HAZIR MEHMETI: ORË LETRARE NË JAVËN E INTEGRIMIT NË VJENË TË AUSTRISË

Vjenë,14. 05. 2016: Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu“ organizoi një orë letrare në kuadër të Javës së Integrimit në Vjenë, e cila mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Landit të Vjenës, Dr. Michael Höupl. Prania me krijimtarinë e tyre e shkrimtarëve në gjuhën shqipe, gjermane, keniane, çerkeze, polake dhe turke tregon dhe një herë për seriozitetin dhe vlerën ndërkulturore të këtij manifestimi letrarë. Salla e bukur e bashkisë së nëntë të kryeqytetit austriak priste dhe më shumë dashamirë të fjalës letrare e poetike. Mjerisht, edhe pse ishin të ftuar radhas në disa manifestime, munguan përfaqësuesit e shoqatave simotra, mes tyre Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri, duke dështuar prapë në detyrën e tij të koordinimit sipas statutit dhe programit ku aderon dhe organizatori i këtij aktiviteti.
Anton Marku, kryetar i Lidhjes i hapi punimet duke përshëndetur të pranishmit në emër të nikoqirit. Më pas ai falënderoi përfaqësuesit e bashkisë së 9-të të Vjenës dhe personalisht znj. Martina Malyar, kryetare. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen e subjektit që drejton për sponsorët dhe të gjithë ata që ndihmuan organizimin e orës letrare. Ai foli edhe për historikun pesëvjeçar të Lidhes “Aleksandër Moisiu’’ dhe qëllimet e saj, duke theksuar se “Brenda kësaj kohe kemi botuar 2 antologji në gjermanisht dhe shqip si dhe kemi mbajtur mbi 40 orë letrare, ku kemi promovuar dhjetëra vepra nga krijuesit tanë këtu në Austri dhe nga vende tjera”.

Programin e drejtoj me shije në të dy gjuhët Vlora Januzi, veprimtare dhe anëtare aktive e Lidhjes. Ajo i ftoi para publikut: ”Udhëtojmë nga Kenia, Turqia, Polonia me ftesë Kosove në Austri, bashkë vijnë pesë autorët e kësaj mbrëmjeje letrare. Të gjithë i bashkon letërsia. Nisur nga mendimi se çdo krijimtari artistike është produkt i biografisë së krijuesit, sonte kemi rastin t’i shijojmë frytet e pesë prej tyre”. E para që lexoi poezi, tregime dhe ese nga krijimtaria e saj ishte shkrimtarja dhe publicistja e njohur nga Kenia, Philo Ikonya, e përndjekur nga regjimi i korruptuar në vendin e saj, e cila tani jeton në Osllo dhe Vjenë. Nga krijimtaria e tij lexoi shkrimtari i mirënjohur austriak Peter Paul Wiplinger, anëtar nderi i Lidhjes. Ai deri tani ka të botuar 45 vepra letrare të përkthyera në 20 gjuhë dhe në gjuhën shqipe. Wiplinger u paraqit në mbi 350 lexime letrare në shumë shtete të botës, lexoi disa poezi e tregime nga veprat e tij të fundit. Shkrimtarja nga Polonia Marzanna Danek, lexoi poezi me motive të ndryshme. Ajo ka të botuar vepra në shumë shtete të botës, është fituese e disa çmimeve ndërkombëtare me poezi, ese, tregime, etj. Huseyin Simsek, krijues në gjuhën turke i cili jeton në Vjenë lexoi nga krijimtaria e tij poezi me motive nga jeta në atdhe dhe mërgim.
Anton Marku lexoi poezi nga dy vëllimet e tij të fundit në gjermanisht dhe shqip. Ai është anëtar i PEN-Klubit në Austri dhe i përfaqësuar në antologjinë e krijuesve nga të ardhurit e kombeve të ndryshme në Austri. ‘‘Letërsia dhe muzika e frymëzojnë njëra tjetrën, këtë e plotësuan dy instrumente me harqe: violonçeli dhe violina, luajtur nga Anna Isabel Chan Flores dhe Venice Chan Flores. Ato vijnë nga Meksiko dhe ndërkohë janë bërë përcjellëse besnike të mbrëmjeve tona letrare”.
Në pjesën e dytë të orës letrare, me lexime u paraqitën edhe tre anëtarë të Lidhjes, Jeta Jashari, studente nga Tetova, e cila recitoi me shije poezi nga Ismail Kadare dhe Ali Podrimja, Mërgim Osmani, i cili u prezantua me poezi nga libri i tij i fundit dhe Hazir Mehmeti me një tregim të shkurtër.
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” është shembulli i shkëlqyer i prezantimit të krijimtarisë letrare në gjuhën shqipe, krahas atyre të kombeve tjera. Leximet letrare në shumë qytete të Austrisë, Hungarisë, Gjermanisë janë në shërbim të shkëmbimit ndërkulturor. Ora letrare e radhës mbahet më 28 maj 2016 në Lalish Theater, i njohur si vend i shijimit të artit letrar në shumë gjuhë të komuniteteve që jetojnë në Vjenë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura