Prishtinë, 04. 11. 2015: Duke qenë se ‘marrëveshja’ është pika referuese e zhvillimeve aktuale politike në vend, dhe përtej vendit, atëher pashmangshëm pas marrëveshjës së parë me Serbinë, e cila ishte Marëveshja për Krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe pas marrëveshjes së dytë me Malin e Zi, pra Marrëveshja mbi Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, erdhi marrëveshja e tretë dhe e vërtetë me Bashkimin Europian. Kjo marrëveshje njihet si Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kosovës*. Në këtë dokument Kosova paraqitet me fusnotë, e cila nuk paragjykon përcaktimin për statusin e Kosovës por që është në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljën e pavarësisë së Kosovës. Përcaktim ky absurd, por që nuk është objekt i trajtimit të këtij opinioni. Sidoqoftë, Marëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kjo rëndësi është shumë dimensionale dhe unë do të numëroj disa nga karakteristikat kryesore të kësaj marrëveshjeje.
1. MSA – Marrëveshje Ndërkombëtare – Kjo marrëveshje është marrëveshje ndërkombëtare dhe si e tillë edhe trajtohet nga po e njejta. Palët nënshkruese të kësaj marrëveshjeje jan subjekte formalisht të barabarta të së drejtës ndërkombëtare. Dhe kjo është për t’u përshëndetur. Për më tepër dispozitat e marrëveshjes në fjalë i nënshtrohen sistemit juridik evropian dhe atij ndërkombëtar. Vlenë të theksohet se në marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale me shtetet tjera, Bashkimi Europian paraqitet si subjekt i veqant i së drejtës ndërkombëtare. Në këtë kontekst rrespektimi i dispozitave të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi dhe i Konventave Ndërkombëtare që kan të bëjn me të drejtat e njeriut në veqanti, si dhe bashkëpunimi me institucionet e gjyqësisë ndërkombëtare, janë të parapara në nenin 3 dhe 4 të kësaj marrëveshjeje. Pra MSA shënon kornizën ligjore ndërkombëtare ndaj së cilës nuk kemi se ku të shkojnë. Për më tepër kjo marrëveshje fuqizon subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Kosova dhe Bashkimi Europian jan palë të barabarta të kësaj marrëveshjeje.
2. MSA dhe detyrat e shtëpisë – MSA obligon Kosovën në mënyrë eksplicite në realizimin e reformave të thella në pothuajse të gjitha fushat e jetës, duke filluar nga bujqësia e deri te rrespektimi i të drejtave të minoriteteve. Në këtë kontekst synimet e këtij Asociimi janë: të mbështesë Kosovën në përpjekjet e saja për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës ( neni 2.a.); të kontribuoj në stabilitetin politik, ekonomik dhe institucional të vendit ( neni 2.b.). Pra obligimet që Kosova merr nga kjo marrëveshje jan punët e përditshme të shtetit të cilat nuk kemi mundur ti kryejm si duhet për 15 vite me radhë. Rrespektimi i ligjit, demokracia, të drejtat e njeriut, zhvillimi ekonomik, luftimi i korrupsionit, reforma në administratën shtetërore jan vetëm disa nga detyrat që secila qeveri duhet pashmangshëm të i kryej. Mandej, në bazë të kësaj marrëveshjeje është e paraparë edhe nevoja imanente për sajimin e një kornize ligjore e cila do të ishte kompatibile me të drejtën e Bashkimit Europian, dhe kjo nënkupton nxjerrjen e ligjeve të reja dhe amandamentimin e atyre ekzistuese.
3. MSA dhe raporti me Serbinë- Dispozitat e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit përkitazi me dialogon me Serbinë dhe implementimin e marrëveshjeve të deritanishme janë mëse të qarta. Në kontekstin e implementimit të marrëveshjeve me Serbinë, siç është rasti aktual me Marrëveshjen për Krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është e qartë se MSA obligon në implementimin e saj. Sipas nenit 13. 3. a. ‘Kosova vazhdimisht duhet të zbatoj në mirëbesim të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog me Serbinë’. Derisa neni 13.2 sanksionon rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë për në BE, duke u siguruar që asnjëra nuk do ta pengoj tjetrën në këtë rrugëtim. Sipas kësaj dispozite procesi i dialogut me Serbinë do të siguroj që të dyja vendet të vazhdojnë rrugën e tyre evropiane duke shmangur bllokimin e njërës apo tjetrës palë në këto përpjekje. Përgjithësisht, rruga e Koosvës drejt Bashkimit Europian nuk është e varur nga Serbia. Ndërkaq në anën tjetër në kontesktin e zhvillimeve të brendshme politike opozita është në një udhëkryq të madh. Kjo për shkak se MSA, siç u tha më lartë, kërkon implementimin e marrëveshjeve të mëparshme në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në anën tjetër opozita njikohësisht ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga kërkesat e saj për anulim të marrëveshjeve derisa në anën tjetër është deklaruar se është pro MSA-së!
4. MSA dhe efektet ekonomike- Është e qartë se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit do të ketë efekte të drejtëpërdrejta në ekonominë e shtetit tonë. Më këtë marrëveshje do të liberalizohet tregu kosovarë dhe kështu do të ‘hapen kufijt’. Pra, tash e tutje, pas ratifikimit të MSA-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me disa përjashtime të vogla, prodhuesit dhe tregtarët kosovarë mund të eksportojnë në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, përveç Brtanisë së Madhe dhe Irlandës, dhe e njejta vlenë edhe për mallrat e vendeve të Bashkimit Europian. Me këtë rast do të kemi konkurencë më të madhe, mundësi për më shumë zgjedhje dhe ndoshta edhe ulje çmimesh. Ndërkaq Kosova në aspektin afatshkurtër humdë për shkak të heqjes se taksave doganore, gjë të cilën e ka deklaruar edhe vet Dogana e Kosovës. Kështu, mendoj që derisa të rritet prodhimi vendorë, për t’a relativizuar sadopak disbalancin eksport/import, Kosova do të ketë vështirësi në këtë drejtim.
5. MSA dhe afatet kohore- Siç edhe është e njohur Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kosovës do të zgjasë dhjetë vite. Në bazë të nenit 9 të kësaj marrëveshjeje ‘Asociimi në mënyrë progresive dhe të plotë do të realizohet gjatë një periudhe prej 10 vitesh’.6. Organi Mbikqyrës i MSA-së- Duke qenë se MSA do të zgjasë me vite të tëra atëherë është paraparë edhe një mekanizëm mbikqyrës i saj. Ky mekanizëm është emërtuar si Këshilli i Stabilizim Asociimit dhe formimi i tij është sanksionuar në nenin 126 të MSA-së. Në bazë të kësaj dispozite Këshilli do të rishikoj e vlerësoj ecurinë e zbatimit të marrëveshjes në baza vjetore. Gjithashtu ky Këshill do të marrë vendime dhe do të jap rekomandime. Ndërkaq do të udhëheqet nga përfaqësues të të dy palëve me rotacion. Gjithashtu është i paraparë edhe formimi i Komisionit Parlamentar i cili do të përbëhet nga anëtarët e parlamenteve rrespektive. Fuqia e tij do të jetë rekomanduese.
Përfundimisht, mund të thuhet se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është një hap shumë i rëndësishëm përpara në rrugën e Kosovës drejt afrimit me Bashkimin Europian. Mirëpo nuk duhet pasur iluzione për një përmirësim të menjëhershëm të situatës aktuale poilitike, ekonomike dhe sociale në vend.