GJOKË DABAJ: PSE PO GJURMOHEN KAQ SHUMË PRODHUESIT DHE TREGTUESIT E DROGAVET?!

Durrës, 19. 07. 2916: Kur dëgjojmë lajmet mbi asgjësimin e plantacionevet, mbjellë fshehurazi këtu në Republikën e Shqipërisë, kryesisht me kanabis sativa, natyrisht që, njerëzvet normalë, u vjen mirë, sepse i dinë efektet e dëmshëm të kësaj bime mbi shëndetin mendor dhe fizik të njerëzvet. Edhe kur dëgjojmë mbi kapjen dhe arrestimin e trafikantëvet, qoftë të kanabisit, qoftë të kokainës apo heroinës, njerëzvet normalë prapë u vjen mirë.
Mirëpo, sapo të guxojmë të thellohemi pak më shumë në këtë dukuri, e cila përditë e më shumë po merr forma sensacionale, është e pamundur të mos bëhet qoftë edhe pyetja më e thjeshtë: Pse po ndodh kështu?!
Pas kësaj, vijnë dhe renditen njëra pas tjetrës pyetje të tjera, secila më intriguese se tjetra.
– Cili është qëllimi REAL, që po asgjësohen me kaq bujë mijëra rrënjë të kësaj bime narkotike?!
– A thua, me prerjen dhe djegien e këtyre bimëve po pakësohet numri i përdoruesvet të drogës?!
– Cili është qëllimi I VËRTETË që, thuajse ditë për ditë, po kapen dhjetëra kilogramë e nganjëherë edhe dhjetëra kuintalë droga të forta?!
Në këto punë po angazhohen qeveritë, po vihen në lëvizje shërbimet e fshehtë dhe policitë shtetërore e ndërshtetërore! Operacione të koduar, kështu e ashtu, njëri pas tjetrit, me gjithfarë emrash!
A VËRTET i kanë vënë vetes qëllim, këto qeveri, këta shërbime të fshehtë dhe këto polici, shtetërore e ndërshtetërore, për ta hequr nga përdorimi këtë lëndë njerëzshkatërruese dhe mjerimshkaktuese të qindra mijë e miliona individëve e familjeve?!
– Të ish ky qëllimi, a nuk ka mënyra të tjera për t’i dhënë fund përdorimit të drogës?!
– Ose, të paktën për ta minimizuar me limit zero këtë plagë të rëndë shoqërore të kohës sonë?!
– Psh, a nuk mund të gjurmohen dhe penalizohen VETË PËRDORUESIT e drogës?!

Me sa di unë, ka shtete që i dënojnë rëndë përdoruesit e drogës. Në të vërtetë, realisht, vetë përdoruesi i drogës e ka dënuar veten me vdekje të parakohshme! Përdoruesi i drogës e ka dënuar veten me një vdekje të lemeritshme, pak e nga pak, e përditë, ndërsa familjen e vet ai e ka dënuar me degradim e deri me shkatërrim të plotë. Mbështetur në këtë logjikë, pse të mos vendosej një dënim i rëndë kundër përdoruesvet dhe pastaj të mos mbetej arsye, as për ta prodhuar dhe as për ta tregtuar drogën?!
Këtu, në Republikën e Shqipërisë, kemi një „përvojë“ çerekshekullore, si në asgjësimin e bimëvet, ashtu edhe të mallravet që nuk janë narkotikë. Në shtetin tonë ka ndodhur shkatërrim total i ekonomisë jonarkotike, aspak narkotike!
Pse u veprua ashtu?!
– Mijëra hektarë vreshta janë shkulur e shkatërruar! Pse?!
– Mijëra rrënjë agrume janë prerë! Pse?!
– Mijëra rrënjë ullinj e arra janë prerë e djegur për dru zjarri ose shitur prej individësh përvetësues si dru industrialë! Pse u shkatërruan gjithë ato bimë?!
Në këtë vend dikur prodhohej misër dhe grurë, aq sa shteti importonte fare pak ose aspak drithëra buke. Tokat, që dikur punoheshin me mjete të mekanizuar, pas vitit 1990, u copëzuan në atë mënyrë, sa ato, në kushtet e konkurencës kapitaliste, nuk i hynin më askujt në punë dhe u shndërruan, shumica e tyre, në shkurrishte.
– Këtu, në Republikën e Shqipërisë, para vitit 1990, prodhoheshin me shumicë: tekstilet, këpucët, enët e qelqit, enët e qeramikës dhe të gjithë llojet e tjerë të enëvet, llambat elektrike, gozhdët, teli i baktit, sapuni, kripa, makaronat, orizi, sheqeri, plehërat kimikë. Pas vitit 1990, prodhimi i që të gjithë këtyre mallrave u ndërpre! Pse u veprua ashtu?!
Pas vitit 1990, të gjithë këta mallra, Republika e Shqipërisë u detyrua t’i importojë. Që nga mielli i grurit dhe misri, agrumet, ullinjtë e kripur dhe vaji i ullirit, deri te sapuni, kripa e makaronat, çdo gjë shqiptarët e Republikës së Shqipërisë u detyruan t’i sjellin nga jashtë me çmime shumë më të lartë.
Ja, kjo është përgjigjja!
– U shkatërruan vreshtat, sepse dikush donte të shiste rrushin, rakinë dhe verën e vet!
– U prenë agrumet, sepse dikush donte të shiste agrumet e vet!
– U shkatërrua industria e plehravet kimikë, një industri mirëfilli moderne, sepse dikush donte të shiste plehrat e vet kimikë!
Njëkohësisht edhe sepse dikush donte të shiste prodhimet që stimuloheshin me anë të atyre plehrave kimikë! Toka u copëzua, në mënyrë që shqiptarët e këtij shteti të mos mund të prodhonin në mënyrë konkuruese. Edhe për këpucët dhe enët e kuzhinës, edhe për tekstilet, duhej ndaluar prodhimi këtu, në mënyrë që dikush tjetër të mund të shiste në tregun tonë, këpucë, enë kuzhine dhe tekstile.
Këtu prodhohej panxhar sheqeri me shumicë dhe u ndërpe prodhimi i tij, sepse fabrika e sheqerit në Maliq u shkatërrua. U shkatërrua fabrika e sheqerit, jo hapur e me bujë, me polici e me qen të stërvitur, por, pa asnjë dyshim, me spiunazh të fshehtë. E pra, panxhari i sheqerit dhe sheqeri nuk janë lëndë narkotike!
Bie në sy që, në ditët e sotme, në disa krahina prodhohen patate apo qepë dhe mbeten pa u shitur. Pse?! Sepse TREGTARËT e patatevet apo të qepëvet nuk duan të ulen çmimet e patatevet dhe të qepëvet. TREGTARËT, që janë bërë aq të shumtë, sa s’i zënë qytetet, duan t’i shesin 5-fish më shtrenjtë se ç’i blejnë, të gjithë zarzavatet dhe të gjithë frutat. Përndryshe, e gjithë KASTA E SHPËRNDARËSVET shkon drejt falimentimit. KASTË E SHPËRNDARËSVET quhet ajo pjesë e shoqërisë njerëzore, e cila nuk prodhon asgjë, por blen, transporton dhe shet çdo gjë.
Po marrim edhe një shembull. Në stinët e verës nëpër rrugët e qytetevet tanë shiten kallinj misri të pjekur. Prodhuesvet u merren ata kallinj me 100 lekë të vjetër për copë dhe u shiten konsumuesvet me 500 lekë të vjetër. Nëse fshatari nuk i jep me 100, ai është i detyruar t’i derdhë kallinjtë e misrit në përrua.
Pra, ligjin e tregut nuk e vendos as prodhuesi, as blerësi. E vendos KASTA GJYSMËPARAZITE E SHPËRNDARËSVET. Në rrethanat e së quajturës „tregti e lirë“, edhe masa e prodhuesvet, edhe masa e blerësvet, janë TË DISKRIMINUARA! Por edhe brenda vetë kastës gjysmëparazite të shpërndarësvet, në sistemin e „tregtisë së lirë“, ka diskriminim. Aty diskriminohen ata që janë më të dobët, prej atyre që janë më të fuqishëm.
***
Kështu është puna edhe me drogën. Askujt nuk po i dhimben, as prodhuesit, as përdoruesit e drogës. Droga po kapet e po asgjësohet, thjeshtë, PËR TË MOS IU ULUR ÇMIMI. Plantacionet e kanabisit po asgjësohen me të njëjtin qëllim, siç u asgjësuan vreshtat në Republikën e Shqipërisë në vitet 1990. Shqiptarët nuk u lejuan të prodhonin rrush, tani, për të njëjtat arsye, nuk po lejohen të prodhojnë kanabis. Duhet, pra, që kanabisin ta prodhojë dikush tjetër, në mënyrë që ai t’i marrë paratë e jo shqiptarët. Atëherë justifikohej shkatërrimi i „Perlat Rexhepit“, i „Gjergj Dimitrovit“ e i dhjetëra vreshtave të tjerë, me luftën kundër „epidemisë“ së komunizmit. Tash po justifikohet asgjësimi i parcelavet të kanabisit, në Lazarat, në Malësi të Madhe, në Malësitë e Krujës, në Labëri, me luftën kundër epidemisë së drogës. I vetmi dallim është se, duke asgjësuar vreshtat dhe bujqësinë socialiste, kapitalistët e zhdukën „epideminë“ komuniste, ndërsa duke asgjësuar plantacionet e kanabisit, kapitalistët po e FORCOJNË, po e FUQIZOJNË epideminë e drogës, pa thonjëza, për „interesin“, me thonjëza, pra fiktiv, të pasurigllabëruesvet dhe njerëzimshkatërruesvet. Themi fiktiv, sepse, me këto praktika veprimi, klasa kapitaliste botërore po e çon edhe veten drejt asgjësimit. Sigurisht, ajo as që e kupton se çfarë është duke bërë.
Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë njerëzit duhet ta dinë, jo për t’iu vënë në mbrojtje prodhimit dhe tregtimit të drogës, por për t’i hyrë punës që shoqëria e sotme njerëzore të ndryshojë që nga themelet e saj.
Sot, mjetet e informimit dhe të quajturit rrjete socialë, nuk duhet të heshtin më. E quajtura „konkurencë e lirë“ dhe e quajtura „ekonomi tregu“, e kanë fuqizuar së tepërmi pjesën NEGATIVE të njerëzimit dhe, nëse pjesa pozitive nuk po i gjen mënyrat për ta paralizuar veprimtarinë e pjesës negative. Shoqëria njerëzore, me këtë rrugë që ka marrë, pas rrëzimit të Murit të Berlinit, po nuk mori masa të efektshme ligjendryshuese gjithbotërore, s’ka ku shkon tjetër, përveçse në një katastrofë gjithrrënuese, deri në zhdukjen, ose gati zhdukjen e jetës mbi planetin Tokë.
Gjokë Dabaj Durrës, 14-17 korrik 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura