(Prishtinë, 21. 02. 2013) – Dy “trimat” e Shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Grabovci – Lajmi i përhapur (çuditërisht!) shumë shpejt se dy djemtë e Shefit të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Adem Grabovci, kanë rrahur një polic që ishte duke kryer detyrën për të cilën është përgjegjës dhe paguhet për atë punë, ishte një lajm i keq dhe neveritës! Duke vrarë mendjen për një kësi gjesti të “guximshëm” nga këta dy të rinj që shkaktoi indinjatë dhe neveri, kudo në popullin tonë, të sillen nëpër kokë vërdallë dy gjëra: e para, prej nga ky guxim i këtyre dy “çunave” për të ngritur dorë në nëpunësin e uniformuar të shtetit, kur kjo nuk ishte diçka e zakonshme në të kaluarën jo aq të largët?, dhe e dyta, në ç’shkallë duhet të ngrihet përgjegjësia ndaj atyre që kryejnë këso veprash? Dhe pa një, pa dy, pa u hamendur gjatë, përfundimi i konkluzionit del të jetë pa ndonjë efekt dhe i pavlerë: guximi dhe reagimi i shpejtë i këtyre dy “çunave” vjen më tepër si rezultat i logjikës së thjeshtë se ata janë bijtë e një Shefi të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, pozita e të cilit i bën që të ndihen të mbrojtur dhe të sigurt se nuk guxon kush t’ua turbullojë ujin, por edhe nëse ka të tillë, t’ia tregojnë qejfin me grushtime pa fije droje për pasojat, sepse ka kush t’u dalë zot!
* * *
Pritja e kotë për një gjest burrërie
Populli ynë një kohë shumë të gjatë ka ëndërruar që ta ketë policinë e vet, ushtrinë e vet etj., si çdo shtet tjetër normal. Mall e ka pasur që t’i shohë djelmoshat dhe vajzat e tij të veshur me uniformë që simbolizojnë shtetësinë dhe përkatësinë e kombit që i përkasin. Por larg asaj se ata një ditë do të grushtohen nga sivëllezërit e tyre! Nuk mendoj se pas marrjes së këtij lajmi babai i “trimave” do të jetë ndierë mirë dhe do ta ketë harruar shpejt këtë ngjarje të pështirë, fare të pahijshme dhe jo aq të zakontë. Megjithatë, janë të gjitha indikacionet që direkt ose indirekt, ai të ketë ndërhyrë për të penguar shkuarjen e drejtësisë në vend që një akt i tillë të gjykohet dhe të dënohet sipas ligjit dhe veprës së kryer! Le ta lëmë ligjin mënjanë, por sipas traditës dhe zakoneve tona pozitive, në kësi rasti, populli do të priste me të drejtë që babai i tyre të dilte publikisht, si burrat, dhe të apelonte që në mënyrë të drejtë dhe të paanshme të zbatohet ligji ndaj bijve të tij, njësoj, si ndaj të gjithë qytetarëve të tjerë që duhet të jenë të barabartë para tij dhe t’u shqiptohet dënimi i merituar, ose së paku t’i kërkonte falje policit të grushtuar që e kishte pësuar vetëm e vetëm pse kishte dashur ta kryejë detyrën me nder, ose mundësia tjetër dhe pse jo, të gjithë qytetarëve për sjelljen “axhami” të djemve të tij. Vetë pozita e tij në Kuvendin e Kosovës e bën që të jetë i arsyeshëm një veprim kësi soji para qytetarëve. Dhe kjo farë sjellje e tij, jo që do t’ia ulte autoritetin dhe respektin para këtyre qytetarëve, por do t’ia ngrinte në shkallë më të lartë, mbase edhe më të lartë se që e kishte deri më tash. Kjo do të vlerësohej shumë më tepër si një gjest burrërie, se sa ligështie për të. Por deri më tani nuk na ra me pa kësi burrash në PDK-Qeveri të Kosovës. A thua deri në këtë derexhe të ketë ardhur kjo PDK-Qeveri?! Ishalla jo! Por nga kjo lutje pak ka hajr!