KRUJA E GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT

Në 579 vjetorin e ngritjes së Flamurit të Arbërit në Kalanë e Krujës, më 28 Nëntor 1443

KRUJA E GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT

Nga Sheradin Berisha, FB 24. 11. 2022 – Pashtriku 8 Janar 2023

HYRJE

579 vjet më parë, më 28 nëntor 1443, Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pas një beteje luftarake në qytetin e Nishit kundër ushtrisë hungareze në krye me Jano Huniadin, me 300 luftëtarë arbërorë u kthye në vendlindjen e tij, dhe me një ferman të falsifikuar e mori qytetin e Krujës që ishte pushtuar nga ushtria osmane. Ai në prani të krutanëve (banorëve të Krujës) ngriti flamurin e Lirisë (atë të Kastriotëve) mbi muret e Kështjellës në Krujë. Sipas kujtimeve të Marin Barletit, Gjergj Kastrioti iu drejtua krutanëve me fjalët lapidare: “Armët nuk ua solla unë, por ju gjeta të armatosur! Lirinë e pashë se e keni kudo: në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja”.

QYTETI I KRUJËS

Qyteti i Krujës gjeografikisht është rreth 32 kilometra larg Tiranës. Ka 19400 banorë. Shtrihet në shpatet malore, me një lartësi 560 metrash mbi nivelin e detit. Emri i qytetit rrjedh nga fjala Krue, që do të thotë burim dhe sot burimet natyrale në Krujë janë të shumta. Gërmimet arkeologjike dëshmojnë se në Krujë ka qenë një vendbanim ilir, që në shekullin III para erës sonë. Fshati Zgërdhesh, që ndodhet rreth 4 km larg Krujës, mendohet të ketë qenë “Albanopolisi” i përmendur nga gjeografi dhe astronomi nga Aleksandria, Ptolemeu, në shekullin II të erës sonë.

KALAJA E KRUJËS

Gërmimet arkeologjike të vitit 1978 dëshmojnë se kodra ka qenë e banuar që në shek e III p.e.r. ndërsa kalaja është ngritur në shek. V-VI e.r.

Dokumenti i parë që e përmend kalanë e Krujës është ai i aktit të sinodit kishtar, që u mbajt në Kishën e Shën Sofisë në Konstandinopol, në nëntor të vitit 879. Kruja ka qenë epiqendra e parë e shtetit të parë feudal shqiptar, “Principata e Arbrit”, rreth vitit 1190-1198, duke pasur në krye Progronin dhe më pas djemtë e tij, Gjinin (1198-1206) dhe Dhimitrin (1206-1216).

Kruja e arrin lulëzimin e vet në shekullin XIII-XIV. Në gjysmën e shekullit XIV është kryeqendra e Topiajve, me tregti dhe zejtari të zhvilluar, duke bërë që pranë kështjellës të ngrihen lagjet më të vjetra. Tanush Topia zgjeroi pronat e tij dhe krijoi një principatë të madhe, deri në momentin kur ky i fundit vritet nga Roberti, mbreti i Napolit, ndërsa vendin e tij e zë i biri, Karl Topia.

Osmanët e pushtojnë për herë të parë më 1396 dhe për herë të dytë më 1415, ndërsa i vënë emrin “e ri” Krujës, “Akçe Isar” (Kulla e Bardhë). Më 1430, shpërtheu një kryengritje e organizuar nga Gjon Kastrioti. Me kthimin në atdhe të Skënderbeut (1405-1468), më 28 Nëntor 1443, Kruja bëhet qendra e epopesë shqiptare të shekullit XV, duke bërë që të dështojnë rresht tre rrethimet e Krujës (1450,1466,1467).

Kalaja e Krujës merret vetëm më 16 Qershor 1478, 10 vjet pas vdekjes së Skënderbeut nga Sulltan Mehmeti II. Tërmeti i vitit 1617 që ra në Krujë, dëmtoi dhe më pas rrëzoi disa prej strukturave të gurta të qytetit të lashtë, duke përfshirë edhe pjesë të fortesës. Sërish më 1832, ajo bie pre e shkatërrimeve përgjatë shtypjes së kryengritjeve shqiptare nga osmanët.

Disa rregullime që iu bënë fortifikimit përgjatë shekullit XIX nuk mundën t’i kthenin shkëlqimin e dikurshëm. Gjatë shek. XVIII-XIX qyteti pati një gjallërim ekonomik dhe mori trajtën karakteristike të kullave krutane, ndërsa në gjysmën e dytë të shek. XIX, ajo ka një zhvillim të ri lidhur me kthimin në një qendër të mirëfilltë qytetare.

Kalaja e Krujës është ndërtuar mbi një kreshtë shkëmbore të shkëputur nga mali Sarisalltëk dhe nga formacionet kodrinore përreth. Ajo lidhet me këto të fundit vetëm nga ana verilindore, ku ndodhet dhe hyrja kryesore për në kala. Anët e tjera janë shkëmbinj të thepisur, praktikisht të pangjitshtëm ose vetë kodra bie me pjerrësi të theksuar.

Një nga veçoritë e kalasë së Krujës është mënyra e furnizimit të saj me ujë, gjë që e ka bërë të mos vuajë asnjëherë nga mungesa e ujit. Brenda territorit të kalasë, në shkëmb rrjedh një burim nëntokësor, i cili del në rrëzë të murit lindor të saj. Ky krua, që përdoret edhe sot në një çezmë, ka qenë rrethuar me një sistem muresh e kullash.

MUZEU KOMBËTAR NË KALANË E KRUJËS

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu i njohur edhe si Muzeu i Skënderbeut dhe Muzeu i Krujës, ndodhet brenda mureve të Kalasë së Krujës dhe është një nga vendet më të vizituar në Shqipëri. Përurimi i muzeut është bërë më 1 Nëntor 1982. Njëkohësisht ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Arkitektë te muzeut janë: Pirro Vaso dhe Pranvera Hoxha. Kompleksi i muzeut është shpërdarë në disa hapësira të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në këtë muze numërohen pavione të tilla si:

– pavioni i antikitetit dhe mesjetës së hershme,

– pavioni i principatave shqiptare,

– i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi,

– pavioni i kështjellave mesjetare,

– i qëndresës shqiptare,

– kanceleria e Skënderbeut,

– biblioteka,

– salla e princave,

– e pinokotekës dhe

– së fundi pavioni i trashëgimisë dhe i jehonës.

Në këto pavione janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronxi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbanë e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj. etj.

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu

http://www.youtube.com/watch?v=WXe23KTh7_c

MUZEU KOMBËTAR ETNOGRAFIK NË KALANË E  KRUJËS

Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 Nëntor 1989. Është një ndërtesë tradicionale e ndërtuar në mesin e shekullit të XVIII (1764) nga Ismail Pashë Toptani. Arkitektura e saj është orientale me koridor të mbyllur, tip kulle, dy katëshe me mure guri me gjerësi 60-80 cm. Në të gjenden piktura të stilit barok, dhe islamik, të cilat zbukurojnë dhomat kryesore të saj. Që në hyrje të saj bien ne sy harqet e portave me gur të gdhendur dhe rrugët e shtruara me kalldrëm. Në këtë banesë gjenden shumë elemente të traditës së zonës për mënyren e jetesës, veshjet, zakonet etj.

Në hyrje janë disa modele burimesh natyrore të ujit të cilat dëshmojnë se Kruja ka patur disa të tilla madje mendohet se edhe prejardhja e emrit të qytetit vjen prej tyre si “kroje” = Krujë. Kruja në fillimet e saj njihet si vend blegtoral e bujqësor dhe më pas zejtar e tregtar. Ajo ka mbjellë grurin, ullirin e hardhinë, ka rritur dhentë, dhitë e lopët, ka mbajtur shpendë dhe bletë.

Me ndërtimin e pazarit të vjetër, fundi i shekullit XVII dhe fillimi i shekullit XVIII, morën zhvillim një sërë zejesh. Qyteti i Krujës njihet për mjeshtritë e punimit të gurit, për ndërtim banesash dhe prodhimin e ornamenteve për varre, oxhaqe etj. Është punuar edhe druri për dekoracione tavanesh, dyer, dritare dhe në objekte të tjera të përdorimit shtëpiak. Një nga zejet e vjetra është edhe regja ose përpunimi i lëkurës dhe proçeset që kalonte ajo. Gjithashtu në ambjentet e banesës njihesh me përpunimin e kashtës së kënetës dhe prodhimin e hasrave për tu ulur ose për të fjetur.

Është përpunuar hekuri për nevojat e tregut të Krujës, si dhe qeramika ku prodhoheshin tulla e tjegulla dhe objekte të përdorimit shtëpiak. Është prodhuar vera dhe rakia. Gjithashtu është përpunuar ulliri për nevojat e familjes dhe të tregut, si i konservuar dhe për vaj. Mënyra primitive e shtypjes me këmbë të ullirit në govatë dhe ajo artizanale ose presa janë të ekspozuara bukur. Të veçantë janë dhe amforat që janë përdorur për të mbajtur për kohë të gjatë vajin e ullirit që vendasit e quajnë “magrip”.

Për sa i takon traditave në mënyrën e jetesës bien në sy dhoma e grave ose e nuses ku dallohen objektet e pajës, veshjet me stolitë e qendisura me kujdes me fije ari, argjendi dhe inxhi. Të veçanta janë punimet e dritareve të dritës dhe ato për ajrosje me punime gipsi e druri. Koridori i madh shërben si ndërlidhës i dhomave ku më e bukura është ajo e burrave e përdorur për dasma dhe kuvende.

Interesante është mënyra e vendosjes në të dy anët e oxhakut dhe qoshku si dhe dhoma ku rrinin vajzat e shërbimit. Ekspozimi i armëve tregon elemente të traditës. Një pjesë e tyre janë prodhuar nga mjeshtër vendas. Banjo me avull ose “Hamami” familjar, është një nga objektet më të rralla të kësaj banese. Ajo është me një kupole me ngrohje, në të cilën në një ambjent të ngrohtë avulli bëhej masazh.

Në dhomën e ndenjes dallohet qoshku ku rrinin fëmijët, për të mos u ulur bashkë me të rriturit për të ngrënë. Edhe guzhina ka të veçantat e saj si enët e përdorimit prej qeramike, druri e bakri, magja e gatimit dhe oxhaku në formën e një aspiratori të madh. Në koridor në dalje të banesës janë veglat e marangozit dhe rozeta e tavanit që është prej 300 vjet më parë e punuar në dru të rrallë selvije, gjithashtu qilari ose dhoma e konservimit të frutave e perimeve me dritare të vogla. Në një dhomë të madhe gjumi janë ekspozuar veshje të traditës katolike dhe myslimane të përdorura nga krutane ose nga banore të zonave të tjera të ardhur në Krujë.

Muzeu Etnografik në Krujë (Video)

http://www.youtube.com/watch?v=w7nZ74U5g_s

PAZARI I VJETËR NË KRUJË

Pazari i vjetër i Krujës ose siç thirret nga vendasit, Pazari i Derexhikut, është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri. Shtrihet në të dy anët e rrugës së vjetër të shtruar me kalldrëm që të çon në kala. Ky pazar ka ekzistuar që në Kohën e Skënderbeut. Pazari i Derexhikut ka patur rreth 150 dyqane të cilat nisnin nga hyrja e kalasë së sotme dhe deri te Hani i Picorrit, aty ku është vendosur Bashkia e sotme e qytetit të Krujës.

Është djegur dy herë tërësisht dhe në të dyja rastet është rindërtuar nga e para. Në shekullin XVII, qyteti mori një zhvillim ekonomik dhe rrjedhimisht dhe zejet e vendosura në treg. Në vitin 1961 Pazari i Krujës u mor nën kujdesin e shtetit, ndërsa më 1966 u krye ndërhyrja e parë serioze për rikonstruksionin e tij. Dyqanet e tregtarëve dhe të mjeshtërve janë përdhese, një katëshe, me përjashtim të Derexhik ku ka edhe ndërtesa dy katëshe.

Ky pazar karakteristik, më 1963, për vlerat e tij historike dhe arkitektonike u shpall ansambël muze. Në këtë pazar shiten sende dhe mallra të prodhuara në shekuj të ndryshëm. Larmia e mallrave që tregtohen këtu dhe vjetërsia e tyre tërheqin çdo vit një numër të lartë turistësh nga vende të ndryshme të botës.

Pazari i Krujës (Video)

http://www.youtube.com/watch?v=utx_79dHroE

___________________________________

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura