KMDLNj-ë: A DUHET QË KONVERTIMI DOMOSDOSHMËRISHT TË BËHET ÇËSHTJE MEDIATIKE?!
Dje, më 18 korrik 2022 thuaja të gjitha mediat në Kosovë e bënë publik lajmin se një banor qenka konvertuar në të krishterë në kishën e Shën Abrahamit në Llapushnik dhe se, me atë rast e ka ndërruar edhe emrin, nga Ragip, në Arbër! Dhe, këtu nuk përfundon tregimi. Menjëherë pas kësaj bëhet publike deklarata e një hoxhe i cili, duke e denoncuar këtë konvertim deklaron se personi në fjalë vetëm me letërnjoftim ka qenë mysliman e jo edhe me bindje. Sipas KMDLNj –së, reagimi i hoxhës është në kundërshtim me të drejtën me Ligjin për të Drejtat dhe Liritë Fetare që garanton se besimi dhe praktikimi i fesë është shprehje e vullnetit të lirë të çdo qytetari dhe në këtë kontekst është i dënueshëm dhe i papranueshëm çdo presion apo imponim ndaj përcaktimit të besimit, si njëra ndër të drejtat themelore të njeriut e që garantohet me Kushtetuten e Kosovës.
KMDLNj –ë konsideron se e drejta e besimit sikur edhe konvertimi nga një besim në një tjetër është çështje personale dhe si e tillë edhe duhet të trajtohet. KMDLNj –ë, edhe më parë ka reaguar për faktin se konvertimi, kryesisht nga besimi islam në të krishterë ishte instrumentalizuar nga qarqe të caktuara brenda Kishës katolike dhe ishte përdorur si mjet propagandues dhe nxitës për rritje të konvertimit.
Ndryshe, pse do të duhej që konvertimi që bëhej në Natën e Kërshëndellave përkatësisht gjatë Meshës së fundvitit të përcillej me një pompozitet mediatik e që nuk ka qenë e shprehur më parë ?! Po të njëjta akrobacione mediatike përdoren dhe keqpërdoren edhe në disa raste kur besimtarë të caktuar e pranojnë Islamin. Fitohet përshtypja që po bëhet një garë mediatike për të përfituar besimtarë të rinjë përmes konvertimit e që është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut të përcaktimit në bazë të vullnetit dhe të lirë për natyrën e besimit dhe përkatësisë ndaj një feje.
Në Kosovë është një tolerancë fetare e menaxhuar mirë por që politizohet për qëllime politike. Duhet të pranohet se për shkak të situatës së krijuar në disa vende dhe shtete ku kanë qenë të implikuar edhe qytetarë të Kosovës, në Kosovë është e theksuar një islamofobi duke u arsytuar me Islamin politik e që në Kosovë nuk e ka një fuqi të tillë.
Kohëve të fundit ka pasur stigmatizim të theksuar ndaj disa personaliteteve publike që kanë shkuar për haxh në Vendet e Shenjta e që KMDLNj –ë e konsideron si shkelje e të drejtave të njeriut. Po të njëjtit stigmatizimi i nënshtrohen femrat e mbuluara me shami të cilat edhe diskriminohen gjatë shkollimit apo gjatë punësimit!
KMDLNj –ë tërheq vërejtjen se këto veprime rrisin intolerancën fetare dhe se duhet të respektohet vullneti i çdo qytetari që të besojë dhe praktikojë detyrimetë ndaj fesë që i takon, krejtësisht i lirë dhe pa asnjë presion.
KMDLNj –ë është kundër asaj që konvertimi ( për të gjitha besimet, pa asnjë dallim ) të paraqitet si ngjarje mediatike dhe të respektohet vullneti dhe privatësia e çdo besimtari, si një e drejtë e garantuar dhe e mbrojtur me ligj dhe si e drejtë e njeriut. Për çdo veprim të kundërt përgjegjësi do të mbajnë udhëheqësit e komuniteteve fetare në Kosovë.
19 korrik 2022 Prishtinë Shërbimi për Informim