht heret a vonë, do të jetë. Kontribues për këtë janë titanikët e UÇK-së, ata qindra e mijëra luftëtarë idealistë, por edhe qytetarët e Kosovës, që si lumenjë biblik, fill pas 12 qershorit 1999, u kthyen në vatrat e veta, ndërkaq sot po rikëndellen politikisht, duke krijuar bërthama politike që për bazament kanë ato ideale që bën histori në Evropë, që nga Revolucioni francez e deri tek akti i shembjes së Murit të Berlinit. E kjo do të ndodhë atëherë kur një lagje e së majtës evropiane do të çlirohet nga nostalgjia për Jugosllavinë e Titos.
Në këtë marrsh drejt Lirisë dhe demokracisë me plot autenticitet shqiptar, Kosova do të përballet me një mision të vështirë dhe me kakrakter të dyfishtë: të çlirojë vetëveten nga politika e inkriminuar dhe njëkohësisht të kontribuojë edhe në çlirimin e një pjese të Evropës politike nga sindromi antiamerikanë dhe jugonostalgjia.