Tiranë, 26 Mars 2020: Gjatë seancës parlamentare për miratimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, paraqitur nga LDK-ja, diskutoi edhe Ministri i Mbrojtjes i kësaj qeverie, z.Anton Çuni. Midis të tjerave, ai, gjatë diskutimit të tij, kur desh të justifikonte veprimin e ish-ministrit të brendshëm, z.Agim Veliu, për deklaratën e tij në TV, në kundërshtim me vendimin e marrë në Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për mos shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, madje as edhe e konsultuar me Komandën e KFOR-it, tha afërsisht kështu: “Edhe unë, po të isha pyetur nga gazetarët, ndoshta ashtu do të shprehesha, si z.Veliu, pasi secili ka të drejtën e shprehjes lirshëm të mendimit të tij.”
Po kështu u shpreh në 17 mars për “Bota sot” edhe z.Agim Veliu: “Fjala e lirë është e garantuar dhe mendimi im po kështu është i garantuar. Unë e kam mendimin tim, pavarësisht se çfarë mendon Kurti.” Ngjashëm u shpreh në favor të z.Vliu, po atë ditë, dhe zv.Kryeministri Avdullah Hoti: “LDK-ja funksionin ndryshe, si në parti ashtu edhe në institucione. Zyrtarët e saj shfaqin lirshëm mendimin e tyre mospajtues me udhëheqësin.”
Këtë këngë, “të drejtën e lirisë së shprehjes” për ish-ministrin Agim Veliu e “kënduan” pothuajse të gjithë diskutantët që donin ta thjeshtësonin veprimin e tij, për të bindur popullin se ne e heqim nga Kryeministri z.Albin Kurti se është kundër fjalës së lirë, është diktator.
Kjo mënyrë justifikimi për ish-ministrin e brendshëm, z.Agim Veliu, u falet të gjithë deputetëve që i dolën në mbrojtje atij. Por kjo gjë nuk i falet kategorikisht z.Anton Çuni, pasi ai është ushtarak, është oficer karjere, i cili e ka kryer të plotë të gjithë arsimin e nevojshëm për të qenë ushtarak profesionist. Dhe me të drejtë u shpreh se ishte krenar për këtë, e që e kishte filluar këtë karjerë qysh në moshën 14 vjeçare. Për këtë arsye, zotit Çuni nuk mund t’i falet një shprehje e tillë, jo vetëm se është me profesion oficer karjere, por e ka ushtruar atë profesion për një kohë të gjatë si në kohë paqe, duke kryer detyra të niveleve të ndryshme komanduese e drejtuese, por këtë detyrë ai e ka kryer edhe në kohë lufte, madje direkt në front, shef shtabi njësie ushtarake, për të cilën edhe e ka vlerësuar vetë Kryeministri Kurti.
Që të jemi sa më të kuptueshëm për çka po shpreh dhe se deri kur ka të drejtë të shprehet sipas mendimit të tij anëtari i qeverisë, po e krahasoj me shtabin e një njësie ushtarake. Për këtë është e nevojshme të tregojmë se ku është ngjashmëria midis qeverisë dhe shtabit të një njësie ushtarake. Njësi quhet brigadë e lart.
Shtabi i një njësie ushtarake është një trupë e posaçme e përbërë vetëm prej oficerash, të zgjedhur nga oficerat më të aftë të gjithë llojeve të armëve dhe shërbimeve, të cilët kanë një pozitë tepër të rëndësishme dhe duhet të kenë arsim ushtarak të plotë, si dhe të dinë mirë se ç’punë është e aftë të kryej arma apo shërbimi i njësisë në luftime e në marshim. Ky shtab drejtohet nga një oficer i posaçëm, që quhet Shefi i Shtabit, i cili, në rast nevoje, jep urdhëra në emër të Komandantit të njësisë ushtarake.
Edhe qeveria e çdo shteti është një trupë e posaçme e përbërë vetëm prej specialistëve të të gjitha profesioneve, të zgjedhur nga profesionistët më të aftë, të cilët kanë një pozitë tepër të rëndësishme dhe duhet të kenë arsimin e lartë përkatës dhe të dinë mirë se ç’punë është e aftë të kryej çdo ministri përkatëse, si në kohë paqe edhe në kohë lufte. Dhe ky “shtab” qeveritar quhet Kabineti i Ministrit dhe drejtohet nga një shef i posaçëm, Shefi i Kabinetit, i cili, në rast nevoje, jep urdhëra në emër të Kryeministrit.
Gjatë diskutimeve në Shtab apo në Qeveri, për marrjen e vendimeve, secili anëtar i shtabit (kabinetit qeveritar) ka “të drejtën e lirisë së shprehjes” dhe të propozimeve. Mirëpo jo çdo mendim apo propozim mund të pranohet nga mbledhja e shtabi apo nga mbledhja e kabineti qeveritar. Në fund të diskutimeve është komandanti i njësisë ushtarake, në rastin tonë, është Kryeministri, ai që merr vendimin pasi i ka dëgjuar të gjithë anëtarët e shtabit (qeverisë).
Në rast se nuk e di z. Çuni, si dhe të gjithë deputetët që e quanin “thjesht një fjalë” deklaratën e z.Agim Veliu pas mbledhjes së Komisionit të Sigurisë së Kosovës, është mirë ta mësojnë, se kjo e ka emrin centralizëm demokratik, i cili do të thotë, se ke të drejtë të shprehesh e të propozosh në mbledhjen e shtabit (qeverisë) ashtu si ti mendon, por, pasi merret vendimi të hiqet e drejta të shprehesh e të veprosh ndryshe nga vendimi i komandantit, i Kryeministrit. Në të kundërt, si në ushtri edhe në qeveri, largohesh nga ajo detyrë dhe zevendësohesh.
Të gjithë deputetët që u munduan të justifikonin “për një fjalë goje” ish-ministrin e brendshëm u falet, por Kolegut tim, z.Anton Çuni, nuk i falet të mos e dijë se: vendimi është diçka shkencërisht e përmbledhur, e koncentruar, që u kujton të gjithë anëtarëve të shtabit (qeverisë) problemin që është studjuar, rëndësinë e tij, detyrat kryesore që duhen kryer dhe kur e si duhet të kryhen, caqet që duhet të arrihen, si dhe disa nga masat më të rëndësishme që duhen marrë.
Ja se si thuhet për këtë edhe në Doktrinën Taktike të Forcave Tokësore të NATO-s (ATP-35 B), paragrafi 0205.6: “Hapi i fundit në procesin e vlerësimit i takon komandantit, për të përzgjedhur kursin e tij të veprimit, prej të cilit ai përpilon konceptin e tij të operacionit. Ky koncept përmban në vetvete qëllimin (idenë) e komandantit. Vendimi i komandantit duhet të mëshirojë vullnetin e tij për të siguruar udhëheqjen e operacionit. Me t’u marrë vendimi nga komandanti, shtabi i tij fillon përpilimin e planit.” Por, edhe në “Psikologjinë amerikanë të drejtimit në ushtri” theksohet: “Nëse eprori dëshiron të diskutojë përmbajtjen e urdhërit, ai e bën vetë këtë veprim.”, (f.145).
Pra, sikundër duket qartë, me t’u marrë vendimi, secili anëtar i shtabit (i qeverisë) nuk ka më të drejtë të shprehet e të veproi në kundërshtim me vendimin e shprehur nga Komandanti, në rastin tonë nga Kryeministri.
Së dyti, z.Anton Çuni, gjatë fjalës së tij i bëri edhe këto tre propozime Kryeministrit Albin Kurti: “Unë do të bëj të pamundurën nëse ju i shikoni këto vendime që keni marrë, pasi të mirret pauza prej nji ore, unë me urgjencë do e takoj z.Mustafa që ta tërheqë mocionin nëse ju e riktheni Agim Veliun në detyrën e tij, tërhiqni taksën dhe t’i kërkoni ndjesë LDK-së.”
Edhe kjo tregon se, z.Çuni nuk e ka aspak konceptin e nderit të oficerit e sidomos të komandantit; në rastin që diskutojmë, të Kryeministrit. Midis të tjerave, meqenëse po komunikoj me një koleg timin si ushtarak, po i citoj se në “Psikologjin amerikane të drejtimit në ushtri” thuhet: “Oficerat duhet të jenë të kujdeshëm edhe për të mënjanuar krijimin e përshtypjes se ata po kërkojnë prova diskriminimi kundër komandantëve të tyre.”, (f.125).
Të gjithë ministrat e Qeverisë Kurti që folën në atë seancë, përfshi edhe z. Çuni, u shprehën dhe pranuan, se sinqeriteti i Kryeministrit Kurti gjatë kësaj periudhe të shkurtër qeverisëse ishte tepër bindës dhe të gjithë e kanë pranuar me vullnet udhëheqjen e tyre. Këtu bën përjashtim vetëm Agim Veliut, i cili pasi u shkarkua nga posti i ministrit të brendshëm, ka pranuar vetë duke thënë: “Unë nuk i nënshtrohem vendimit të tij asnjëherë. Kurti e ka ditë që unë nuk i nënshtrohem asnjë presioni dhe as një kërkese të tij, ai e ka ditë që kërkesat e tij janë të kota, unë do ta pranoja detyra sikur ministrat e tij asnjëherë.”, (Bota sot, 17 mars, 2020).
Ajo çka theksuan ministrat e Qeverisë Kurti për Albinin e thotë edhe Psikologjia e ushtrisë amerikane: “Nuk është shumë thelbësore për komandantin, që të jetë njeriu më i zgjuar në njësinë e vetë, por ai duhet të jetë medoemos më i çiltri. Në këtë mënyrë, pozita e tij ngrihet më lart se sa ajo e vartësve të tij në sajë të nderit për të përballuar përgjegjësi më të mëdha e detyra më të shumta”, (f.165).
Duke qenë se kemi një kryeministër të tillë, i cili sqaroi hollësishtë dhe me fakte bindëse se pse e shkarkoi Agim Veliun, si dhe kush e theu marrëveshjen me partnerin dhe pse po vepron sipas asaj marrëveshje për çështjen e taksës me Serbinë, me këtë propozim që z.Anton Çuni bëri, i bëjmë pyetjen retorike: Nëse z.Albin i plotësonte të tre kërkesat tuaja, a do t’i ngelej më nder dhe autoritet Kryeministrit Kurti për drejtimin e qeverisë?
Ja pra, që ju z.Anton Çuni nuk e dini ose nuk doni ta dini se ku qëndron nderi dhe autoriteti i Komandantit, në rastin tonë i Kryeministrit; gjë që nuk u lejohet të mos e dini; aq më shumë që ratë në kundërshtim me vlerësimin që ju i bëtë vetë punës së tij. Me ato tre propozime, ju s’bëtë gjë tjetër, veçse kërkuat të lartësonit në mënyrën më të hapur autoritetin e Isa Mustafës, duke e vënë atë mbi Kryeministrin Albin Kurti, që t’i kërkojë falje Isa Mustafës. Po cili është autoritet më i lartë në shtet se Kryeministri dhe Presidenti? Dhe këto propozime i bëtë edhe pse Albini ka vepruar sipas përgjegjësisë së detyrës që i ka besuar populli dhe parlamenti dhe jo në mënyrë të padrejtë. Me këto propozime, ju, indirekt kërkuat t’i thoshit: Bënu baltë ti Albin, se atëherë do të jesh edhe më i çiltër, edhe më me autoritet dhe ne do të të duam edhe më shumë.
Jo mor zotëri, dinjiteti është cilësia më e lartë e çdo individi, e çdo personaliteti dhe i çdo shteti. Dhe Kryeministri Albin Kurti ta ktheu përgjigjen në fjalën sqaruese në fund të asaj seance parlamentare: “Unë, si kryeministër jam i detyuruar të mbroj dinjitetin e vendit tim, të Kosovës sonë”.
Kështu që, edhe ju z.Ministër i Mbrojtjes së Kosovës, me ato propozime keni tradhëtuar Qeverinë e gjithë popullit të Kosovës dhe keni vënë mbi të dhe mbi gjithë Kosovën partinë tuaj. Që do të thotë se pjesa është mbi të tërën. Më vjen keq t’ua kujtoj se për të mos e kryer edhe ju atë veprim kundër Qeverisë Kurti, nuk e keni marrë parasysh aspak një thirrje bërë atë ditë në gazetën e partisë suaj, “Bota sot”, nga z. Binak Manxharaj, para se të hynit në atë seancë: “Besoj se sot Parlamenti nuk do t’i bëjë kombit tradhtinë e dytë. I bëj thirrje Parlamentit që kjo mos të ndodhë për hir të elektortit dhe situatës pandemike që jemi. Mocioni i Isa Mustafës është thik pas shpine që i bëhet qeverisë dhe shtetit të Kosovës.”
Tiranë, 26 mars 2020